OpEd

Serbia sfidon Kosovën

Pas javës së shkuar duhet të jetë tashmë e qartë se Kosova nuk mundet, vetëm, të garantojë sigurinë në një ambient më të ashpër rajonal apo ta mbajë a forcojë pozitën e vet ndërkombëtare pa përkrahjen e aleatëve të rëndësishëm. Përderisa Kosova ka dëshmuar ta ketë fuqinë për t’i përballuar presionet e miqve e armiqve në dy vjetët e fundit, megjithatë loja po ndryshon. Kosova nuk do të jetë e aftë të mbështetet vetëm mbi forcat e veta në këtë lojë të re e më të ashpër

Që nga java e shkuar, raportet mes Kosovës dhe Serbisë kanë shënuar një kthesë të re. Mbi një dekadë është nënkuptuar se shtetësia e Kosovës është e qëndrueshme dhe e padiskutueshme. Është e vërtetë se Beogradi mbronte qëndrimin se nuk e kishte pranuar ekzistencën e Kosovës si shtet sovran. Por e kishte kufizuar fushatën e tij kundër Kosovës te nismat diplomatike. Tash Serbia e ka ndërruar kahun në formë mjaft dramatike. Pas, në dukje, përfshirjes së saj në incidentin serioz të sigurisë në veriun e Kosovës në shtatorin e vjetëm, tash me agresivitet e vë në pyetje ekzistimin e Kosovës shtet duke aluduar te përdorimi i forcës për ta riintegruar territorin.

Ky zhvillim u manifestua në ftesën që bëri Serbia për sesion të veçantë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së javën e shkuar. Në mbledhje, Serbia pretendonte se Kosova po ushtron një fushatë agresive kundër bashkësisë serbe aty, posaçërisht në veriun e Kosovës. Për më tepër, pjesa më e madhe e paraqitjes së kryetarit serb, Alekandar Vuçiq, u përqendrua në ndërtimin e një aleance të shteteve të përkushtuara ndaj doktrinës së integritetit territorial, pra për pasojë, që e kundërshtojnë shtetësinë e Kosovës. Njëkohësisht, paraqitja e tij, krahas paraqitjes përkrahëse të Federatës Ruse, aludonte te përdorimi i forcës kundër Kosovës.

Kryetari Vuçiq pretendonte se Qeveria e Kosovës, apo sipas fjalëve të tij, “Institucionet e Përkohshme të Vetëqeverisjes në Prishtinë” kishin krijuar kushte të papërballueshme jetese për serbët në Kosovë dhe se tash po ushtronin “sulme të përhapura dhe sistematike ndaj civilëve serbë”. Ky është kod që përdoret për të pretenduar se janë kryer krime kundër njerëzimit nga autoritetet e Kosovës — vetë koncepti që përshkruan mizoritë e kryera nga Serbia kundër popullit të Kosovës nën regjimin e Slobodan Milosheviqit. Nuk ka absolutisht asnjë indikacion që Prishtina të jetë përfshirë në praktika të këtilla që madje do të mund t’u ngjasonin atyre.

Kryetari Vuçiq shtoi se kjo situatë, po qe se do të vazhdonte, do të krijonte “dëme të pariparueshme për mbijetesën e popullit serb në Kosovë e Metohi”. Kjo është referencë që i bëhet procedurës para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në kërkim të masave kalimtare të mbrojtjes në raport me pretendimet për gjenocidin kundër Federatës Ruse në Ukrainë, Mianmarit në raport me popullatën Rohinga dhe ndaj Izraelit në raport me Gazën. Argumenti është se nëse Këshilli i Sigurimit nuk vepron me vendosmëri për t’i ndalur krimet e pretenduara kundër serbëve etnikë në Kosovë, të tjerët do të detyrohen të veprojnë për ta parandaluar dëmin e pariparueshëm. Kjo do të mund të përfshinte përdorimin e forcës për shpëtimin e popullatës së rrezikuar nga shkatërrimi i pashmangshëm, apo edhe nga gjenocidi. Kjo do t’i mundësonte Serbisë që të thotë më vonë se i dha një shans të fundit KS të OKB-së që të ndërmarrë veprime. Mungesa e masave pa hamendje nga KS i OKB-së do ta bënte ndërhyrjen nga Serbia të pashmangshme.

Kjo referencë gjithashtu mund të shihet si një pasqyrim ogurzi i pretendimit krejtësisht të pabazë të Federatës Ruse se Ukraina kishte nisur një sulm, madje një fushatë gjenocidi kundër popullatës etnike ruse në Donbas. Ky pretendim është përdorur si një kinse arsyetim për pushtimin e mëvonshëm të territorit. Në fakt, në mbledhjen e KS të OKB-së javën e shkuar, Federata Ruse ndërhyri me komente duke thënë se situata në Kosovë e kishte arritur atë shkallë, “saqë ekziston kërcënimi i drejtpërdrejtë për mbijetesën fizike të popullatës serbe në rajonin autonom të Kosovës, ku autoritetet në Prishtinë po punojnë në drejtim të krijimit të kushteve të papërballueshme të jetesës që t’i detyrojnë serbët që t’i braktisin trevat e tyre shekullore përgjithmonë”. Ky lloj argumentimi e kujton arsyetimin e NATO-s për veprimin e dhunshëm humanitar në Kosovë, me dallimin se këtu ai nuk ka asnjë mbështetje.

Ky përshkallëzim serioz i retorikës rrjedh nga referenca e përsëritur se Kosova është kinse “territor i okupuar”. Më 2023, Azerbajxhani e përdori forcën për ta rikthyer enklavën e Nagorno Karabahut, që kishte qenë nën kontrollin e Armenisë që nga shpërbërja e Bashkimit Sovjetik në vitet ’90 të shekullit të shkuar. Argumentonte se kishte të drejtë ta përdorte dhunën për ta çliruar territorin e vet që kishte qenë i pushtuar me dekada.

Këso deklaratash me gjasë nuk do t’i paraprinin një pushtimi ushtarak të veriut të Kosovës apo të krejt Kosovës. Prania e NATO-s ka për qëllim që të parandalojë një situatë të këtillë. Megjithatë, këto janë kërcënime serioze dhe janë kërcënime që bëhen në nivelin më të lartë të diplomacisë ndërkombëtare. Ato në mënyrë të qartë e shënojnë një fazë të re të politikës së Serbisë karshi Kosovës dhe me gjasë në raport me Perëndimin në përgjithësi. Për më tepër, përtej sulmeve të zhurmshme verbale, Beogradi duket se po i rinis përpjekjet e tij për ta destabilizuar veriun me veprime të drejtpërdrejta. E gjithë kjo duhet të ketë implikime te sjellja e Kosovës. Dhe duhet të jetë tregues për BE-në dhe SHBA-në se Serbia, duket, se ka hequr dorë nga përpjekja për ta pasqyruar veten si shtet paqedashës në kërkim të normalizimit me Kosovën rrugës për anëtarësim në BE.

Prishja e status-quos së tensionuar por stabile

Natyrisht, KS i OKB-së ka mbajtur takime të rregullta për Kosovën që nga pavarësia e saj më 2008. Kësaj radhe, megjithatë, Këshilli u mblodh në seancë urgjente me kërkesë speciale të Serbisë. Duke e ndërmarrë këtë veprim urgjent, Beogradi mund ta shfrytëzonte faktin se është anëtar i OKB-së, e Kosova nuk është. Prandaj edhe mund ta thërrasë Kosovën që të japë përgjegjësi para KS të OKB-së, trupit më të lartë ndërkombëtar për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare, përderisa Kosova nuk mund ta bëjë këtë. Edhe pse pretendimet janë krejtësisht të rreme, Kosova u vendos në defensivë. Dhe thuhet se lloçi di të ngjitet.

