Institucionalizimi procedural është pjesë përbërëse e kulturës politike të një vendi që ose do t’i ngjajë një katrahure procedurale në të cilën ai që e ka pushtetin sillet sipas vullnetit e jo sipas ligjeve, ose do t’i ngjajë një ambienti demokratik, në të cilin ka parashikueshmëri politike dhe ku secili akter politik sillet sipas një numri rregullash, qofshin ato të shkruara apo të pashkruara, por të cilat janë të pranuara dhe të respektuara nga të gjithë njëlloj
Saga e konstituimit të Kuvendit po tregon se procedurat demokratike që lidhen me konstituimin, ndërrimin apo vazhdimësinë e pushteteve nuk është ende e institucionalizuar, as pas 24 vjetësh të funksionimit të parlamentarizmit në Kosovë. Ky shkrim do të përpiqet ta analizojë ngërçin aktual politik në kontekstin e institucionalizimit të procedurave demokratike, të cilat e bëjnë një vend demokraci funksionale dhe të pjekur, me një kulturë politike ku konfliktet zgjidhen nëpërmjet mjeteve e procedurave demokratike e jo të sundimit të më të fortit. Kjo ngase vetë konstituimi i Kuvendit është çështje procedurale, kurse bllokada aktuale ka të bëjë me keqmenaxhim të procedurave të përcaktuara me Kushtetutë dhe me ligjet e aplikueshme.
Procedura e konstituimit të Kuvendit normalisht do të duhej të ishte që Komisioni ad-hoc për verifikimin e mandateve të hartojë raport të bazuar në vendimet e Komisionit Qendror Zgjedhor, e në të cilin secilit deputet të zgjedhur do t’i verifikohej mandati. Ky raport më pastaj do të duhej miratuar me shumicë votash. Mirëpo kjo procedurë “mori në thua”, për shkak të interpretimeve të ndryshme mbi atë se a kanë dhënë dorëheqje kryeministri me ministrat e zgjedhur si deputetë, para se ata ta bëjnë betimin si përfaqësues të zgjedhur të popullit në Kuvend. Sipas Lëvizjes Vetëvendosje dhe liderit të saj, Albin Kurti, dorëheqja është dhënë, porse qeveria mbetet në detyrë deri në formimin e asaj të resë dhe ka kompetenca të marrë vendime ekzekutive. Sipas Partisë Demokratike (PDK), Lidhjes Demokratike (LDK), Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), të cilat kësaj radhe nuk po i quaj parti opozitare, sepse nuk janë të tilla deri në formimin e qeverisë së re, si dhe një numri deputetësh minoritarë, kryeministri dhe ministrat e zgjedhur nuk janë dorëhequr përderisa vazhdojnë të mbeten në detyrë dhe të marrin vendime ekzekutive.
A është dorëheqje një letër të cilën Albin Kurti ia dorëzoi bashkëpartiakut dhe kolegut deputet, i cili më nuk është kryetar i Kuvendit, Glauk Konjufca? A është dorëheqja e njëmendtë nëse Kurti me ish-ministrat e tij vazhdojnë të marrin vendime, siç janë emërimi i bordeve të ndërmarrjeve publike, miratimi i huave për ndërmarrjet publike, miratimi i udhëzimeve administrative dhe vendime të tjera, edhe pasi që janë dorëhequr?
Deputeti Kurti, kryeministër në detyrë, po thotë se qeveria e tij është në dorëheqje prej 23 marsit, kur i ka kaluar mandati. Mirëpo, si duket ose kujtesa e tij është jetëshkurtër ose po e mashtron opinionin publik, sepse më 27 mars, pas certifikimit të rezultateve zgjedhore nga KQZ-ja, ai vetë pati deklaruar se qeveria “nuk ka nevojë të japë dorëheqje”, edhe pse Ligji mbi Qeverinë, i miratuar nga shumica parlamentare e LVV-së, qartazi e thotë se deputetët e zgjedhur nuk mund të mbajnë pozita ekzekutive, kurse Kushtetuta e thotë se mandati i deputetit fillon në ditën e certifikimit të rezultateve nga KQZ-ja. Edhe letra e dorëheqjes që ia dorëzoi deputetit Kojnufca nuk është akti formal i dorëheqjes. E pakta që kanë mundur të bënin Kurti dhe ish-ministrat e zgjedhur është që të dalin në foltore të Kuvendit dhe të shpallin dorëheqjet e tyre publikisht. Ata këtë nuk e bënë. Arsyeja mendoj se është në një keqmenaxhim politik nga ana e Kurtit, i cili e ka të vështirë të çkapet nga pozita e kryeministrit. Madje, nuk po sillet si kryeministër i qeverisë kujdestare, sepse kështu duhet të quhet qeveria e dorëhequr, por si kryeministër i një qeverie fuqiplotë, sepse qeveria në detyrë nuk mund të marrë vendime por duhet të jetë aty vetëm që të kujdeset se në pikëpamje procedurale vendi nuk mbetet në boshllëk institucional.
