OpEd

Rruga drejt hendekut

Shtegu i dyfishtë dhe paralel i negociatave do ta bëjë punën edhe më lëmsh seç e kemi. E nuk po jam shumë e sigurt nëse na ka mbetur gjë prej lukthit për ta gëlltitur edhe këtë - bisedime që nuk kanë asnjë cak tjetër pos atij deklarativ - "njohje e ndërsjellë". Hajgarja, e besoj, e ka mbërritur më kufirin e fundit

Jemi njohur qysh fëmijë. Gjithmonë ka qenë pak "bucko". Shumë i shoqërueshëm dhe e kishte qeshjen thuajse ngjitëse. Mjek i mirë, specialist i gjinekologjisë, i kohëve kur Universiteti i Prishtinës, me gjithë mangësitë, ka qenë më i mirë seç është sot.

Herën e fundit u takuam vjet, rastësisht, para hyrjes së selisë së vjetër të gazetës. Kishte dalë me babanë dhe pas një xhiroje, ishin ulur ta pinin një kafe. Pasi që "i qamë hallet e Kosovës martire", u përshëndetëm, dhe e lamë të pinim kafe bashkë një ditë.

Kafja mbeti qejf i papërmbushur. Burimi u shua para tri ditësh, viktimë e COVID-it të cilit nuk mundi t'i bënte ballë. Ende pa i mbushur 58 vjet dhe pa e mbërritur pensionin në të cilin mbase do të pushonte pak nga profesioni të cilit iu përkushtua mbi 30 vjet. La pas bashkëshorten, dy djem, babanë, vëllanë dhe motrën dhe shumë miq që sot ndajnë pikëllimin me familjen e tij.

Burim Krasniqi është njëri nga 7 mjekët që vdiqën si pasojë e virusit. Rreth 500 mjekë dhe 700 infermierë janë infektuar brenda institucioneve publike në thuajse gjashtë muajt e fundit. Këtyre duhet shtuar edhe farmacistët, teknikët e farmacisë dhe fizioterapeutët, e kush e di edhe sa profesionistë të tjerë që përballen me pandeminë nëpër klinika.

E numrin e saktë zor se do ta dimë, ngase vazhdojmë të kemi numrin më të vogël të testimeve dhe përpjesëtimin më të madh të infektimeve si dhe të vdekjeve dyshifrore çdo ditë qe një muaj radhazi.

Dhe ende na thonë se e kanë situatën nën kontroll.

Jo, nuk e kanë.

E kanë situatën kaotike, ashtu çfarë e kemi edhe jetën, me të cilën, për fat të keq, jemi mësuar qe 20 e kusur vjet.

Kush kryetar?

Dhe, në këtë situatë, tema e cila po na preokupon këto ditë është se kush do të na bëhet kryetar i shtetit.

Thuajse ata që tash i hedhin kandidaturat e tyre po dinë diçka më shumë se të gjithë ne tjerët - se do të ketë dorëheqje të Thaçit, pra për pasojë edhe zgjedhje të shpejtë të kryetarit të shtetit. Ose, që në fakt do të ketë prishje të koalicionit dhe eventualisht rënie/dorëheqje të Qeverisë, për shkak se do të jetë shumë vështirë të akomodohen dëshirat e partnerëve të koalicionit që bëjnë garë të brendshme se kush do t'ia zërë vendin Thaçit.

Çuditërisht, në ditët kur flitet për kandidatura për post kryetari, në stilin fërtelja në zjarr e peshku në det, ai që nuk dëgjohet fare është pikërisht Thaçi. Tashmë i përjashtuar nga procesi i negociatave për shkak të aktakuzës në pritje të konfirmimit, nuk është i mirëseardhur as në Washington e as në Bruksel. E megjithatë, nuk do të thotë se nuk është i përfshirë në këtë proces. Si tinëzak i dëshmuar, do ta ketë gjetur ndonjë vjegëz nga t'i tërheq penjtë në proceset në të cilat jemi nisur, sërish, pa kokë, pa ide.

Është për të ardhur keq që në situatën në të cilën jemi, në rënie të lirë, sepse nuk kemi frerë që do ta ndalin nga rënia në hendek, preokupimi i disave të jetë se kush do të zgjidhet kryetar shteti. Përderisa ambiciet e askujt nuk befasojnë, befason fakti se personazhet që paraqesin kandidaturat e tyre ende nuk e kanë kuptuar se politika të cilën e kanë udhëhequr që nga lufta është një që ka sjellë shumë dëme dhe se me të janë ngopur tashmë jo pak njerëz në këtë vend.

Në vend se të mendohet për përtëritjen e radhëve, për nxjerrjen e njerëzve të rinj që do të duhej ta sillnin ndryshimin e domosdoshëm në këtë vend, politika kosovare vazhdon me praktikën e riciklimit të fytyrave politike herë në një post e herë në tjetrin.

Haradinaj, siç e shpjegova javën e shkuar, i shkel fjalët e veta dhe synon presidencën si një lloj garancie për trajtim më të mirë po qe se i ngrihet edhe një aktakuzë.

Pacolli, nga ana tjetër, si zëvendëskryeministër skandaloz e ministër i Jashtëm edhe më skandaloz, më mirë do të bënte të merrej me kompaninë e vet, seç merret me politikë dhe me partinë e tij. I ka shkaktuar shumë dëm Kosovës me çnjohjet që i ka përjetuar për shkak se, pos që e ka rregulluar zyrën dhe i ka dërguar kushërinjtë e militantët nëpër botë, nuk e ka pasur idenë se çfarë do të duhej të bënte një ministër i Jashtëm. Hapja e konsullatave të nderit gjithandej, do të mbeten në kujtim si formë të cilën e zbuloi për të akomoduar edhe partnerët eventualë të biznesit personal.