Serbia qartazi u mbështet te sponsori i saj në KS të OKB-së, Federata Ruse, e cila foli fuqishëm në përkrahje të sfidës që Serbia ia bëri Kosovës. Për më tepër, Serbia u përpoq t’i bënte bashkë shtetet konservatore rreth parimit të unitetit territorial sipas të Drejtës Ndërkombëtare. U mbështet te fakti se shumë nga shtetet e treta i kanë çështjet e tyre të brendshme që i shtyjnë ta mbrojnë këtë doktrinë sa herë që ajo sfidohet. Kjo i përfshin edhe pesë shtetet anëtare të BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën ende. Kina, një tjetër anëtare e përhershme e KS të OKB-së, krahas Federatës Ruse, ka brenga të veçanta sa i përket Tajvanit. Shumë shtete neutrale apo të painkuadruara i ndajnë këto brenga. Një numër syresh së voni kanë dalë kundër pikëpamjeve të pretenduara “perëndimore” për të Drejtën Ndërkombëtare dhe rendin ndërkombëtar mbi bazën e të drejtave të njeriut, sundimit të ligjit dhe të vetëvendosjes. Pavarësia e Kosovës shihet nga shumë sish si një derivat i kësaj politike gjatë periudhës së dominimit të Perëndimit të para dy a tri dekadash.

Dobësimi i konsensusit në lidhje me statusin e Kosovës

Megjithatë, së paku që nga Opinioni i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë më 2010-n, sipas të cilit shpallja e Pavarësisë së Kosovës nuk ka qenë në kundërshtim me të Drejtën Ndërkombëtare, fakti bazik se Kosova është shtet, kishte qëndruar pak a shumë i pasfiduar. Mbi gjysma e anëtarëve të OKB-së e kanë njohur Kosovën. Ata të cilët nuk e kanë bërë kryesisht nuk do të vinin në dyshim se shtetësia e Kosovës është fakt i cili, pavarësisht perspektivës, nuk mund të zhbëhet. Serbia u kënaq duke e mbajtur pretendimin ndaj “KosMetit”, duke mos qenë shumë agresive.

Kjo u reflektua në Rezolutën e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së që e njohu Opinionin e GJND-së. Në të, Asambleja i bëri thirrje BE-së që t’i lehtësojë negociatat ndërmjet Kosovës dhe Serbisë me qëllimin e normalizimit të raporteve mes tyre. Pra, më nuk shqyrtohej statusi i Kosovës si shtet, por si një proces për normalizimin e raporteve mes dy shtetesh.

Që atëherë, megjithatë, Kosova humbi fokusin kurse Serbia iu fut një fushate shumë mirë të organizuar dhe profesionalisht të zbatuar për ta prishur statusin e Kosovës. Kjo përfshin edhe përpjekjen për ta kthyer balancën mes shteteve njohëse dhe të atyre që nuk e kanë njohur. Në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit javën e shkuar, Serbia me kënaqësi e përmendte faktin se më pak se gjysma e anëtarëve të OKB-së kanë raporte diplomatike me Kosovën, si pasojë e fushatës së çnjohjeve të cilën e kishte zbatuar në dhjetëvjetëshin e fundit.

Vetizolimi i Kosovës

Kosova jo vetëm që dështoi ta kundërshtonte këtë fushatë, por e lejoi veten që të vendosej në pozitën e papërshtatshme, të palës jobashkëpunuese në Procesin e Brukselit, të mandatuar nga OKB-ja, për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë. Kjo ishte e çuditshme, ngase Serbia ishte pala me një disavantazh strukturor në ato bisedime. Në fund të fundit, në fund të procesit, do të detyrohej ta njihte ekzistencën e Kosovës në një marrëveshje normalizimi ligjërisht të obligueshme nën patronazhin e BE-së. Me fjalë të tjera, do të detyrohej ta njihte Kosovën. Ky rezultat i dialogut për normalizimin do të ishte kusht kyç për pranimin e mundshëm të Serbisë në Bashkimin Evropian.

Që nga fillimi i tij para një dhjetëvjetëshi, Procesi i Brukselit ka prodhuar nja dy duzina marrëveshjesh me synimin që të adresohen çështje të interesit të ndërsjellë. Kur u zgjodh Qeveria me në krye Albin Kurtin, Kosova nisi të theksonte se Procesi i Brukselit prej tash e mbas duhej të ishte “me njohje në qendër”. Pra, që dialogu do të duhej të lëvizte nga marrëveshjet taktike për çështje praktike te rezultati i madh, përmbajtjesor, që dialogu do të duhej të sillte në fund. Ajo që u kuptua si sukses në Kosovë, ky formulim (“me njohje në qendër”) u përvetësua nga Qeveria amerikane në përkrahje të procesit të BE-së, si dhe nga Parlamenti Evropian.

Sidoqoftë, Serbia ia doli ta përmbyste disavantazhin strukturor nën të cilin kishte vepruar. U përqendrua në vetëm një aspekt nga marrëveshjet më të hershme të Brukselit, të arritur nga atëherë Qeveria e Kosovës, më 2013. Marrëveshja e parë, përcjellë nga një tjetër më e detajuar por e paratifikuar më 2015, parashihte themelimin e Asociacionit/Bashkësisë së komunave me shumicë serbe.

Kjo marrëveshje ishte në fakt rezultat i një nisme nga vetë Kosova. Asociacioni/Bashkësia kishte për qëllim që t’u ofronte alternativë strukturave paralele të qeverisë të sponsorizuar nga Serbia në komunat kryesisht të banuara me serbë në veri. Në këmbim për braktisjen e këtyre strukturave, Kosova do ta pranonte formimin e Asociacionit/Bashkësisë mes komunash me popullatë shumicë serbe për të koordinuar veprimet brenda kompetencave të tyre. Kushti ishte se kjo nuk do të krijonte rrafshin e tretë të pushtetit mes institucioneve qendrore dhe atyre të komunave apo që veriun ta shndërronte të rajon autonom, në kuptimin e plotë të fjalës, në Kosovë.

Megjithatë, aspekti i mënjanimit të strukturave paralele të pushtetit u harrua me kohën. Në vend të kësaj, Serbia ia doli ta përqendronte dialogun e Brukselit një dekadë më vonë pak a shumë vetëm te tema e themelimit të Asociacionit/Bashkësisë. Kjo paraqiti vështirësi për Qeverinë e porsaardhur të kryeministrit Albin Kurti, i cili kishte premtuar kundërshtimin e hekurt të themelimit të Asociacionit/Bashkësisë para dhe pas zgjedhjeve. Për të Asociacioni/Bashkësia ishte mjet për ndarjen e Kosovës dhe eventualisht shkëputjen e veriut. Insistimi i çuditshëm i partnerëve perëndimorë të Kosovës për ta zbatuar Asociacionin/Bashkësinë — një lloj fetishi i dukej kjo punë krahut më radikal të partisë në pushtet — bënte të mendohej për një komplot ndërkombëtar për t’ia dorëzuar veriun Serbisë, për ta zgjidhur këtë çështje njëherë e përgjithmonë.

Prej këtij çasti e tutje Kosova, e jo Serbia, dukej se po e bllokonte procesin e normalizimit, për shkak të rezistencës që tregonte ndaj themelimit të Asociacionit/Bashkësisë. Në vend se të merrej me këtë çështje në mënyrë proaktive, për shembull duke e miratuar versionin e vet të një versioni të butë të Asociacionit/Bashkësisë, Kosova e lejoi veten të mbështetej për muri për këtë çështje. Kjo e liroi Serbinë nga trysnia me të cilën do të ballafaqohej, ngase Beogradi nuk do të ishte në pozitë që të pajtohej për normalizimin e plotë të raporteve me Kosovën, përfshirë edhe njohjen.

Dështimi i njohjes de facto

Nisma gjermano-franceze e 2022-s kishte për qëllim tejkalimin e qorrsokakut. Zyrtarisht e ofronte njohjen de facto të Kosovës në këmbim për miratimin e përshpejtuar të Asociacionit/Bashkësisë. Kjo nismë mbështetej mbi shembullin e Traktatit Bazë të suksesshëm nga 1972-a mes Gjermanisë Lindore dhe asaj Perëndimore. Marrëveshja de facto do të nënkuptonte se dy entitetet do ta trajtonin njëra-tjetrën si shtete sovrane sipas parimeve të së Drejtës Ndërkombëtare dhe të Kartës së OKB-së si fakt, pa marrëveshje formale mbi statusin. Kjo do ta hapte shtegun për njohje më të gjerë ndërkombëtare të Kosovës, si dhe anëtarësimin e mëtejmë në organizata ndërkombëtare.

