Xhamia e Çarshisë është e vjetër. Më e vjetra në Prishtinë. Monument nën mbrojtje. Shumë mirë që u restaurua, sepse ishte në gjendje të keqe. Ishte turp për Prishtinën dhe shtetin si mbrojtës i trashëgimisë kulturore, lënia në gjendje të tillë, ndonëse ka pasur arsye të shumta ligjore. Por, ndryshimi i Shatërvanit të Prishtinës, siç u pa në media, është tjetërsim i vlerave të trashëgimisë kulturore. Edhe pse në sytë e atyre që nuk i njohin parimet e mbrojtjes e ruajtjes së trashëgimisë kulturore nuk duket shumë gjë, ky është një akt i papranueshëm. Ky restaurim është bërë nga TIKA, organizata e qeverisë turke në Kosovë. TIKA ka bërë edhe punë të mira në Kosovë. Turqia është vend mik. Populli turk është popull mik. Por, duket se TIKA ka strategji silente fetare. Duket sikur funksionon njësoj sikurse Kisha Ortodokse Serbe: gjithnjë nën rrogoz, duke shtyrë agjendën e vet fetare.
Shatërvani i kësaj xhamie ka qenë pjesa më profane e saj, sepse ka qenë gjithmonë “vend sakral i ujit”. Qytetarët, i madh e i vogël, kanë pirë ujin lirshëm aty. Nuk e ka namin e Shatërvanit të Prizrenit, por ka pasur nam të madh në Prishtinë. Ky shatërvan ka qenë një lloj “kroi i kryeqytetit”.
Në restaurimin, me leje nga MKRS-ja, ky shatërvan nuk është më profan. Është vend abdesi, pjesë e ciklit religjioz, para faljes në xhami. Nuk do mend se pranë xhamisë edhe ka vende të tilla dhe “abdes’hane” të tilla ka gjithandej, madje edhe te një xhami afër aty. Por, Shatërvani i Xhamisë së Çarshisë nuk ka qenë “abdes’hane”, por “çezme për të gjithë”. Ka status laraman: edhe me xhaminë, edhe me sheshin apo drumin. Drumi apo udha e madhe është e të gjithëve. Identifikohet me publiken.
Nuk do mend se krojet e tilla publike nuk fetarizohen për t’i shndërruar kryekëput në pjesë të ritit fetar. Ky akt nuk i bashkon njerëzit rreth oborrit të xhamisë, por e tjetërson edhe xhaminë. E bën edhe më të largët për qytetarët. I bën hisedarë kryesorë “ata që marrin abdes”. E ngushton lojën e sheshit. Ky akt është shpirtngushtë.
Plus, ky shatërvan është një monument i mbrojtur në vete. Dhe, ndonëse ka qenë nën “hijen e xhamisë”, ky shatërvan ka qenë, dhe është, edhe jashtë hijes fetare të tij, në hijen e sferës publike. Pra, i përket shtëpisë së lutjes fetare, por edhe sheshit të lirisë. Kjo gjendje është dashur të ruhet, jo të tjetërsohet.
Shndërrimi i destinacionit të shatërvanit me ndërhyrjet e reja është tjetërsim i pavend dhe me intencë tinëzake e banale nga ana e TIKA-s dhe shtetit, nëse ka qenë në dijeni. Shtetit nuk duhet t’i fusë veshët në lesh për këtë. Sepse, kur është puna te TIKA, shtetit shpesh i hyn lepuri në bark dhe nuk bëzan. Kur kihen parasysh objektet e trashëgimisë kulturore me karakter fetar, ideologjizmat fetarë mund të jenë po aq të dëmshëm sa edhe shkatërruesit e tjerë.
Trashëgimia kulturore e Kosovës është e të gjithëve në Kosovë, por edhe e njerëzimit. Andaj, duhet të mbrohet si e tillë. Kushdo që pretendon ndryshe e synon tjetërsime sipas ideologjisë së tyre, kundër parimeve e konventave ndërkombëtare të mbrojtjes e ruajtjes së trashëgimisë kulturore, bën dëme ndaj saj.
Autori është profesor i antropologjisë dhe trashëgimisë kulturore në Universitetin e Prishtinës
© KOHA Ditore