Janë katër mësimet që na sugjerojnë se çfarë duhet të shmangim. Për ata që nuk e dinë, kur qeveritë dhe partitë e rrymës qendrore e adoptojnë një agjendë “të fjalëpërfjalshme” antiemigracion, fashistët e nuhasin erën e gjakut në ujë, dhe oreksi i tyre për mizori shpërthen. Po kështu, ata që i trajtojnë fashistët si viktima të masave të kursimit, të arsimimit jo të mirë apo të fatit të keq vetëm sa i zemërojnë ata edhe më shumë. T’iu thuash atyre se antisemitizmi apo islamofobia janë antikapitalizmi i budallait (edhe pse e saktë) funksionon më mirë
Protestat e kohëmëparshme në Mbretërinë e Bashkuar e demonstruan, edhe një herë, paaftësinë e liberalëve dhe të majtistëve për të kuptuar se si t’i qasen shtresës së popullatës punëtore, e cila është e joshur nga e djathta ekstreme. Kur era e fashizmit ndihet në ajër, është e pakuptimtë t’i kthesh sytë nga ksenofobia, siç bëjnë liberalët kur e përqafojnë agjendën antiemigracion, apo të protestosh kundër masave të shtrëngimit, siç bëjnë majtistët. Për t’iu bërë ballë protestuesve britanikë dhe grupeve të ngjashme përreth Evropës dhe Shteteve të Bashkuara, progresistët së pari duhet të përkushtohen që të mos i braktisin ata.
Hyrja ime shokuese në mendësinë fashiste ndodhi tri dekada më parë, kur Kapniasi, një fshatar i moshuar grek, vendosi të më edukonte. Vështrimet e tij të shtrembëruara, ndonëse revoltuese, ngërthejnë ende të dhëna mbi vendet sikurse Anglia veriore, Gjermania lindore dhe perëndimi i Amerikës. Kapniasi ishte rritur si qyl i varfër në një fermë gjysmë të rrethuar, në një fshat të Peloponezit, të padronit të tij – një patriark liberal i cili, gjatë okupimit nazist, ishte aset i inteligjencës britanike, meqë shtëpia e tij funksiononte si qendër e rezistencës. Tek i shihte zyrtarët britanikë që zbrisnin me parashute për të hyrë në shtëpinë e fermës, nganjëherë të shoqëruar edhe nga partizanë komunistë e me mjekra, Kapnisi e dinte se diçka po ndodhte –diçka prej së cilës qe përjashtuar në mënyrë të pazakontë.
“Isha një i paprekshëm”, më tha Kapniasi. “Derisa engjëlli im i bardhë më preku”, shtoi ai, duke e vendosur me krenari në dorë një vëllim të mbërthyer me lëkurë të vjetruar: Botimin e 1934-s të “Mein Kampfit” që instruktori i tij i Gestapos, “engjëlli i bardhë” i tij, ia pati dhënë si dhuratë të ndarjes gjatë fazave të fundit të okupimit.
Duke e ndier neverinë time, ai vazhdoi ta shpjegojë urrejtjen e tij për aleatët. “Arroganca e tyre, vetëbesimi i tyre, kryelartësia e tyre i shtyu me mijëra veta drejt vdekjes”, tha ai. Edhe para se të regjistrohej në njësitin e kolaboracionistëve, ku u takua me engjëllin e bardhë të tij, ai prihej nga urrejtja.
S’do mend, sikur Kapniasit t’i qëndronin më mirë punët, nuk do t’i dorëzohej joshjes së nazizmit. Por varfëria nuk shpjegon se pse ai bashkëpunoi teksa shumica e djelmoshave në fshatin e tij, me jo më pak disavantazhe sesa ai, iu bashkuan rezistencës.
Kur margjinalizimi kombinohet me privimin, një lloj i caktuar njerëzish bien kokëngulthi në një boshllëk moral. Sikurse Kapniasi, ata bëhen të ndjeshëm karshi logjikës perverse të një super-race, koha e së cilës ka ardhur.
Kur i ngrita masakrat naziste ndaj vetë popullit të tij, Kapnias nuk pati ç’të thoshte. Për të, ishin britanikët, shefi i tij grek dhe majtistët që sollën kërdinë në tokë – fjalë kjo që nuk kam dëgjuar të jetë përdorur me kaq shije, krejt deri në kohën kur Donald Trumpi e mbajti fjalimin e tij inaugurues më 2017. Kur e nxita të komentonte më shumë për vrasjet naziste të mijëra njerëzve në një qytet në afërsi, ai theksoi me ngazëllim: “Burrat e vërtetë i eliminojnë ata që u dalin në rrugë, dhe kështu mbijetojnë. Dhe nëse vdesin, nëpërmjet vdekjes së tyre ata e pranojnë padenjësinë e tyre për të jetuar. Engjëjt e bardhë të mi ishin sipër Zotit. Ndryshe prej italianëve, britanikëve apo grupeve tona, ata nuk hezitonin ta përdornin secilin mjet. Pa përpëlitje! Pa frikë! Pa pasion! Pa dashuri! Pa urrejtje! Duhej t’i shihje me sytë e tu. Ishin të mahnitshëm!”.
