Në vend të ndjekjes së një ëndërre joracionale për madhështi përtej kufijve të saj, Rusia duhet t’i kthehet gjetjes së një modeli të qëndrueshëm zhvillimor brenda kufijve të saj. Deri atëherë është vetëm çështje kohe se kush do të jetë vendi i ardhshëm, i cili do të konsiderohet “piun i Perëndimit” dhe kandidat i ardhshëm për “çlirimin rus”
Një ditë prej ditëve regjimi në Kremlin ka deklaruar se siguria e tij kërcënohet nga një fqinj shumë më i vogël – i cili, sipas regjimit, nuk është një vend vërtet sovran, por thjesht një piun i Perëndimit. Për t’i mbrojtur sigurinë dhe interesat e veta, këmbëngul Kremlini, ai duhet të pushtojë një pjesë të territorit të fqinjit të tij. Negociatat mes dy palëve prishen; Moska pushton.
Kjo nuk është sot. Kjo ndodhi në vitin 1939. Regjimi i atëhershëm në Kremlin udhëhiqej nga Stalini dhe shteti fqinj ishte Finlanda. Stalini kishte ofruar të shkëmbente territorin me finlandezët: ai donte që ishujt finlandezë të përdoreshin si baza ushtarake sulmuese në Detin Baltik, si dhe kontrollin e pjesës më të madhe të Isthmusit Karelian, në shtrirjen e tokës në skajin jugor të të cilit gjendej Leningradi.
Në këmbim Stalini i ofroi Finlandës një pyll të gjerë por me moçal në Karelinë Sovjetike. Për habinë e Stalinit, pavarësisht negociatave të vazhdueshme, finlandezët në fund e refuzuan marrëveshjen. Finlanda, një vend me rreth katër milionë banorë e me një ushtri të vogël, i hodhi poshtë kërkesat e kolosit sovjetik, një perandori me 170 milionë banorë dhe me forcën më të madhe ushtarake në botë.
Për pasojë, sovjetikët e pushtuan Finlandën duke e pritur mposhtjen e saj të shpejtë, por ata keqkalkuluan dhe rezistenca finlandeze e poshtëroi me muaj të tërë Ushtrinë e Kuqe, duke ia treguar të gjithë botës dobësinë e Bashkimit Sovjetik. Rezistenca finlandeze i pushtoi zemrat e Perëndimit; Kryeministri britanik Winston Churchill dhe udhëheqës të tjerë evropianë festuan dhe e lartësuan trimërinë finlandeze.
Por admirimi perëndimor mbeti vetëm retorikë: fuqitë perëndimore nuk dërguan armë e lëre më të ndërhynin ushtarakisht. Në fund finlandezët e mbrojtën nderin e tyre, por e humbën luftën kundër Bashkimit Sovjetik. Viktimat sovjetike i tejkaluan ato të finlandezëve dhe si pasojë Stalini e filloi një riorganizim total por të vonuar të Ushtrisë së Kuqe. Adolf Hitleri dhe komanda e lartë gjermane arritën në përfundimin se ushtria sovjetike nuk ishte edhe aq e fortë dhe se episodi finlandez do ta bindë Hitlerin se Bashkimi Sovjetik edhe mund të pushtohet.
***
Tani, përsëri një ditë prej ditëve, regjimi në Kremlin ka ardhur në përfundim se siguria e tij kërcënohet nga një fqinj shumë më i vogël – i cili, sipas regjimit, nuk është një vend vërtet sovran, por thjesht një piun i Perëndimit. Për t’i mbrojtur sigurinë dhe interesat e veta, këmbëngul Kremlini, ai vend duhet të pushtohet.
As kjo nuk është sot. Kjo ndodhi në vitin 1950. Dhe vendi në fjalë kësaj radhe ishte Koreja Jugore.
Stalini e autorizoi Kim Il Sungin, diktatorin e Koresë Veriore, që ta pushtojë Korenë Jugore duke besuar se Perëndimi është në rënie e sipër dhe se Perëndimi nuk do ta rrezikojë përshkallëzimin, duke i dalë në ndihmë një vendi të vogël dhe të dobët. Por përsëri Kremlini keqkalkuloi. Koreja Jugore rezistoi, ndërsa Perëndimi, nën udhëheqje të SHBA-së, ngiti një koalicion të gjerë ushtarak ndërkombëtar, të mbështetur nga OKB-ja. Forcat e OKB-së zbarkuan në skajin jugor të Gadishullit Korean dhe i ndoqën koreano-veriorët deri në kufirin kinez. Poshtërimin sovjetik e parandaloi ndërhyrja kineze, e cila e solli kufirin në mes dy Koreve aty ku është edhe sot.
***
Tani përsëri, një ditë prej ditëve, regjimi në Kremlin ka ardhur në përfundim se siguria e tij kërcënohet nga një fqinj shumë më i vogël – i cili, sipas regjimit, nuk është një vend vërtet sovran, por thjesht një piun i Perëndimit. Për t’i mbrojtur sigurinë dhe interesat e veta, këmbëngul Kremlini, ai vend duhet të pushtohet.
Tani jemi në vitin 2022 dhe ai vend është Ukraina. Putini, i inkurajuar nga pasiviteti i Perëndimit ndaj pushtimit rus të Gjeorgjisë dhe Krimesë, besoi se reagimi i Perëndimit ndaj pushtimit të tërësishëm të Ukrainës do të jetë i ngjashëm me atë episodin e Finlandës – plot fjalime të bukura, por pa vepra. Dhe këtu përsëri Kremlini keqkalkuloi. Jo vetëm që Perëndimi e mbështeti fort Ukrainën, por Ukraina tregoi rezistencë dhe trimëri galante, duke e poshtëruar përsëri Ushtrinë e Kuqe.
***
Këto paralelizma nuk janë të miat. Këto i ka vënë në dukje një nga njohësit më të mirë të historisë ruse, Stephen Kotkin. Dhe mesazhi i tij nuk ishte se historia përsëritet, porse të gjitha këto episode ruse janë pasojë e një shkaku të vetëm – refuzimit të Rusisë për t’u pajtuar me faktin se asnjëherë nuk do të jetë fuqi globale e barabartë me Perëndimin. Dhe se në vend të ndjekjes së një ëndrre joracionale për madhështi përtej kufijve të saj, ajo duhet t’i kthehet gjetjes së një modeli të qëndrueshëm zhvillimor brenda kufijve të saj. Deri atëherë është vetëm çështje kohe se kush do të jetë vendi i ardhshëm, i cili do të konsiderohet “piun i Perëndimit” dhe i gatshëm për “çlirimin rus”.