Ajo që i mungon deklaratës së fundit të shteteve të QUINT-it dhe asaj të ambasadorit amerikan është të tregojnë se KFOR-i rrezikohet nga Serbia, pra jo serbët lokalë, por nga Serbia. Fare nuk do të ishte çudi që ajo do të jetë kërcënuar se do ta nxisë edhe një rrahje a plagosje masive sikur të majit të vjetëm, duke ditur se do të ikë e pandëshkuar. Ashtu siç iku e pandëshkuar edhe pas sulmit terrorist të Banjskës
Duket se më në fund e kuptuam arsyen, edhe pse nuk na u tha në formë të drejtpërdrejtë se përse nuk bën të hapet ura. Sepse Serbia po thotë se s’bën.
Ky përfundim mund të nxirret nga intervista që ambasadori amerikan Hovenier ia dha REL-it javën e shkuar, në të cilën tekstualisht tha:
“Ne besojmë se ura përfundimisht do të duhej të hapej për qarkullim të automjeteve dhe kjo gjë, siç e thatë edhe ju, ishte pjesë e dialogut të lehtësuar nga BE-ja. Është arritur një marrëveshje, por ne i kemi kërkuar Qeverisë që të mos vazhdojë me këtë çështje, tash për tash, dhe këtë nuk e kanë bërë vetëm Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kolegët e mi të QUINT-it kanë qenë me mua në një takim me kryeministrin (e Kosovës, Albin Kurti) për këtë çështje.
Arsyeja pse e kërkojmë këtë është se besojmë se ka rrezik të njëmendtë që lidhet me një veprim të tillë tani, si dhe besojmë se ky rrezik shton kërcënimin e mundshëm për dhunë dhe probleme të tjera, si për komunitetin lokal, ashtu edhe për ushtarët e NATO-s, përfshirë ushtarët amerikanë, të cilët po punojnë për të ofruar paqe dhe siguri në Kosovë. Dhe, ne i marrim shumë seriozisht veprimet që mund të ndikojnë në sigurinë e ushtarëve amerikanë që punojnë për të mbështetur Kosovën.
Pra, kërkesa jonë drejtuar Qeverisë – dhe e kemi bërë këtë bisedë qe disa muaj – është: ju lutemi, mos e ndërmerrni këtë veprim tani! Punoni me ne! Duam të ndihmojmë për të krijuar kushte ku diç e tillë mund të bëhet, por nuk besojmë se është koha tani”.
Kur u pyet se kush do të mund të shkaktonte dhunë, Hovenier u përgjigj: “Nuk mund të flas se kush mund të shkaktojë dhunë. Vetëm e di se kemi vlerësim që mund të ketë dhunë dhe që është reale, dhe pyetja se kush mund të jetë përgjegjës për të, që është pyetje shumë e arsyeshme, nuk e mohon faktin se mund të ketë dhunë dhe rrezik të njëmendtë për komunitetin lokal dhe për ushtarët e NATO-s”.
* * *
Pra, në këta 25 vjetët e fundit nuk mbaj mend të ketë pasur ndonjë sulm ndaj ushtarëve të KFOR-it e në veçanti ndaj ushtarëve amerikanë, e që është shkaktuar nga shqiptarët. Atë që e mbaj mend mirë, për shkak se ishte një sulm i orkestruar dhe kryesisht i importuar nga Serbia, ishte ai që ndodhi në Zveçan në majin e vjetëm.
Sa për rikujtim, në sulmet ndaj kontingjenteve italiane dhe hungareze të KFOR-it, ushtruar nga turma “spontane” e tërbuar dhe e armatosur, përfunduan të plagosur me armë zjarri dhe mjete të forta madje 93 ushtarë. Nëntëdhjetë e tre – edhe me shkrim.