Ishin ndërmjetësit e BE-së ata që papritur e prishën këtë marrëveshje, në çastin kur Kosova ishte e gatshme ta pranonte. Të dyja palët kishin theksuar në mbledhjen e mbajtur më 27 shkurt të vitit të shkuar në Bruksel se ishin pajtuar me formulimet e një marrëveshjeje të re bazë sipas modelit gjerman. Në takimin vijues, në Ohër, më 18 mars 2023, palët duheshin miratuar formalisht Marrëveshjen Bazë dhe Aneksin e Zbatimit, mbase i përcjellë nga një konferencë për nënshkrimin formal që do të mbahej në Paris. Sidoqoftë, që në fillim të takimit të Ohrit, Serbia deklaroi se nuk do të nënshkruante asnjë gjë me Kosovën në asnjë rrethanë.

Në vend se të insistohej te nënshkrimi dhe t’i bëhej trysni Serbisë me këtë qëllim në mendje, sikurse kishte pritur Kosova, BE-ja thjesht e pranoi këtë kërkesë. Bashkëbiseduesit nga BE-ja e gjetën mënyrën për të deklaruar se Serbia së paku e kishte miratuar tekstin në raport me BE-në. Serbia, pra, mund të insistonte se nuk ishte pajtuar për asgjë në raport me Kosovën. Për më tepër, në vend se të pranonte se traktatet duhej respektuar të tëra, kryetari Vuçiq paralajmëroi se do të përzgjedhë se cilin nga detyrimet e supozuara do t’i zbatonte, po qe se ato ekzistojnë. Kosova, nga ana tjetër, do të duhej që fillimisht ta përmbushte çështjen e Asociacionit/Bashkësisë.

Por mungesa e nënshkrimeve të të dyja palëve në marrëveshje e eliminoi elementin thelbësor të marrëveshjes mbi të cilën ishte mbështetur Kosova — njohja e premtuar de facto me themelimin e raporteve mes palësh mbi parimet e Kartës së OKB-së, siç ishte theksuar qartazi në marrëveshje. Kjo ishte kyç për Kosovën, ngase njohja de facto nga Serbia duhej ta zhbllokonte njohjen nga pesë shtetet mosnjohëse të BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën ende. Kjo, nga ana tjetër, do të kishte qenë parakusht për fushatën e Kosovës për anëtarësimin në BE dikur më vonë.

Sikurse kishte ndodhur më herët në procesin Ahtisaari, Serbia i depozitoi obligimet që i përmbante marrëveshja karshi Kosovës pa e dhënë atë që pritej nga Beogradi — pranimi i ekzistencës së Kosovës së paku si një fakt — në këmbim. Duke i shkaktuar tronditje Kosovës, BE-ja e pranoi këtë skemë dhe në dukje e pranoi pretendimin e Serbisë se ajo nuk kishte detyrim ndaj marrëveshjes, përderisa Kosova disi kishte. Në vend se të insistohej për qartësimin e pozitës së Serbisë — nëse kishte detyrime karshi Kosovës dhe në raport me të gjitha elementet e Marrëveshjes ose jo — Kosova iu nënshtrua trysnisë.

Rezultati qe që Kosova, sërish, shikohej si palë fajtore, ngase nuk bëri lëvizje drejt Asociacionit/Bashkësisë — një çështje që tash u përfshi si një çështje urgjente e Marrëveshjes së Brukselit dhe Aneksit të cilët Kosova në dukje i pranoi vetë. Edhe pse Kosova u ankua në raport me procesin e keqmenaxhuar të Brukselit, trysnia u kthye ndaj Kosovës që ta zbatonte Asociacionin/Bashkësinë, e jo ndaj Serbisë që t’i nënshkruante marrëveshjet.

Lëvizjet e Kosovës në veri

Kosova ia doli ta rriste këtë efekt. Me disa hapa, Qeveria u nis në formë të njëanshme për të themeluar apo forcuar autoritetin e vet në veri. Këtë lëvizje e shtynte ndjenja se bashkësia e organizuar ndërkombëtare në trajtën e OKB-së, BE-së, OSBE-së, madje edhe të NATO-s as çerekshekulli pas përfundimit të armiqësive me Serbinë më 1999, kurrë nuk ndërmori veprim të vërtetë për ta përkrahur shtrirjen e pushtetit të Kosovës në ato treva. Në fakt, siç u theksua më lart, ekzistonte njëfarë droje fantazuese se aktorët ndërkombëtarë po konspironin me Serbinë që t’i shkëpusnin këto treva nga Kosova dhe t’ia dorëzonin ato Serbisë.

Tashmë ishin ca episode të tensioneve ndërkombëtare që i shkruheshin Kosovës. Madje para se kryeministri Kurti ta merrte postin, Kosova kishte miratuar taksa ndëshkuese ndaj produkteve serbe. Në fakt, ishte një veprim reciprociteti, që shihej si një çrregullim i pajustifikuar i zhvillimit rajonal. Atëherë Kosova kishte insistuar se qytetarët e saj në veri do të duhej të kishin targa të Kosovës e jo të Serbisë. Tensione të mëtejme ndodhën me zgjedhjet lokale në veri kur ato u bojkotuan nga partitë serbe, me gjasë me kërkesën e sponsorizuesve të tyre në Beograd. Rezultati i pashmangshëm qe zgjedhja e kryetarëve të komunave nga votuesit e mbetur —numër i vogël i votuesve shqiptarë në ato treva. Ishte e qartë se këta nuk ishin përfaqësues të popullatës me shumicës serbe.

Kosova insistonte, megjithatë, se Serbia nuk do të duhej të përfitonte nga bojkotimi i zgjedhjeve që vetë i kishte frymëzuar. Qeveria e Kosovës i rezistoi trysnisë që thjesht t’i urdhëronte kryetarët e porsazgjedhur shqiptarë që të jepnin dorëheqje. Për më tepër, njësi të policisë speciale u përdorën për t’i zbrazur ndërtesat komunale për ta, duke hapur rrugë për trazira dhe dhunë. Forca të NATO-s dhe disa nga protestuesit pësuan. Këto përfshinin banditë të armatosur, për të cilët pretendohet se janë organizuar nga Qeveria e Serbisë apo serbë lokalë besnikë ndaj Serbisë. Kosova e nisi një fushatë për arrestimin e tyre apo për dëbimin e tyre drejt Serbisë. Aksionet policore dhe arrestimet shkaktuan tension si me popullatën lokale ashtu edhe me vëzhguesit ndërkombëtarë dhe Kosova iu nënshtrua trysnisë që t’i lironte të arrestuarit.

Megjithatë, Qeveria nuk hoqi dorë nga fushata e vet për t’i dëbuar elementët banditeskë që po i terrorizonin dhe po i frikësonin bashkëkombësit e tyre serbë në veri, për të luftuar krimin e organizuar dhe prodhimin ilegal të kriptovalutave, si dhe për ta zvogëluar ndikimin dhe kontrollin e ushtruar nga Qeveria e Serbisë mbi atë rajon. Aleatët e Kosovës e pranuan se këta hapa mund të jenë legjitimë, por i kundërshtonin, ngase ishin të pakoordinuar me ta, dhe, sipas tyre, dukeshin shpesh provokuese.

Në fund, Kosova jo vetëm që u ballafaqua me kritikën dhe dënimin ndërkombëtar, por edhe me sanksione në formën e “masave” të BE-së, krahas kufizimit të bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe NATO-s. Kosova ishte në rrezik izolimi madje edhe nga aleatët më të afërt.