Vendimet e marra në mbledhjen e fundit të qeverisë, pas “dorëheqjes” tregojnë se as Albin Kurti nuk po e merr seriozisht dorëheqjen të cilën po thotë se e ka dhënë. Përse pra duhet ta marrin seriozisht këtë dorëheqje PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja?
Pyetja se a duhet mbetur vendi pa qeveri deri në formimin e qeverisë së re është po ashtu legjitime. Edhe Kushtetuta e Kosovës, edhe Ligji mbi Qeverinë i japin kësaj pyetjeje përgjigje autoritative. Një deputet nuk mund të mbajë poste ekzekutive. Nëse Ligji mbi Qeverinë nuk është kontestuar në Gjykatën Kushtetuese, ai mbetet valid dhe si i tillë duhet të respektohet nga të gjithë, e sidomos nga ata që e kanë miratuar, madje edhe nëse është ligj i keq. Por, cila është zgjidhja? A është zgjidhja që vendi të mbetet pa kryeministër dhe pa qeveri, apo të ketë një qeveri të kundërligjshme “në detyrë”?
Përgjigjja të cilën kësaj çështjeje ia jep Ligji mbi Qeverinë është se jo. Mirëpo po ky ligj e ka shkaktuar kaosin procedural, nga i cili është vështirë të dilet. Siç thotë fjala popullore shqipe “Kur një budalla e hedh gurin në pus, as njëqind të mençur nuk mund ta nxjerrin”. Pra, sherrin të cilin e ka shkaktuar ky ligj i qeverisë Kurti do ta kenë të vështirë ta zgjedhin as njëqind të mençur.
Kjo pengesë procedurale mund të tejkalohet vetëm me vullnet politik, sepse në të kundërtën, nëse Kuvendi nuk konstituohet në një afat të arsyeshëm, vendi do të duhej të shkonte në zgjedhje të jashtëzakonshme me një vendim të presidentes. Vullneti politik nuk mund të pritet vetëm nga opozita.
Përgjegjësinë më të madhe për konstituimin e Kuvendit e ka partia më e madhe parlamentare, që në këtë rast është LVV-ja. Prandaj Albin Kurti së bashku me ish-ministrat e tij ishte dashur të jepnin dorëheqje serioze nga qeveria dhe mos të silleshin si qeveri fuqiplotë, por si qeveri kujdestare, dhe të mos marrin vendime të cilat bien ndesh me kompetencat e një qeverie kujdestare.
Gjesti i parë në këtë drejtim do të ishte anulimi i të gjitha vendimeve të marra nga qeveria pas datës 27 mars, heqja dorë nga privilegjet që kanë si anëtarë të ekzekutivit, duke përfshirë edhe heqjen dorë nga zyrat dhe vendet e tyre të punës, sepse atyre, si deputetë të zgjedhur, nuk iu takojnë karriget e ekzekutivit. Qeveria në detyrë apo qeveria kujdestare do ta kishte vetëm funksionin nominal e jo ekzekutiv. Nga ana tjetër, PDK-ja, LDK-ja e AAK-ja do të duhej ta votonin raportin e Komisionit ad-hoc dhe në këtë mënyrë ta lejonin konstituimin e Kuvendit, me gjithë paqartësitë juridike e procedurale të shkaktuara nga LVV-ja, si përgjegjëse kryesore për bllokadën procedurale të konstituimit të Kuvendit.
Përndryshe, precedenti të cilin po e krijon sjellja e lidershipit të LVV-së ka për pasojë mosinstitucionalizimin e procedurave demokratike dhe në këtë mënyrë krijimin e superqeverive të cilat janë mbi ligjin dhe mbi Kushtetutën.
Mësimi të cilin po e nxjerr Kosova nga kjo sagë është nevoja për t’i institucionalizuar procedurat demokratike, madje edhe nëse ato nuk janë të shkruara. Shumë vende i respektojnë një sërë procedurash demokratike, edhe nëse ato nuk janë të përcaktuara në legjislacion, sepse ato janë pjesë përbërëse e institucionalizimit demokratik. Si shembull për këtë janë Mbretëria e Bashkuar dhe SHBA-ja, nga përvojat e të cilave mund të mësojnë edhe partitë politike të Kosovës.
Institucionalizimi i procedurave demokratike zhvillohet përmes përvojës politike të partive parlamentare. LVV-së i mungon kjo përvojë politike, prandaj me sjelljet e saj ajo po i deinstitucionalizon Kuvendin, Qeverinë dhe procedurat demokratike, të cilat sado që duken vetëm formale janë të një rëndësie të veçantë për funksionimin e institucioneve në bazë të ligjeve dhe Kushtetutës.
Andaj, institucionalizimi procedural është pjesë përbërëse e kulturës politike të një vendi që ose do t’i ngjajë një katrahure procedurale në të cilën ai që e ka pushtetin sillet sipas vullnetit e jo sipas ligjeve, ose do t’i ngjajë një ambienti demokratik, në të cilin ka parashikueshmëri politike dhe ku secili akter politik sillet sipas një numri rregullash, qofshin ato të shkruara apo të pashkruara, por të cilat janë të pranuara dhe të respektuara nga të gjithë njëlloj.