OpEd

Rritja e ndikimit të Kinës në Ballkan

Pas viteve të përfshirjes kryesisht ekonomike në Ballkan, Kina tash po hedh peshën e saj politike duke u bashkuar me Rusinë e duke eksportuar autoritarizëm

Për vite me radhë interesat e Kinës në Ballkanin Perëndimor ishin kryesisht ekonomike. Megjithatë, Pekini ka bërë gjithnjë e më shumë që ndikimi i tij të ndihet në politikë në rajon, zakonisht në partneritet me Moskën.

Kina dhe Rusia kanë armiq të përbashkët: SHBA-në dhe aleatët e saj. Në disa fusha kanë bashkëpunuar për të penguar iniciativat perëndimore, përfshirë edhe ato në Ballkan. Të dyja qëndrojnë kundër anëtarësimit të Kosovës në Kombet e Bashkuara dhe së fundi kanë kundërshtuar në Këshillin e Sigurimit të OKB-së një iniciativë për të mbajtur një forcë paqeruajtëse ndërkombëtare në Bosnjë-Hercegovinë.

Pekini dhe Moska ka të ngjarë që të ruajnë këtë aleancë për të kundërshtuar praninë euroatlantike në rajon. Nga ana e saj, pasi ka investuar në “diplomacinë e vaksinave” në rajon, si dhe ka dhënë hua për projekte të mëdha infrastrukturore (quajeni këtë “diplomaci kredie”), Kina tash po demonstron një lloj “më të fortë” të politikës së jashtme në Ballkan – duke eksportuar autoritarizmin e saj nëpërmjet korrupsionit strategjik.

“Jalta e Re”

Për vite me radhë Kina ka ndërtuar fuqinë e saj ushtarake për të qenë në vijë me rritjen e saj ekonomike në nivel global, me synim që të bëhet superfuqi. Një shembull i shquar për këtë është ambicia e deklaruar së fundmi për të katërfishuar arsenalin e saj bërthamor.

Me rritjen e vazhdueshme të Kinës, presidenti rus Vladimir Putin shpesh ka paraqitur idenë e një sistemi të “Jaltës së Re”, në të cilën fuqitë e mëdha të botës do të kishin sferat e tyre të ndikimit me shtetet neutrale në mes. Ngjarjet e fundit në Ukrainë tregojnë se Kremlini po punon në këtë drejtim. Sipas Moskës, ashtu siç kishin rënë dakord liderët e SHBA-së, Bashkimit Sovjetik dhe Mbretërisë së Bashkuar në një marrëveshje të tillë në Konferencën e famshme Jalta pak para fundit të Luftës së Dytë Botërore, rreshtimi i ri do të vendoset nga Washingtoni, Moska dhe Pekini.

Mirëpo, deri tash kjo nuk është realizuar dhe Rusia është përpjekur të rreshtohet me Kinën, duke besuar se një bashkëpunim i tillë mund të mbrojë interesat e saj. SHBA-ja, në anën tjetër, është përgjigjur duke krijuar partneritet me vende të mendësisë së ngjashme nëpër botë. Ajo e përdori këtë strategji së fundi vitin e kaluar me krijimin e një aleance strategjike me Australinë dhe Britaninë e Madhe, të quajtur AUKUS, që synonte të frenonte ngritjen e Kinës.

Angazhimi në rritje

Është pikërisht në Këshillin e Sigurimit të OKB-së aty ku boshti Kinë – Rusi ka qenë më aktiv në çështjet e Ballkanit. Të dyja kanë fuqinë e vetos në Këshill dhe kanë paralajmëruar se do të bllokojnë çdo vendim të ardhshëm për rajonin që besojnë se bie ndesh me interesat e tyre.

Deri më tash ata kanë qenë shumë aktivë në dy çështje: anëtarësimin e Kosovës në OKB dhe një forcë paqeruajtëse ndërkombëtare në Bosnjë-Hercegovinë.

Në të parën, Pekini ka mbështetur qëndrimin e Moskës duke bërë dy veto për këtë çështje. Për këtë të fundit, Kina e Rusia kanë kundërshtuar së bashku të ketë një përfaqësues të lartë ndërkombëtar për Bosnjë-Hercegovinën. Të dyja e kanë përshkruar një forcë paqeruajtëse ndërkombëtare si “ndërhyrje perëndimore” në sovranitetin e vendit.

