OpEd

Sfida e Universitetit të Prishtinës në dekadën e gjashtë

"Gara në mes universiteteve shtetërore është po aq e rëndësishme për shtetin sa është edhe gara në ndërtimin e kapaciteteve ushtarake mbrojtëse, dhe për këtë arsye kualiteti i universiteteve duhet të jetë brengë kombëtare", është thelbi i fjalimit që Joseph Chamberlain, politikan i dalluar në Britaninë e Madhe, e bëri në Parlamentin britanik në fillim të shekullit XX, për të argumentuar nevojën për rritjen e kualitetit të universiteteve britanike, në krahasim me universitetet në Gjermani dhe SHBA. 100 vjet më pas, 18 universitete britanike janë në Top 100 të universiteteve më të mira në botë, 4 prej tyre në Top 10.

Këtë muaj Universiteti i Prishtinës zgjedh rektorin dhe udhëheqjen e re. Sfidat janë të mëdha. Universiteti i Prishtinës, si universiteti kryesor publik në Kosovë, hyn në dekadën e gjashtë të tij, fatkeqësisht me kualitet shumë më të ulët sesa ai i universiteteve të tjera publike në rajon. Të diplomuarit nga universitetet në Kosovë nuk po arrijnë të jenë konkurrues me kolegët e tyre nga vendet e tjera të Ballkanit. Në periudhën 2014-2017, prej 256 bursave Erasmus-Mundus për studentë të programeve master, vetëm 12 bursa janë përfituar nga studentë nga Kosova, përderisa Mali i Zi ka përfituar 20, Shqipëria 45 dhe Serbia 154 bursa. Kjo performancë e ulët nuk është faji i të diplomuarve, pasi ata e kanë kryer me sukses të gjithë planprogramin e kërkuar nga universiteti, por problemi është që aktivitetet dhe përvoja akademike nëpër të cilat studentët kalojnë gjatë studimeve në UP duket të jenë të një niveli dukshëm më të ulët sesa ato në universitetet e tjera publike në rajon.

Sa u përket publikimeve hulumtuese shkencore, si indikacion i nivelit akademik të stafit mësimdhënës në universitet, mesatarja e punimeve shkencore për staf akademik në UP është rreth 3 herë më e ulët sesa numri i punimeve shkencore në Universitetin e Shkupit, 4 herë me i ulët se numri i punimeve në Universitetin e Podgoricës dhe 23 herë më i ulët se numri i punimeve në Universitetin e Beogradit. Kualiteti i punimeve është gjithashtu më i ulët në krahasim me vendet e tjera në rajon, siç mund të evidencohet nga revistat ku publikohen punimet dhe nga numri i ulët i citimeve. Arsyet janë të shumta, dhe jo gjithmonë lidhen me punën apo mospunën e profesorëve në UP.

Por cilat janë veçoritë e një universiteti të avancuar?

Indikatorët e çdo sistemi të mirëfilltë të vlerësimit të universiteteve, si p.sh., QS World University Ranking, THE World University Ranking, Shanghai World University Ranking, bazohen në indikatorë të: a) mësimdhënies dhe mësim xënies (raporti staf/student, ambienti i studimeve); b) punës hulumtuese shkencore (numri dhe kualiteti i publikimeve shkencore dhe numri dhe kualiteti i citimeve); dhe c) të kontributit shoqëror dhe ekonomik. Për përmirësimin e këtyre indikatorëve të jashtëm nevojitet strategji dhe shumë punë brenda Universitetit. Misioni i çdo universiteti është i lidhur ngushtë me edukimin e gjeneratave të reja dhe me avancimin e punës hulumtuese me qëllim të zhvillimit shoqëror dhe ekonomik. Produkti kryesor janë të diplomuarit dhe arritjet shkencore dhe teknologjike. Zhvillimi ekonomik dhe shoqëror arrihet duke i pajisur studentët me dije të avancuara të nevojshme për t’u ballafaquar me sfidat bashkëkohore. Përderisa misioni i universitetit mbetet i njëjtë, metodat vazhdimisht evoluojnë për t’iu përshtatur kërkesave në rritje të ekonomisë vendore dhe asaj globale.

Aspekt shumë i rëndësishëm i edukimit universitar është mbështetja e tij në hulumtime shkencore. Edukimi i bazuar në punë hulumtuese konsiderohet kyç për gjenerimin e kuadrove profesionale që të jenë bartës të zhvillimit shoqëror dhe ekonomik. Universiteti duhet të ketë rol shumë të qartë në këtë drejtim, ofrimin e një ambienti sfidues dhe mbështetës akademik që iu mundëson studentëve të marrin dije dhe aftësi të avancuara në fushat e tyre.

Përderisa puna hulumtuese shkencore mund të konsiderohet si luks për shoqërinë kosovare, në të vërtetë është e domosdoshme për zhvillimin e “infrastrukturës akademike” të nevojshme për gjenerimin e kuadrove të afta për zhvillimin e vendit dhe vendeve të reja të punës të bazuara në ide inovative. Politikat shtetërore për zhvillimin e hulumtimeve shkencore në Kosovë fatkeqësisht mungojnë, një fillim i mirë në këtë drejtim janë rekomandimet e dala nga programi “Research and Innovation Ecosystem in Kosovo – Challenging the Status Quo” të HERAS në Kosovë (https://www.heraskosovo.org/publications/Policy_Briefing_Paper.pdf), të cilat përfshijnë rekomandime për universitetet publike si bartës kryesorë të punës hulumtuese shkencore në Kosovë.

Sfidat janë të shumta, por 50 vjet pas themelimit është koha e fundit që Universiteti i Prishtinës, si universiteti më i madh publik në Kosovë të rrisë aktivitetin e tij akademik që të jemi konkurrues me vendet e tjera në rajon. Rektori dhe udhëheqja e re e UP-së, me gjithë stafin akademik, kanë përgjegjësi kyç që ta zhvillojnë Universitetin e Prishtinës në një universitet të avancuar, të denjë për shtet të pavarur.

(Autori është profesor i inxhinierisë mekanike në University of Leeds në Britani të e Madhe)