Rezultatet paraprake të regjistrimit të popullsisë, të publikuara javën që shkoi nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, tregojnë për një tkurrje të popullsisë rezidente prej gati nëntë për qind brenda trembëdhjetë vjetëve të fundit. Nga 1,739,825 banorë sa kishte Kosova më 2011, sot ajo ka vetëm 1,586,659. Në të njëjtën kohë, popullsia është duke u mplakur; me rreth 35 vjeç, mosha mesatare është për gati pesë vjet më e lartë se sa më 2011.
Tkurrja e popullsisë nuk po ndodh vetëm tek ne. Gjatë 12 vjetëve të fundit, nga Shqipëria janë larguar mbi 600 mijë banorë, duke ulur popullsinë rezidente për 429 mijë banorë, apo 15 për qind. Si rezultat i migrimit dhe rënies së natalitetit, Serbia ka humbur në të njëjtën periudhë mbi 610 mijë banorë, ndërsa deri në vitin 2050 ajo pritet të tkurret në rreth 5,8 milionë, apo për 24 për qind. Rënia e natalitetit në nivelin global besohet se do të jetë shkaktari kryesor, që popullata botërore do të fillojë të zvogëlohet nga mesi i këtij shekulli. Përderisa vendet e Afrikës dhe Azisë Juglindore kanë ende një lindshmëri të lartë me më shumë se 2.1 lindje për grua, e njëjta ka rënë nën nivelin e reprodukimit në SHBA, Evropë dhe së fundmi edhe në Kinë.
Si në Shqipëri, ashtu edhe në Kosovë, dy janë arsyet kryesore për tkurrjen e popullsisë: migrimi dhe rënia e natalitetit. Sipas një vlerësimi paraprak, diaspora kosovare numëron rreth 600 mijë persona, përderisa migrimi nuk po ndalet. Lindshmëria vlerësohet të ketë rënë nga 6,95 sa ishte më 1950 në 1,51 në vitin 2023. Në Shqipëri, situata nuk është më e mirë.
Efektet sociale dhe ekonomike
Tkurrja dhe mplaka e popullsisë, trend ky në vazhdim, kanë implikime serioze, të cilat, nëse nuk trajtohen me kundërmasa, rrezikojnë të dëmtojnë stabilitetin shoqëror dhe zhvillimin ekonomik.
Faktori kryesor i tkurrjes në Kosovë dhe Shqipëri është migrimi i rinisë, pjesës më vitale të popullsisë. Prandaj, ndikimi i parë dhe i menjëhershëm vërehet në tregun e punës. Bizneset ka vite që janë duke u ballafaquar me mungesë të fuqisë punëtore, veçanërisht në bujqësi, ndërtimtari dhe hotelieri. Në sektorin publik ky ndikim vërehet veçanërisht në shëndetësi dhe arsim. Mungesa e fuqisë punëtore jo vetëm që i vendos bizneset para sfidës së ruajtjes së produktivitetit, por e ulë edhe aktivitetin ekonomik sepse prek si anën e ofertës ashtu edhe të kërkesës. Sa më pak banorë, aq më pak fuqi punëtore, aq më pak kërkesë për mallra e shërbime dhe aq më pak investime.
Kombinimi i tkurrjes dhe mplakjes së popullsisë çon gjithashtu në rritjen e numrit të pensionistëve, duke rritur barrën për sistemin pensional dhe atë shëndetësor, ndërkohë që të hyrat publike bien, sepse ka më pak popullatë aktive që paguan taksa. Në vendet me zhvillim të ulët ekonomik, baza tatimore zvogëlohet shumë më ndjeshëm më zvogëlimin e popullsisë. Sa më e vogël kjo bazë, aq më i madh rreziku për rritjen e taksave mbi popullsinë rezidente, që përkeqëson gjendjen e saj ekonomike. Implikime ka edhe në fushën e mbrojtjes dhe të sigurisë. Një popullatë më e vogël dhe më e vjetër e vështirëson zhvillimin e kapaciteteve mbrojtëse dhe të rendit e ligjit, sepse ka më pak të rinj që mund të shërbejnë në këto fusha. Në fund, infrastruktura e krijuar për një popullsi më të madhe, si shkollat, spitalet, rrugët, etj. mund të bëhet e pashfrytëzuar, ndërsa shpenzimet e mirëmbajtjes së saj rriten.