Ky është një zhvillim i ri. Kina nuk është nënshkruese e Marrëveshjes së Dejtonit të vitit 1995 që vendosi status quo-në për rajonin pas luftërave të përgjakshme të asaj dekade e as nuk ka qenë e përfshirë më parë në negociata të lidhura me Ballkanin Perëndimor. Kjo përfshirje e re vjen me financimin e saj të fundit në projekte të mëdha infrastrukturore, si dhe me “diplomacinë e vaksinave” duke ofruar vaksina anti-COVID për disa shtete të Ballkanit.

Afërsisht në të njëjtën kohë kur Kina dhe Rusia po bashkoheshin në Këshillin e Sigurimit të OKB-së në lidhje me çështjet e Ballkanit, ministri i Jashtëm i Kinës, Wang Yi, vizitoi rajonin, duke shtyrë para iniciativën e Pekinit “Brez dhe Rrugë” dhe grupin e saj 16+1 për të promovuar biznesin dhe investimet me Evropën Qendrore dhe atë Lindore. Si Kosova ashtu edhe Maqedonia e Veriut u lanë jashtë nga kjo, ndonëse Kina po financon dy autostrada në këtë të fundit. Të dy shtetet kanë lidhje të ngushta me Perëndimin.

Po ashtu në fund të vitit 2021, ministri i Jashtëm i Tajvanit, Joseph Wu, vizitoi Republikën e Çekisë dhe Sllovakinë dhe bëri një vizitë “jozyrtare” në Bruksel me shpresën për të fituar mbështetje. Për shumë shtete, Kina ka kushtëzuar investimet me mosnjohjen e Tajvanit. Në vitet 1990 Maqedonia e Veriut kishte njohur Tajvanin, por ndryshoi kurs disa vjet më vonë. Kina do ta shikojë me vëmendje këtë çështje kur bëhet fjalë për marrëdhëniet me shtetet e tjera në rajon.

Partneritetet e Kinës me Ballkanin

Në vitet 1970 Kina dhe Shqipëria kishin lidhje jashtëzakonisht të ngushta, por marrëdhëniet u ftohën rreth fundit të shekullit. Tash marrëdhëniet po përmirësohen, kryesisht përmes bashkëpunimit ekonomik. Në tetor kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, priti në Tiranë ministrin e Jashtëm të Kinës, Wang, dhe tha se “shteti mirëpret më tepër investime kineze”. Ai gjithashtu konfirmoi se qëndrimi i shtetit të tij ndaj Tajvanit është në përputhje me atë të Pekinit.

Lidhjet dypalëshe të Kinës me Bosnjë-Hercegovinën janë rritur në vitet e fundit. Sarajeva ka zgjeruar bashkëpunimin me Pekinin në aspektin politik, ushtarak dhe kulturor, por përsëri ekonomia këtu luan rolin më të madh. Entitetet kineze kanë investuar në disa projekte të mëdha infrastrukturore duke përfshirë një hua 350 milionë euro nga Banka për Zhvillim e Kinës për ndërtimin e termocentralit me thëngjill, Stanari. Firma kineze “Dongfant Electric Corp” ndërtoi objektin.

Nga të gjitha vendet e rajonit, Serbia është më e afërta me Kinën.

Sipas një sondazhi së fundi të bërë nga Këshilli Evropian për Marrëdhënie me Jashtë, afro 91 për qind e serbëve e konsiderojnë Kinën një “aleat apo partner të domosdoshëm”, ndërsa 57 për qind e shohin Bashkimin Evropian si të tillë. Sipas të dhënave që janë në dispozicion për publikun, huat kineze për projekte infrastrukturore në Kinë kanë arritur në më shumë se 8 miliardë dollarë.

Së fundmi, Serbia ka kontraktuar një kompani kineze për të ndërtuar një sektor prej 108 kilometrash të hekurudhës Beograd – Budapest – projekt që pjesërisht financohet nga Bashkimi Evropian. Kur ministri i Jashtëm i Kinës, Yi, vizitoi Beogradin në tetor, ai tha se miqësia Kinë – Serbi qëndron “në anën e duhur të historisë”. E presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e quajti Kinën një mik të besueshëm dhe të vlefshëm.

Mali i Zi po kthen 944 milionë dollarë kredi të marra nga Kina për ndërtimin e një autostrade. Në vitin 2014, Mali i Zi mori kredinë si pjesë e një plani për të ndërtuar një autostradë nga Tivari, një qytet port në bregdetin e Adriatikut, deri në kufirin me Serbinë. Autostrada tash është një nga më të shtrenjtat në botë. Shtrirja e parë duhej të përfundonte në vitin 2019, por u vonua për shkak të dështimit të Malit të Zi për t’i paguar këstet e kredisë. Financimi kinez përfaqëson më shumë se një të gjashtën e bruto produktit të brendshëm (GDP), që parashikohej të arrinte vlerën 5.62 miliardë dollarë për vitin 2021.

