Mbështetja e sektorit privat në formën e tashme duhet të vazhdojë për disa muaj, në kontekst të asistencës në paga dhe qira si dhe në kompensimin e dëmeve. Faza e rimëkëmbjes duhet të nisë më shpejt, nëpërmjet granteve dhe huadhënies pa kamatë me grejs-periudhë nga një deri në tre vjet - varësisht nga veprimtaria, duke nisur numërimin nga koha kur aktiviteti zhvillohet me kapacitet të plotë
Dy muaj prej kur janë shfaqur rastet e para me COVID-19 në Kosovë, ka pak entuziazëm se situata mund t’i kthehet shpejt normalitetit. Të gjithë e pranojnë se beteja nuk është fituar - nuk ka vaksinë e as kurë, e sëmundja sillet “vërdallë” rreth nesh.
Të vetëdijshëm se shoqërisë njerëzore do t’i duhet të bashkëjetojë me virusin, mbase edhe me vjet, qeveritë në botë janë të vendosura të kthejnë në funksion shumicën e aktiviteteve publike, tregtare e shërbyese, me çmimin e rrezikimit të shëndetit publik.
Për sa kohë që nuk ka ende vendim për hapje globale, menaxhimi i krizës epidemiologjike dhe efekteve të saj në ekonomi janë çështje e brendshme e shteteve - suksesi i tyre varet nga kapacitetet institucionale, e sidomos nga niveli i përgjegjësisë së qytetarëve.
Sfidë më e vështirë është nëse në perspektivën e afërt, krahas hapjes brenda shteteve, nis hapja e kufijve mes shteteve. Sidomos në kohën kur në shumicën e vendeve të botës, e sidomos në Evropë dhe në SHBA, shifrat e të infektuarve janë të mëdha. Nga rreth 150 mijë sa ishin në mesin e muajit mars, ato dy muaj më pas i janë afruar 5-milionëshit (statistikat i referohen realizimit të testeve).
Statistikat dhe argumentet shkencore vazhdojnë të përplasen me vendimmarrësit politikë e me presionin që vjen nga biznesi për atë nëse duhet rikthyer “normalitetin”. Ekspertët e shëndetësisë, nga këndvështrimi i tyre, kanë të drejtë. Kur numrat me të infektuar ishin simbolikë krahasuar me të tashmit, masat parandaluese në Kosovë dhe në shumë vende tjera të botës ishin drastike. E me rritjen e numrave ka reduktim të kufizimeve, me tendencën që ato të hiqen tërësisht në një të ardhme të afërt.
Ka shumë arsye që ato, në formën çfarë janë aktualisht, të mbahen në fuqi. Por, janë edhe disa arsye përcaktuese që favorizojnë vendimin për lehtësimin e masave.
E para, nga këto javë të karantinimit masiv, njerëzit kanë krijuar shprehitë, e institucionet përvojën menaxhuese.
Mbajtja e distancës sociale, kujdesi ndaj higjienës dhe racionalizimi i lëvizjeve në publik është dëshmuar se janë armët e vetme përballë armikut të padukshëm. Mbrojtja nga infeksioni nuk varet as nga mjekët, as nga policia. Ajo është në dorën e qytetarëve.
E dyta është domosdoshmëria e të mbijetuarit.
Rreziku nga ngufatja e ekonomisë, e për rrjedhojë edhe e mirëqenies sociale, ka imponuar rikthimin në punë të shërbimeve e të aktiviteteve prodhuese e tregtare. Ikja në pakufi nga “virusi” nuk është zgjidhje. Pasojat mund të jenë më të mëdha sesa të pandemisë në kushtet e izolimit, për më tepër që qysh tash të dhënat janë pesimiste edhe në Kosovë.
Gastronomia është gati 100 për qind jofunksionale. Sektori i transportit ka humbur afro 50 milionë euro. Përveç shitjes me pakicë të artikujve bazë të shportës dhe farmacive, në fund të pusit kanë rënë edhe të tjerë sektorë. Prodhimtaria ka humbur afro 70 për qind të tregut, fermerët janë të shtrënguar të hedhin një pjesë të produkteve e pjesën tjetër ta shesin me çmim që nuk arsyeton koston.