Kosova ka nevojë për fytyra të reja dhe të pakomprometuara. Ka nevojë për njerëz që nuk të turpërojnë në komunikim ndërkombëtar dhe ka nevojë për të tillë që dinë se për çfarë janë duke folur.

LDK-ja oportuniste

Do të jetë interesant zhvillimi në këtë drejtim - gjasat janë që kandidimi i tyre në fakt do të jetë mjet shantazhimi ndaj LDK-së. E kjo nga ana tjetër, e di se varet nga ta për ta mbajtur pushtetin dhe të vetmin shans për të mbijetuar politikisht me këtë qeveri deri në fund të mandatit që e synon, është ta fusë PDK-në në koalicion.

Porse atëherë do të dalë kandidati i PDK-së për këtë post dhe me siguri ky do të jetë çmimi që do ta paguajë LDK-ja që të mbetet në pushtet edhe ndonjë muaj. Sepse posa të zgjidhet kryetari a kryetarja e re, kjo qeveri do të bjerë. Dhe nuk do të ishte hera e parë.

Një nga të rrallët e LDK-së që u prononcua për punën e kryetarit qe Driton Selmanaj, i cili në një intervistë e tha edhe këtë: "Nuk është kulturë dhe nuk është korrekte të diskutohet për postin e presidentit derisa ai ende e ka mandatin". Pikërisht, nuk është. Porse LDK-ja e kushtëzoi krijimin e koalicionit me VV-në pikërisht me postin e kryetarit, ende madje pa u ditur për aktakuzën kundër Thaçit. Aq e kushtëzoi sa ia zgjati mandatin e qeverisë Haradinaj edhe nja pesë muaj derisa më në fund nuk u pajtuan.

Mbase kur e ka thënë këtë, e ka pasur parasysh edhe faktin se ishte mu LDK-ja që e zgjodhi Thaçin kryetar dhe ishte mu Thaçi kryetar ai i cili e mandatoi Avdullah Hotin kryeministër, duke u mbështetur mbi mësimet kushtetuese të shtetit shumë të mirënjohur për sundim ligji, Moldavisë.

Hoti, nga ana tjetër, pas shërimit nga COVID-i u kthye në punë dhe premtoi se do ta fuste në funksion një plan për rimëkëmbjen ekonomike të Kosovës për 5 vjetët e ardhshëm. Për Hotin si ekonomist nuk di shumë, pos që kam dëgjuar fjalë të mira për të, sidomos për kohën derisa ka qenë ministër i Financave në Qeverinë Mustafa. Porse si kryeministër, është njeri i cili nuk ka karizëm dhe që ka nevojë gjithë kohën që shefi i tij ta përkrahë me postime në FB dhe që gjithë kohës ta përsëritë: "unë, si kryeministër i Kosovës". Thuajse do që ta bindë veten se nuk është duke parë ëndërr dhe se e kanë emëruar njëmend kryeministër.

Tha se do të shkonte në Washington, porse papritur nga ai u kërkua të mbahej një mbledhje me shefat e partive të koalicionit qeveritar, pa e ditur qartë se për çfarë do të takohen. Ndërkohë, nuk e ka bërë as përpjekjen minimale për t'i ftuar partitë opozitare sërish dhe për t'ua paraqitur strategjinë që do ta zbatojë në Washington, po qe se e ka ndonjë.

Dhe do të shkojë, pasi që në Washington u panë ministrja e Jashtme dhe ai i Drejtësisë (që të dy nga radhët e AAK-së), që nuk është shumë e qartë se përse shkuan dhe do të shkojë në takim negociatash në një vend ku nuk janë të përfshirë partnerët nga BE-ja.

Shtegu i dyfishtë dhe paralel i negociatave do ta bëjë punën edhe më lëmsh seç e kemi. E nuk po jam shumë e sigurt nëse na ka mbetur gjë prej lukthit për ta gëlltitur edhe këtë - bisedime që nuk kanë asnjë cak tjetër pos atij deklarativ - "njohje e ndërsjellë". Hajgarja, e besoj, e ka mbërritur më kufirin e fundit.

* * *

Koordinatori për negociata u gjend dje në Paris për të kërkuar, ndër të tjera, liberalizimin e vizave. Në postimin në FB kishte thënë se kishte shkuar për të folur për procesin e dialogut në Bruksel të cilin e përkrah edhe SHBA-ja. Po qe se është kështu, pse nevoja për negociata në Washington pra? Dhe pse duhet koordinatori të shkojë e të kërkojë liberalizim vizash, kur kjo është punë e ministres së Jashtme?

Mbase për shkak se partitë e koalicionit nuk ia kanë besën njëra-tjetrës dhe për këtë arsye, është emëruar një ministër i Jashtëm paralel në trajtën e koordinatorit, vetëm për nevojat e LDK-së, dhe eventualisht të Thaçit.

Dhe në vend se partnerët qeveritarë të dëshmojnë se ka koordinim, kohezion dhe politikë unike, kjo që e pasqyrojnë është pikërisht Kosova e pasluftës: e ndarë sipas interesave klanore e partiake, ku nuk përfiton Kosova, por grupet e interesit.

Kështu, rruga drejt hendekut është e garantuar.

[email protected]