“Shkëmbimi i territoreve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës mund të rizgjojë demonët e vjetër ballkanikë”
Jo të gjitha nismat diplomatike janë pezulluar nga kriza sanitare. Ndërkohe që gjysma e njerëzimit ishte e izoluar prej COVID-19, në hijen e tij disa prej këtyre nismave kane ecur edhe më shpejt, siç ndodhi për shembull me konfliktin ndërmjet Kosovës se pavarur që prej 2008-s dhe Serbisë, e cila nuk ka pranuar asnjëherë të njohë daljen më vete të ish-provincës së saj.
Ne kulmin e krizës së koronavirusit, në fillim të muajit prill, qeveria e Kosovës i anuloi taksat doganore 100% për mallrat serbe, duke eliminuar kësisoj një prej pengesave kryesore për rifillimin e bisedimeve mes Beogradit dhe Prishtinës, të cilat mbeten konfliktuale që prej luftës në fund të viteve 1990.
Ky vendim u përgatit gjatë një takimi diskret në Uashington, më 2 mars, në prani të dhëndrit të Donald Trump, Jared Kushner dhe të këshilltarit të tij për sigurinë kombëtare, Robert O’Brien. Gjatë ketij takimi, presidenti serb Aleksandar Vuçiq dhe ai kosovar Hashim Thaçi, biseduan rreth idesë së shkëmbimit të territoreve, të cilat ata i konsiderojnë si mjet për arritjen e një marrëveshjeje paqeje definitive.
E konsideruar si tabu për evropianet, ideja për ndryshimin e kufijve për keto dy vende ballkanike, nëpërmjet këmbimit të veriut serb të Kosovës me Luginën shqiptare të Preshevës në jug të Serbisë, ishte përmendur më herët, më 2018, nga Vuçiq dhe Thaçi. Por, që nga ajo kohë, procesi i dialogut, në të cilin u përfshinë edhe Emmanuel Macron dhe Angela Merkel, ngriu për shkak të rezistencës politike në Serbi dhe në Kosovë. Përpjekjet e evropianëve për ta rikthyer në jetë këtë dialog dështuan gjate Samitit të Berlinit në prill 2019. Edhe në këtë rast, ndasitë dhe dallimet mes vendeve anëtare të BE-së, dhe veçanërisht brenda “çiftit” franko-gjerman, bënë që BE-ja të humbiste një rast të mirë për të zgjidhur një prej problemeve kryesore të Ballkanit.
Me pas, çështjen e mori në dorë Donald Trump, i cili dëshiron të vë në dispozicion të saj artin e tij për arritur një “deal”.
Presidenti amerikan, i cili është mbështetës i idesë së korrigjimit të kufijve për të arritur “një paqe të pranueshme”, emëroi Richard Grenellin si të dërguar special për këto bisedime. Nën presionin e këtij të fundit, Beogradi dhe Prishtina nënshkruan një marrëveshje për rivendosjen e linjave ajrore dhe së shpejti edhe atyre hekurudhore. Për të bindur Kosovën që të heqë taksat doganore, amerikanët vunë në peshore pezullimin e ndihmës ekonomike prej 50 milionë dollarësh.
Gropë e zezë e Evropës
Plani amerikan shkaktoi rrëzimin e qeverisë së Kosovës dhe të kryeministrit Albin Kurti më 25 mars. Kryetari i qeverisë në largim akuzon amerikanët se provokuan një krize politike për të imponuar një zgjidhje, të cilës ai i është kundërvënë. Kundërshtar i çdo lloj shkëmbimi territoresh, ndryshe nga presidenti Hashim Thaçi, Albin Kurti kërkon të fitojë kohë duke i zvarritur gjërat me shpresën e ndryshimit të pushtetit në Uashington.
Krejt e mënjanuar, Evropa tentoi, por pa shumë zgjuarsi, të rimerrte në dorë këtë dosje, duke emëruar edhe ajo një emisar të vetin për dialogun Serbi - Kosovë, Miroslav Lajçakun, ish-ministër i Jashtëm sllovak, ndërmjetës që vjen nga një vend i cili nuk e njeh Kosovën... Franca dhe Gjermania premtuan nga ana e tyre se do të organizonin një samit tjetër në Paris, por pas krizës sanitare. Në një intervistë dhënë disa mediave lokale, Josep Borrel pohoi se nuk ishte kundër korrigjimit të kufijve nëse kjo nismë sjell një zgjidhje të qëndrueshme të konfliktit dhe nëse të dyja palët bien dakord mes njëra-tjetrës.
“S’mund të jemi më katolikë se Papa”, u shpreh shefi i diplomacisë evropiane. Por, ky ndryshim në politikën evropiane është i vonuar.
“Askush s’mund t’i lëvizë gjërat përpara në Ballkanin Perëndimor pa Shtetet e Bashkuara... Të gjithë e kanë kuptuar se BE-ja është e dobët dhe e ndarë. Evropianët s’kanë frymë luftarake”, u shpreh presidenti kosovar Hashim Thaçi pas dështimit të Samitit të Berlinit. BE-ja nuk shihet me sy të mirë as në Serbi, ku Kina ishte shumë më e pranishme gjatë krizës së Covid-19.
“Bashkëpunimi evropian është përrallë me mbret”, deklaroi presidenti serb.
Hashim Thaçi dhe Aleksandar Vuçiq kanë që të dy arsyet e tyre për të gjetur zgjidhje nëpërmjet shkëmbimit të territoreve ndërmjet e dy vendeve. Presidenti kosovar nuk ka dëshirë të vë në rrezik marrëdheniet e tij me ShBA-në, të cilat kanë qenë një ndër artizanet kryesore të pavarësisë.
Normalizimi i marrëdhënieve me Beogradin i mundëson Kosovës anëtarësimin në institucionet ndërkombëtare dhe ekzistencën si një shtet plotësisht me vete.
Disa analistë mendojnë se kjo i lejon gjithashtu Hashim Thaçit, ish-drejtues i njësiteve guerilase gjatë luftës, që t’u shpëtojë proceseve të mundshme gjyqësore. Nga ana e tij, Aleksandar Vuçiqi, shpreson se paqja me Kosovën i mundëson Serbisë përshpejtimin e anëtarësimit në BE.
Por, ky projekt ka ngjallur rezerva të forta në Serbi dhe Kosovë. Për Berlinin, më shumë se për Emmanuel Macronin në fakt, ndryshimi i kufijve mund të rizgjojë demonët e vjetër ballkanik dhe të hapë kutinë e Pandorës në një rajon ku secili nga vendet ka minoritete në gjirin e vet. Rusia, e cila ka interesa me bazë të fortë në Serbi, nuk e ka bërë ende të ditur pozicion e saj zyrtar, por mendohet se ajo dëshiron ta përdorë këtë precedent për të legjitimuar aneksimin e Krimesë.
Ndërkohë, sa i përket kësaj çështjeje, as statu quo-ja nuk është zgjidhje e mirë, dhe ajo çon në një transformim gradual të rajonit në një gropë të zezë të Evropës dhe, në një periudhë afatgjate, bën që të shtohen të gjitha rreziqet që janë karakteristike për gropat e zeza : rreziqet e shpërthimit, terrorizmi, trafiqet, mjerimi social dhe ekonomik, rritja e influencës turke, ruse dhe kineze.
“E përse duhet t’i kundërvihemi një zgjidhjeje e cila pranohet nga të dy palët?”, shtronte pyetjen në Twitter kohët e fundit ish-ambasadori francez në SHBA, Gerard Araud.
Artikull i botuar në “Le Figaro”