OpEd

Sa të vazhdojë dialogu i tillë në Bruksel, është i kotë lobimi për Kosovën

Liderët politikë të Kosovës janë aq të suksesshëm në lobim për njohje, liberalizim vizash dhe anëtarësim në organizata ndërkombëtare saqë duhet t’i lusim që të mos lobojnë më. Serbia për mrekulli i ka shfrytëzuar dialogun në Bruksel dhe naivitetin e Kosovës që të keqësojë dhe më shumë pozitën e Kosovës në arenën ndërkombëtare. Kjo pozitë pas 7 vjetësh dialog është më e keqe sesa që ishte më parë. Sepse, duke pranuar se pa marrëveshje me Serbinë, Kosova nuk mund të anëtarësohet më askund, Kosova ka kapitulluar në skenën diplomatike.

Votimi në Interpol nuk ishte kurrfarë tragjedie e as ndonjë fiasko diplomatike e Kosovës, e as ndonjë fitore e madhe e Serbisë. Nëse flasim me fjalorin sportiv, Kosova ka fituar, por jo me diferencën e duhur të golave.

Por këtë sukses e bën dështim sjellja e atyre që aq shumë u munduan ta bindnin popullin për fuqitë e tyre lobuese, për angazhimin e madh dhe në fund edhe garancitë që dhanë se i kanë siguruar votat e duhura. Në fakt, ata nuk kanë ndonjë fuqi të madhe. Nuk kanë pasur as aq merita për njohjet sa mundohen të paraqesin në opinion. Ata vetëm mundohen të jenë të pranishëm aty ku merret ndonjë vendim, dhe, nëse të tjerët e kanë siguruar vendimin pozitiv për Kosovën (në të shumtën e rasteve SHBA-ja, Britania e Madhe, Franca dhe Gjermania) atëherë ata i marrin për vete meritat. Prandaj, nuk duhet t’i akuzojmë aq shumë për dështime në diçka ku as që kanë pasur e as që kanë fuqi. Edhe të kishin lobuar njëqind herë më shumë rezultati nuk do të ishte ndryshe. Sepse që nga shpallja e Pavarësisë votimet për Kosovën kanë qenë pasqyrë e situatës në skenën ndërkombëtare, e raporteve mes fuqive perëndimore dhe atyre të tjerave, e më së paku rezultat i lobimit të suksesshëm apo mungesës së lobimit të vetë Kosovës. Prandaj liderët politikë të Kosovë s’duhet t’i kritikojmë pse mundohen ta bindin popullin se kinse janë lobistë të suksesshëm, se kinse na paskan miqësi të mëdha me liderët nëpër botë, e jo për dështime.

Në fakt përshtypja se aftësitë personale të ndonjë politikani të Kosovës janë të rëndësishme për njohje nga shtetet e tjera apo për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare është një mit dhe në grackë të këtij miti ka rënë një pjesë e mirë e opinionit publik. Shteti që të njeh për shkak të një personi apo tërheq njohjen për shkak të një personi tjetër nuk është shtet serioz. E as Kosova, nëse beson se njohja e Pavarësisë së saj varet nga një apo dy persona, nuk është shtet serioz.

Njohjet e Kosovës, suksesi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, e madje edhe anëtarësimi në organizatat sportive, janë rezultat i angazhimit të miqve të shtetësisë së Kosovës. Mjafton ta shikojmë hartën e botës dhe shtetet që e kanë njohur Kosovën për të parë se si në mesin e tyre janë kryesisht shtetet perëndimore dhe shtetet ku perëndimi ka ndikim. Janë shtetet që kanë raporte të mira me SHBA-në, ato ku kanë ndikim Britania e Madhe dhe Franca apo ndonjë shtet tjetër perëndimor. Kur SHBA-ja, Britania e Madhe dhe Franca ishin aktive numri i njohjeve shtohej shumë shpejt. Prandaj ka qenë një shprehje e mosnjohjes së meritave të tyre kur disa persona nga Kosova janë munduar shumë njohje t’i paraqesin si rezultat i punës së tyre. Madje shpesh mënyra se si kinse është lobuar për njohje ka bërë edhe pengesa, sepse është parë si një lloj ndikimi i palejueshëm sipas standardeve të mirësjelljes diplomatike.

