“Le atë telefon ma, fol diçka…”, ka ndodhur t’u themi apo të na e thonë familjarët apo miqtë sa herë që fotografitë dhe shkronjat në “ekranin magjik” na kaplonin vëmendjen plotësisht. Fakti se nuk kishte ndonjë pengesë fizike që t’i takonim ata kurdo që dëshironim, në shtëpi apo kafene, na jepte lirinë e përhumbjes në shfletimin e lajmeve dhe postimeve në rrjetet sociale deri në shpërfillje të pranisë së tyre.
“privilegj” në Kosovë e patëm deri para një muaji. Na e ndërpreu “dhunshëm” një armik që e shihnim të parrezikshëm, sepse ishte mijëra kilometra larg nesh. Por, ky armik i shtriu këmbët edhe në viset tona, dhe na bëri pjesë të fenomenit global, që pritet të sjellë ndryshime në perceptimin mbi jetën dhe funksionimin e marrëdhënieve sociale dhe ekonomike në botë.
Liria jonë e lëvizjes u kufizua dhe përditshmëria jonë u njëjtësua me atë të njerëzve të kombeve e shteteve të tjera, që kishin muaj që rrinin mbyllur nga frika se emrat e tyre mund të gjendeshin në listën e të prekurve, të shëruarve apo edhe të vdekurve nga virusi i pamëshirshëm.
Sikurse ata, edhe ne hapëm dritaret dhe duartrokitëm në shenjë mirënjohjeje e përkrahjeje për punëtorët shëndetësorë dhe punën e tyre vetëmohuese në shërbim të shëndetit tonë. Nejse, ne shkuam pak më larg. Bëmë zhurma me lugë e tenxhere në ballkone e dritare, sepse politikanët tanë na u shfaqën edhe një herë me krejt paskrupullsinë e tyre. Na e vërtetuan sërish që jemi shtet dhe popull “sui generis”. Midis pandemie na i keqpërdorën votat dhe na e devijuan vullnetin politik.
Por, ja që fati nuk na e ktheu shpinën krejtësisht. Lakorja e shifrave të të prekurve dhe të të vdekurve tek ne ende është më e sheshtë sesa e vendeve të rajonit. Se a do të mbetet e tillë, sipas epidemiologëve, varet kryesisht se sa të kujdesshëm dhe të disiplinuar do të tregohemi duke qëndruar në shtëpi deri në fund të muajit prill. Gjithmonë me shpresën se nga muaji i ardhshëm virusi korona ndoshta na e valëvit flamurin e dorëzimit.
Izolimi brenda mureve të banesave dhe shtëpive po i nxit njerëzit të reflektojnë më shumë mbi veten dhe mjedisin përreth. Po ua ndryshon renditjen e prioriteteve jetësore.
Sakaq, pirjes së kafesë me miq e familjarë dhe bisedave sy më sy, që koronavirusi i ktheu në diçka të ndaluar, filloi t’iu kthehet kuptimi i kohës së paracelularëve. Gjëra që vetëm para një muaji i shpërfillnim dhe i merrnim si të mirëqena, tani fituan vlerë dhe rëndësi.
Pamundësia për të vizituar në shtëpi prindërit në moshë, motrat, vëllezërit e farefisin dhe frika nga armiku i përbashkët rikthyen nevojën e përforcimit të lidhjeve familjare të zbehura nga dinamika e ngarkuar e jetës dhe ngarendja pas të mirave materiale.
Koronavirusi po na i sfidon durimin dhe përkushtimin. Të shprehësh mall e dashuri nga distanca apo të marrësh mbi supe peshën e rrezikimit të shëndetit tënd apo të familjarit me një blic-vizitë. Test i rëndë psikologjik. Edhe më i rëndë për ata që vijojnë daljen në vendin e punës, sikurse mjekët, policët apo ne punonjësit e mediave. Rreziku e droja se mund të jesh bartës virusi dhe të infektosh anëtarët e familjes apo edhe kolegët na përcjellin çdo vajtje-ardhje nga puna.
Por, pikërisht telefonat e mençur dhe pajisjet e tjera teknologjike që na afronin me njerëz që jetonin mijëra kilometra larg prej nesh - ndërsa na largonin dhe na heshtnin me njerëzit e shtëpisë – tani u bënë shumë të dobishme, si për mbrojtjen e shëndetit tonë (duke na mbajtur lidhur për shtëpie), ashtu edhe për ruajtjen e lidhjeve ndërnjerëzore.
nëpër rrjete sociale vërshoi nostalgjia për kohët e bukura së bashku me familjen dhe miqësinë. Fotografi bardhezi nga fëmijëria, të ruajtura nëpër albume familjare mbushën muret e Facebookut apo Instagramit. Komunikimi online me familjarët e izoluar në një qytet apo shtet tjetër u shpeshtua. Një pjesë të mirë të komunikimeve miqësore e zënë barsoletat, ironia dhe thëniet sarkastike për dhe rreth “armikut” global. Të qeshurat sado momentale qofshin mbajnë moralin e njeriut edhe në situatat më të rrezikshme.
