Qasja me pyetjen “Sa raste sot?” për mua nuk mund të mbetej vetëm rutinore. Megjithatë, gjatë tërë kësaj periudhe, çdo ditë më sillen në mend disa fjalë të kryeministrit britanik Boris Johnsnon, që i kishte thënë gjatë një konference më 12 mars: “Shumë familje do t’i humbin të dashurit para kohës”. Kjo fjali vazhdon të më kumbojë çdo ditë në kokë, sa herë që i mendoj të dhënat rreth pandemisë.
Më 1 janar 2020, as nuk do të mund ta kishim paramenduar që po hynim në një vit të vështirë, ndoshta me të vështirin të gjeneratës sonë.
Edicionet e lajmeve në fillim të vitit u mbizotëruan nga lajmet për negociatat që po zhvilloheshin për arritjen e koalicionit mes dy partive fituese të zgjedhjeve, të cilat tashmë pothuajse për 3 muaj nuk po arrinin që t’i ndanin dikasteret në ekzekutivin e vendit. “Takoheshin për t’u pajtuar për t’u takuar”. Ishte kjo një fjali që tashmë ishte shndërruar edhe në shaka, pasi pas secilit takim të përfaqësuesve të këtyre dy subjekteve ishte bërë e zakonshme kjo deklaratë zyrtare. Sidoqoftë, qeveria e re u formua në fillim të shkurtit, rastisi që organizimi i parë të ishte përvjetori i Pavarësisë, ndërsa do të kujtohet si qeveria me mandatin më të shkurtër.
Rasti i parë, 13 mars 2020
Pavarësisht mandatit, ishte kjo qeveria që u përball me shfaqjen e rasteve të para dhe përballjen me valën e parë të pandemisë. Se do të kishte valë të dytë, e ndoshta të tretë e të katërt, do ta kuptonim më vonë, megjithatë kjo ditë nuk ishte aspak e lehtë. Rastisi që të isha pikërisht unë në edicionin e lajmeve të mbrëmjes në Kohavision, kur u raportua lajmi për dy rastet e para të konfirmuara me koronavirus. Ajo pasdite kur në redaksinë tonë arritën informacionet e para se kishte dyshime, të cilat më pas edhe u konfirmuan, nuk ishte e lehtë. Imazhet që tashmë po shihnim që nga Kina e deri në Evropën Perëndimore, vende që po përballeshin me virusin misterioz, e duke pasur parasysh kushtet e sistemit shëndetësor në vendin tonë, shtonin pasigurinë për ditët në vijim. “Kosova ka shënuar dy rastet e para të koronavirusit”, ishte fjalia me të cilën filloi edicioni i lajmeve, ndërsa kjo fjali do të zëvendësohej shumë shpejt me disa shprehje të tjera të cilat hezitoj t’i quaj rutinore – kjo për faktin se që nga 13 marsi, çdo ditë do të kishim shifra të reja të të infektuarve me virusin misterioz që përhapej me lehtësi.
Ndërkohë, masat që u ndërmorën ishin shumë të pazakonshme: distanca fizike, maskat, dezinfektimi, etj., sado që tingëllonin si praktike, megjithatë do të bëheshin stil i jetesës sonë për disa muaj, e urojmë që jo edhe disa vjet të tjerë.
Përditshmëria “e re” gjatë periudhës së karantinës pothuajse tremujore, e cila më pas do të vazhdonte me lehtësime të qarkullimit dhe veprimtarive, nuk ishte aspak e lehtë. Në redaksi vëmendja vazhdonte të ishte te të dhënat që publikonte Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike, ndërsa pyetja e re ishte: “Sa raste sot?”. Për fat të mirë, IKSHPK-ja pas disa javësh e ndryshoi formën e njoftimit, nga orët e vona pothuajse të mesnatës, në orën 15:00.