Pa mbështetjen e miqve ndërkombëtarë nuk do të mundë të anëtarësoheshin as në organizatat ndërkombëtare sportive, ku lobimi i sportistëve ishte shumë më i mirë dhe më i suksesshëm sesa ai i politikanëve. Aty politika vetëm ka penguar e jo ndihmuar. Për shembull, në UEFA Kosova ka kaluar me vetëm katër vota dallim. E vetëm nga Britania e Madhe i ka pasur 5 vota, sepse nga ky shtet janë 5 federata futbolli (Anglia, Skocia, Uellsi, Irlanda e Veriut dhe Gjibraltari).

Liderët politikë të Kosovës janë aq të suksesshëm në lobim për njohje, liberalizim vizash dhe anëtarësim në organizata ndërkombëtarë saqë duhet t’i lusim që të mos lobojnë më. Serbia për mrekulli i ka shfrytëzuar dialogun në Bruksel dhe naivitetin e Kosovës që të keqësojë edhe më shumë pozitën e Kosovës në arenën ndërkombëtare. Kjo pozitë pas 7 vjetësh dialog është më e keqe sesa që ishte më parë. Sepse, duke pranuar se pa marrëveshje me Serbinë, Kosova nuk mund të anëtarësohet më askund, Kosova ka kapitulluar në skenën diplomatike.

Serbia tash e shtatë vjet ka si argument kryesor për të parandaluar njohjet e Kosovës, për t’i tërhequr madje ato dhe për të penguar anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare e dialogun në Bruksel. Me sukses po e paraqet këtë dialog si dëshmi se “çështja e Kosovës ende nuk është zgjidhur” dhe ky argument po has në kuptim nëpër shumë vende të botës. E si mund të jetë ndryshe nëse vetë presidenti i Kosovës pas dështimit në Dubai që Kosova të bëhet anëtare e Interpolit të përsërisë se duhet marrëveshja me Serbinë për t’i hapur rrugë anëtarësimit të Kosovës në OKB, BE, NATO dhe organizata të tjera ndërkombëtare. E pastaj liderët e Serbisë me të drejtë thonë se “nëse çështja e Kosovës është e kryer, pse atëherë po zhvillohet dialogu në Bruksel”.

Nuk ka qenë shumë e vështirë të kuptohen interesat e Serbisë për të nisur dialogun në fjalë. Serbia së pari u mundua ta pengojë zgjidhjen e statusit të Kosovës duke e paraqitur Rezolutën 1244 sikur të ishte zgjidhje e statusit e jo vetëm një rezolutë për fazën kalimtare nën administrim ndërkombëtar deri tek statusi. Pastaj kur Kosova shpalli Pavarësinë, Serbia u shpreh se “do të punojë në fushën politike dhe juridike”. Me këtë qëllim edhe dërgoj pyetjen në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, duke besuar se do të konfirmohej pohimi i saj se shpallja e Pavarësisë së Kosovës është shkelje e së drejtës ndërkombëtare. Por kjo gjykatë u shpreh se shpallja e Pavarësisë nuk e shkel as të drejtën ndërkombëtare e as Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Pas kësaj, Serbia duke dashur ta minimizojë humbjen në skenën juridike ndërkombëtare, iu kthye përpjekjeve politike, me ndihmën e BE-së detyroi Kosovën që të harrojë GJND-në dhe të hyjë në dialog në mënyrë naive. Prej atëherë dialogu u bë tema kryesore e jo më shtetësia e Kosovës. Gradualisht Kosova përmes dialogut pranoi varësinë nga Serbia në raportet me serbët në Kosovë, pastaj varësinë nga Serbia për krijimin e qeverive në Kosovë dhe tash edhe varësinë nga Serbia për njohje dhe anëtarësim në organizatat ndërkombëtare.