Duke e arsyetuar qëndrimin e vet, Kosova kishte theksuar moslëshimin pe të Serbisë në drejtimin e heqjes së strukturave të veta paralele dhe raportet e afërta mes Beogradit dhe Moskës. Argumentonte se Beogradi po e luante rolin e Kalit të Trojës në përpjekjet ruse për destabilizimin e Evropës Lindore dhe të Ballkanit ashtu që të shmangej vëmendja nga fushata e vet ushtarake në Ukrainë. Megjithatë, ishte mu ky fakt ai i cili rriti humbjen e durimit të aleatëve perëndimorë, udhëhequr nga Qeveria amerikane, me Kosovën.

Po qe se ekzistonte rreziku i përhapjes së sferës së ndikimit të Rusisë në rajon, apo madje edhe një konflikti që do ta përfshinte NATO-n në Kosovë, atëherë ishte shumë me rëndësi që Serbia të mos provokohej e që Beogradi të mos shtyhej edhe më shumë ngrykë të kryetarit Putin. Në fakt, do të duheshin bërë përpjekjet që Serbia të joshej që të largohej nga Moska e t’i afrohej kampit perëndimor, duke lëvizur drejt anëtarësimit në BE.

Qasja e Kosovës dukej se po e bllokonte përparimin në dialogun për normalizimin, që e çrregullonte këtë qëllim strategjik. Për më tepër, aleatët kishin përshtypjen se Kosova po sillej gabimisht dhe me papërgjegjësi, duke i ofruar Serbisë një pretekst për nxitjen e tensioneve ushtarake në rajon. Në fakt, Serbia reagoi disa herë duke e rritur numrin e trupave të veta në kufi dhe duke rritur nivelin e gatishmërisë. Edhe kjo e detyroi NATO-n që ta rriste praninë në Kosovë, në kohën kur besohej se e gjithë vëmendja duhej kthyer nga Ukraina.

Veprimet e armatosura të Serbisë

Pretendimi i Kosovës se Serbia ishte një agjent agresiv i një plani të ekspansionit të Moskës nisi të merrte besueshmëri pas kapjes së tre policëve kosovarë në territorin e Kosovës në qershor 2023. Doli se ishin kapur nga njësitë speciale të policisë së Serbisë. Sidoqoftë, e gjeten veten para një gjykate të rregullt serbe, gjë që konfirmoi përfshirjen zyrtare të Beogradit në këtë ngjarje.

Më vonë, në shtator, u shënua një infiltrim i ndjeshëm i luftëtarëve, armëve dhe materialeve të tjetra në fshatin Banjskë, në veriun e Kosovës. Një polic i Kosovës u vra. Sulmi, i cili u zmbraps, doli ta përfshinte një manastir ortodoks serb si skenë. Sasi të mëdha armësh u konfiskuan, bashkë me pajisje që jepnin indice se po përgatitej një sulm i përmasave më të mëdha. Kjo doli ta konfirmonte narrativen e Kosovës se Serbia kishte për qëllim destabilizimin e veriut të Kosovës me një fushatë të një lufte të parregullt, me qëllimin që ta shkëpuste territorin me dhunë.

Zbulimi dhe dështimi i këtij operacioni, i cili zor se do të mund të zhvillohej pa përfshirjen e Serbisë, qartazi e vuri Beogradin në bisht të diplomacisë për një kohë. Për udhëheqjen e Kosovës kjo ngjarje qe një lloj Zeitenwende (pikë kthese, v.p.) që Gjermania kishte përjetuar në çastin e pushtimit të Ukrainës nga Rusia. Tashmë nuk kishte më hapësirë për dyshime për qëllimet e Beogradit: bëhej fjalë për konfrontim, e jo për normalizim. Çfarëdo koncesionesh që do t’i bëheshin Serbisë ishin të kota, ngase kurrë nuk do të kishte rezultate pozitive të një përparimi “me njohje në qendër”. Në vend të kësaj, besohej, kursi origjinal për ta vendosur edhe më shumë pushtetin e Kosovës në veri u përligj.

Pas një takimi katastrofik ndërmjet të dërguarit të BE-së, Miroslav Lajçak, dhe kryeministrit Kurti po atë shtator, qeveritë kryesore të BE-së morën kontrollin, në përpjekje për ta kthyer procesin e normalizimit prapa në shteg të vetin, me gjithë atmosferën e rëndë. Në përpjekje për ta kthyer Kosovën, e ritheksuan se Marrëveshja Bazë pa dyshim do të duhej ta prodhonte njohjen de facto për Kosovën. Kjo pak a shumë e riktheu situatën që kishte ekzistuar para debaklit të Ohrit

Pa përgjigje ndaj pranimit të të gjitha kushteve nga Kosova

Kosova menjëherë reagoi duke thënë në takimin e tetorit me qeveritë kyç të BE-së, sikurse kishte bërë në Ohër, se ishte e gatshme të nënshkruante Marrëveshjen Bazë dhe Aneksin e Ohrit me Serbinë aty dhe në atë çast. Megjithatë, në një zhvillim të ri, Kosova gjithashtu deklaroi se ishte e gatshme ta pranonte Statutin për Asociacionin/Bashkësinë që ndërkohë ishte hartuar dhe paraqitur nga BE-ja.

Kjo ishte një kthesë shumë e madhe. Tash Kosova kishte bërë gjithçka që SHBA-ja dhe BE-ja kishin kërkuar nga ajo — pranimin e Marrëveshjes Bazë, të Aneksit Zbatues e madje edhe pranimin e Asociacionit/Bashkësisë në formë shumë specifike siç e kishte hartuar BE-ja.

Në vend se ta niste një proces të zgjatur për të negociuar Statutin e Asociacionit/Bashkësisë, Prishtina thjesht po e pranonte atë që e kishte prodhuar BE-ja si vizion të vetin të një kompromisi të balancuar të çështjes. Kjo mbështetej mbi sigurimin se vetë Statuti nuk do ta krijonte rrafshin e tretë të pushtetit apo që do t’u ofronte fuqi ekzekutive trupave të Asociacionit/Bashkësisë. Një rishqyrtim nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës u parapa shprehimisht për ta siguruar kushtetutshmërinë.

Kjo nuk ishte shtirje diplomatike. Kosova e kishte pranuar Statutin e Asociacionit/Bashkësisë pa dykuptimësi dhe pa asnjë ndryshim në të si pjesë e pakos që duhej nënshkruar nga të dyja palët. Kryeministri Kurti ia kumtoi Kuvendit të Kosovës vendimin e tij për ta përkrahur Statutin e Asociacionit/Bashkësisë, me kusht që të dyja palët do ta nënshkruanin marrëveshjen, me një çmim politik që ai duhej paguar. Sidoqoftë, përfitimet e këtij vendimi nuk u korrën.

Pas të gjithash, Kosova është dashur ta rifitonte nismën diplomatike. Kosova kishte pranuar krejt çka ishte vendosur mbi tavolinë, përfshirë edhe koncesionin e dhimbshëm të Asociacionit/Bashkësisë. Tash, barra do të duhej t’i binte Serbisë për ta nënshkruar Marrëveshjen Bazë apo Aneksin. Por Kosova dështoi për ta përdorur këtë rast për ta rikthyer lojën diplomatike në favor të vetin. Është dashur të insistonte shumë herë se i kishte përmbushur të gjitha kërkesat e partnerëve të saj ndërkombëtarë dhe të dialogut të Brukselit. E vetmja pengesë kishte mbetur mosgatishmëria e Serbisë për të nënshkruar atë krahas Kosovës.

