OpEd

Sa milionë njerëz duhet të jetojnë në Zvicër?

Partia më e madhe politike e Zvicrës kërkon: deri në vitin 2050 në Zvicër nuk mund të banojnë më shumë se 10 milionë njerëz. Qeveria, shumica e partive dhe bizneset janë kundër. Në fund pritet të vendosë populli në referendum. E qartë është: në 10 vjetët e ardhshëm Zvicrës do t’i mungojnë 300 mijë punëtorë

Sipas të dhënave të Zyrës Federale të Statistikave në Bern, popullsia me banim të përhershëm në Zvicër ka arritur në fund të vitit 2024 një nivel të ri rekord: 9 milionë e 48 mijë e 900. Në krahasim me vitin 2023 popullsia u rrit me një për qind ose 86,600 persona.

Zvicra vazhdon të jetë vend atraktiv për shumë njerëz, sidomos nga Bashkimi Evropian. Për banorët e shteteve anëtare të BE-së, tregu i punës në Zvicër është i hapur. Në 20 vjetët e fundit numri i banorëve në Zvicër është rritur për 20 për qind. Sa për krahasim: në Gjermani popullsia është rritur për 1 për qind.

Nuk është befasi që një pjesë e konsiderueshme e zviceraneve dhe zviceranëve janë të shqetësuar me këtë rritje të popullsisë. Jo për shkak se parimisht janë kundër të huajve. Shqetësimet lidhen me ngarkesën e madhe të infrastrukturës dhe me mungesën e hapësirave të banimit. Në fshatrat afër Zürichut, për shembull, qiraja për një banesë tridhomëshe lehtësisht mund të kushtojë mbi 3000 franga (3200 euro). Nga pakënaqësia latente sa i përket ardhjes së shtetasve të huaj në Zvicër, dëshiron të përfitojë sidomos Partia Popullore e Zvicrës (SVP). Ajo është partia më e madhe politike e vendit dhe prej dekadash ndjek një kurs këmbëngulës kundër emigracionit dhe kundër thellimit të marrëdhënieve të Zvicrës me Bashkimin Evropian. Në disa nisma SVP ka pasur sukses, në disa të tjera jo, sepse qytetarët zviceranë i kanë hedhur poshtë kërkesat e saj në referendum duke i ruajtur raportet me Bashkimin Evropian, i cili është tregu më i rëndësishëm për ekonominë e Zvicrës. Në vitin 2023 Zvicra eksportoi në BE mallra në vlerë prej 138 miliardë frangash.

Tani SVP dëshiron të kufizojë ndjeshëm ardhjen e të huajve me anë të një nisme, e cila drejtohet kundër Zvicrës 10-milionëshe. Pra, deri në vitin 2050, sipas kësaj ideje, në Zvicër nuk mund të jetojnë më shumë se 10 milionë njerëz. Po u kalua ky prag, qeveria obligohet automatikisht të ndërmarrë masa. Qeveria, shumica e partive dhe bizneset janë kundër nismës së SVP-së. Në fund pritet të vendosë populli në referendum. Sa i përket Qeverisë: prej shtatë ministrave sa ka Zvicra, dy i përkasin SVP-së. Ndonjë lexues larg labirinteve të politikës zvicerane mund të pyesë: e këta dy ministrat çfarë mendimi kanë për nismën e partisë së tyre? Kur Qeveria zvicerane vendos me shumicë kundër apo për një çështjeje, të gjithë ministrat në opinion duhet të mbrojnë qëndrimin e Qeverisë - edhe atëherë kur partia e tyre përkatëse ka mendim të kundërt.

Mes SVP-së dhe shoqatës së bizneseve “Economiesuisse” ka shpërthyer një polemikë e ashpër lidhur me nismën për kufizimin e banorëve në Zvicër. Presidenti i “Economiesuisse”, Christoph Mäder, i tha së fundi gazetës “Tages Anzeiger” se “ekonomia jonë e suksesshme ka nevojë për fuqi punëtore. Kjo kërkesë nuk mund të plotësohet vetëm brenda Zvicrës. Situata madje do të bëhet edhe më e vështirë: për shkak të faktorëve demografikë, brenda dhjetë vjetësh do të mungojnë rreth 300 mijë punëtorë”.
Ndonëse SVP në ndërhyrjet e saj polemike shpesh pretendon se shumica e të huajve vijnë ilegalisht në Zvicër apo janë azilkërkues, e vërteta është që shumica e të ardhurve janë shtetas të vendeve të BE-së, pra vijnë legalisht në Zvicër. Në anën tjetër, nuk mund të mohohet se ka probleme me integrimin e të huajve, sidomos atyre që vijnë nga hapësira jashtevropiane. Në lidhje me këtë, presidenti i “Economiesuisse”, Christoph Mäder, deklaroi: “Nëse e përcaktojmë të ardhmen e vendit tonë duke u bazuar vetëm në pyetjen nëse kemi të huaj kriminelë, atëherë kjo është një qasje tepër e kufizuar. Dhe po, edhe unë kam përjetime të përditshme kur eci rrugëve dhe ndonjëherë mendoj…”.
“Çfarë mendoni ju?”, pyeti gazeta. 

Mäder: “Nëse tani do të filloja të këndoja një këngë popullore: kush do ta njihte atë ndërsa unë kaloj rrugës? Dhe pastaj njëkohësisht më duhet ta pranoj: ky është çmimi që paguajmë për mirëqenien tonë, për sistemin më të mirë shëndetësor dhe infrastrukturën më të mirë në botë”.

Tronditjet e mëdha gjeopolitike janë përherë të rrezikshme, sidomos për shtetet e vogla. Nëse superfuqitë këqyrin vetëm interesat e tyre dhe ato i realizojnë me politikë bërrylash, atëherë paniku në vendet e vogla është i madh. Për këtë arsye një pjesë e elitës politike dhe ekonomike zvicerane kërkojnë që të rregullohen me një marrëveshje raportet mes Zvicrës dhe BE-së, veçanërisht pas turbullirave të shkaktuara në ekonominë botërore pas hyrjes në Shtëpinë e Bardhë të presidentit aktual. 

Problemi zviceran është ky: nëse kufizohet e drejta e shtetasve të BE-së për t’u shpërngulur dhe kërkuar punë në Zvicër, atëherë Brukseli mund të kufizojë qasjen e Zvicrës në tregun e përbashkët të BE-së, i cili për ekonominë zvicerane është jetik.