OpEd

Sfidat e Kosovës: Një politikë e jashtme e menduar dhe efikase

Angazhimi i Qeverisë së Kosovës për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, fillimisht përmes hartimit të një draftstatuti vetjak për këtë asociacion dhe me angazhimin që ky draft të trajtohet seriozisht nga partnerët ndërkombëtarë, është hapi i parë drejt rritjes së numrit të njohjeve ndërkombëtare. Tekefundit miqtë tanë ndërkombëtarë nuk po na kërkojnë asgjë më shumë: një Asociacion pa kompetenca ekzekutive. Këtë agjendë duhet ta shtyjë edhe qeveria dhe të kërkojë faktorizim më të madh ndërkombëtar për Kosovën. Ky faktorizim, deshëm apo nuk deshëm, shkon përmes mençurisë së saj në procesin e dialogut me Serbinë. Prandaj, sado që po e them një gjë shumë jopopullore dhe antipopuliste, dialogu me Serbinë duhet të shihet si mundësi për përparim të shtetësisë e jo si pengesë

Në këta 16 vjetët e pavarësisë, me ndihmën e miqve ndërkombëtarë Kosova ka arritur ta arrijë një numër të konsiderueshëm të njohjeve ndërkombëtare. Sipas Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, numri i njohjeve është 115, nga 193, sa janë shtete anëtare të Kombeve të Bashkuara. Këto të dhëna nuk numërojnë vendet të cilat kanë tërhequr njohjen, si pasojë e veprimeve diplomatike të Serbisë gjatë viteve të fundit.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe të Diasporës, të cilat janë dhënë në mënyrë kronologjike, sipas datës së njohjes, njohja e fundit ndërkombëtare e Kosovës ka ndodhur në shkurt të vitit 2021 nga Izraeli. E dimë se kjo njohje është rezultat i angazhimit të drejtpërdrejtë të ish-presidentit të SHBA-së, Donald Trump, në kontekstin e nënshkrimit të një marrëveshjeje ndërmjet Kosovës e Serbisë nga ish-kryeministri Abdullah Hoti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq. 

Sidoqoftë, njohjet e deritanishme bilaterale të Kosovës, siç e tregon edhe rasti i fundit me Izraelin, janë kryesisht meritë e angazhimit të miqve ndërkombëtarë. Kosova ka bërë shumë pak, nëse jo aspak, për të rritur numrin e njohjeve ndërkombëtare. Dhe ato janë esenciale për forcimin e shtetësisë së Kosovës karshi pretendimeve agresore të Serbisë në Kosovë.

Duke qenë se ka tre vjet që Kosovën nuk e ka njohur asnjë shtet, mund të konkludohet se politika e jashtme e Kosovës nuk është duke performuar mirë, apo se kapacitetet e kësaj politike janë aq të kufizuara saqë janë krejtësisht të varura nga ndihma e shteteve mike që mund të kenë ndikim në vendet e shteteve mosnjohëse për të njohur Kosovën si shtet. Në këtë aspekt, duhet pajtuar me faktin që një numër shtetesh nuk do ta njohin kurrë pavarësinë e Kosovës, pa e bërë këtë së pari Serbia. Këto shtete përfshijnë Rusinë, Kinën, Indinë dhe ndonjë vend tjetër që politikën e vet të jashtme e bazojnë në parimin e vjetruar të mosndërhyrjes në punët e brendshme të shteteve të tjera. Në këtë rreth shtetesh janë kryesisht shtetet afrikane dhe aziatike me miqësi tradicionale me Serbinë apo me ish-Jugosllavinë, që ende nuk janë shkëputur krejtësisht nga iluzioni i mosinkuadrimit dhe besojnë që Serbia është trashëgimtare legjitime e ish-Jugosllavisë.