Në kohën kur negociatorët kosovarë në mënyrë naive thoshin se “dialogu do të sigurojë më shumë njohje, sidomos nga 5 shtetet e BE-së”, vetë zyrtarët e 5 shteteve evropiane që nuk e kanë njohur Kosovën thoshin se nga BE-ja nuk kanë kurrfarë presioni për njohje, por vetëm shprehje të mirënjohjes se nuk po e pengojnë Kosovën, pa pasur nevojë ta njohin, dhe se, duke mos e njohur Kosovën e kanë shpëtuar rolin e BE-së si ndërmjetësuese. Një zyrtar shumë, shumë i lartë në përgatitjen dhe udhëheqjen e dialogut kështu u patë përgjigjur në pyetjen se a është për BE-në pengesë fakti se jo të gjitha shtetet e saj anëtare e kanë njohur Kosovën? “Jo, jo. Është e kundërta. Është një përparësi e madhe, sepse ne kështu jemi ndërmjetësi më i mirë i mundur në dialog. Shqiptarëve u themi se Kosovën e kanë njohur 22 shtete (atëherë Kroacia nuk ishte një vend anëtar i BE-së) dhe kjo është çështje e kryer e nuk ka kthim prapa. Serbëve u themi se BE-ja vendos me unanimitet në punët e jashtme dhe zgjerim prandaj, përderisa kemi disa shtete që nuk e njohin Kosovën, BE-ja është neutral ndaj statusit”.

Dialogun e ka rënduar edhe më shumë fakti se pothuajse në të njëjtën kohë nisi edhe afera e raportit të Dick Martyt, miratimi i këtij raporti në Këshillin e Evropës e pastaj vendosja e një Prokurorie Speciale dhe Gjykata Speciale të merret me këtë çështje. Ndonëse as pas gjashtë vjetësh nuk ka aktakuza për këto raste, edhe pse janë shpenzuar me dhjetëra apo qindra miliona euro. Edhe pse janë ndërruar tashmë tre prokurorë specialë, vetë pritjet e akuzave të para shihen si një gjë që i bën të ndihen ndoshta edhe të shantazhuar disa politikanë të Kosovës.

E Serbia në të njëjtën kohë fitoi liberalizimin e vizave, pastaj statusin e kandidatit për BE. Pastaj edhe nisjen e negociatave e pastaj edhe avancimin në këto negociata në hapjen e disa kapitujve. Madje këtë vit mori edhe një premtim jozyrtar se, nëse i përmbush kushtet, mund të bëhet anëtare deri në vitin 2025. Gjithë kësaj kohe Serbia ishte e lirë të luajë lojën e dyfishtë, të sillet kinse është për normalizim në dialogun e Brukselit e në të njëjtën kohë të bëjë edhe fushatën më të egër kundër Kosovës, duke e fyer dhe krahasuar me terroristët e të ashtuquajturit Shtetit Islamik, duke e fyer rishtazi edhe në mënyrë vulgare se deshën “përmes kancelarit austriak” (Që në serbisht tingëllon se deshën përmes organit gjenital mashkullor) të bëhen anëtare të Interpolit.

Madje, Serbia ia rikujtoi përmes fjalëve të presidentit, Aleksandar Vuçiq, se ajo mburret me pengesat që ia bën Kosovës, sepse askund nuk ka pranuar obligime se nuk do ta bëjë një gjë të tillë. Dhe nëse bazohemi në thënien shqipe “qëkur doli shkresa humbi besa” atëherë Vuçiq ka të drejtë. Mund të themi se këto pengesa që i bën Serbia nuk janë në frymën e normalizimit të raporteve, por nuk ka marrëveshje e cila e obligon Serbinë të mos e bëjë këtë. Që Serbia të mos e pengojë Kosovën në anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare dhe nismat rajonale ka qenë vetëm ide. Por në dialog, që po ashtu dëshmon se ai është në favor të Serbisë më shumë sesa Kosovës, në marrëveshje në fund është shkruar se “palët nuk do të pengojnë njëra- tjetrën në rrugën e tyre përkatëse evropiane”, një formulim që nuk thotë asgjë, sepse “rruga evropiane” nuk është diçka e definuar.