Sektori i ndërtimit është kthyer në punë, por pa shpresë se shitja do t’u kthehet ritmeve të mëparshme.
Turizmi, i lidhur ngushtë me sektorët tashmë të paralizuar, si gastronomia, transporti, industria e argëtimit, e sidomos kufizimi i lëvizjes së qytetarëve... mund të humbë shansin që të shfrytëzojë muajt e verës, kryesorët për afarizmin e tij.
Numri i vendeve të punës që pritet të shuhen, nëse lakorja e rritjes ekonomike pëson ulje në afro 4 për qind (sipas parashikimeve të FMN-së), arrin në 50 mijë. Në skenarin më të keq, nëse ajo bie për 11 për qind, shifrat mund të shkojnë në afro 100 mijë vende pune më pak. Kjo redukton fuqinë blerëse, rrit nevojën për asistencë dhe, në pamundësi të përmbushjes së saj, nxit trazirat sociale.
Statistikat nuk mund të jenë ndryshe, meqë nuk bëhet fjalë për një ditë apo një javë paralizim të ekonomisë, por për së paku tre muaj. Sipas paralajmërimeve, për shumicën e bizneseve pezullimi do të zgjasë të paktën deri në javën e parë të qershorit, e për disa të tjera në afat të pacaktuar.
Heqja e disa kufizimeve mund të përmirësojë gjendjen, por jo të sanojë dëmet. Andaj, infuzioni financiar është i domosdoshëm. Subvencionimi i sektorit privat në formën e tashme duhet të vazhdojë edhe për disa muaj, në kontekst të asistencës në paga e qira në kompensimin e dëmeve. Faza e rimëkëmbjes nëpërmjet granteve dhe huadhënies pa kamatë me grejs-periudhë nga një deri në tre vjet - varësisht nga veprimtaria, duke nisur numërimin nga koha kur aktiviteti zhvillohet me kapacitet të plotë.
Rikthimi mund të vërë në lëvizje bizneset dhe të punësuarit formalë. Por, vëmendje duhet pasur tek afro 100 mijë të punësuar informalë dhe për dhjetëra-mijëra të vetëpunësuar. Për të parët nuk do të ketë kërkesa për punë, e të dytëve u duhet të nisin nga fillimi.
Qeveria - cilado që të jetë, kjo në detyrë, ajo që synon ta zëvendësojë atë, apo një e tretë e dalë nga zgjedhjet e parakohshme - duhet t’i ndryshojë prioritetet. Të shtyjë të paktën për dy vjet investimet kapitale, sidomos projektet elektorale dhe zhvatëse, të cilat edhe në kushte normale nuk kanë arsyeshmëri ekonomike në formën çfarë janë projektuar.
Konsolidimi i sektorit privat është garanci për rimëkëmbjen afatgjate të ekonomisë. Është garanci se buxheti mund të rikthehet në parametrat e zakonshëm, e po ashtu të rikthejë në tavolinë të gjitha prioritetet e lëna anash përkohësisht.
E rëndësishme muajt në vijim është që të ruhet zinxhiri prodhues dhe tregtar, garantimi i paqes sociale dhe zbatimi inteligjent i politikave stimuluese. Gjithnjë duke ndërvepruar dhe siguruar ekuilibër me politikat e ruajtjes së shëndetit publik.
Përndryshe, nëse për 60 ditë kemi 30-fishim të të infektuarve e 50-fishim të viktimave në nivel bote (në mesin e marsit ishin afro 150 mijë të infektuar e 6 mijë të vdekur), në “valën e dytë” - nga 5 milionë të infektuar sa janë tash - numri pas dy muajve, me këtë trend dhe me heqjen e plotë të kufizimeve, mund të arrijë në të paktën 150 milionë të infektuar.