Pa u shkrepur arma e parë në Ukrainë konsensusi i përgjithshëm perëndimor për epilogun ishte i qartë: Kievi do të bjerë dhe Rusia do të fitojë shumë shpejt. Pothuajse çdo kancelari perëndimore, çdo analizë akademike dhe çdo medium me renome ka qenë e të njëjtit mendim. Si ka qenë e mundur që të gjithë gabuan kaq rëndë? Tani kemi një përgjigje
Pa u shkrepur arma e parë në Ukrainë konsensusi i përgjithshëm për epilogun ishte i qartë: Kievi do të bjerë dhe Rusia do të fitojë shumë shpejt. Rusia ishte aq e bindur për pushtim të shpejtë të Kievit saqë trupat e tyre ishin të furnizuar me uniformat ceremoniale dhe flamujt festivë pasi që menjëherë ishte planifikuar ceremonia e parakalimit të “paradës fituese” në sheshin kryesor të Kievit. Aq e sigurt ishte FSB-ja në fitoren e shpejtë saqë kishin bërë edhe planet detaje për ndarjen e apartamenteve luksoze për akomodimin e lidershipit ushtarak rus në Kiev. Edhe vetë SHBA-ja dyshonte në kapacitetin e Ukrainës për të rezistuar. Në vend të municionit për të rezistuar ata i ofruan presidentit Zelensky një biletë për të ikur jashtë vendit. E gjithë Evropa u ngrit në suspancë për të parë se kush do të jetë viktimë e radhës e Putinit, pasi që rënia e Ukrainës ishte çështje e kryer.
Ky skenar i zymtë i së ardhmes nuk ishte vetëm monopol i kancelarive perëndimore. Para pushtimit rus të Ukrainës, por edhe në vazhdimësi më pastaj, diskursi intelektual perëndimor ishte i bindur se Ukraina do të kolapsojë shumë shpejt. “Nëse Rusia përdor kapacitetet e veta të plota konvencionale, ata do të shkaktojnë dëme masive në një periudhë shumë të shkurtër kohore... Ata mund ta shkatërrojnë ushtrinë ukrainase në një kohë shumë të shkurtër, brenda 30-40 minutave të para të luftimeve”, raportonte “New York Times”. “Armët perëndimore nuk do i ndihmojnë Ukrainës”, ishte titulli i artikullit të autorëve me renome në “Foreign Policy”. “Nëse Rusia vendos ta pushtojë Ukrainën sulmi i saj do të jetë shumë-frontal. Sulmet kibernetike dhe aktet e sabotimit do ta targetojnë infrastrukturën ekonomike dhe atë të komunikimit. Agjentët sekretë do të fillojnë kaosin në rrugë, ndërsa protestat do të ndizen në gjithë vendin. Liderët e Ukrainës do të vriten”, ishte parashikimi i artikullit në Institutin Mbretëror të Shërbimeve të Bashkuara në Londër. “Forcat ushtarake ruse - duke përfshirë elemente të Ushtrisë së Kombinuar të 41-tës dhe Divizionit të Motorizuar të Gardës së 144-tës – do të përmbysin forcat ukrainase dhe do të pushtojnë Kievin brenda disa orësh”, ishte vlerësimi i autorëve me renome në kuadër të CSIS-së. “The Economist” konkludonte se “Mungesa e mbrojtjes ajrore të Ukrainës dhe cilësia e dobët e forcave ushtarake nënkupton se Rusia mund të hyjë në Kiev me po të njëjtën shpejtësi sikur që forcat amerikane arritën në Bagdad”. Rob Lee, një nga njohësit më të mirë të forcave ruse, vlerësoi se “Ushtria ruse mund të çorientojë ushtrinë dhe shoqërinë ukrainase aq shpejt saqë konflikti në thelb do të përfundojë brenda një dite”.
Por historia mori një kurs tjetër. Zelensky qëndroi në Kiev dhe Ukraina rezistoi. Dhe jo vetëm që rezistoi, por ajo ktheu nën kontroll gjysmën e territorit që Rusia fillimisht kishte pushtuar. Aq e suksesshme ishte rezistenca ushtarake e Ukrainës saqë ajo e obligoi Putinin ta kërcënojë Perëndimin me armë bërthamore për të parandaluar kolapsin dhe poshtërimin e plotë të ushtrisë ruse.
Ne gjithë këtë sfond sot lind pyetja përse vlerësimet perëndimore rreth kapacitetit shoqëror dhe ushtarak të Ukrainës për t’i rezistuar Rusisë ishin aq të gabuara? Këtë përgjigje ka tentuar të ofrojë studimi i fundit i Qendrës për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare në Washington. Në të, dy autorët kanë rishikuar 181 hulumtime, analiza dhe shkrime nga burimet prestigjioze perëndimore për të kuptuar arsyet mbrapa dështimit analitik perëndimor në vlerësimin më të drejtë të dinamikave që e karakterizuan konfliktin në mes Rusisë dhe Ukrainës. Përfundimet e tyre pikturojnë një storje të mbivlerësimit të forcave ruse dhe nënvlerësimit të forcave ukrainase.
