OpEd

Shemria

Shqipëria dhe Kosova asnjëherë nuk do të shkëputen dot nga rëndesat e Tiranës dhe Prishtinës. “Pse duhet të shikojmë veç nga ikën tymi i Prishtinës?” – thoshte dikur me mllef një panagjerik. “Tirana nuk mund të jetë qendra e Shqiptarisë”, i përgjigjej me të njëjtën gjuhë një nacionalist nga Kosova. Po ku është qendra e Shqiptarisë?

“Kam mendu se Shqipnia kish një kafaz mbi kry t’vet, që nuk e linte as edhe një bomb të vetme me i hi përtej. Pa, kish armët ma moderne n’botë!” Duke e dëgjuar me vëmendje, nuk po kuptoja se deri ku shkonte shkalla e përfytyrimit hipotetik mbi vendin tim. “Kam kryer shërbimin ushtarak dhe kemi armë të zakonshme: kallashnikov...”. “Jo bre, nuk i ka veç kito Shqipnia, ka bash më t’mirat mbi dhé”. Ato ditë vere të vitit 1991 ishim shumë larg njëri-tjetrit. Unë për të gjetur një vend për të fshehur kokën, pas ardhjes prej një aventure lufte Kroacie, kosovari kinse i habitur me përgjigjet e mia, që duhet t’i dukeshin krejt çapraz...prej paditurisë naive patriotike.

Pak javë më vonë, në Tiranë do t’i hasja ngado kosovarët e parë, që shqiptarët i prisnin me një lloj dashurie, por edhe disi të habitur me mënyrat “e reja” të biznesit. Djemtë e fillimit, ardhur më së shumti prej emigracionit, do të sillnin shumë tollovi e më së shumti krisjen e parë për këtë imazh idilik...

Qysh atëherë, kanë kaluar plot tri dekada, por Lufta e Kosovës do të na bashkonte si pak herë në histori. Njësh me dhimbjen, trishtimin, urrejtjen pa fre për serbët dhe fatin e keq.

A jemi bash gjithnjë kundër kujt? Po, kundër fatit do të përgjigjeshim nga të dyja anët e kufirit. Fati i kujt? “Kosova nuk mundet pa Shqipërinë e Shqipëria nuk mundet pa Kosovën”, do t’i shkruante në një moment kthjellimi kryeministri Kurti homologut të tij, Rama, kur mori mandatin e tretë, por do t’i kujtonte dhe problemet zgjedhore, ku Vetëvendosja e Kosovës konkurronte kundër PS-së të tij!! Shemrat e kishin nxjerrë kryeneçe kokën. Po se mos atëherë?! Shqipëria dhe Kosova asnjëherë nuk do të shkëputen dot nga rëndesat e Tiranës dhe Prishtinës. “Pse duhet të shikojmë veç nga ikën tymi i Prishtinës?” – thoshte dikur me mllef një panagjerik. “Tirana nuk mund të jetë qendra e Shqiptarisë”, i përgjigjej me të njëjtën gjuhë një nacionalist nga Kosova. Po ku është qendra e Shqiptarisë? Këtë do të ketë pyetur ndonjëherë Shota, e veja e Azem Galicës, e rënduar dhe në një udhëtim plot mundime drejt Shqipërisë. Ani qeveria e Zogut do ta linte të vdiste në skamje, kurse në kohët tona bijtë e vet të Shqipërisë e Kosovës do ta linin në një lëndinë të humbur mes plehrave në të dalë të Fushë-Krujës. Ajo është qendra, ku nuk ka askush dorë, sepse të tillë kanë qenë dhe njerëzit që luftuan për Shqipërinë e Kosovën, të nëmur në një vend dhe të mosdashur në tjetrin.

Shemrat bukur shumë e kundrojnë njëra-tjetrën, por mes tyre kurrë nuk kënaqen me njëra-tjetrën. E kujtoja këtë, kur mezi pas shumë vjetësh u përgatit një abetare e përbashkët. Le të mbështetemi në një truall leksikor dhe mbi gjuhën standarde, flisnin specialistët. “Në abetaren aktuale shprehjet anojnë shumë nga Shqipëria. Ka aty plot fjalë që ne s`i përdorim tani dhe as që do t’i përdorim në të ardhmen. Pra, ku është thelbi me i mundu fëmijët me të tilla shprehje, që nuk përdoren në kontekstin tonë?!”, – nënvizonte në emër të kolegëve një mësuese e Kosovës për median. E kjo sërish nuk mjaftoi. Rama dhe Kurti mbeten dy shemrat më të stisura mes nesh. Kurti refuzoi dozat e vaksinës së Covid-19 ofruar nga Shqipëria për mësuesit, duke kumtuar se nuk i vaksinonte qytetarët e tij me vaksina ruse dhe kineze dhe pse deri më atëherë Kosova kishte pritur vetëm 24 mijë syresh!! Ani pse Kosova do ta shkundte e do t’i jepte optimizëm Shqipërisë në ardhjen më të mrekullueshme shpëtim-madhe, kur shqiptarët ishin të trandur nga tërmeti, pasi një autokolonë e tërë e ekipeve të shpëtimit e kaloi kufirin paradoksal, prirë nga flamuri i Kosovës dhe Shqipërisë. Sa pak të tilla ndodhin mes shemrave!!?

