Me rritjen e çmimit të rrymës, posa iu futëm një krize më të madhe ekonomike, që do t’ia ndiejmë zhurmën menjëherë në maj. Kur të nisë rritja zinxhir e çmimeve, e kur kapaciteti ynë për të konsumuar na kufizohet edhe më, nuk e di se çfarë masash duhet të merren që të këndellemi. E zor që mund të merren masa më serioze, përderisa të gjithë jemi ende në pritje nëse ky vend do të bëhet me një qeveri, e cila mbase dhe më në fund do ta ketë një program qeverisës përnjëmend, që nuk do të nënkuptojë shpenzimin e buxhetit në sasi të mëdha parash, të vogla të shpërndara gjithandej
Për herë të tretë në katër vjetët e fundit u rritën faturat e energjisë elektrike.
Dyfishimi i vlerës gjatë kësaj periudhe, të asaj që detyrohemi të paguajmë për rrymën e shpenzuar, i ka së paku tri domethënie: shpërthim i inflacionit, vështirësimi i kushteve të jetesës dhe rritja e varfërisë.
Në mungesë të rritjes ekonomike dhe të punësimit, ngarkimi i popullsisë me pagesë më të madhe për energji elektrike, veçse e vë në situatë edhe më të nderë. Për më keq, efekti zinxhir të cilin e shkakton rryma më e shtrenjtë, do të jetë edhe më pak i përballueshëm për shumicën.
Si asnjëherë më parë u injoruan ankesat e qytetarëve në lidhje me propozimin e ZRRE-së. Hasën në veshë të shurdhër, aq sa edhe propozimi fillestar i ngritjes për 15%, u rrit në 16.1%. Ende nuk dihet zbërthimi i tarifave, se kujt sa do t’i bjerë të paguajë.
Ajo që dihet është që sektori privat do ta bartë barrën më të madhe, përfshirë këtu qytetarin.
* * *
Nuk ka pasur vit që nuk është përmendur problemi që e ka cytur jostabilitetin e çmimit – shitja e distribucionit për pak para, me obligime për investime për 15 vjet.
Një marrëveshje për shitje të energjisë prodhuar nga KEK-u, që duket se është shumë fikse dhe nën vlerën e tregut, na thuhet se është shkaktare e humbjeve të KEK-ut, që duhen mbuluar diqysh. Natyrisht, më së lehti është të na ngarkohet neve – njësoj si me rrymën në veri, të cilën e kemi paguar një dekadë a sa, pa na pyetur kush.
Njëmend, kur do të na i kthejnë paratë ZRRE-ja, KEDS-i, KESCO a kushdo që na i ka marrë jashtëligjshëm?
Më pas, është një kompani tjetër, e licencuar nga ZRRE-ja, që duhet të na furnizojë me rrymë, KESCO, e cila kur nuk merr rrymë prej KEK-ut, shkon dhe e blen në treg të jashtëm, përmes bursave ndërkombëtare. Ose me ankand, ose me negociata me kompani të tjera që merren me tregtim të energjisë.
Në një kërkesë për rritje tarifash, që KESCO ia kishte bërë ZRRE-së, tekstualisht thuhet kështu: “Në vitin 2024, KESCO për kapacitetet ndërkufitare ka paguar një çmim mesatar prej 30 €/Mw, me një total prej 9.06 milionë €, përderisa në vitin 2023 kemi paguar mesatarisht 5 €/Mw me një total prej 0.9 milion €, prandaj është e domosdoshme gjatë përcaktimit të çmimit të importit të kalkulohen edhe kostot e pritshme për kapacitetet ndërkufitare”.
Për ta thjeshtësuar: ajo që në vitin 2023 ka kushtuar 900 mijë euro, në vitin 2024 ka kushtuar 9 milionë euro.
Pra, një rritje astronomike e shërbimit të bartjes, të cilën në bazë të hulumtimit të Agon Sinanajt, nga “Buletini ekonomik”, ZRRE-ja nuk e ka parë të arsyeshme të merret me të.
Raporti i fundit i monitorimit të blerjeve të energjisë që ZRRE-ja ka të publikuar është i vitit 2021, kurse pas kërkesës së Agonit për raporte të viteve vijuese, ZRRE-ja iu përgjigj me shkrim, për t’i thënë se rregullatori bën monitorim vetëm në rastet kur ka dyshime.
Dhjetëfishimi i shpenzimeve të bartjes nuk duket të jetë çështje për t’u monitoruar. As atëherë kur çmimi i bartjes është shumë më i shtrenjtë sesa i energjisë elektrike të blerë.