Sidoqoftë, një numër shtetesh, në të cilat duhet parë shansin e vet Kosova, janë shtetet që nuk e njohin Kosovën për arsye të tjera, që mund të përfshijnë problemet e brendshme, politikat e përafruara me shtetet e tjera, apo edhe statusin e dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë. 
Një numër jo i vogël i njohjeve ndërkombëtare varet nga progresi i dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë apo nga performanca e Kosovës në zbatimin e marrëveshjeve të këtij dialogu. Një marrëveshje gjithëpërfshirëse në mes të Kosovës dhe Serbisë do të ndihmonte në një masë të madhe që numri i njohjeve bilaterale për Kosovën të rritet. Mos të flasim këtu për anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare, siç është Këshilli i Evropës, që do të kishte ndikim të konsiderueshëm në vendimin e shteteve të tjera për ta njohur Kosovën.

Kjo përsëri na kthen te tema, sa është duke bërë Kosova që të rrisë numrin e njohjes së shteteve të tjera. Sipas mendimit tim, Kosova nuk është duke bërë, fare, asgjë në këtë drejtim. Dhe këtë nuk është duke e bërë qe një kohë të gjatë, jo vetëm gjatë qeverisjes së Albin Kurtit, kur njohjet ndërkombëtare kanë munguar krejtësisht. 

Duke qenë se në shkrimet e mia të radhës për KOHËN do të merrem më detajisht me çështjen e njohjeve apo mosnjohjeve të Kosovës, këtu do të fokusohem vetëm në një pikë: në mungesën e një strategjie globale të politikës së jashtme, e cila i mungon Kosovës dhe për të cilën Kosovës i mungon kapaciteti institucional. Pra, duhet angazhuar edhe njerëz që janë jashtë institucioneve për të ndihmuar formulimin e një strategjie të tillë, e cila duhet të ketë një qasje globale të ndarë nëpër kontinente të veçanta. Për të dizajnuar një strategji të tillë, së pari duhet analizuar dhe konstatuar se cili është problemi. Në këtë shkrim do të përpiqem të ravijëzoj shkurtimisht problemin dhe qasjen ndaj pesë shteteve mosnjohëse të Bashkimit Evropian.

Për t’iu qasur mosnjohjeve të Kosovës në mënyrë sistematike dhe të suksesshme, ato duhet të prioritizohen në këtë mënyrë: si prioritet i parë janë mosnjohjet nga vendet anëtare të Bashkimit Evropian, gjë me të cilën do të merret ky shkrim. Këtu, siç dihet botërisht, hyjnë pesë shtete - Spanja, Greqia, Sllovakia, Rumania dhe Qiproja. Ndërsa me Greqinë kanalet e komunikimit janë të hapura në nivelin më të lartë, me shtetet e tjera mosnjohëse ato nuk janë të vendosura fare. Në këtë rrafsh, politika e jashtme e Kosovës duhet të japë maksimumin e vet intelektual dhe diplomatik për të arritur rezultate. Përderisa mosnjohja e Sllovakisë dhe Rumanisë vjen nga fqinjësia e tyre me Serbinë dhe mbase sentimenti pro-serb që ekziston në këto shtete, këtu Kosova duhet të mbështetet më shumë në ndihmën nga shtetet mike që angazhohen për zgjerimin e njohjeve ndërkombëtare të Kosovës. 
Në tri rastet e tjera, Kosova mund të bëjë më shumë sesa është duke bërë. Rasti i mosnjohjes së Spanjës vjen për shkak të problemeve të brendshme të këtij vendi dhe frikës së saj se njohja e Kosovës do të mund të shërbente si precedent për ambiciet separatiste të Katalonjës dhe Baskisë. Mirëpo, mosnjohja e Spanjës ka për pasojë edhe mosnjohjen nga shumica e shteteve të Amerikës jugore. Pra, këtu mundësia duhet të shikohet në atë se njohja e Spanjës mund të ketë si rezultat një zinxhir të njohjeve të vendeve të rëndësishme, siç janë Argjentina, Kili dhe vende të tjera latinoamerikane.

