OpEd

Sfidat e Deklaratës së Podujevës

Sot pyetja para Kosovës nuk është se a do të ngelet ndërlidhja e dialogut me rrugën tonë integruese, por është se si do t’i përgjigjemi këtij fati. Në fund fare, vetë kryeministri Kurti ka popullarizuar shprehjen: “Evropa është kontinenti ynë e Bashkimi Evropian fati ynë”. Tani ka ardhur koha që të testohet besimi i kryeministrit Kurti në fatin që jeta ia ka sjellë

Podujeva, pavarësisht të gjitha bekimeve të saj, nuk është ndonjë qytet i veçantë. Vështirë se historia do të kishte ruajtur ndonjëherë ndonjë vend të rëndësishëm për qytetin e Podujevës. Por nganjëherë historia është edhe e paparashikueshme dhe kësisoj javën e kaluar qyteti i vogël i Podujevës u bë pa dashje epiqendër e fërkimeve gjeopolitike. Gjatë vizitës së kryeministrit Kurti në Podujevë javën e kaluar ai shpalli aty një kërkesë të re për Bashkimin Evropian: rruga integruese e Kosovës të ndahet nga dialogu. Kësisoj këtë momentum të ri në marrëdhëniet Kosovë – BE historiografia ndoshta edhe do ta arkivojë nën titullin Deklarata e Podujevës.

Përtej cinizmit, kërkesa e kryeministrit Kurti është fisnike dhe e drejtë. Nuk ka asnjë arsye që Kosova të paguajë faturat e refuzimit të Serbisë për avancimin e dialogut. Por sikur shumë shpesh në politikë çështja themelore nuk është nëse është një gjë fisnike dhe e drejtë, por a është e mundshme dhe reale.

Që nga fillimi i dialogut Bashkimi Evropian është vendosur në epiqendër të tij. Kjo është edhe arsyeja përse rezoluta e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara të 8 shtatorit 2010 mandatoi BE-në për të udhëhequr procesin e dialogut me synimin se dialogu do të kontribuojë në arritjen e “progresit në rrugëtimin drejt Bashkimit Evropian”. Dhe kështu nga mbledhjet dhe rezolutat e Kombeve të Bashkuara e deri te samitet dhe konkluzionet e Këshillit të BE-së u çimentua parimi i ndërlidhjes në mes të dialogut dhe procesit integrues të Kosovës e Serbisë. Nga viti 2010 çdo avancim i Kosovës dhe Serbisë në kuadër të procesit integrues ka qenë i lidhur me procesin e dialogut.

Që nga shpallja e Pavarësisë, Kosova ka kërkuar fillimin e vendosjes së marrëdhënieve kontraktuale me BE-në në formën e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit si hap i parë drejt anëtarësimit në BE. Çdo vit Kosovës i është mohuar e drejta e lidhjes së MSA-së me arsyetimin se kjo është e pamundur derisa Kosova nuk njihet nga pesë vendet mosnjohëse të BE-së. Dhe kështu ishte arsyetimi i BE-së vit pas viti, deri në një ditë kur çdo gjë ndryshoi për menjëherë. Pas arritjes së marrëveshjeve të para të rëndësishme në kuadër të dialogut me Serbinë, BE-ja papritmas ndryshoi qëndrimin dhe gjeti një mënyrë për të lidhur Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit me Kosovën – me gjithë mosnjohjet nga pesë vendet e BE-së. Jo vetëm aq, por shumë shpejt BE-ja dhe Kosova lansuan edhe dialogun e liberalizimit të vizave. Ajo çfarë u konsiderua e pamundur me vite, u bë e mundur brenda pak ditësh. Arsyeja: progresi në dialog.

Kështu është edhe sot. Kosova ka dorëzuar kërkesën për anëtarësim në BE, por ajo kërkesë është pluhurosur diku në sirtarë të burokracisë evropiane në mungesë të progresit në kuadër të dialogut. Dhe natyrisht Kosovës ky kushtëzim i rrugës integruese me dialogun mund t’i duket i padrejtë. Por nëse shikojmë nga afër kuptojmë se rruga integruese e çdo vendi të rajonit është e kushtëzuar me një gjë, e cila vendit respektiv i duket e padrejtë. Shqipërisë kërkesa për veting iu ka dukur kërkesë shumë e madhe dhe e padrejtë për këtë fazë të procesit të anëtarësimit. Maqedonisë së Veriut kërkesa për ndryshimin e emrit i duket kërkesë shumë e madhe dhe e padrejtë. Serbisë kërkesa për dialog me Kosovën i duket kërkesë e madhe dhe e padrejtë. E kështu me radhë. Dhe në fakt perceptimi i tillë i vendeve aspiruese për “kërkesat e padrejta” nuk është risi. Historikisht procesi integrues ka kërkuar nga vendet aspiruese që të ndërmarrin reforma të dhimbshme për t’u anëtarësuar në BE. Kësisoj, vendet e Evropës Qendrore është dashur të ndërmarrin reformat ekonomike, të cilat iu kanë dukur qytetarëve të tyre shumë të padrejta në vitet ‘90. Heqja e lirës italiane apo markës gjermane ende konsiderohet plagë e hapur në Itali dhe Gjermani. Këtu më afër nesh, qytetarët e Kroacisë kanë parë kërkesat sikur arrestimin e Gotovinës dhe të gjithë sagën e arbitrazhit mbi kufijtë me Slloveninë si kërkesa thellësisht të padrejta. Si pasojë, vetëm 28% të qytetarëve kroatë përkrahnin anëtarësimin në BE, sipas Eurobarometrit të vitit 2005.

Prandaj, është shumë e rëndësishme të mësojmë nga historia e procesit të zgjerimit dhe nga vendet fqinje. Kur vendi ballafaqohet me kërkesat e vështira në procesin integrues, klithma e padrejtësisë nuk është e dobishme. Kur rruga integruese e Kroacisë u ballafaqua me “shantazh” të arbitrazhit me Slloveni, ajo vendosi të marrë vendime të vështira në interes të qytetarëve të vet. Sot Kroacia është storie suksesi. Në thelb ky është edhe dallimi në mes një vendi serioz dhe atij karagjoz: kapaciteti për të marrë vendime të papëlqyeshme sot, por shpërblyese për të ardhmen.

Sot pyetja para Kosovës nuk është se a do të ngelet ndërlidhja e dialogut me rrugën tonë integruese, por është se si do t’i përgjigjemi këtij fati. Në fund fare, vetë kryeministri Kurti ka popullarizuar shprehjen: “Evropa është kontinenti ynë, e Bashkimi Evropian fati ynë”. Tani ka ardhur koha që të testohet besimi i kryeministrit Kurti në fatin që jeta ia ka sjellë.