Në parim unë jam për lirinë e lëvizjes së njerëzve dhe mallrave, por para se të hyhet në aso marrëveshjesh shtetet nuk duhet pasur hipoteka ndaj njëra-tjetrës nga e kaluara. Ato nuk tejkalohen vetëm nëpërmjet këtij projekti. Edhe nga aspekti ekonomik, përfituesja më e madhe nga një projekt i tillë do të ishte Serbia, si një forcë më e madhe ekonomike e Ballkanit Perëndimor. Kosova do të bëhej vetëm një vend transit, asgjë më shumë. Sapo u kumtua emërtimi i ri i këtij projekti, në vend të emërtimit “Mini-Shengen”. Tani do të njihet si
Kosova jonë e dashur bipolare zakonisht një gëzim e ka të përcjellë me një pikëllim. Nuk ishte ndryshe as kësaj radhe. Dita e hënë, e datës 26 korrik 2021, ishte shpallur ditë zie nga ana e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani. Kjo në shenjë respekti për 10 jetët e humbura të bashkëkombasve tonë në aksidentin e komunikacionit me autobus, i cili ndodhi në afërsi të Sllavonski Brodit në Kroaci.
Të njëjtën ditë, në vendin e largët, atje ku lind dielli, në Japoni, Nora Gjakova fitoi medaljen e dytë të artë olimpike për ekipin e xhudos së Republikës së Kosovës.
Pas Distria Krasniqit, e cila e fitoi medaljen e artë të parë në këto lojëra olimpike ditë më parë, të njëjtin sukses e përsëriti edhe Nora Gjakova. U tha shumë këtyre ditëve për sukseset e çikave kosovare, sportiste kulminante botërore.
Nuk ka cak edhe sukses të paarritshëm përderisa ekzistojnë përkushtimi, disiplina, dëshira dhe ushtrimet e rregullta e strikte. Këtë na kanë dëshmuar mbretëreshat tona sportive: Majlinda, Distria dhe Nora. Gjithashtu, një lëvdatë e merituar duhet t’i shkojë Toni Kukës, i cili nga një lagje e vogël e Pejës nxori tri kampione olimpike.
Sa për ilustrim, vetëm në vitin 2020 në Japoni ishin gjithsej 100.000+ xhudistë aktivë, të regjistruar pranë Federatës së Xhudos së Japonisë. Statistikat krahasuese të Kosovës janë lehtë të "krahasueshme".
Sot në Shkup, në orën 10:00, fillon takimi i liderëve të "Mini-Shengenit" ballkanik, Zoran Zaevit të Maqedonisë Veriore, Aleksandar Vuçiqit të Serbisë dhe Edi Ramës së Shqipërisë.
Kryeministri Kurti nuk e ka parë të rrugës që të jetë pjesëmarrës i këtij mini-samiti. Gjithashtu, as liderë të tjerë të Ballkanit Perëndimor nuk e kanë parë të rrugës për të qenë pjesëmarrës të një iniciative të tillë.
Për sot nga ana e presidentit të Serbisë Vuçiq ishte deklaruar se "Mini-Shengeni" do të marrë një emërtim të ri, që në spekulimin tim do të duhej të quhej "Pazari pa hanxhiun".
Mendoj se një iniciativë e tillë është fare e ngutshme, sidomos nga ana e Edi Ramës, duke e marrë parasysh ngecjen në bisedimet Kosovë-Serbi, e sidomos faktin e mosnjohjes së pavarësisë së Kosovës nga ana e Serbisë.
Shqipëria dhe Kosova janë totalisht në çakordancë të përfaqësimit të interesave të kombit shqiptar si tërësi.
Duke i dëgjuar deklaratat e Ramës dhe Vuçiqit live, tek janë duke ndodhur në këtë çast, secila deklaratë po të lexohet midis rreshtash abstragon Kosovën edhe ekzistencën e saj. Flasin për hapje kufijsh, përderisa nuk kufizohen me njëri-tjetrin. Edi Rama deklaroi: "Ata të cilët nuk e kuptojnë se sa të vegjël jemi, jetojnë në të kaluarën".
Nga ana tjetër, Vuçiqi deklaroi: "Nga Beogradi do të niseni në Tiranë dhe askush nuk do t'ju ndalë".
Siç qëndrojnë punët, po ai udhëtim mund të ndodhë nga Beogradi, duke mos e ndalur askush drejt Nishit, e më pas drejt kufirit me Maqedoninë dhe më pas tutje në drejtim të Shën Naumit, i cili kufizohet me Shqipërinë në liqenin e Ohrit, apo nëpërmjet kalimit të Qafa e Thanës së Strugës.
Ky pazar po bëhet pa hanxhiun dhe Edi Rama është i zhytur në këtë pisllëk deri në fyt.
Sikur marrëdhëniet mes Serbisë dhe Kosovës të ishin plotësisht të normalizuara, atëherë do të nënkuptohej se problemet e së kaluarës janë tejkaluar pikërisht me atë marrëveshje, atëherë do të kishte kuptim mosmbajtja peng e një projekti duke e mohuar të kaluarën. Mirëpo këta “maxi shiligunat” e Mini-Shengenit dëshirojnë që të kaluarën ta kapërcejnë ashtu si pehlivanë politikë që janë dhe se ky do të duhej të ishte projekti i cili i bashkon edhe pajton popujt e Ballkanit Perëndimor.
