OpEd

Serbia duhet të rreshtohet

Foto: Reuters

Një grup personash që më janë përshkruar si “individë të njohur nga të gjitha fushat e jetës në Serbi” kanë bërë një apel në prag të samitit (në distancë) BE/Ballkan Perëndimor, të mërkuren.

Toni i këtij apeli nuk është kumbues, por porosia e përgjithshme është e qartë: Demokracia është në rrezik në Serbi, pjesërisht, por jo vetëm falë veprimeve të ekzekutivit, si përgjigje ndaj epidemisë së Covid-19.

Në të vërtetë, demokracia ndodhej në rrezik në Serbi shumë para këtij viti. Presidenti Vuçiq kishte akumuluar pushtet të gjerë, përfshirë mbi mediat dhe gjyqësorin, ashtu si edhe kontroll të pakontestueshëm mbi ekzekutivin. Parlamenti serb nuk ka pasur opozitë efektive tash e sa vjet. Protestuesit ndaj Qeverisë së tij vinin prej tërë spektrit politik, si liberal, ashtu edhe ultranacionalist, por ata patën pak ndikim. Çfarëdo shprese që patën për t’i fituan zgjedhjet u avullua atëherë kur zgjedhjet u shtynë, shkaku i epidemisë.

Ashtu si edhe në shumë vende tjera, përfshirë vendin tim, epidemia ka përkeqësuar tendencat tashmë ekzistuese në Serbi. Kah mesi i marsit, presidenti Vuçiq përdori fjalë të ashpra për mungesën e solidaritetit të BE-së me shtetin e tij, duke përgëzuar kinezët, që kanë investuar më shumë në Serbi, sesa në pjesën tjetër të Ballkanit.

Ishte ky një përshkallëzim i përpjekjeve të tija për ta kthyer Serbinë prej qëndrimit pro-perëndimor “sa për sy e faqe”, të cilin e kishte shprehur në zgjedhjet e mëparshme presidenciale në Serbi, në një shtet të “painkuadruar”, në pajtim me traditën socialiste jugosllave. Ai tashmë e ka balancuar bashkëpunimin e Serbisë me NATO-n, duke u mbështetur theksueshëm tek Rusia, përfshirë përmes blerjes së pajisjeve ushtarake ruse dhe refuzimit për të zbatuar sanksionet e vëna nga BE-ja (të lidhura me Ukrainën).

Pjesa më e madhe e Ballkanit Perëndimor e ka zgjedhur qartë shtegun perëndimor, për zhvillimin e vet ekonomik dhe politik, madje edhe atëherë kur ka mangësi në performancë. Bosnja paraqet përjashtim, por vetëm shkaku që Republika Serbe e Bosnjës, e udhëhequr prej serbëve, e pengon rrugën e këtij shteti drejt NATO-s.

Mali i Zi ka ende telashe me opozitën anti-pavarësi dhe anti-NATO, por ky shtet i është bashkuar NATO-s dhe Qeveria malazeze e ka bërë të qartë synimin e harmonizimit ekonomik dhe politik me Evropën. E njëjta vlen për Maqedoninë e Veriut, që ngjashëm i është bashkuar NATO-s pas zgjidhjes së mosmarrëveshjes “së emrit” me Greqinë. Kosova ka qenë gjithnjë e qartë rreth ambicieve të veta pro-NATO, pro-BE, me gjithë mangësitë evidente në performancën e saj.

Gjendja në Serbi ndryshon për disa arsye. Lidhja ortodokse është më e theksuar sesa në shtetet tjera të Ballkanit, rusofilia dhe nacionalizmi etnik janë ndjenja mbizotëruese në të djathtën politike, në rikonstruktim e sipër, derisa Beogradi është shteti trashëgimtar i Jugosllavisë socialiste në më shumë sesa vetëm aspektin ligjor.

Disa serbë ndiejnë nostalgji për rolin e dikurshëm jugosllav, për të cilin besojnë se u solli të mira si prej Lindjes, ashtu edhe Perëndimit. Tjerët thjeshtë pëlqejnë lidhjen me Lindjen e dominuar nga sllavët.

Askush nuk duhet ta kritikojë Serbinë për përfitimet e investimeve ruse dhe kineze. Beogradit i duhet çdo dinar që mund ta marrë për ekonominë e vet. Edhe Gjermania bën biznes me Rusinë, por sidoqoftë ka mbetur prijëse në botën liberale demokratike.

Megjithatë, ka ardhur koha që BE-ja ta bëjë të qartë se shtegu drejt anëtarësimit nuk do të jetë i hapur përderisa Serbia nuk rreshtohet ekonomikisht dhe politikisht me standardet perëndimore, sado që i duhen paratë ruse dhe kineze. Është larg prej atij ideali sot. Këtu edhe qëndron rëndësia e apelit para Samitit. Brukseli dhe kryeqytetet e BE-së duhet t’i dërgojnë porosi të qartë Serbisë: Nuk do të bëhesh pjesë e klubit tonë përderisa nuk përmbush kushtet e anëtarësimit, në veçanti kriteret e Kopenhagës:

Anëtarësimi lyps që shteti kandidat ta ketë arritur stabilitetin e institucioneve që garantojnë demokracinë, sundimin e ligjit, të drejtat e njeriut, respektimin dhe mbrojtjen e minoriteteve, ekzistencën e një ekonomie funksionale të tregut, ashtu si edhe kapacitetin për t’u përballur me presionin konkurrues dhe forcat e tregut përbrenda bllokut. Anëtarësimi e presupozon aftësinë e një shteti kandidat që t’i marrë përsipër obligimet e anëtarësimit, përfshirë respektimin e synimeve për union politik, ekonomik dhe monetar.

E hidhur të thuhet që evropianët nuk mund të presin tani përkrahje nga SHBA-ja për ta kthyer Serbinë në një kandidat funksional për anëtarësim. Washingtoni është armiqësor ndaj BE-së dhe i painteresuar ta promovojë demokracinë, me përjashtim në shtetet rivale, teksa preokupohet vetëm me ujdi, e jo norma ndërkombëtare apo ruajtje të raporteve të aleancës.

Pra, samiti BE/ Ballkan Perëndimor duhet të dërgojë mesazh jo vetëm rreth solidaritetit ndaj Covid-19, por edhe për ruajtjen e standardeve evropiane dhe respektimin e tyre nga shtetet që synojnë anëtarësim. Një Serbi anokratike nuk mund të pranohet në BE. Vuçiqit duhet t’i thuhet të rreshtohet, apo në të kundërtën Serbia do të mbetet prapa në mësymjen për anëtarësim në BE.

(Marrë nga Peacefare.net)