BE-ja përfundimisht ra dakord ta ndihmojë Malin e Zi e të paguante borxhin, duke e vënë atë në vijë për të përkrahur së paku dy projekte të mëdha infrastrukturore kineze (së bashku me hekurudhën Beograd – Budapest), ndonëse blloku e përshkruan Kinën si “rival sistematik”.

Eksportimi i autoritarizmit

Kina po përdor diplomacinë e saj të huas për ta përhapur në Ballkan modelin e saj të qeverisjes autoritare. Një raport i fundit zbuloi se rënia në kualitetin e qeverisjes në rajon koincidon me gjurmët në rritje të Kinës në ekonominë e Ballkanit. Varësia nga investimet kineze dhe mbështetja në hiret e saj të mira kur faturat e borxheve rriten, i japin Pekinit një ndikim të jashtëzakonshëm politik në rajon. Kina ka përdorur “korrupsionin strategjik” përmes këtyre investimeve për të krijuar ose blerë “bosët” rajonalë që kanë futur një stil autoritar të qeverisjes.

Serbia mbetet më e cenueshmja nga ky lloj ndikimi, si nga Rusia ashtu edhe nga Kina. Kështu thuhej në studimin e fundit nga Instituti i Politikave GLOBSEC, një institut me qendër në Bratislavë, që është fokusuar në politikat ndërkombëtare dhe çështje të sigurisë. Në shkallën nga 0-100, me 100 që ishte më e ndjeshmja ndaj ndikimit rus dhe kinez, Serbia arriti në 66 pikë, më e larta në Evropën Qendrore dhe Ballkan. Vendi tjetër me pikë më të larta ishte Hungaria, me 43.

Nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor vetëm Kosova nuk ka marrëdhënie diplomatike me Kinën, prandaj nuk është pjesë e nismave të saj rajonale e as nuk ka marrë ndonjë kredi nga Pekini.

Skenarët

Pavarësisht nga ndikimi i saj në rritje, Kina nuk ka gjasa ta zëvendësojë BE-në (politikisht apo ekonomikisht) apo NATO-n (ushtarakisht) në Ballkan. Pekini po luan lojën e gjatë dhe nuk dëshiron të luftojë për rajonin. Por, ai do të vazhdojë të përdorë levën financiare dhe ekonomike për të forcuar kapjen. Në të njëjtën kohë synimi kryesor i gjashtë vendeve në rajon është anëtarësimi në BE. Ballkani Perëndimor importoi gati 70 për qind të mallrave nga BE-ja, ndërsa më shumë se 80 për qind të eksporteve të tij shkojnë në BE. Rajoni merr rreth 3 miliardë euro investime nga BE-ja çdo vit. Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut tashmë janë anëtare të NATO-s, ndërsa Kosova e Bosnjë-Hercegovina duan t’i bashkohen kësaj aleanca ushtarake.

Në dhjetor të vitit 2021, Komisioni Evropian lansoi programin Global Gateway, që do të ndajë 300 miliardë euro deri në vitin 2027 për investime në infrastrukturë, energji, mbrojtje të mjedisit, arsim dhe shëndetësi në mbarë botën. Rreth 30 miliardë euro janë të dedikuara për Ballkanin Perëndimor, që përfaqëson rreth një të tretën e GDP-së vjetore. Derisa plani nuk përmend drejtpërdrejt Kinën, duket qartë se synon së paku të ofrojë një alternativë ndaj investimeve të Kinës. Në këtë kuptim mund të funksionojë që të mbahen larg nga Kina shumica e vendeve të varfra të rajonit.

Por, Kina me shumë gjasë do të vazhdojë të minojë qeverisjen e mirë dhe sundimin e ligjit, duke rritur gjurmët e saj ekonomike në Ballkan përmes diplomacisë së huas dhe duke mbajtur Serbinë, Bosnjë-Hercegovinën dhe Malin e Zi të varura financiarisht. Kosova do të mbetet e përjashtuar nga iniciativat e investimeve të Kinës, ndërsa Shqipëria e Maqedonia e Veriut do të qëndrojnë pranë Perëndimit.

Pesë nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor do të mbeten në linjë strategjike me SHBA-në, ndërsa Serbia do të ruajë lidhjet e saj të ngushta me Rusinë e Kinën. Tash për tash duket se dyshja Moskë – Pekin nuk do të jetë në gjendje t’i japë fund mandatit të forcës paqeruajtëse ndërkombëtare në Bosnjë-Hercegovinë.

*Ky vështrim është publikuar në Gisreportsonline