Fjalët e Boris Johnsonit
Në secilin edicion të lajmeve, informacionet për gjendjen me pandeminë në Kosovë kishin vëmendjen më të madhe, e për mua edhe ndjeshmërinë. Qasja me pyetjen “Sa raste sot?” për mua nuk mund të mbetej vetëm rutinore. Megjithatë, gjatë tërë kësaj periudhe, çdo ditë më sillen në mend disa fjalë të kryeministrit britanik Boris Johnsnon, që i kishte thënë gjatë një konference më 12 mars: “Shumë familje do t’i humbin të dashurit para kohës”. Kjo fjali vazhdon të më kumbojë çdo ditë në kokë, sa herë që i mendoj të dhënat rreth pandemisë.
Prezantimi i lajmeve gjatë periudhës së pandemisë do të ishte më i komplikuar. Por, ajo që e bënte më të vështirë ishte kur shifrat shtoheshin. Kështu do të ishte edicioni i lajmeve të orës 15:00 më 13 nëntor, kur në Kosovë u shënua rekordi më i lartë i rasteve të reja, gjithsej 963 brenda vetëm një 24-orëshi. Në momente të tilla, si zakonisht, duhej ruajtur gjakftohtësia, por personalisht nuk kam se si ta fsheh panikun e besa edhe frikën për rritjen e numrit dhe përhapjen e pandemisë. Tashmë ishim në nëntor, ndërsa sistemi shëndetësor është i dërrmuar.
Me rritjen e rasteve shtohej dhe numri i viktimave të koronavirusit, e po ashtu i atyre që e tejkalonin atë, të shëruarit. Megjithatë, në secilin edicion të orës 15:00, kur edhe arrin lajmi i fundit me njoftimin e IKSHPK-së, sado rutinore që mund të duket si një pjesë e lajmit të përditshëm, megjithatë e di që secili numër që thuhet nuk është veç shifër. Ata kanë qenë familjarë, të cilët janë dashur e kanë dashur, kanë punuar, janë shoqëruar e argëtuar. Ndërsa tani u mungojnë më të dashurve. Shumë prej atyre që humbën të afërmit në betejën me COVID-19, me të cilët kam pasur rastin të bisedoj, më kanë bërë të kuptoj që është shumë i vështirë pranimi i humbjes së më të dashurve nga ky virus.
Duket edhe se pritshmëritë dhe paralajmërimet se pandemia nuk do të zgjasë ishin të gabuara, së paku se do të përfundojë para përfundimit të vitit 2020.
Për veten dhe më të dashurit, respektojini masat
Se u transformua në përgjithësi stili i jetesës si pasojë e pandemisë është e padiskutueshme, megjithatë mbetet të shihet se kur do të jetë fundi i kësaj mënyre të jetesës, e cila tashmë na është bërë normale, dhe se kur do t’i kthehemi rutinës së mëparshme dhe të zakonshme. Sidoqoftë, trendi i zhvillimit teknologjik e vuri në pah përparësinë e shekullit XXI, duke na lehtësuar shumëçka. Kalimi i pothuajse gjithçkaje në versionin online bëri që edhe forma e komunikimit të jetë më ndryshe, ndërsa përmendeshin fjalët “mbaje distancën fizike, ruaje atë sociale”. Rrjetet sociale u bënë vendtakimet tona. Ndërsa në to secili prej nesh mundohej të kontribuonte në tejkalimin e kësaj gjendjeje që na ka rënduar edhe psikologjikisht. Unë gjatë tërë kësaj periudhe kam pasur këtë fjali në fokus: “Për veten dhe më të dashurit, respektojini masat”, duke iu bashkangjitur kështu thirrjes më të shpeshtë, por njëkohësisht edhe më të thjeshtë, për t’i respektuar masat, për t’i ruajtur ata që i duam, në mënyrë që t’i kemi pranë edhe për festa.
Periudha e fundvitit dhe fillimit të vitit të ri gjithmonë karakterizohet me plane të shumta, të cilat synojmë t’i realizojmë e të cilat nuk i arritëm në vitin që lëmë pas. Por, këtë vit kam ndjesinë që të gjithë e kemi dëshirën, nëse jo të njëjtë, të ngjashme. Dëshira dhe urimi im është që të mos jetë aspak si 2020-shi dhe të mos pyesim “Sa raste sot?”.