Shumë shpërqendrime

Mbase shpresohej se, pas të gjithash, do të ishte e mundur të shmangej zbatimi i Asociacionit/Bashkësisë, me gjithë formën e pranueshme që ishte zhvilluar në Bruksel. Sidoqoftë, Kosova e lejoi veten të shpërqendrohej nga çështje me më pak peshë. Ende refuzonte ta zbatonte aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese nga 2016-a për t’ia dhënë një copë relativisht të vogël toke Manastirit të Deçanit të Kishës Ortodokse Serbe (KOS). Ky problem vazhdon të jetë tejet kundërthënës mes popullsisë dhe politikanëve të Kosovës. Por çështja nuk është nëse do të ishte e drejtë t’i transferoheshin disa hektarë toke. Çështja ka të bëjë me sundimin e ligjit. Gjykata Kushtetuese e Kosovës e ka thënë fjalën e vet. Asnjë qeveri nuk e ka të drejtën që të refuzojë zbatimin e gjykatës më të lartë në vend, pavarësisht nëse pajtohet me të ose jo.

Ky veprim tash rrezikon pranimin e Kosovës në Këshillin e Evropës. Shtetet kyç e kanë zhbllokuar këtë proces si shpërblim për Kosovën për vullnetin e saj që të pranojë Marrëveshjen Bazë dhe çështje të tjera. Megjithatë, raporti i raportuesit të KiE-së për sundimin e ligjit në Kosovë do të dalë së shpejti dhe disa e parashohin se mund të jetë negativ për shkak se nuk zbatohet vendimi i Kushtetueses — një çështje që Kosova ka mundur dhe është dashur ta kryente para shumë vjetësh.

Dështimi eventual i Kosovës për anëtarësim në KiE do ta çrregullonte përpjekjen për të pasur përfaqësim në organizata të tjera ndërkombëtare. Pos që është vetë i rëndësishëm, anëtarësimi në KiE do të ishte hap i rëndësishëm para dhe një sinjal i fuqishëm përballë suksesit të fushatës së çnjohjeve që e ka zhvilluar Serbia.

Çështja gjithashtu ia mundëson Serbisë të thotë se Kosova nuk po i respekton obligimet e marra në raport me KOS-in, manastiret dhe pronat e tjera në territor. Në fakt, këto lokacione janë fort të mbrojtura nën regjimin e Zonave të Veçanta të Mbrojtura administruar nga agjencitë ndërkombëtare. KOS-i, mbase nën trysninë e Beogradit, me ngulm ka refuzuar të dialogojë se si mund të përmirësohet pozita brenda kornizës aktuale ligjore.

Çrregullimi më i ri i raporteve

Kosova gjithashtu e çrregulloi përpjekjen për t’i rregulluar raportet me aleatët në sfera të tjera. Shtetet kyç të BE-së gradualisht po e pranonin rrugën e zgjedhur nga Kosova për çështjen e kryetarëve të komunave në veri. Siç u përmend më herët, Kosova kishte refuzuar që t’ua kërkonte dorëheqjen këtyre kryetarëve, gjë e cila e kishte hapur shpejt rrugën drejt zgjedhjeve të reja. Vendosi që ky proces i zgjedhjeve të reja të bëhej sipas ligjeve të Kosovës.

Bashkësia serbe që ndihej e papërfaqësuar me rezultatet e zgjedhjeve duhej ta shprehte qëndrimin e vet me “peticionin për shkarkim”, siç e parasheh legjislacioni kosovar. Kjo nënkuptonte se përfaqësuesit serbë duheshin përpjekur gjatë, të dëshmonin vullnetin për të vepruar sipas legjislacionit të Kosovës dhe të bashkëpunonin me autoritetet e Kosovës — një çështje që Qeveria e Kosovës donte që të dilte në pah. Procesi do të ishte i rëndë dhe i gjatë e madje edhe do të mund të dështonte, po qe se nuk do të mblidheshin votat e mjaftueshme. Prandaj, në vend se të mundësohej “shtensionimi” i shpejtë i tensioneve në veri që e kishin kërkuar SHBA-ja dhe BE-ja, zgjidhja e çështjes mbeti në agjendë. Për më tepër, nuk është e qartë po qe se partitë dhe votuesit serbë do të marrin pjesë në zgjedhje të reja, duke i pasur parasysh rrethanat aktuale dhe qasjen e Beogradit, edhe nëse peticioni tregohet i suksesshëm.

Megjithatë, partnerët ndërkombëtarë të Kosovës e pranuan rrugën e peticionit për shkarkim që e kishte kërkuar Kosova. Njëkohësisht, çështja e targave u zgjidh me qetësi pa ndonjë vëmendje nga publiku. Tensionet në lidhje me kryetarët e komunave u zbutën dhe Kosova tërhoqi një pjesë të trupave policore. Qeverisë së Kosovës i dukej se e kishte bërë të qartë qëllimin e vet. Do të insistonte ta forconte pushtetin në veri derisa merrte hapa për shtensionimin e tensioneve.

Por, edhe ky sukses tash u prish. Paralajmërimi në lidhje me përdorimin e dinarit, monedhës të cilën Serbia e shfrytëzon për t’i paguar institucionet dhe individët në veri, u kritikua ashpër nga miqtë më të afërt të Kosovës. Sërish, aleatët në fakt e pranojnë se ky hap është i domosdoshëm për t’i ndalur transferimet ilegale të mjeteve, krimin e organizuar e madje edhe terrorizmin. Kritika e ashpër ka të bëjë me faktin se popullata lokale nuk është konsultuar dhe as informuar, si dhe nuk u është dhënë kohë e mjaftueshme për t’u përshtatur. Masa i befasoi madje edhe miqtë më të afërt të Kosovës.

Ky episod i dha shans Serbisë që ta fitonte nismën diplomatike dhe ta paraqiste popullatën serbe në Kosovë si viktimë e pushtetit arbitrar të autoriteteve të Prishtinës.

Pak përkrahje nga aleatët në Këshillin e Sigurimit

Në seancën urgjente të Këshillit të Sigurimit, Kosova e mbajti veten. Përderisa kryetari Vuçiq do të ketë pasur për qëllim që t’i bënte gjyq Kosovës, si palë e akuzuar, kryeministri Kurti ia doli ta balanconte procesin. Por, me gjithë faktin se Serbia e shfrytëzoi qasjen te Këshilli i Sigurimit kundër Kosovës dhe dukej se aludonte te përdorimi i mundshëm i forcës me përkrahjen e Rusisë, është për të veçuar se aleatët kyç të Kosovës nuk e kundërshtuan sjelljen e Beogradit siç ka mundur të pritej.

SHBA-ja e theksoi faktin se procesi i BE-së në Bruksel duhet të mbetet vendi kryesor për t’i adresuar çështjet e Kosovës. Megjithatë, krahas shteteve të BE-së, iu bashkua tekstualisht të gjithë anëtarëve të Këshillit për të kundërshtuar mënyrën se si Kosova, në formë të njëanshme, e kishte imponuar vendimin e vet për dinarin.

Ç’është e vërteta, miqtë e Prishtinës nuk e kanë kontestuar të drejtën e saj që ta merrte vendimin. Por që ishte mungesa e paralajmërimit dhe shqyrtimi paraprak ajo që ua shkaktoi brengën. Dukej si veprim i gabuar dhe i paparashikueshëm që llogaritej se mund të destabilizonte edhe më shumë situatën tashmë të tensionuar. Shihej si edhe një shembull i papërgjegjësisë së Kosovës në raport me veriun në kohën kur SHBA-ja, NATO-ja dhe BE-ja po përpiqeshin të fokusoheshin që ta kundërshtonin Federatën Ruse për Ukrainën.

Sfida e re nga Serbia

Ky rezultat është lajm i keq për Kosovën. Në mbledhjen e KS të OKB-së, Serbia po e niste një fushatë për ta ringjallur pretendimin e saj ndaj Kosovës si territor të vetin, duke e mohuar ekzistencën e Kosovës si shtet. Dhe këtë e bëri duke pasur për sfond së paku një kërcënim të tërthortë të përdorimit të forcës, e përsëritur nga paraqitja e Federatës Ruse. Natyrisht, se nuk kishte asnjë bazë për pretendimet që kishin të bënin me një fushatë të supozuar të spastrimit të dhunshëm etnik shkaktuar nga Kosova në komunat e veta veriore. Megjithatë, madje edhe miqtë e Kosovës duket se kanë vlerësuar se kishte bile një element të vërtetë në thelbin e ankesës së Serbisë. Asnjë delegacion nuk foli në mbrojtje të Kosovës, me gjithë akuzat shumë të pabazuara dhe absurde që i bënë Serbia dhe Federata Ruse. Kjo do të duhej të ishte një vërejtje shumë e rëndësishme për Kosovën.