Shembulli konkret është mbivlerësimi i forcave ajrore ruse. Pothuaj çdo analizë perëndimore ka vlerësuar me notat më të larta forcat ajrore ruse dhe kapacitetin e tyre për të dominuar ajrin duke shkatërruar kapacitetet ukrainase të mbrojtjes ajrore dhe duke shtruar kështu rrugë për fitore të lehtë ruse. Por ajo çfarë ndodhi në realitet është se forcat ajrore ruse treguan paaftësi të thellë luftarake. Mungesa e efektivitetit të forcave ajrore u shoqërua edhe me planifikime jashtëzakonisht të dobëta logjistike. E gjithë kjo shkaktoi telashe të mëdha për forcat tokësore të cilat tani pa mbulesë ajrore dhe pa mbështetje logjistike ishin caqet e lehta për forcat mobile ukrainase që kishin avantazhin e njohjes së terrenit dhe motivimit të mbrojtjes së tokës së tyre. Paaftësia e forcave ajrore nuk ishte përjashtim. Ajo ishte rregull. E njëjta u përsërit gjatë betejës në det. Forcat ukrainase poshtëruan forcat detare ruse në Detin e Zi dhe siguruan korridorin detar për eksportet e tyre.
Nga ana tjetër në vazhdimësi diskursi intelektual perëndimor nënvlerësoi kapacitetin e shoqërisë ukrainase për t’i rezistuar pushtimit rus. Në analizat e tyre ata pikturuan një Ukrainë pa identitet, të korruptuar, shtet gjysmë të dështuar dhe i ndarë ndërmjet Ukrainës lindore (me shumicën ruse) dhe Ukrainës perëndimore (me shumicë ukrainase). Përfundimi logjik ishte kolapsimi i shpejtë i rezistencës politike dhe ushtarake. Por një analizë e tillë e vrazhdë ishte në shpërputhje me realitetin.
Qëndrueshmëria e identitetit ukrainas dhe vitalitetit të demokracisë ukrainase u dëshmua para gjithë botës gjatë revolucionit të Maidanit. Refuzimi për t’u dorëzuar përkundër pushtimit të Donbasit dhe Krimesë ishte tjetër dëshmi e unitetit dhe vendosmërisë së shoqërisë ukrainase. Po kështu u injoruan edhe reformat ushtarake ukrainase. U injorua se tani e dhjetë vjet ushtria ukrainase ka akumuluar përvojë të jashtëzakonshme luftarake nga ballafaqimi me forcat ruse në Donbas dhe Krime. Po ashtu u injoruan reformat të cilat u imponuan pas betejës së Ilovaisk-it në gusht të vitit 2014. Që nga ajo kohë shteti i Ukrainas mobilizoi shoqërinë ukrainase, transformoi strukturën ushtarake të kontrolles dhe komandimit, zgjeroi forcat speciale dhe lejoi formimin e batalioneve vullnetare. Kjo u pasua me dyfishimin e kapaciteteve të artilerisë në vitin 2019 duke e bërë kështu Ukrainën forcë të dytë më të madhe të artilerisë në Evropë. U blenë tanket e reja dhe u modernizuan tanket T-64s dhe T-64Bs. Paralelisht me këtë Ukraina themeloi shkollën ushtarake të artilerisë anti-tank dhe u furnizua gjerësisht me sistemet anti-tanke, sikur Stugna-P dhe Korsar. Sisteme të radios dhe radarit u modernizuan në shkallë të gjerë, kryesisht bazuar në përvojën e luftimit në Donbas, duke lejuar tani identifikimin e forcave armiqësore në rreze deri 400 kilometra. Paralelisht me gjithë këtë u avancua bashkëpunimi me NATO-n.
E gjithë kjo u injorua në masë të madhe nga diskursi intelektual perëndimor. Pasojat e kësaj në politikëbërjen perëndimore ishin tragjike. Pikturimi i padrejtë dhe omniprezent i Ukrainës si një vend i paftë për t’i rezistuar Rusisë ka përmbajtur kancelaritë perëndimore nga mbështetja më e fuqishme ushtarake të Ukrainës. Po të ishte bërë një vlerësim më i drejtë dhe më real i kapacitetit politik dhe ushtarak të Ukrainës, aleatet e Ukrainës do të ishin më të përgatitur që të mbështetnin Ukrainën me armë para pushtimit rus të Ukrainës. Këtë e pranoi edhe vetë ish-sekretari i Përgjithshëm i NATO-s i cili tha “Unë vazhdoj të besoj se po të kishim furnizuar Ukrainën me më shumë armë pas vitit 2014, do e kishim parandaluar pushtimin e fundit rus të Ukrainës”.
Gabimet në vlerësimin e dinamikave që karakterizuan - dhe që vazhdojnë të karakterizojnë konfliktin ruso-ukrainas - nuk kanë qenë të qëllimshme. Ato kanë qenë pasojë e një shkolle të mendimit intelektual që ka karakterizuar shekullin XX. Ajo shkollë e mendimit ka vendosur dikur Bashkimin Sovjetik - dhe sot Rusinë - në piedestalin e fuqive të mëdha. Miti i Ushtrisë së Kuqe ende jeton. Konflikti i fundit ruso-ukrainas për herë të parë ka sfiduar këtë mit dhe si i tillë ka shkundur në themel të vërtetat e supozuara perëndimore.
E gjithë kjo ka një mësim për rajonin tonë, por edhe specifikisht për neve si vend. Është derdhur një lumë ngjyrë shkrimi për të analizuar dialogun Kosovë - Serbi. Janë shpenzuar orët e pafundme të debatit publik. Duhet lejuar zgjedhjet serbe, nuk duhet lejuar zgjedhjet serbe. Duhet vendosur taksa 100%, nuk duhet vendosur taksa 100%. Duhet lejuar dinari, nuk duhet lejuar dinari. E kështu pa fund. Por asnjëherë deri më sot nuk kemi pasur një analizë thelbësore në komunitetin akademik apo shoqërisë civile të vlerësimeve publike për dialogun Kosovë-Serbi. Një ndërmarrje e tillë do të pasuronte debatin tonë publik dhe do të nxirrte mësime të vyeshme për të ardhmen. Siç thotë ajo fjala e vjetër nuk është problem të gabosh, problem është të mos mësosh nga gabimi.