Larg asaj që puna e artefakteve të jetë çështje gjuhësore. Por në një rast si ky, fjalori dhe fjalët janë semantika e politikës. Nëse do të duhej që vetëm me një fjalë të përcaktohej politika e Kosovës ndaj artefakteve në Serbi, ajo do të ishte diçka midis boshllëkut dhe kotësisë. Thesari që iu plaçkit këtij vendi s’mund të kthehet me fjalë boshe. Aq më pak me një politikë të tillë
Përtej rrëfimit për artefaktet e Kosovës në Serbi, është ai për fjalorin që ka ndryshuar gjatë dy dekadave. Më 1999 ishte e qartë: ato u plaçkitën. Pastaj fjalori u zbut në “bartje” për t’u bërë “huazim”, dhe nëse edhe për dy dekada të tjera do të vazhdojmë më këtë zbutje gjuhe, një ditë do të themi: “ia kemi falur”. Se ato u plaçkitën − edhe pse u morën me letra e vula që regjimi serb i përdorte për ta legjitimuar çdo veprim jolegjitim − sot dëshmohet te mohimi i kthimit të tyre.
Larg asaj që puna e artefakteve të jetë çështje gjuhësore. Por në një rast si ky, fjalori dhe fjalët janë semantika e politikës.
Nëse do të duhej që vetëm me dy fjalë të përcaktohej politika e Kosovës ndaj artefakteve në Serbi, ajo do të ishte diçka midis boshllëkut dhe kotësisë. Thesari që iu plaçkit këtij vendi s’mund të kthehet me fjalë boshe. Aq më pak me një politikë të tillë.
Çështja e artefakteve u kthye në fjalorin politik në javën e tretë të këtij viti, në atë që presidenti Hashim Thaçi e prezantoi si “dokument informues për Delegacionin shtetëror në dialog me Serbinë”. Në nëntë faqe e me nëntë pika ua gjeti vendin “artefakteve historike e kulturore të Kosovës”. Për ta informuar Delegacionin, presidentit i mjaftojnë tetë rreshta për 1 244 artefakte. Aq i duhen për ta zbutur gjuhën bashkë me thellimin e boshllëkut.
“Presidenti në të gjitha takimet ka shtruar kërkesën për kthimin e të gjitha artefakteve historike e kulturore të Kosovës, të cilat janë në posedim të Serbisë, që nga përfundimi i luftës, në vitin 1999”, informon ai. E për këtë punë, siç shkruan ai, “ka pasur mirëkuptim të plotë nga Zyra e zonjës Mogherini për këtë çështje”.
Se “mirëkuptimi” s’do t’ia dalë ta bindë Serbinë që Kosovës t’ia kthejë thesarin e trashëgimisë kulturore, s’është ekuacion me ndonjë të panjohur.
Daljen nga politika jo vetëm boshe, por edhe e rrezikshme në të njëjtën kohë, te puna e artefakteve presidenti do të mundë ta provonte qoftë edhe me një zëvendësim fjale. Më e vërtetë sesa që “artefaktet e Kosovës janë në posedim të Serbisë” do të ishte që ato janë plaçkitur.
Në një situatë në të cilën ai s’mund të vërë kushte, zbutja edhe më e gjuhës është e pashmangshme. Për të “do të duhej të përcaktohej afati kohor brenda të cilit, pas ratifikimit të Marrëveshjes Gjithëpërfshirëse në mes të Kosovës dhe Serbisë, do të duhej të ktheheshin në Kosovë të gjitha artefaktet arkeologjike dhe etnologjike, që gjenden në Serbi”.
“Do të duhej”, në vend të “duhet”, në politikë është punë dëshirash.
Me një politikë si kjo, artefaktet nuk do t’i kthehen kurrë Kosovës.
* * *
Në një “përkthim” muzikor të zbutjes së gjuhës me tri fjalë – prej plaçkitjes në marrje e huazim – do të mjaftonte okarina e cila jep jo më shumë se tre tinguj të pastër. Instrumenti i neolitit nja tetë mijë vjet i vjetër, i gjetur më 1972 në Runik të Skënderajt, mbahet në Beograd bashkë me 1 243 artefakte të tjera. Në një “përkthim” vizual të instrumentit, dy vrimat e tij do të ishin boshllëku dhe kotësia e politikës për ta kthyer atë në vendin të cilit i përket. Më shumë sesa politika bashkë me krejt institucionet e saj, ka bërë një njëri i vetëm. E qartë që s’mund ta kthejë, por së paku këtë instrument s’e ka lënë të harrohet.