Teksa fliste, fytyra i bëhej nur, reagimi im i sëndisur ndaj secilës fjalë e mbushte zemrën e tij me kënaqësi.
Grupet britanike që protestuan kundër emigrantëve, mbështetës të Alternativës për Gjermaninë dhe supremacistë të bardhë amerikanë të porsangritur, mund të mos jenë aq të zëshëm apo të artikuluar në fashizmin e tyre, por vijnë nga e njëjta mendësi psikike, dhe ne mund të nxjerrim katër mësime nga shembulli i tyre.
I pari, dhuna fashiste është mjet rekrutimi. Synimi kryesor i saj është të na zemërojë aq fort sa t’i denoncojmë dhe të kërkojmë veprime të dhunshme policore e dënime të gjata me burgim. Kjo është mënyra sesi rekrutojnë njerëz që, sikurse Kapniasi, kënaqen tek na shikojnë sesi zemërimi na infekton.
I dyti mësim; fashistët nuk janë komunitet i mbrojtësve apo ndërtuesve. Ata flasin goxha fort për komunitetet e rrënuara por sa më shumë që i ofrohen ndërtimit të komunitetit, janë protestat dhe përplasjet në media sociale atë që ata i nxisin, porse kurrë nuk e kënaqin urinë e popullit për komunitetin.
I treti, përderisa fashizmi lind në shtratin e masave të shtrëngimit, fashistët kurrë nuk do të protestojnë kundër masave të shtrëngimit. Masat e shtrëngimit nuk kanë fytyrë, ndryshe prej azilkërkuesve hebrenj apo myslimanë. E fashizmi ka nevojë për fytyra, si pika qendrore të urrejtjes së dhunshme që e ushqejnë atë.
Mësimi i katërt, emigrantët janë të parëndësishëm. Siç Kapniasi më mësoi, fashistët gëzueshëm i përqafojnë të huajt si engjëj të bardhë të tyre, përfshirë ata, sikurse Elon Musku apo Donald Trumpi, që mburren me llojin e pasurisë që pretendojnë se e përçmojnë. Edhe nëse përreth nuk ka fytyra me ngjyrë apo të porsaardhur, fashistët do të sajojnë disa të tjerë për ta përqendruar urrejtjen e tyre te ata.
Këto katër mësime e sugjerojnë atë që ne duhet ta shmangim. Për ata që nuk e dinë, kur qeveritë dhe partitë e rrymës qendrore e adoptojnë një agjendë “të fjalëpërfjalshme” antiemigracion, fashistët e nuhasin erën e gjakut në ujë, dhe oreksi i tyre për mizori shpërthen. Po kështu, ata që i trajtojnë fashistët si viktima të masave të kursimit, të arsimimit jo të mirë apo të fatit të keq vetëm sa i zemërojnë ata edhe më shumë. T’u thuash atyre se antisemitizmi apo islamofobia janë antikapitalizmi i budallait (edhe pse e saktë) funksionon më mirë.
Andaj, çfarë duhet të bëjmë? Përgjigjja, them se, buron njashtu nga Britania e Madhe, në formën e filmit më të fundit të Ken Loachit “The Old Oak”, shkruar nga Paul Laverty. Kur një grup refugjatësh sirianë grumbullohet në mes të një qyteti të rrënuar verior anglez, një barist dhe një refugjat ia dalin ta qetësojnë përplasjen midis të ardhurve të rinj dhe një grupi vendësish, të cilët deindustrializimi dhe masat e shtrëngimit i bënë të ndjeshëm karshi mendësisë fashiste. Nën sloganin “të hamë bashkë, të mbahemi bashkë”, ata e hapën një sallë komunale të ngrënies, ku nuk tolerohej përdorimi i asnjë figure naziste, por ku askush as nuk ngacmohej, as nuk nënçmohej e as nuk sulmohej.
Qartësia morale e “Old Oakut” dhe testamenti i tij për fuqinë e solidaritetit janë udhërrëfyes më i mirë bashkëkohor se çdo tjetër për atë se si të ndalohen viktimat që të kthehen kundër njëra-tjetrës. Mesazhi i tij është universal: nuk ka asgjë të pashmangshme në fashizmin e ringjallur.
(Yanis Varoufakis, ish-ministër i Financave i Greqisë, është udhëheqës i partisë MeRA25 dhe profesor i Ekonomisë në Universitetin e Athinës. Ky vështrim është shkruar ekskluzivisht për rrjetin botëror të gazetarisë “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”).