Në Bruksel u shpresua se targat dhe letërnjoftimet do ta gjejnë disi vetë rrugën drejt barazisë. A mund të ndihmojnë Renesansa me Evën apo Bill Gatesi dhe diplomacia greke?
1.
Mbaj mend kur targat automobilistike dhe letërnjoftimet flisnin me gjuhën e vet të simboleve për një lloj fuqie mashkullore.
Për kohën për të cilën po flas, vitet shtatëdhjetë të shekullit të kaluar në kryeqytetin e autonomisë së Kosovës në Jugosllavinë Socialiste, targa PR-01-07, për shembull, do të thoshte se vetura i përkiste shtetit dhe se të drejtën e vozitjes në të, me gjithë shofer, e kishte një zyrtar i lartë i atij shteti. Targa thoshte pushtet, fliste për fuqi. E kundërta do të ndodhte me targën PR-220-78. Ajo fliste për një pronar privat që kishte fuqi të mjaftueshme për të blerë një veturë, por në relacion me shtetin fuqia e tij ishte si e çdo qytetari tjetër, përfshirë edhe të atij që nuk kishte veturë e as targa.
Në zbatim të batutës së Henry Kissingerit, i cili kur u pyet nga Mao Ce Duni se përse gratë e gjenin aq atraktiv kur kishte pamjen që kishte (i mbipeshë, me syze të trasha), tha se “pushteti është afrodiziaku më i madh”, targa me numër të vogël kishte atë sinonim seksualiteti.
Kështu disi ishte ndërlidhja mes leshit të fytyrës dhe letërnjoftimit. Për kohën për të cilën po flas, marrja e letërnjoftimit ishte dëshmia e rritës, e kalimit të pubertetit dhe hyrjes në periudhë të lidhur me plleshmëri. Libreza e kuqe me fotografi dhe shënime personale do të tregonte se pronari i saj është tashmë burrë, aq burrë saqë kur të ndalet nga milicia dhe t’i kërkohet letërnjoftimi të kuptojë se ka hyrë në kategori të ndëshkueshmërisë.
2.
Pra, targat dhe letërnjoftimet, simbole utilitare dhe burokratike, flasin këtë gjuhë?
Në fakt, mund të rrëfejnë për gjëra të ndryshme, si çdo simbol tjetër.
Mbaj mend kur në mesin tonë, të djemve e vajzave që ende nuk e kishim marrë letërnjoftimin, u shtrua pyetja se përse targa e Gjakovës, një vend me 99.99 popullatë shqiptare ishte “DJ”, shkurtesë për emrin serb të Gjakovës, Djakovica?
Dhe mbaj mend se si gjenerata jonë kishte përparësi të dukshme ndaj gjeneratave të mëparshme, sepse emrat tanë shkruheshin në gjuhën shqipe (një fitore e madhe për shkronjën RR në mbiemrin tim familjar) dhe sepse teksti zyrtar, që nga titulli letërnjoftim e deri te shënimet e tjera si adresa e të ngjashme, fillimisht shkruheshin në gjuhën shqipe e pastaj atë serbokroate.
Dhe mbaj mend se si menjëherë pas luftës, në qershor e korrik të vitit 1999, në Gjakovë u bë tentim që me të shpejtë të vendoseshin targat e njëjta sikur ato në Shqipëri dhe që “DJ” të zëvendësohej me “GJ”- vetëm se dikush kishte harruar se ekziston një targë në Shqipëri me “GJ”, e vlefshme për Gjirokastrën.
Dhe mbaj mend gjatë luftës, në prill të vitit 1999, me mijëra letërnjoftime të shqiptarëve të mbledhura e që përbënin një breg në një udhëkryq të lagjes “Taslixhe” në Prishtinë. Qytetarët u detyruan nga policia serbe t’i dorëzonin letërnjoftimet dhe të zhveshur kështu nga identiteti i tyre zyrtar të niseshin drejt Stacionit Hekurudhor të Prishtinës, prej nga treni do t’i çonte në dëbim, në zonën asnjanëse mes ish-RFJ-së dhe ish-Republikës së Maqedonisë.
3.
Po, kanë diçka targat dhe letërnjoftimet që Kosova dhe Serbia vendosën që të zhvillojnë negociata për to para njëmbëdhjetë vjetësh dhe të arrijnë një marrëveshje që do ta rregullonte materien e lëvizjes së lirë.
Por marrëveshja ishte e ndërtuar mbi një mosmarrëveshje thelbësore. Kosova dhe Serbia nuk e njohin barazinë e ndërsjellë si palë kontraktuese, por dakordohen që targat dhe letërnjoftimet e tyre disi të bëhen të barabarta. Marrëveshja e ndërtuar mbi mosmarrëveshje kërkon që targat dhe letërnjoftimet disi vetë ta gjejnë rrugën e normalitetit, të barazisë.
Dhe, kështu gjatë 11 vjetëve, Kosova dhe Serbia me ndërmjetësim të BE-së po rinegociojnë marrëveshjen e mosmarrëveshjes duke dashur t’u japin një shpirt të veçantë targave dhe letërnjoftimeve.
“Zgjidhja historike” e arritur gjatë këtyre 11 vjetëve është ajo që piktorët e Renesansës gjetën kur duke pikturuar motivet biblike u ndeshën me seksualitetin e Evës dhe e mbuluan me gjete fiku simbolin e saj të plleshmërisë. Në njëmbëdhjetë vjetët e fundit palët janë dakorduar që sikur të jetë një simbol turpi për puritanët, të mbulohet në targa shenja që paraqet shtetësinë (stemën e Serbisë, fjalët “RKS”).
4.
Në njërën prej takimeve të Davosit pata rastin t’i falënderohesha Bill Gates-it. Ai më 1999 vuri në dispozicion kompaninë e tij Microsoft për të evidencuar kosovarët e dëbuar gjatë luftës. Të zhveshur nga identiteti shtetëror nga autoritetet serbe, qytetarët e Kosovës hynë në databazën e Microsoftit dhuruar UNHCR-së. Kjo bazë e shënimeve, së bashku me sistemin kompjuterik që e gjeneroi, do të jenë themeli i mëpastajmë i regjistrimit të qytetarëve të Kosovës. Letërnjoftimet e para, të lëshuara nga UNMIK-u bartnin më vete simbolikën e thellë të çlirimit.
Ato bartnin me vete edhe një mësim që mund të jetë i rëndësishëm sot, se mbi të gjitha rrëfimet simbolike që kanë dokumentet personale, rëndësi parësore ka besueshmëria e autoritetit certifikues. Në këtë rast, pyetja themelore që shtroi bota, kur qytetarët e Kosovës u pajisën me letërnjoftime e pasaporta të UNMIK-ut ishte mbi besueshmërinë e sistemit teknologjik emetues (Microsoft) dhe aftësia e autoritetit administrativ (UNMIK).
Ky mësim quhet pragmatizëm dhe në lojën e simboleve atë e adoptoi karshi dokumenteve të Kosovës vendi nga gjuha e të cilit rrjedh etimologjikisht pragmatizmi, Greqia. Ky vend e njeh pasaportën e Kosovës, vendos viza në atë pasaportë, ndonëse nuk e njeh pavarësinë e vendit. Por, ndonëse nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, njeh kapacitetin teknik dhe administrativ të autoriteteve të Kosovës për të certifikuar gjënë më të rëndësishme, rrëfimin mbi të gjitha rrëfimet në dokumentet personale: se personi që paraqitet me atë dokument është po ai i dokumentit.