Përfundimisht, qëmoti ka diçka të kalbur në sektorin energjetik.
* * *
Ndërkohë, vëmendja po kthehet nga e marta e javës që vjen.
Është dita kur parashihet që të betohet legjislatura e re e Kuvendit, e dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit. Pra, dy muaj e kusur më vonë do t’i shohim deputetët tek bëjnë selfie në sallën plenare.
Se a do të zgjidhet kryetari i ri i Kuvendit?
E besoj se po, dhe gjasat janë që votat e shumicës do t’i sigurojë Lista Srpska, ngase partitë jofituese shqiptare kanë vendosur që të mos e votojnë kryetarin e Kuvendit, i cili sipas interpretimit të Kushtetueses duhet të jetë nga radha e partisë/koalicionit fitues.
Srpskas do t’i konvenonte një votë e këtillë: i mban të sigurta 9 votat në Kuvend që bllokojnë çfarëdo nisme eventuale për të ndryshuar Kushtetutë apo për ta kaluar ndonjë ligj vital.
Nga ana tjetër, do ta spërkasë VV-në, së cilës do t’i duheshin votat e Srpskas për ta votuar kryetarin e Kuvendit.
VV-ja nuk deklarohet as për emrin e kryeparlamentarit e as për mundësinë për ta krijuar qeverinë e re. Duket se çelësi është te NISMA socialdemokrate dhe akomodimi i Duda Baljes dhe i Veton Berishës.
Supozohet se momentalisht VV-ja nuk i ka numrat. Përpjekja e Kurtit për ta joshur LDK-në që të bashkohet në qeverisje, ra në ujë menjëherë. Abdixhiku refuzoi madje të takohej me të, duke e përsëritur se mbetet në opozitë. Pos në rastin që qeverinë e formon opozita, me të në krye të ekzekutivit.
Pra, duket se i ka të sigurta 48 vota të vetat, dhe eventualisht 7 të minoriteteve joserbe (pos të dy të përmendurve më lart, votën nuk e jep gorani Hodža) dhe 1 votë të Rashiqit. Po qe se ka ndonjë marrëveshje me NISMA-n, me tri të saj, bëhen 59. Pra edhe dy vota të nevojshme për ta krijuar qeverinë e re, shumë të brishtë, që mund të çojë në zgjedhje të reja shumë shpejt. Me shumë gjasë pranverën e ardhshme.
* * *
Pra, nëse ka marrëveshje e akomodim të deputetëve minoritarë dhe të NISMA-s (që ia bëri të mundur AAK-së së Haradinajt të futej në Kuvend edhe kësaj radhe), nuk do të duhej të çuditeshim po qe se kryetari i ri i Kuvendit të zgjidhet Fatmir Limaj.
Ky do të ishte një “comeback” fantastik për të. Prej bartësit të listës që nuk e kaloi pragun herën e shkuar, shefit të fraksionit që doli nga PDK-ja, tash do të kthehej si shef i Parlamentit, dhe njeriu i cili do ta ushtronte detyrën e kryetarit të shtetit, po qe se në pranverë Kosova nuk do ta zgjidhte kryetarin/kryetaren e re.
Duke ditur se nga votat e kësaj partie me shumë gjasë do të varet formimi i qeverisë së re, NISMA ato mund t’i shesë shumë shtrenjtë. Flitet për kërkesën për tri ministri, plus kryetarin e Kuvendit.
Pse jo?
Është parim negociator që të shkosh me kërkesa maksimaliste, për ta arritur optimalen. Se a do të ndodhë ose jo, e marta do ta zbulojë. Posa ta marrim vesh emrin e kandidatit për kryetar të Kuvendit.
* * *
Zvarritja e pafund e këtij procesi zgjedhor, më së paku na konvenon neve qytetarëve.
Me rritjen e çmimit të rrymës, posa iu futëm një krize më të madhe ekonomike, që do t’ia ndiejmë zhurmën menjëherë në maj. Kur të nisë rritja zinxhir e çmimeve, e kur kapaciteti ynë për të konsumuar na kufizohet edhe më, nuk e di se çfarë masash duhet të merren që të këndellemi.
E zor që mund të merren masa më serioze, përderisa të gjithë jemi ende në pritje nëse ky vend do të bëhet me një qeveri, e cila mbase dhe më në fund do ta ketë një program qeverisës përnjëmend, që nuk do të nënkuptojë shpenzimin e buxhetit në sasi të mëdha parash, të vogla të shpërndara gjithandej.