Mund të supozojmë se Serbia do ta zgjerojë fushatën e vet diplomatike në këtë drejtim. Kjo është sfidë e drejtpërdrejtë ndaj identitetit të Kosovës si shtet, si dhe (gjë që i konvenon Moskës) një sfidë drejtpërdrejt drejtuar NATO-s, e cila është përgjegjëse për sigurinë e Kosovës.

Kjo shoqërohet me vendosmërinë e re dëshmuar nëpërmjet një fushate të masave aktive në veri. Këtë javë serbët etnikë u mobilizuan në një fushatë që duket të jetë përkrahur me udhëzime nga Beogradi se si të provokohen incidente të dhunshme. Gjasat janë se mund të pritet më shumë se kaq. Mbase do të ketë qëllim që ta nxisë një reagim nga autoritetet e Kosovës e që mund të portretizohet si represion i kthyer kundër popullatës lokale, supozohet për të justifikuar një kërkesë për ndërhyrje nga Serbia. Kjo, fundja, është taktika e njëjtë të cilën e kishte zbatuar UÇK-ja në luftën kundër forcave serbe më 1998-1999, duke e nxitur ndërhyrjen e NATO-s.

Kosova duhet të reagojë dhe të përqendrohet te gjërat esenciale

Kosova duhet të ballafaqohet me këtë realitet të ri. Ç’është e vërteta, kjo qeveri ka dëshmuar se di t’i rezistojë presionit ndërkombëtar. Mund ta imponojë vullnetin e vet, deri në një kufi, brenda Kosovës, pavarësisht pikëvështrimit të SHBA-së, BE-së apo të tjerëve. Masat e BE-së kanë pasur pak efekt, kurse rezistenca ndaj atyre që shihen si udhëzime nga Washingtoni apo Brukseli duket se kanë efekt të mirë te elektorati. Çfarëdo që mund të shihet si provokim i Qeverisë së Kosovës, nuk do ta detyrojë NATO-n që të heqë dorë nga zotimi për ta siguruar territorin e Kosovës kundër një sulmi nga jashtë. Kosova mbetet një pikë e rëndësishme, sado e vogël, strategjike në një rajon jostabil.

Por pas javës së shkuar duhet të jetë tashmë e qartë se Kosova nuk mundet, vetëm, të garantojë sigurinë në një ambient më të ashpër rajonal apo ta mbajë a forcojë pozitën e vet ndërkombëtare pa përkrahjen e aleatëve të rëndësishëm. Përderisa Kosova ka dëshmuar ta ketë fuqinë për t’i përballuar presionet e miqve e të armiqve në dy vjetët e fundit, megjithatë loja po ndryshon. Kosova nuk do të jetë e aftë të mbështetet vetëm mbi forcat e veta në këtë lojë të re e më të ashpër.

Reagimi i çuditshëm i NATO-s te kidnapimi i tre policëve në veri qershorin e shkuar, kur refuzoi të konfirmonte se ata ishin marrë në territorin e Kosovës, ishte një vërejtje e parë. Sot e kësaj dite, OKB-ja ka refuzuar të dalë me një qëndrim zyrtar për përgjegjësinë e sulmit të shtatorit në Banjskë, pavarësisht fakteve të qarta nga terreni. Këto janë tregues për erozionin e përkrahjes diplomatike për Kosovën, krahas numrit të tkurrur të njohjeve. E kjo tash rritet me heshtjen ndërkombëtare para teatrit të akuzave absurde të Serbisë në Këshillin e Sigurimit.

Një pasojë e kësaj është se Kosova duhet të përqendrohet më në fund në atë që ka rëndësi njëmend. Kjo i përfshin hapat për rindërtimin e besimit me miqtë dhe aleatët. Pa përkrahjen e tyre, Kosova do ta ketë vështirë t’u rezistojë fushatave që do të vijnë me qëllim të dobësimit të pozicionit të saj ndërkombëtar, krahas veprimeve shtesë me qëllimin e destabilizimit të situatës në veri. Për t’iu rezistuar këtyre zhvillimeve, vetë Kosova duhet të veprojë si burim stabiliteti, e jo si burim krize në raport me aleatët e vet, po qe se do që t’i rindërtojë partneritetet për të cilat ka nevojë.

Kjo nuk do të thotë që Kosova duhet t’i kthehet një politike të bindjes së pakundërshtuar të kërkesave ndërkombëtare. Por duhet të sillet me racionalitet dhe në bashkëbisedim me aleatët. Duhet ta ketë një strategji më afatgjatë se si duhet luftuar sfidën e vendosur nga Beogradi, t’i ketë aleatët pranë, t’i konsultojë dhe të shmangë befasi, duke nxitur kriza të papritura.

Elementet e strategjisë

Një strategji më e qëndrueshme do t’i kishte pesë elemente kyç:

1. Kthimi te partneritetet stabile, ndërkohë që forcohet kontrolli mbi veriun

Aleatët e Kosovës e pranojnë se Kosova ka të drejtë ta sigurojë territorin e vet dhe të përpiqet që të sigurojë që pushteti i saj shtrihet edhe në komunat e veriut. Aty ku kjo është e mundur, kjo duhet të bëhet në bashkëpunim me Serbinë nëpërmjet dialogut të ndërmjetësuar. Aty ku shihet qartë se kjo rrugë po minohet nga Beogradi, siç duket se qëndron puna tash, veprimi i njëanshëm mund të jetë i mbështetur. Porse duhet të ndërmerret në koordinim me qeveritë mike, duke i pasur parasysh këshillat dhe duke i shmangur befasitë. Rindërtimi i besimit duhet të bëhet me sinqeritet dhe Kosova duhet ta pranojë se qeveritë mike do të duan të shohin dëshmi për ndërrimin e qasjes, para se ta marrin si të mirëqenë dhe të reagojnë pozitivisht.

2. Të fuqizohet bashkëpunimi në siguri

NATO-ja shihet si garantuesi kryesor i stabilitetit, posaçërisht në veri. Kosova nuk mund ta ushtrojë funksionin e saj e vetme. Por nga NATO-ja nuk mund të pritet që ta bëjë këtë kontribut të rëndësishëm nëse i ekspozohet detyrimit që t’i pastrojë pasojat e asaj që e sheh si veprim i rrezikshëm dhe i paparashikueshëm i autoriteteve kosovare. Bashkëpunimi i afërt me NATO-n nuk është heqja dorë nga sovraniteti i Kosovës. Në fakt është një atribut i sovranitetit që shtetet e tjera do ta donin për vete. Ky është hap para drejt anëtarësimit në Aleancë për të cilën Kosova ka aspirata. Prandaj, pas disa arritjeve në këto sfera, konsultimet, ndarja e informatave të inteligjencës, planifikimi i përbashkët dhe këmbimi në të gjitha nivelet mund të zhvillohet tutje.