Natyrisht se njohja e Kosovës nga Serbia do të zgjidhte shumë probleme. Ajo padyshim do të ishte njohje mbi të gjitha njohjet. Po ashtu edhe zgjidhja e statusit të Kosovës do të ishte shumë më e duhur sikur për këtë të kishte pajtim të të dyja palëve. Edhe kur zhvillohej procesi i negociatave, për statusin synohej me çdo kusht, duke mos lënë asnjë gurë pa lëkundur, për të gjetur zgjidhje të pranueshme për të dyja palët. Por në të njëjtën kohë thuhej se, nëse nuk pajtohet kurrsesi, Serbia nuk do të ketë mundësi që deri në pakufi ta pengojë zgjidhjen e statusit. Prandaj edhe ndodhi shpallja e Pavarësisë sipas propozimit të Ahtisaarit pa pajtimin e Serbisë. E tash pas gjithë këtyre viteve, pas gjithë atyre njohjeve, Kosova përsëri hamendet dhe jep shenja se pranon se nuk mund të bëhet më asgjë pa njohjen nga ana e Serbisë, dhe, që është edhe më keq, jep shenja se mund të pranojë edhe ndryshimin e kufijve për një marrëveshje që “do të ishte e dhimbshme për të dyja palët”.

Kosova që nga nisja e dialogut, përpos një Marrëveshjeje Stabilizim- Asociimi, nuk bëri asnjë hap drejt avancimit në atë që quhet “rrugë evropiane”. Nuk ka liberalizim vizash ani pse i ka përmbushur kushtet. E liderët e Kosovës bëjnë lobim aty ku puna është kryer, tek Komisioni Evropian, tek përfaqësuesja e lartë Mogherini dhe Parlamenti Evropian. Për këtë qëllim gati një javë në Bruksel qëndroi kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli i cili, nëse është për t’i besuar një raporti në RTK-së, punën kryesore që ka bërë gjatë tërë javës është porosia telefonike kryeministrit Haradinaj që “të ketë kujdes me rritjen e taksave për mallrat nga Serbia për 20 apo 30 për qind, sepse nuk dihet se si do të reagojë BE-ja”, porse “duhet ngritur taksën në 100 për qind”. Mogherini nuk ka asnjë fuqi në këtë fushë dhe premtimet e saja nga e kaluara janë dëshmuar të kenë qenë vetëm një ndihmë politikanëve të Kosovës për të manipuluar qytetarët. Sepse u dëshmua se porosia e zonjës Mogherini dhe komisarit Hahn se “sapo të ratifikoni Marrëveshjen e kufirit me Malin e Zi do të pasojë liberalizimi i vizave” ka qenë e pasaktë.

Kur përmenden kritika të këtij dialogu në Bruksel, dhe dëshmitë se sa dëme i ka bërë Kosovës deri me tashti, shumë prej tyre të pariparueshme, shpesh banalizohen kritikat e tilla dhe kritikuesit quhen si “antievropian” apo “njerëz që duan konflikt”. Dialog duhet të ketë. Gjithçka është më e mirë sesa konflikti. Por duhet të ketë dialog të mirëfilltë e jo dialog mashtrues. E sa i suksesshëm ka qenë ky dialog mjafton të mendohet përgjigjja në pyetjen se sa janë sot normale raportet mes Serbisë dhe Kosovës pas shtatë vjetësh dialog? Vetëm përgjigjja në këtë pyetje është edhe dëshmia më e mirë e dështimit të këtij dialogu, siç ka qenë deri më tash. Dhe për aq sa të zgjasë ai, për aq sa Serbia mund ta paraqesë si dëshmi se “çështja e Kosovës nuk është punë e kryer”, do të jetë i kotë çfarëdo lobimi.

© KOHA Ditore