Njohja nga Spanja nuk mund të vijë nga angazhimi i artistëve të cilët ka angazhuar Qeveria e Kosovës, e për veprimet dhe rezultatet e të cilave nuk është informuar asnjëherë opinion publik i Kosovës, me gjithë bujën që ka bërë angazhimi i tyre. Qeveria e Kosovës (si të kaluarat, ashtu edhe ajo e tanishmja) nuk është duke i shfrytëzuar kapacitetet ekzistuese në Kosovë, të cilat do të mund të shfrytëzoheshin për të afruar Kosovën me këtë shtet mosnjohës. Si shembull mund të marr një numër të njerëzve që kanë studiuar në Spanjë, në mesin e të cilëve jam edhe unë, e që e njohin gjuhën, kulturën dhe që kanë njohuri të mjaftueshme politike për këtë vend dhe që mund të kontribuojnë në avancimin e agjendës diplomatike të Kosovës në këtë vend. Si hap i parë, Spanjës duhet bërë oferta që të hapë një zyre ndërlidhëse në Kosovë për të hapur kanalet e komunikimit zyrtar me këtë shtet. Ajo ka interes për një gjë të tillë, sepse ka kontribuar shumë në çlirimin e Kosovës. Në këtë kontekst, nga ajo duhet kërkuar që të lejojë hapjen e një zyre përfaqësuese në nivelin e një zyre ndërlidhëse apo një zyre kulturore të Kosovës, e cila do të ishte pikë reference për angazhimet zyrtare diplomatike të Kosovës me këtë vend. Por as angazhimet jozyrtare nuk duhet të mungojnë.

Por, këtu vijmë te kapacitetet e Kosovës që ndërlidhen me mendësinë e politikës së saj, që nuk kërkon dhe shfrytëzon trurin ekzistues në vend. Politika e Vetëvendosjes thotë se asgjë që nuk është argat i imi nuk vlen. Kështu vepron kjo qeveri, sipas shembullit të qeverive të udhëhequra nga PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja. Kjo është tekefundit mendësia kosovare dhe prandaj do të jemi gjithmonë një shtet mediokër që nuk do të ketë qëllime të larta dhe që nuk do të arrijë të përmbushë madje as synimet elementare të një shteti të konsoliduar. 

Për sa i takon Greqisë, edhe aty gjasat që të arrihet njohja janë më të mëdha sesa me Sllovakinë dhe Rumaninë. Me gjithë sentimentin porserb që ekziston në Greqi, ajo nuk ka shfaqur kurrfarë armiqësie me Kosovën. Përkundrazi, ajo ka zyrën e vet diplomatike në Kosovë dhe mban kontakte të vazhdueshme të drejtpërdrejta në nivelin më të lartë me Kosovën. Greqia e ka njohur Kosovën de facto. Mungon vetëm njohja de jure nga ky shtet. Kosova nuk e ka një zyrë të saj ndërlidhëse në Greqi dhe unë personalisht nuk e di se a e ka kërkuar hapjen e saj ndonjëherë, por kjo do të duhej të ishte hapi i parë në qasjen ndaj këtij shteti fqinj. Njohja nga Greqia do të tërhiqte edhe njohjen nga Qiproja. 

Për fund, por jo në përfundimin e kësaj teme në shkrimet e mia në të ardhmen, e them se angazhimi i Qeverisë së Kosovës për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, fillimisht përmes hartimit të një draftstatuti vetjak për këtë asociacion dhe me angazhimin që ky draft të trajtohet seriozisht nga partnerët ndërkombëtarë, është hapi i parë drejt rritjes së numrit të njohjeve ndërkombëtare. Tekefundit miqtë tanë ndërkombëtarë nuk po na kërkojnë asgjë më shumë: një Asociacion pa kompetenca ekzekutive. Këtë agjendë duhet ta shtyjë edhe Qeveria dhe të kërkojë faktorizim më të madh ndërkombëtar për Kosovën. Ky faktorizim, deshëm apo nuk deshëm, shkon përmes mençurisë së saj në procesin e dialogut me Serbinë. Prandaj, sado që po e them një gjë shumë jopopullore dhe antipopuliste, dialogu me Serbinë duhet të shihet si mundësi për përparim të shtetësisë e jo si pengesë.