3. Integrimi i veriut nëpërmjet veprimit pozitiv

Kosova do të vazhdojë me strategjinë e integrimit të serbëve etnikë, përfshirë edhe veriun e Kosovës. Mirëpo, duke e zbatuar atë duhet të shmangë armiqësimin e popullatës të cilën përpiqet ta joshë. Hapat e paraparë për ta thyer kontrollin e fuqishëm të Serbisë mbi Kosovën duhen të hartohen dhe zbatohen në konsultim me popullatën lokale dhe duhen të menaxhohen asisoj që shpejt dhe dukshëm e përmirësojnë jetën në veri. Luftimi i bandave të armatosura që përpiqen ta frikësojnë popullatën është me rëndësi. Sidoqoftë, masat që zbatohen për këtë qëllim duhet të shikohen si çlirim i popullsisë lokale nga dhuna e jo imponim i dhunës mbi ta. Zhvendosja e policisë speciale në vende më pak të shquara është hapi i parë, por duhet të pasohet nga hapa të tjerë. Komitetet e sigurisë lokale dhe bashkëpunimi i afërt me agjencitë ndërkombëtare, përfshirë OSBE-në dhe KFOR-in, mund të ndihmojnë në tejkalimin e përshtypjes së taktikave të ashpra që mund t’i rrezikojnë njerëzit e rëndomtë. Më në përgjithësi, agjenda negative e largimit të strukturave paralele të pushtetit dhe të frikësimit në veri duhet të shndërrohet në një plan pozitiv që ofron të mira jo vetëm serbëve në veri, por në të gjithë Kosovën. Duhet të ekzistojë një “ofertë” pozitive në lidhje me të ardhmen e rajonit të populluar kryesisht me serbë. Kjo ka të bëjë me forcimin e marrëveshjeve të veçanta për shëndetësi dhe arsim. Marrëveshja e Brukselit e kishte paraparë zotimin e Serbisë dhe të Kosovës që t’i rregullojnë këto aranzhime duke i kanalizuar fondet nëpërmjet institucioneve të Kosovës. Ky pa dyshim se do të ishte opsion më i mirë. Por, nëse Serbia e vazhdon politikën e saj të përshkallëzimit dhe të armiqësive, Kosova duhet të garantojë funksionimin e institucioneve që aktualisht financohen nga Serbia. Në këtë kontekst, duke pasur parasysh vendimin në lidhje me përdorimin e dinarit, Kosova ka shumë më tepër për të bërë për ta siguruar popullatën se nuk do të ketë efekte negative. Në fakt do të duhej sqaruar se euroja ofron llojin e stabilitetit që Serbia dhe valuta e saj nuk mund ta ofrojnë.

Por një ofertë pozitive është më tepër sesa një sigurim se gjërat nuk do të ndryshojnë për të keq. Në këtë muaj, Kosova nisi ta zbatojë një nismë të rëndësishme për të subvencionuar krijimin e vendeve të punës në veri. Mund të bëhet më shumë që të parandalohet shndërrimi i veriut të Kosovës në një moçal të izoluar në të cilin është shndërruar Republika Srpska në Bosnje. Kosova duhet ta shpallë një Zonë të Zhvillimit të Shpejtë Ekonomik në veriun e vendit. Kjo nuk do të krijojë entitet të ri gjeografik apo juridik në veri. Në fakt, zona do të shtrohej përtej katër komunave veriore dhe do ta përfshijë, për shembull, edhe Mitrovicën e Jugut. Koncepti ka për qëllim të ushqejë integrimin e jo ndarjen e veriut nga pjesa tjetër e Kosovës. Zona e Zhvillimit të Shpejtë Ekonomik mund të tërheqë investime në Kosovë në përgjithësi. Mund të zhvillohet me ndihmën ndërkombëtare, posaçërisht nga agjencitë për zhvillim me shumë përvojë të Gjermanisë e Francës. Fundja, zona mund të shndërrohet në mekanizimin kryesor për të absorbuar përkrahjen e madhe financiare si dhe investimin ndërkombëtar të paraparë me Marrëveshjen e Brukselit. Nëse Serbia vazhdon me qasjen e vet negative dhe refuzon ta fusë në fuqi Marrëveshjen e Brukselit, dhe nëse nuk ka perspektivë për bashkëpunimin me Serbinë përtej kufirit verior, Kosova prapëseprapë mund ta zhvillojë nismën e vet me partnerët e saj.

4. Shtyrja drejt vendimit të qartë të Serbisë ndaj dialogut në Bruksel

Qasja aktuale e Serbisë nuk duket të tregojë se ajo do të pranojë Marrëveshjen Bazë dhe Aneksin nga viti i shkuar. Përkundrazi, duket se ka vendosur të heqë dorë nga Brukseli në favor të konfrontimit. Ndaj kësaj kthese prapa, lehtësuesit evropianë nuk do të kenë sukses po qe se vazhdojnë të thonë se ekziston një zotim themelor nga palët për normalizimin, përderisa Serbia hapur ka zgjedhur që të zbatojë një politikë agresive ndaj Kosovës. Pavarësisht nga sa u tha, duket të jetë herët që të shpallet vdekja e Procesit të Brukselit tani. E vërtetë është se nuk ka shumë kohë për ta ringjallur, duke pasur parasysh zgjedhjet që do të mbahen së shpejti në BE dhe SHBA. Por do të jetë një rast i fundit për t’ua ofruar palëve një zgjedhje të qartë nëse duan apo nuk e duan normalizimin me njëri-tjetrin. Qasja e tyre do t’i tregonte BE-së në formë përfundimtare për gatishmërinë e Kosovës dhe të Serbisë për ta orientuar politikën e vet drejt anëtarësimit përfundimtar në BE. Përpjekja për ta “rinisur” Procesin e Brukselit pas katastrofës së Ohrit në mars të 2023-s faktikisht edhe ndodhi, por duket se është fundosur nga ngjarjet e tjera. Siç u tha më parë, me Gjermaninë, Francën dhe Italinë në krye, elementi i humbur i njohjes de facto në Ohër, u rikthye në proces në një mbledhje ndërkombëtare që u mbajt në tetor. Në atë mbledhje, Kosova sërish ofroi t’i nënshkruante Marrëveshjen Bazë dhe Aneksin. Më shumë se kaq, kryeministri Albin Kurti gjithashtu u pajtua ta nënshkruante Statutin e Asociacionit/Bashkësisë hartuar nga BE-ja, me kusht që Serbia do të nënshkruante. Me këtë elementin e ri në vend, tashmë i miratuar nga Kosova, është koha për t’i ofruar Serbisë rastin që të zgjedhë raportet e njëmendta të normalizimit me Kosovën sipas skemës origjinale hartuar nga Gjermania dhe Franca.

Elemente të reja mund të shtoheshin ashtu që pranimi i gjithë pakos të jetë më tërheqës. Kjo do të mund të përfshinte elemente për themelimin bashkëpunues të Zonës së Zhvillimit të Shpejtë Ekonomik krahas premtimit për fonde substanciale nga jashtë për të krijuar infrastrukturë të nevojshme për funksionimin në të dyja anët e kufirit. Shtetet kyç të BE-së, megjithatë, kishin të drejtë kur insistonin se pakoja duhet të ndërlidhet me njohjen de facto, siç ishte premtuar në fillim të vitit të shkuar. Nëse Serbia do që të pretendojë se e ka të drejtën për mohimin e vetë ekzistimit të Kosovës, sikurse bën tani, do të ketë jostabilitet të qëndrueshëm në vend të normalizimit të kërkuar nga BE-ja dhe OKB-ja. Dhe Kosova ka të drejtë që insiston se njohja de facto duhet të përbëhet nga nënshkrimi i ndërsjellë i Marrëveshjes Bazë dhe të Aneksit, apo të një akti të asociuar i nënshkrimit nga të dyja palët. Se a nënshkruajnë kopjet e njëjta apo të ndara të marrëveshjes është më pak relevante, përderisa shprehja e pajtimit e themelon raportin de facto ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Kosova nuk mund të pranojë deklarata unilaterale që e ndërrojnë tekstin e Marrëveshjes apo e minojnë vlerën e çfarëdo nënshkrimi.