Teknologjia u bë ura lidhëse mes të punësuarit dhe kompanive punëdhënëse. Puna nga shtëpia ul rrezikun e përhapjes së virusit, ndërsa mban të gjallë profitin e ndërmarrjeve dhe të punëtorit.
Pas dy javësh ndërprerjeje të procesit të rregullt mësimor, nxënësit e studentët u afruan sërish me mësimdhënësit nëpërmjet ekranit televiziv dhe telefonik. Sado që po funksionon me shumë telashe, mësimi online ka aktivizuar nxënësit dhe mësuesit, ndërsa ka vetëdijesuar prindërit, se përveç përfitimit të diturisë, angazhimi i tyre më i shtuar rreth detyrave shkollore përforcon marrëdhënien prind-fëmijë. Qëndrimi online për të tria palët e përfshira në mësim tani është i domosdoshëm. Është normaliteti i ri.
Lidhjet online po ua lehtësojnë punën edhe mediave vizuale. Në pamundësi të lëvizjes së mysafirëve nga distanca të largëta, mesazhet e tyre përçohen nëpërmjet lidhjeve direkte nga platforma të ndryshme komunikimi.
i ktheu kanapetë tona edhe në karrige teatri e kinemaje. Shfaqjet teatrore dhe filmat që nuk kemi mundur t’i shikojmë qoftë për mungesë kohe apo edhe të parave, tani “po vijnë” nëpër shtëpitë tona dhe për një apo dy orë po na shtendosin nga ngufatja e të izoluarit. Artefaktet, pikturat nga muzetë, të cilët as që kemi ëndërruar se mund t’i vizitojmë ndonjëherë (kjo për shkak të mosliberalizimit të vizave për ne kosovarët, por edhe për shkak të pamundësisë materiale) me hyrjet virtuale pa pagesë nëpër skutat e tyre, po i ushqejnë shpirtin dhe mendjet tona me art e kulturë nga epoka të ndryshme historike.
Me gjithë mundësitë e pafundme që na ofron komunikimi online, izolimi dhe stresi pandemik, sipas psikologëve, do të lënë gjurmë në shëndetin mendor dhe emocional të njerëzve. Pasojat e koronavirusit parashihen të jenë të mëdha. Dikujt mund t’i kushtojë me humbjen e familjarit apo të afërmit, dikujt tjetër me humbjen e vendit të punës dhe përkeqësimin e gjendjes ekonomike.
Lufta për mbijetesë pas pandemisë mund të na bëjë të harrojmë edhe solidaritetin dhe bashkëndjenjën për njëri-tjetrin në kohë koronavirusi. Ka rrezik ta cytë njeriun në veprime egoiste dhe t’ia pakësojë konsideratën për tjetrin. Mungesa e komunikimit direkt dhe qëndrimi i gjatë në vetmi mund të kthejnë tek njerëzit edhe ndjenjën e vetëmjaftueshmërisë dhe mbylljen në vete. E ardhmja e njerëzimit pas pandemisë mbetet e paparashikueshme. E sigurt është vetëm se bota nuk do të jetë më ajo që ka qenë.
E gjitha që është në dorën tonë tash për tash është të bëhemi të kujdesshëm, të ruajmë pastërtinë dhe të kufizojmë lëvizjet tona, në mënyrë që të mbrojmë veten dhe tjetrin.
Me gjithë pasigurinë e së ardhmes, askush nuk mund të na e ndalojë të shpresojmë dhe të ëndërrojmë për ditën kur do të mund t’i përqafojmë fort dhe pa frikë, së pari anëtarët e ngushtë të familjes me të cilët ndajmë shtëpinë, e pastaj edhe familjarët dhe miqtë e mikeshat nga të cilat na mbajti larg pandemia. Derisa të vijë ajo ditë #Rri N’shpi dhe #Rri Online.
P.S.
Kjo kolumne do të mund të lexohet vetëm online. Për herë të parë, në më shumë se dy dekada të ekzistimit të gazetës, nuk do të mund ta shkëpus prej saj dhe ta arkivoj një shkrim timin. Shkaku i pandemisë, “Koha Ditore” ka ndërprerë shtypin dhe shpërndarjen e gazetës në letër. Tani ajo botohet online dhe lexuesi mund t’i qaset falas. Ndryshim i dhimbshëm, por i domosdoshëm në rrethanat e jashtëzakonshme të luftës kundër armikut që nuk po ia shohim fytyrën, por po ia ndiejmë kërcënimin në çdo hap.