Për të kuptuar se sa e shthurur dhe e pakuptimtë është kjo opozitë, do ta marr shembullin e Enver Hoxhajt të PDK-së, i cili doli me kritikat ndaj Qeverisë dhe shtetit për mosreagim ndaj situatës së krijuar rreth Ukrainës. Ç’është e vërteta, vetëm një ditë më herët, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kishte dalë me një mbështetje të hapur për Qeverinë dhe popullin e Ukrainës, por Hoxhaj si duket as nuk e kishte marrë mundin që t’i lexojë apo t’i dëgjojë lajmet, ose ndoshta statusin e tij e ka shkruar një fëmijë i vogël, merakli i Ukrainës
Jetojmë një jetë të brishtë në një planet të brishtë. E për ta zmadhuar këtë brishtësi janë edhe vetë sjelljet e qenies së quajtur njeri. Sjelljet ndaj njëri-tjetrit, ndaj vetë planetit dhe gjallesave të tjera në të. Aq sa kemi prirje për të bërë gjëra të bukura me anë të kreativitetit tonë, po aq herë më shumë jemi në gjendje që t’i shkaktojmë njëri-tjetrit vuajtje dhe mizori të papara.
Sa herë që ndalem e mendoj dhe e analizoj historinë tonë si qenie njerëzore, e kuptoj nëpër sa vështirësitë është dashur që të kalojë njerëzimi për të arritur në ditën, të cilën po e përjetojmë ne sot. Ajo që e kuptoj është se me gjithë katastrofat e shumta natyrore dhe kataklizmat e ndryshëm që njerëzimi ka përjetuar dhe mbijetuar, prapë më del që vështirësitë më të mëdha njerëzimit gjatë periudhës së evoluimit të tij ia ka shkaktuar pikërisht vetë njeriu.
Luftërat për toka, pushtet dhe zotërim të burimeve natyrore datojnë qysh nga kohërat kur njeriu ka filluar ta shënojë historinë dhe sigurisht se ato kanë ndodhur edhe me mijëra vjet më përpara, kur ne nuk disponojmë shënime.
Sa ka ndërruar kjo qasje tash kur arritjet tona teknologjike, shkencore, kulturore dhe shoqërore e kanë arritur zhvillimin e tyre aq të hovshëm?
Thënë të drejtën, aspak. Përkundër të gjitha këtyre zhvillimeve, ne sot ende kemi njerëz që në këtë planet vdesin nga uria ose mungesa e ujit. Kemi luftëra të mbështetura kundër ndonjë religjioni të caktuar apo ndonjë nacionaliteti a kulture ndryshe. Luftërat në fakt nuk u ndalën asnjëherë. Ato janë tashmë më të sofistikuara dhe më të përgatitura e të servuara nga prapaskenat shumë më meskine dhe tinëzare.
Ani se në Ditarin tim të kaluar kam shkuar në tërësi për situatën e krijuar ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës, nuk kam se si të mos shkruaj për këtë temë përsëri, duke qenë i vëmendshëm për faktin e rrezikshmërisë që kjo situatë mund të paraqesë për kontinentin tonë e edhe për planetin dhe njerëzimin si tërësi.
Kërkesat për përgjigjet me shkrim nga ana e amerikanëve, për të cilat presidenti Vladimir Putin ishte në pritje, ai tashmë i ka pranuar dhe Amerika nuk ka pranuar që trupat e saj dhe të NATO-s të tërhiqen nga Bullgaria, Rumania e Estonia. Amerikanët njashtu kanë refuzuar të garantojnë që Ukraina asnjëherë nuk do të pranohet si anëtare e NATO-s, pasi që shtetet sovrane dhe të pavarura vetë e bëjnë një kërkesë të tillë pa trysninë e askujt.
Së fundmi, duke i parë sjelljet e Rusisë, shihet interesim edhe i shteteve neutrale, si Suedia dhe Finlanda, për t’u bërë anëtare të NATO-s, duke mos dashur që të vihen në pasiguri dhe duke e ditur se çfarë fqinji jostabil e kanë pranë.
Mirëpo, siç e kisha cekur edhe më herët, presidenti Putin është duke e eksploatuar në maksimum brishtësinë evropiane, si dhe atë amerikane. Pavendosmëria e Gjermanisë për të mos e garantuar pezullimin e projektit të linjës së gazit “Nord Stream 2”, e cila në tërësi e anashkalon Ukrainën dhe kalon nëpër detin Baltik, ia jep Putinit avantazhin mbi kërcënimet e evropianëve për embargot dhe masat ndëshkuese që ata do t’i ushtronin ndaj tij. Po ashtu, brishtësia e përbashkët e amerikanëve dhe evropianëve, e shpërfaqur me rastin e pushtimit të Gjeorgjisë më 2008 e pastaj edhe me pushtimin e Krimesë më 2014, si dhe dëmeve që ia ka shkaktuar administrata e fundit e presidentit amerikan, Donald Trump, me koketimet e tij me Vladimir Putinin, si dhe tërheqjen e turpshme nga Afganistani, e kanë bërë Putinin që të kuptojë se mund të vazhdojë me lojërat kërcënuese. Dhe se për pasojë nuk do të ketë një përgjigje të bashkësisë ndërkombëtare.