Kurrë ndonjëherë sesa në këtë kohë, kur dokumenti është primar, Shqipëria dhe Kosova s’kanë bashkëpunuar ndonjëherë si dy shtete të pavarura dhe sovrane. E fundit, mbase ishte koha e Lidhjes së Prizrenit, këtë ngjarje që me gjithë peshën që i japim dhe e kundrojmë si hapësirë ku u pleks pavarësia, kërkesa e saj shkoi deri te formimi i një Vilajeti të përbashkët. “Arnautvluk”, mjaftohej Sami Frashëri, që do ta precizonte qendrën e shqiptarëve në Belsh, një vend krejt hipotetik, si Universiteti i Domosdovës që përmendte dikur Fan Noli në përkthimin e vet të “Don Kishotit”. I vetmi Vaso Pasha, zyrtari turk me origjinë shqiptare, që do të shkonte në ato vite, do t’i shpjegonte administratës së re turke mënyra se si kosovarët mund “të disiplinoheshin”. I rritur në një familje katolike, por në një administratë tashmë osmane, ai do t’u kërkonte eprorëve të tij, që ishte shumë e vështirë për të huajt, por edhe mes tyre, por kosovarëve duhej t’u respektohej individualiteti dhe mënyra se si ata vetë e mendonin organizimin. Pak dekada më vonë, Azem Galica dhe luftëtarë të tjerë, që konsideroheshin si irredentistë do t’i tregonin dhëmbët Mbretërisë Serbo-Kroate-Sllovene, kurse Shqipëria do t’ia kushtonte institucioneve por edhe sigurisë së vet. Bajram Curri do të vdiste i tradhtuar në rrethana të tmerrshme në Shqipëri, kurse Hasan Prishtina do të përfundonte në tokë nga një plumb në Selanik. Zogu I, që erdhi me ndihmën e Serbisë, do t’i paguante shërbimet e varrimit të parit dhe nuk do t’ia falte të dytit nacionalizimin e flaktë.

Më keq akoma, edhe kur fashistët na e dhanë një dorë me bashkimin, nuk ditëm kurrë ta shfrytëzonim si duhet. Për fat, Koliqi, ministri i Arsimit, që e veshi uniformën fashiste arriti që të përcillte mbi 200 arsimtarë normalistë për të ndikuar për shqipen rrezikuar bajagi, kurse Enver Hoxha pak vjet më vonë, do të dërgonte po kaq djem të rinj idealistë që të përhapnin antifashizmin, që nuk zuri kurrë rrënjë si duhej. Rrjedhat e historisë dihen: Kufiri u vendos dhe shqiptarët e andej-këtej kufirit mbetën. Ashtu si mbetën dhe dërgesat idilike, që do të ndihmonin jo pak në jetën politike dhe kulturore të asaj që ish-Jugosllavia do ta njihte si Krahina Autonome.

Shemrat u bënë më të dashura mes tyre, sepse kufiri me tela me gjemba dhe piramida ua siguronin tashmë privatësinë, por kurrsesi atë që mungonte. Evidencat e Sigurimit tregojnë se Ibrahim Rugovën e ndiqnin ngado, ashtu si e njëjta bëhej me shqiptarët dhe me ligjërimet e mrekullueshme të prof. Çabejt. Kosova i botoi shqiptarët e Tiranës, por Shqipëria nuk botonte as të vetët e jo më të Kosovës.

Shemrat do të qetësoheshin, kur do të deklaronin tashmë në kohën e pavarësisë të Kosovës për 130 marrëveshje, memorandume dhe protokollet e miratuara në mbledhjet e përbashkëta mes qeverive të Shqipërisë dhe të Kosovës, edhe pse mali me firma jo vetëm s’ka krijuar lehtësira për qytetarët në të dyja anët e kufirit, porse ato mbivendosen dhe ripërsëriten, kurse pak syresh kanë ndihur për afrimin tonë. E shpjegonte bajagi mirë, pak vjet më parë, Sokol Kolgjini, nënkryetar i shoqatës “Biznesi për Biznesin” : “Të bësh tregti me Kosovën, është si të bësh tregti me Kinën. Të njëjtat procedura, dokumente, që duhen për të sjellë një produkt nga Kina ose që ta çosh në Kinë, duhen dhe për Kosovën”.

Kjo më sjell një buzëqeshje në buzë, kur kujtoj si është katandisur për shumë vjet vend-varrimi i Shotës së vetmuar dhe punëve të nëpërkëmbura të Çavdrbashës në Tiranë, që me gjithë insistimin te zyrtarët, nuk ua gjej dot vendin prej vitesh. Epo, jemi me një zgarë hekuri mbi krye. Apo si na ironizon tashmë dhe raporti i fundit i ASHK-së dhe na thotë açik me gjuhën e akademikëve kosovarë: Jemi larg! Nuk i kuptoj Shemrat, por diku më vjen në mend një sintezë e të ndjerit, akademik Esat Stavileci: “Shqipëria dhe Kosova kanë të përbashkët paaftësinë: në Shqipëri ‘për ta mbajtur shtetin’; në Kosovë ‘për ta bërë shtetin’”. Me këtë rehatohem disi dhe i uroj nga zemra shqiptarët: Nga mot Kërshëndellat!