Nja dhjetëra serbë u arrestuan në krye me Llunen, i cili ende është në Burgun e Sigurisë së Lartë në pritje të gjykimit. Por Llune është serb i Kosovës, të cilin në Mitrovicë e njohin edhe si sportist. Ne, nëpërmjet mediumeve, e njohëm si të dyshuar për sulmet shtazarake ndaj ushtarëve që, sinqerisht nuk e kuptoj për çfarë arsyeje, nuk kanë vepruar në vetëmbrojtje.
Do të kujtojmë se së paku dy ushtarëve të plagosur iu amputuan gjymtyrët. Pse? Për shkak se kanë ardhur me mision që në Kosovë ta ruajnë paqen. Në rastin e tyre u pa se kush nuk është për paqen.
Menjëherë pas ngjarjeve të fundmajit të vjetëm u fol shumë. Lista Srpska i dënoi sulmet ndaj KFOR-it, por edhe e dënoi arrestimin e serbëve lokalë që ishin identifikuar nga policia si sulmues. Pra, reagim tipik i një grupi politik të pasinqertë që nga njëra anë shpreh dhembshuri për të plagosurit e nga tjetra i lartëson ata që pikërisht i kanë shkaktuar këto plagë.
U dëgjua edhe një deklaratë shumë interesante e njohësit politik serb, Dushan Janjiq, i cili REL-it i kishte deklaruar: “Dihet saktësisht se kush ishte atje, çfarë është dhe nga vjen. Dihet, gjithashtu, se ata nuk kanë mundur të vepronin pa koordinim me Listën Serbe dhe me Serbinë”.
Pra, këtë nuk e thotë asnjë shqiptar. E thotë një njeri i cili ka shumë kohë që është në skenën politike të Serbisë dhe ka njohuri për modus operandin e qeverisë së vet nëpërmjet marionetave të Lista Srpskas.
Pra, më qartë se kaq nuk ka pasur se si të tregohet se ku duhet kërkuar burimin e problemit dhe të dhunës eventuale që do të mund të shpërthente.
* * *
Ato pengesa të betonit tek ura, që nuk e di as sa janë, kanë mundur të hiqeshin një natë prej netësh pa e bërë të madhe. Çështja e hapjes së urës u aktualizua kur Kuvendi Komunal i Mitrovicës vendosi që ajo të hapej. Kërceu BE-ja së bashku me Lajçakun, i njohur si njeriu që i ndërron fjalët, dhe thanë se kjo punë duhet të zgjidhet në Bruksel.
Do të thotë, qe dy muaj e gjysmë na thuhet se kjo çështje duhet të zgjidhet në Bruksel, ndërsa ka dy javë që dëgjojmë se kjo duhet të koordinohet me miqtë, që thonë s’bën të hapet ura, për shkak se rrezikohet KFOR-i.
Ajo që i mungon deklaratës së fundit të shteteve të QUINT-it dhe asaj të ambasadorit amerikan është të tregojnë se KFOR-i rrezikohet nga Serbia, pra jo serbët lokalë, por nga Serbia. Fare nuk do të ishte çudi që ajo do të jetë kërcënuar se do ta nxisë edhe një rrahje a plagosje masive sikur të majit të vjetëm, duke ditur se do të ikë e pandëshkuar. Ashtu siç iku e pandëshkuar edhe pas sulmit terrorist të Banjskës.
Siç do të thoshte Janjiqi – dihet se kush ishin dhe pse ishin. Sepse, është absolutisht e pabesueshme që me gjithë këto kontingjente ushtarake të sa shteteve që e bëjnë KFOR-in, të mos qëllojë ama bash asnjë pjesëtar i inteligjencës ushtarake që do të mund t’i zbulonte se nga erdhën, si u armatosën dhe pse e zgjodhën Manastirin e Banjskës për t’i ruajtur armët e për ta nisur sulmin mu aty më 24 shtator.
Fakti se as pas 11 muajsh nuk kemi asnjë raport zyrtar nga askush, përfshirë edhe përgjegjësin kryesor për sigurinë dhe paqen në Kosovë, KFOR, flet shumë.