Një sfidë tjetër serioze është se një popullatë e tkurrur ka më pak diversitet dhe më shumë mendim grupor, që dëmton kreativitetin dhe inovacionin dhe mund të stimulojë dogmën, ekstremizmin fetar dhe qasjet autoritare.
Masat e mundshme
Nuk ka një formulë magjike që e mundëson daljen nga ky rreth vicioz. Deklaratat populliste apo shpërndarja e parasë publike si lëmoshë, pa ndonjë mekanizëm të qëndrueshëm dhe pa qëllim të qartë zhvillimor, nuk janë zgjidhje. Sheqerkat e tilla nuk prodhojnë më shumë se një korruptim të masave për qëllime partiake. Në anën tjetër, shembujt e vendeve skandinave kanë dëshmuar se stimujt financiarë janë joefektiv. Vetëm një qeverisje e mirë, që në fokus ka forcimin e legjitimitetit shtetëror, duke ofruar siguri, kushte të barabarta, zbatim të ligjit dhe menaxhim të mirë të parasë publike, mund të krijojë parakushtet për një rritje të cilësisë së jetës në vend, që është kusht për zbutjen e migrimit.
Zgjidhjet duhet të kërkohen brenda karakteristikave dhe veçorive shoqërore dhe ekonomike, duke pasqyruar nevojat konkrete aktuale dhe ato strategjike kombëtare. Në afat të shkurtër, Kosova do të vazhdojë të mbulojë deficitet e saj ekonomike përmes diasporës. Dërgesat, investimet dhe shpenzimet e diasporës gjatë pushimeve, që aktualisht përbëjnë rreth 30 për qind të Produktit të Brendshëm Bruto, do ta zbusin edhe për një kohë problematikën aktuale. Por, afati i qëndrueshmërisë së kësaj zgjidhjeje mund të jetë shumë më i shkurtër se sa që mund të dëshirojmë ne. Zgjidhja më e mirë qëndron në fuqizimin e sektorit privat, që sjell me vete investime, mirëqenie, stabilitet, punësim, asete dhe të ardhura për një bazë më të fortë e më të qëndrueshme zhvillimore, dhe një barazi më të madhe shoqërore. Në epokën tonë, sektori privat nuk mund të zhvillohet pa inovacion. Për inovacion, nevojitet një investim serioz në arsim, gjendja aktuale e të cilit është, thënë butë, e papranueshme.
"Nomadët digjitalë"
Politikat proaktive ekonomike duhet të fokusohen në vjeljen e frutave të revolucionit digjital, veçanërisht të inteligjencës artificiale, që mund të zbusin mungesën e fuqisë punëtore dhe njëkohësisht të rrisin produktivitetin. Jetik për këtë është faktori njeri, kapacitetet e të cilit nuk mund të ngrihen brenda natës.
Si zgjidhje e ndërmjetme, mund të jetë stimulimi i ardhjes së "nomadëve digjitalë" duke u mundësuar talentëve nga bota të punojnë në Kosovë dhe të përfitojnë nga taksat e ulëta, infrastruktura e mirë digjitale, lidhjet e mira të transportit me botën, atraktiviteti i jetës së natës, festivalet e shumta, kostoja e ulët e jetesës, popullata ende e re me aftësi solide digjitale, siguria etj. Në anën tjetër, rritja e ofertës dhe kërkesës në treg mund të stimulohet duke u integruar më mirë me tregjet rajonale, veçanërisht me ato në Shqipëri, Maqedoni të Veriut dhe Mal të Zi dhe duke rritur njëkohësisht atraktivitetin për investime të huaja. Përfundimisht, stimujt për familjet e reja, posaçërisht në lidhje me kujdesin ditor në shkollë, ofrimi i shujtave të shëndetshme për fëmijët dhe një sistem shëndetësor modern me sigurime shëndetësore të përballueshme janë masa të paanashkalueshme. Kosova e ka momentin e fundit që të vendosë nëse do të mbetet një vend i varur ekonomikisht nga diaspora, e të shndërrohet ngadalë në një shtëpi pensionistësh të varfër, apo të marrë masat për tu bërë një shoqëri moderne, e gjallëruar, inovative, kreative dhe e zhvilluar ekonomikisht.