OpEd

Rreziku nga Putini do të bëhet gjithnjë e më i madh

Lufta e dyfishtë e Putinit – kundër kritikëve të brendshëm dhe kundër Perëndimit – mund të ashpërsohet. Shenjat për këtë janë parë qe disa vjet në Ballkan, ku roli destruktiv rus vazhdon të jetë i madh

Në numrin më të ri, revista e famshme britanike “The Economist” sjell një analizë mbi rritjen e represionit në Rusi dhe rreziqet që i kanosen Perëndimit. Në vijim, përmbledhje e shkurtër (me disa shënime të gjata shtesë):

- Sipas të dhënave të organizatës për të drejtat e njeriut “Memorial” në Rusi ka dyfish më shumë të burgosur politikë se në fund të periudhës sovjetike. (Të premten u bë e ditur se “drejtësia” ruse e ka ndërmend ta shpërbëjë organizatën e famshme “Memorial”. Që nga vitet e Perestrojkës nën Mihail Gorbaçovin “Memorial” angazhohet për dokumentimin e krimeve të periudhës staliniste dhe kritikon represionin e Vladimir Putinit).

- Më 2020 u sulmua me helm Aleksej Navalni, tashmë i burgosuri politik më i njohur i Rusisë. Ai po mbahet në njërin nga burgjet më të tmerrshme ruse. Organizata e tij për dokumentimin e keqpërdorimeve të Kremlinit është ndaluar, shumica e krerëve të saj janë detyruar të largohen nga vendi.

- Një e treta e buxhetit rus harxhohet për “siguri dhe mbrojtje”, pra për polici, ushtri e shërbime sekrete.

- Me 10 për qind më shumë personel se më 2014 forcat e sigurisë tejkalojnë numrin e forcave aktive ushtarake ruse.

Represioni në Rusi ka efekte edhe jashtë Rusisë. Moska mbështet diktatorin bjellorus Aleksander Lukashenko. Rusia e ka rrëzuar një avion pasagjerësh të Malaysia Airlines, Bjellorusia e ka detyruar një avion të Ryanair të aterrojë në Minsk për të arrestuar një disident. (Këtu kemi të bëjmë me metoda të terrorizimit ajror).

Aktualisht Bjellorusia me përkrahjen e Moskës po sjell refugjatë nga Lindja e Afërt dhe po i orienton ata drejt Perëndimit me qëllim që ta destabilizojë atë. Ndërkohë Turkish Airlines ka bërë të ditur se nuk do të lejojë që në avionët e tij të hyjnë shtetas të Irakut, Sirisë dhe Jemenit, me përjashtim të atyre që kanë pasaporta diplomatike. Në Liban konsulli bjellorus dhe agjenci turistike organizojnë udhëtimet e refugjatëve me avion nga Bejruti në Minsk. Në Bagdad autoritetet vendore ia kanë marrë lejen e punës të dërguarit bjellorus për shkak se me gjasë ka qenë i kyçur në aksionet për transferimin e refugjatëve nga Iraku përmes Bjellorusisë në kufi me Poloninë dhe vendet baltike. Çfarë po ngjet është një luftë hibride ruso-bjelloruse, me intensitet të shtuar.

Kjo luftë shihet prej vitesh në Ballkan. Në vitin 2016 në Mal të Zi u arrestuan 20 shtetas serbë të dyshuar se po përgatisnin një puç për rrëzimin e kryeministrit Millo Gjukanoviq. Edhe policia serbe arrestoi disa persona në lidhje me një atentat të përgatitur kundër Gjukanoviqit. Kryeministri i atëhershëm serb Aleksandar Vuçiq tha se pas grupit të serbëve që synonte trazira në Mal të Zi qëndron një fuqi e huaj – me gjasë duke aluduar në Rusinë. Pak ditë më vonë në Beograd erdhi kryeagjenti rus Nikollai Patrushev. Sipas njoftimeve zyrtare qëllimi i vizitës ishte thellimi i bashkëpunimit mes shërbimeve sekrete serbe dhe ruse, ndërsa sipas vlerësimit të ekspertëve të sigurisë Patrushev erdhi për t’i marrë me vete agjentët rusë të zbuluar si pjesëmarrës në komplotin kundër Gjukanoviqit. Më 2018 në Beograd dhe Shkup qëndroi Aleksandar Dugin, filozof i djathtë radikal nga Moska dhe propagandist i Kremlinit. Dugin prezantoi librin e tij, një tullë antiperëndimore, dhe u bëri thirrje “popujve sllavë” të Ballkanit për një “vëllazëri të re sllave”. Në Shkup Dugin foli para 400 pjesëmarrësve të tubuar në një sallë të një hoteli. Në Moskë mysafir i rregullt është lideri i serbëve të Bosnjës Millorad Dodik, në Banjallukë ka qëndruar për vizitë oligarku Konstantin Mallofejev, një mbështetës i zjarrtë i Putinit.

Liderët e Beogradit, e para së gjithash, ministri i Brendshëm Aleksandar Vullin, flasin gjithnjë e më shumë për “botën serbe” (srpski svet). Koncepti i “botës serbe” është një me një i kopjuar nga koncepti rus për “Ruski mir” (“bota ruse”). Pas aneksimit të Krimesë presidenti rus tha se rusët janë “një komb i ndarë”, andaj Rusia, sipas tij, synon një “botë ruse”, “një Rusi historike”, një Rusi së cilës i “rikthehet uniteti”. Vullin, i cili konsiderohet megafoni dykëmbësh i Vuçiqit, përsërit me zell të papagallit retorikën ruse, duke e zëvendësuar atë me fjalën “serbët” dhe “Serbia”.

Por nuk është vetëm retorika e politikanëve serbë që shkakton shqetësime në rajon. Së fundi “The Economist” ofroi disa shifra mbi armatosjen e Serbisë: “Mes viteve 2015 dhe 2021 buxheti i mbrojtjes i Serbisë është rritur për 70 për qind në 1,4 miliard dollarë në vit. Rusia dhe Bjellorusia i kanë vënë në dispozicion këtij vendi 10 avionë luftarakë MIG-29. Rusia i ka dhuruar këtij vendi 30 tanke dhe automjete të blinduara dhe i ka shitur një sistem të mbrojtjes kundërajrore. Serbia ka blerë dronë të blinduar kinezë, helikopterë rusë dhe një sistem raketor francez tokë-ajër. Këtë muaj (tetor) ministri i Mbrojtjes njoftoi se Serbia po negocion mbi blerjen e avionëve transportues dhe helikopterëve nga Airbusi. Muajin e kaluar u bë e ditur se vendi po negocion me Izraelin për raketa antitank. Edhe dronët turq, të cilët gjatë disfatës së trupave armene në Nagroni Karabah vitin e kaluar treguan efektin e tyre shkatërrues, mund të jenë në lisën e blerjes (nga Serbia). Industria serbe e mbrojtjes po prodhon po ashtu pajisje të reja dhe jo më vetëm material nga epoka jugosllave”.

Përkundër propagandës së madhe antiperëndimore, dy të tretat e popullsisë ruse kanë mendim pozitiv për Perëndimin. Gati 80 për qind duan që Rusia ta shohë Perëndimin si partner dhe mik. Kjo është trauma e Putinit. Dhe ai për të mbajtur pushtetin do të ashpërsojë masat represive brenda vendit dhe luftën hibride jashtë vendit – ndër pikat kryesore të kësaj lufte është Ballkani.