Pra, mënyra të tjera që do ta lehtësonin nënshkrimin do të mund të shqyrtoheshin. Preambula e Marrëveshjes Bazë tashmë e parasheh se nënshkrimi është pa paragjykim ndaj pikëpamjeve të palëve për situatën de jure. Kjo mund të ritheksohet. Pra, mund të gjendet një formë që Marrëveshja Bazë dhe Aneksi të hyjnë në fuqi përderisa i ruan pikëpamjet dhe interesat e palëve, me kusht që kjo nuk e minon natyrën e aktit si një fillim i ri mbi bazën e njohjes de facto. Duke vepruar mbi zotimin e kryeministrit Kurti, Kosova mbase do të duhej të ndërmerrte edhe ca hapa specifikë në raport me Asociacionin/Bashkësinë që në çastin kur të dyja palët do ta jepnin pëlqimin për pakon. Kjo do të mund të ishte dorëzimi i projektstatutit, të shndërruar në dekret, për shqyrtim nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës. Kosova gjithashtu do të mund të kërkonte indice nga pesë shtetet mosnjohëse brenda BE-së nëse kjo marrëveshje do të mund të shihej si njohje e mjaftueshme de facto nga Serbia për t’ua mundësuar ndërrimin e pozicionit. Sidoqoftë, Beogradi do të duhej të ballafaqohej me një zgjedhje të drejtë por të qartë. Nuk mund të thotë se është pjesëmarrës me mirëbesim në dialogun për normalizimin nëse në të njëjtën kohë e mohon ekzistimin e partnerit negociues.

Nëse Serbia mbetet jo e gatshme për marrëveshje në raport me Kosovën (e jo me BE-në), BE-ja duhet ta ketë guximin ta thotë se ku qëndron pengesa për përparim. Nëse Serbia nuk do që ta japë pajtimin dhe në vend të kësaj insiston për konfrontim, do ta përjashtojë veten nga një dialog përmbajtjesor me BE-në për anëtarësim — opsion të cilin duket se Serbia do që ta provokojë tani. Kosova do të vazhdojë të dojë bashkëpunimin me BE-në për t’iu afruar legjislacionit për kriteret e pranimit për anëtare të BE-së. Në këtë kontekst, mbase do të donte t’u ofronte forma të tjera sigurie pjesëtarëve të të gjitha komuniteteve në Kosovë, përfshirë dhe sidomos bashkësinë serbe.

5. Thellimi i raporteve strategjike

Pos rindërtimit të besimit me aleatët kyç, Kosova duhet t’u japë kuptim raporteve me shtetet që e kanë njohur. Duhet të përqendrohet te zhvillimi i bashkëpunimit në fushat e interesit të ndërsjellë me shtetet që e njohin në formë konsistente. Të lihen gjërat mënjanë pasi të ketë ndodhur njohja nuk mjafton, siç edhe e dëshmoi suksesi i Serbisë në arritjen e çnjohjeve. Prandaj Kosova duhet të mbështetet mbi përkrahjen e aleatëve bërthamë. Sërish kjo kërkon vullnet të mirë dhe një thellësi bashkëpunimi që mund të jetë humbur gjatë viteve të shkuara. Po e njëjta vlen për fushatën për t’iu bashkuar më shumë institucioneve ndërkombëtare. Prioriteti i menjëhershëm do të ishte përpjekja për ta shpëtuar fushatën për anëtarësim në KiE, posaçërisht kur bëhet fjalë për sundimin e ligjit. Përderisa rruga drejt anëtarësimit në institucione ndërkombëtare mund të jetë bllokuar për një kohë, Kosova mund të përqendrohet në forcimin e bashkëpunimit rajonal. Sërish Kosova ka lejuar të izolohet paksa, duke qëndruar mënjanë projekteve integruese në rajon. Animozitetet personale i kanë përkeqësuar raportet madje me Shqipërinë, aleatin më të afërt në rajon. Këto shpërqendrime janë të panevojshme. Mbase do të ketë ardhur koha për ta ndarë brengën e Kosovës me aleatët në lidhje me qasjen agresive të Serbisë në javën e shkuar. Supozimi se Serbia është ende e interesuar për t’u anëtarësuar në BE dhe se do t’i kufizohen veprimet për shkak të kësaj perspektive do të duhej të rivlerësohej duke pasur parasysh aleancën e afërt ndërmjet Federatës Ruse dhe Serbisë për ndërtimin e kësaj sfide agresive ndaj Kosovës. Shtetet kyç do të duhej t’i matnin këto dëshmi karshi shenjave të tjera të sjelljes së Serbisë, për shembull në lidhje me Ukrainën. Këto janë shenja që mund të dëshmohen afatshkurtra edhe nëse kanë peshë praktike në këtë çast.

Alternativa e pritjes

Një alternativë për Kosovën mund të jetë që të presë që të kalojë periudha aktuale e konfrontimit. Mund të ketë bindjen se një komision i ri evropian mund ta sjellë një emisar të ri për ta udhëhequr procesin e normalizimit. Mund të nisë nga e para, mbase duke e eliminuar theksin nga çështja e Asociacionit/Bashkësisë. Atëherë mund ta shtyjë para politikën e saj duke u marrë me brengat e komuniteteve në Kosovë, në mungesë të asaj që shihet si tutelë e bezdisshme e Brukselit. Mund të ketë ndryshime edhe në udhëheqjen amerikane, duke sjellë mundësi të reja, apo edhe me gjithë gjasë, rreziqe të reja për Kosovën.

Ta luash lojën e pritjes derisa pala tjetër është angazhuar me plot fuqinë agresive duket gjë e rrezikshme. Si përherë, Kosova do të dënohej që të reagonte ndaj rrethanave të krijuara nga të tjerët. Kjo ka gjasa t’i kufizojë opsionet e saj në të ardhmen, në vend se t’i japë shumë mundësi. Çështja është nëse Kosova do të jetë e aftë për ta krijuar një strategji komplekse për t’i siguruar interesat e veta dhe t’i zbatojë me kohë në partneritet me të tjerët. Qartazi, Serbia mbështetet mbi faktin se kjo nuk do të jetë e mundur.

Për Kosovën, pra, është çështje se cilën vijë strategjike do që ta shtyjë para e ballafaquar me sfidën e ringjallur. Mund të vazhdojë ta fuqizojë pushtetin në veri, me gjasë duke u ballafaquar me trazira dhe provokime të nxitura nga Serbia. Kjo do të mund t’i shërbejë Serbisë për ta ushqyer narrativen e politikës së represionit të administruar në veri, si dhe kërcënimin për ndërhyrje të mëtejme. Një politikë me vendosmëri, e shtyrë njëanshëm pa shumë konsultime, gjithashtu do ta largojë Kosovën edhe më shumë nga aleatët. Kjo do ta reduktonte vullnetin e tyre të punojnë në partneritet të afërt me Kosovën në kohën kur kjo përkrahje do të ishte kritike.

Alternativa është që të shkohet deri në fund me procesin e Brukselit. Ose Serbia e mohon përpjekjen, duke e thyer qartazi shpresën që ende ushqehet nga disa se Beogradi mund të shtyhet nga krahët e Perëndimit. Në këtë rast Kosova do ta rifitonte përparësinë dhe do të mund të forconte lidhjet me aleatët e saj duke u përgatitur për sfidat që e presin përpara.

Nëse, nga ana tjetër, në të kundërtën nga pritjet dhe trendi aktual agresiv i politikës së vet, Serbia e ndërron kursin dhe zgjedh ta pranojë pakon e Brukselit, Kosova do ta fitonte njohjen de facto që po e kërkon. Natyrisht se do të nënshkruante vetëm me Beogradin po qe se është e qartë se pakoja njëmend e paraqet njohjen de facto, sikurse është premtuar dhe se integrimi i saj në bashkësinë ndërkombëtare mund të vazhdojë në formë të përshpejtuar. Ç’është e vërteta, ajo do të duhej të përcillej nga zotimi i saj për zbatimin e Asociacionit/Bashkësisë. Por tani përmbajtja e Statutit, që Kosova tashmë e ka pranuar, dihet. Kjo e bën këtë ndërmarrje të parashikueshme. Sipas Statutit, Asociacioni/Bashkësia mund të zbatohet në pajtueshmëri me Kushtetutën e Kosovës dhe Qeveria mund ta kontrollojë procesin e implementimit të saj.

Marc Weller është profesor i së Drejtës Ndërkombëtare dhe i Studimeve Kushtetuese Ndërkombëtare në Universitetin e Cambridgeit. Pikëpamjet e shprehura janë tijat personale.

Përktheu nga anglishtja

©Flaka Surroi