Në verën e vitit 2014 mjeshtri e instrumentisti Shaqir Hoti, për herë të parë, do ta reprodukonte okarinën. Përtej qëllimit në vetvete, një punë si këtë do ta zbërthente edhe si thirrje që ajo t’i kthehet Kosovës bashkë me thesarin e trashëgimisë kulturore. Zyrtarët e shtetit do të impresionoheshin me punën e tij, do t’ia porositnin ca kopje për t’ua bërë dhuratë delegacioneve, dhe për disa muaj mjeshtrit do t’i mbetnin borxh.
Nja pesë vjet më vonë Shaqir Hoti do të shkrinte mjeshtërinë e tij duke bërë versione okarinash prej lëvozhgave të arrës, lajthisë e të vezës. Do të tregonte se për ta realizuar një që nxjerr tinguj, kishte thyer qindra vezë e kishte harxhuar ca kilogramë lëvozhgash lajthie a arrash. Kësaj radhe zyrtarë të shtetit s’u panë të impresionuar mbase edhe si një ikje prej dhënies së imazhit se s’ua tërheq syrin diçka që mund t’u thyhet në dorë.
Metarrëfimi prapa punës së tij përballë institucioneve do të ishte ky: si puna e Shaqir Hotit në raport me politikat e boshllëkut e të kotësisë, një shteti si ky i duhen sa më shumë. Së paku që zyrtarë institucionesh të vetëkënaqen me reproduktimin e artefakteve, për të cilat s’kanë bërë gjë që t’i kthejnë. Ose të kujtohen se ato janë diku, në bodrumin e atij që quhet Muzeu i Prishtinës në Beograd.
Deri sot, ajo që ka bërë shteti në raport me artefaktet qe një fushatë para një dekade me posterë të shpërndarë nëpër kryeqytet, në të cilët shkruhej: “Dua të kthehem në shtëpi tani”. Efekti, nëse mund që quhet i tillë: banorëve të vendit ua bënte me dije se artefaktet dëshirojnë të kthehen në shtëpi. Pasojat: mijëra euro të derdhura kot.
Me një politikë si kjo artefaktet nuk do t’i kthehen kurrë Kosovës.
* * *
Në fund të javës së kaluar, një deklaratë e drejtorit të Muzeut të Britanisë, Hartwig Fischer, bëri bujë anekënd botës. Sipas tij, rrëmbimi i disa skulpturave nga Akropoli i Athinës këtu e dy shekuj më parë ishte “vepër kreative”.
Historia është kjo: Në fillim të shekullit 19, lordi Elgin, asokohe ambasador i Britanisë së Madhe në Perandorinë Osmane, në përbërje të së cilës ishte edhe Greqia, kishte marrë mbi 70 alamet artefaktesh 2.500 vjet të vjetra. I solli në vendin e tij dhe sot zënë vend në njërin prej institucioneve më të njohura muzeore në botë. Sot, fiks 203 vite pas asaj që ende cilësohet si vjedhje, Muzeu britanik e thotë prerazi që s’e ka ndërmend t’ia kthejë Greqisë, sepse “zhvendosja ishte vepër kreative”.
Ka një shekull që shteti grek lobon për kthimin e thesarit tek thekson se lordi ia doli t’i merrte ato edhe duke i korruptuar zyrtarët osmanë. E ngre këtë çështje rëndom në jubile, si qe rasti më 2016, kur u shënua 200-vjetori i rrëmbimit të artefakteve. Por një beteje si kjo s’i shihet fundi. E, Kosova me Serbinë as që e ka nisur.
Ka qenë pikërisht shtatori i vitit 2016 kur Serbia një pjesë të artefakteve të Kosovës do t’i ekspozonte në Paris, në kuadër të fushatës kundër anëtarësimit në UNESCO. Ceremonia e hapjes së ekspozitës “Kosovo i Metohija - 10 koraka” (Kosova e Metohia - 10 hapa) do të bëhej një ditë para se delegacioni kosovar dhe ai serb të takoheshin në Bruksel për çështjen e lëvizjes së lirë dhe reciprocitetin për tabelat e regjistrimit të automjeteve.
Ekspozita të tilla do të hapte kohë pas kohe edhe në Beograd e një xhiro ua bëri më shumë se një dekadë më parë edhe në komunat veriore të Kosovës me shumicë serbe. Se si u futën në Kosovë artefaktet që i përkasin, kush s’e mori vesh. Lajmin për ekspozitën zyrtarët e shtetit e morën nga gazeta dhe e dënuan me fjalë një akt të tillë.
Serbisë nuk do t’i duhen dy shekuj si puna e Britanisë që plaçkitjen e artefakteve të Kosovës ta cilësojë vepër kreative.
Deri në ditën kur rrezikojmë t’ia falim, artefaktet e Kosovës në Serbi mbeten të harruara. Me një politikë si kjo, “Hyjnesha në fron”, që na u kthye në muzgun e 31 majit të vitit 2002, do të na mbetet i vetmi kujtim për thesarin e trashëgimisë kulturore. Dhe politikën e boshllëkut e të kotësisë.