Flet për mosgatishmërinë për ta kthyer gishtin nga Serbia, për shkak të interesave edhe gjeopolitike, por edhe minerare.
* * *
“Appeasement” është një shprehje shumë e fuqishme në anglisht, që përdoret në diplomaci. Në kontekstin ndërkombëtar nënkupton politikë negociuese ndërkombëtare ku bëhen koncesione politike, materiale a territoriale të një fuqie agresive, me qëllimin e shmangies së luftës.
Në përkthim të lirë, mbase shprehja më e afërt në shqip do të ishte “me e marrë me të mirë e me i lëshua pe”.
Mbase shembulli më eklatant që e ka mbajtur mend historia e re ka qenë ajo e kryeministrit britanik Chamberlain, kur e nënshkroi Traktatin e Munihut me Hitlerin (1938), falë së cilës marrëveshje Gjermania e aneksoi një pjesë të territorit të Çekosllovakisë, banuar nga gjermanë sudetë.
Kjo fatkeqësisht nuk ndihmoi që të mos ndodhte Lufta e Dytë Botërore. Për më keq, pas përfundimit të LDB-së, nuk e parandaloi as dëbimin masiv të një gjysmë milioni gjermanësh nga Çekosllovakia.
Në historinë më të re, kjo politikë u zbatua pikërisht në raport me Serbinë në luftërat e ish-Jugosllavisë, me theks të veçantë në Bosnjë. Marrëveshja e Daytonit ua dha 49% të territorit serbëve që e nisën luftën, e krijoi një konfederatë të komplikuar që në fund e solli një shtet disfunksional, që edhe thuajse 30 vjet pas ende ka telashe ekzistenciale.
Ura e Ibrit dhe e gjithë zhurma që po bëhet rreth saj, përfshirë kërcënimet për sanksione, prishje të raporteve me aleatët dhe akuza të përhershme për njëanshmëri veprimesh (ani pse bëhet fjalë për veprime sovrane të një shteti që mu këta aleatë ndihmuan të themelohej), flet për një frikë që vjen përtej Kosovës së vogël që as dy milionë banorë nuk i ka.
Duke i lëshuar pe Serbisë, që edhe pse nuk i shkëput lidhjet me Rusinë nuk sanksionohet për këtë; që krijon trazira dhe probleme të përhershme me arsyetimin e parandalimit të “katastrofës humanitare” të serbëve në Kosovë, dhe prapë nuk sanksionohet; dhe duke e marrë me të mirë që të bëhet partner i madh ekonomik i shteteve perëndimore dhe madje lidh kontratë të rëndësishme për eksploatimin e litiumit (me gjithë protestat masive që po ndodhin ditëve të fundit) – BE-ja e gjuhës cinike dhe aleatët e tjerë duan të sigurohen që të mos e çojnë ariun që fle me një sy hapur. Nga fundi i shekullit 20 Serbia, edhe pse quhej ndryshe atëherë, i nisi katër luftëra për 8 vjet dhe solli vetëm shkatërrim e masakra.
* * *
Puna e urës është, në fakt, punë e vogël.
Por për Vuçiqin është punë e madhe, për shkak se edhe nëpërmjet urës do që të dëshmojë se ende pyetet kur duhet vendosur për çështjet e brendshme të Kosovës. Për shkak se refuzon që edhe formalisht ta pranojë realitetin se tash Serbia e ka Kosovën shtet fqinj dhe se ajo është e pavarur. Për shkak se i duhet për t’i marrë me të mirë edhe Rusinë e edhe krejt ata që do të donin të bënin biznes me të.
Mbase edhe do të bindet që ta mbyllë këtë kapitull, por vetëm me kusht që ta ketë shkëputur pjesën veriore të territorit të Kosovës.
Ku, ku ta dimë, mbase ka rezerva të mëdha edhe të litiumit.
flaka@koha.net