Disa nga shtetet anëtare të NATO-s janë duke e ndihmuar Ukrainën, duke i dërguar armatime të ndryshme dhe ekspertizë ushtarake. Një gjë të tillë e bënë Britania e Madhe, Kanadaja, Estonia, Lituania, si dhe vetë Amerika. Në anën tjetër, Rusia ka dërguar avionë si dhe pjesë të konsiderueshme të ushtarëve dhe pajisjeve ushtarake në Bjellorusi, për “ushtrimet e rëndomta ushtarake”. Rusia po ashtu kërcënon se do të dërgojë edhe raketa me veprim të mesëm dhe t’i vendosë ato në Kubë dhe në Venezuelë. Në përgjithësi, e gjithë situata është në pikën më kritike të marrëdhënieve midis dy superfuqive, qysh nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore.
Përshkallëzimi i kësaj krize do të sillte situata të paparashikueshme me konsekuenca katastrofale jo vetëm për banorët e Ukrainës. Bota edhe ashtu ende është në luftë me pandeminë e COVID-it, e një luftë e re me përmasa dhe gjasa të një lufte bërthamore do të ishte shkatërruese për njerëzimin në tërësi.
***
Në Kosovë, “opozita e bashkuar” që u proklamua dje në një konferencë për shtyp të protagonistëve të saj kryesorë, PDK, LDK e AAK, e paraqet bashkimin e tyre në luftën për rrëzimin e qeverisë “së dëmshme” Kurti 2. Në fakt, “opozita e bashkuar ishte e bashkuar edhe kur LDK-ja ishte pjesë e Qeverisë Kurti 1 dhe kur në fillimin e vlugut të pandemisë, bashkë me “opozitën e bashkuar”, e rrëzuan veten dhe Qeverinë Kurti 1.
Më pas e formuan një qeveri që rezultoi të ishte kundërkushtetuese. Kauzën e tyre mbi shtrenjtimin e rrymës e kanë të shpifur dhe e dinë shumë mirë edhe vetë se për këtë kauzë as që do ta kishin mbështetjen e ndërkombëtarëve për ta rrëzuar qeverinë. Por shpresojnë se do të mund t’i ngrenë masat e të pakënaqurve mes popullsisë, jo se këta po mërziten për këtë popull, sepse sikur kjo mërzi të ishte e sinqertë për këta 21 vjetët e pasluftës situata energjetike në Kosovë do të duhej zgjidhur tashmë.
Për të kuptuar se sa e shthurur dhe e pakuptimtë është kjo opozitë, do ta marr shembullin e Enver Hoxhajt të PDK-së, i cili doli me kritikat ndaj Qeverisë dhe shtetit për mosreagim ndaj situatës së krijuar rreth Ukrainës. Ç'është e vërteta, vetëm një ditë më herët, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kishte dalë me një mbështetje të hapur për Qeverinë dhe popullin e Ukrainës, por Hoxhaj si duket as nuk e kishte marrë mundin që t’i lexojë apo t’i dëgjojë lajmet, ose ndoshta statusin e tij e ka shkruar një fëmijë i vogël, merakli i Ukrainës.
Jo se kjo qeveri është e përkryer dhe pa gabime, por autogolat që po i shënon opozita me sjelljet e saj për të kritikuar çdo gjë, lart e poshtë, majtas e djathtas, e bëjnë atë joserioze. Krejt kjo thjesht vetëm sa po krijon aversion dhe indinjatë edhe më të madhe te votuesit koshientë, e këtu nuk flas për militantët partiakë.
Çdo sukses i Qeverisë tentohet të heshtet dhe të portretizohet si luftë e Qeverisë për vota, ndërsa dështimet të portretizohen si katastrofa të përmasave të papërshkrueshme. Me këso sjellje të opozitës, jo se kjo qeveri do ta përfundojë mandatin e plotë, gjë kjo që do të ndodhte për herë të parë në Kosovën e pavarur, por edhe do t'ia siguronin asaj një tjetër mandat.
Tash e pyes veten nëse organizimit të protestave të PSD-së, parti kjo jashtëparlamentare me 2 për qind të përkrahjes popullore, për shtrenjtimin e rrymës dhe pamundësisë së popullatës për t’i përballuar ato, do t’u bashkohet edhe Lista Serbe, pasi që pas shtrenjtimit të energjisë elektrike qytetarët shqiptarë nuk do ta kenë mundësinë që t'ua paguajnë rrymën komunitetit serb në veri, siç kishte bërë për 20 vjet radhazi. Nëse bëhet “opozita e bashkuar”, le të bëhet atëherë në plotëni, ashtu siç ka qenë prore.