Në parim unë jam për lirinë e lëvizjes së njerëzve dhe mallrave, por para se të hyhet në aso marrëveshjesh shtetet nuk duhet pasur hipoteka ndaj njëra-tjetrës nga e kaluara. Ato nuk tejkalohen vetëm nëpërmjet këtij projekti. Edhe nga aspekti ekonomik përfituesja më e madhe nga një projekt i tillë do të ishte Serbia, si një forcë më e madhe ekonomike e Ballkanit Perëndimor. Kosova do të bëhej vetëm një vend transit, asgjë më shumë. Apo, siç do të thoshte "rilindësi" Edi Rama: "Ç'më intereson mua Kosova, ajo është kavalli i fundit në vrimën time".
Sapo u kumtua emërtimi i ri i këtij projekti, në vend të emërtimit Mini-Shengen. Tani do të njihet si "Iniciativa e Katër Lëvizjeve të Lira", apo Open Balkan. Emërtim i turnirit të tenisit, zakonisht. Si do ta thoshte Vuçiqi në gjuhën e tij amtare maksimën serbe paksa të modifikuar "Samo slobodno-kretanje spašava Srbiju" - CCCC" (vetëm lëvizja e lirë e shpëton Serbinë).
Tani jam në pritje të ulërimave të analistëve, gjithologëve dhe opozitës në Kosovë, për refuzimin e pjesëmarrjes së kryeministrit Kurti në këtë samit.
Përderisa gjejnë çfarëdo arsye për t’i rënë politikisht, ata nuk i zgjedhin as mjetet, as rastin.
Edhe rasti tragjik i humbjes së jetëve të bashkatdhetarëve tanë skajshmërisht u politizua dhe jetët e humbura të njerëzve aq patën rëndësi.
Mund të shënohej ndonjë pikë politike aty-këtu me ndonjë kritikë aty e gjithkah.
Edhe në radhët e qeverisë së VV-së nuk është gjithçka qumësht dhe mjaltë. Nepotizmi është nepotizëm dhe ai as nuk ndërron trajtë, as formë e as formulim, vetëm pse tash qeveris Vetëvendosja e vetme me Listën "Guxo". Përkundrazi, njëra ndër kauzat kryesore të ngritjes së Vetëvendosjes përgjatë viteve ka qenë pikërisht në pikën e luftimit të nepotizmit. Nëse anëtarët e tjerë të VV-së tashmë nën petka ministrash apo deputetësh të Kuvendit të Republikës së Kosovës e kanë harruar atë gjë, kryeministri Albin Kurti nuk e ka në asnjë moment luksin që ta harrojë atë kauzë dhe përkujtimet do të duheshin të vinin edhe në forma shkarkimesh, përndryshe e tërë kauza ndër vite ngelet vetëm një poezi e bukur epiko-lirike me karaktere tragjike-komike. Zgjedhja gjithsesi mbetet e kryeministrit Kurti.
"Ëndrra e një nate vere" është një vepër komedie e hershme e njohur e Shekspirit. "Ëndrra e një nate vere" shpreh në mënyrë jashtëzakonisht lirike disa prej temave më të shkëlqyeshme shekspiriane, ku më të dukshmet janë ato të dashurisë, të ëndrrave dhe imagjinatës krijuese. Në fakt, studimi i detajuar i tekstit nga kritikët e shekullit të njëzetë çoi në një ndryshim domethënës për statusin e veprës, i tillë që kapërcen pakuptimshmërinë e historisë së saj dhe përqendrohet te cilësitë e rralla lirike.
Nëse mund të thuhet se "Ëndrra e një nate vere" përcjell një mesazh, ai do të ishte që fantazia krijuese është në harmoni me botën mbinjerëzore dhe është përdorur më së miri për të paraqitur bekimet e natyrës për njerëzimin dhe martesën.
Se çfarë të them për komedinë vuçiqinane, zaeviane dhe ramaiane për "Ëndrrën e një nate vere" të tyren, vlen ajo thënia e vjetër pellazge "Më së ëmbli qesh ai i cili qesh i fundit".
Gabimet në politikëbërjen e Shqipërisë kundrejt interesave gjithëshqiptarë dhe sidomos të raporteve ndaj Kosovës do të duhen vite të tëra që të sillen në binarët e duhur, apo edhe ndoshta rrugëtimi ynë do të vazhdojë si vëllezër gjysmë të hidhëruar, të cilët jetojnë në shtëpi të ndara, ku secili shikon vetëm interesin e shtëpisë së vet, e gjuha e njëjtë, zakonet dhe traditat e njëjta vetëm do t’ua lehtësojnë vëllezërve që ta shajnë njëri-tjetrin më kuptueshëm në raport me ato shtëpitë e tjera përreth të cilat flasin gjuhë dhe kanë tradita të tjera. Ehhh, ata ne gjithmonë i kemi respektuar. Shqiptari për të treguar dhe demonstruar respektin duhet ta ndryshojë gjuhën. Në momentin që shqiptari flet në një gjuhë tjetër, çdo sjellje, çdo fjalë dhe çdo veprim është veçse respekt.
Pelasgus, pelasgum lupus est.