Koncepti i “shtetit amë” ka vdekur, por jo edhe varrosur. Këtë e vërtetoi “Orkestra për dasma e varrime”
1.
Goran Bregoviqi me koncertin e vet në Korçë la pas vetes, dhe sigurisht pa paramendim, diçka që shfaqet ritualisht në narracionin brendashqiptar, herezinë shqiptare. Në një pjesë bukur të madhe të së folmes publike në Kosovë, ftesa e një fabrikanti birre që në Korçë të këndojë Goran Bregoviqi u konsiderua e barasvlershme me një akt heretik ndaj shqiptarizmës, ndaj qenies kombëtare. Si mund të këndojë në Korçë një muziktar që nuk krijoi distancë ndaj dhunuesve fashistë të qytetit të vet, Sarajevës, apo ai që nuk u distancua nga përdorimi i këngëve të tij në altoparlantët e forcave serbe gjatë masakrave në Gjakovë?
Në diskursin zyrtar të Shqipërisë, nëpërmjet vetë kryeministrit, kundërshtimi ndaj të drejtës së Goran Bregoviqit të këndojë, e të korçarëve të dëgjojnë, “ishte një histeri fashiste, e turpshme për qytetarinë evropiane të shqiptarëve, për historinë dhe për traditën tonë po ashtu, e cila fatkeqësisht nuk dallonte aspak nga histeritë linçuese të grupeve fashiste kudo në botë”.
Rezultati i menjëhershëm, pra, i koncertit të Bregoviqit dhe zallamahisë rreth tij, ishte se nuk kishte gjë të bënte me artistin e ish-Jugosllavisë. Në një kontekst të zhveshur prej “shqiptarizmës” në Korçë u konsumua e drejta e fabrikantit të birrës ta ftojë artistin, e drejta e artistit që të bëjë muzikë në Korçë dhe e drejta e auditorit që të shkojë e të dëgjojë (madje edhe me rrezik infektimi nga varianti Delta i Covidit).
2.
Dhe, rrjedhimisht rezultati i menjëhershëm ishte se koncerti qe nxitësi i radhës për të zhveshur njërin prej elefantëve në hapësirën e shqiptarëve, atë të përcaktuesit moral të “shqiptarizmës”. Pra, nëse zbërthehen tutje një shumicë e të folurit publik në Kosovë dhe përgjigjja e kryeministrit të Shqipërisë, tej Bregoviqit dalin dy synime.
I pari synim është ai që dëshiron të përcaktojë se çka është dhe jo e moralshme ndër shqiptarë, madje jo vetëm të Kosovës, por gjithandej. Me këtë do të jetë e amoralshme, pra heretike, që Goran Bregoviqi të këndojë në hapësirën autoktone shqiptare - Gjilan, Gjirokastër e Gostivar -madje edhe para diasporës shqiptare në Luzern, Athinë dhe Malmo. Këtë, pra herezinë, do ta caktojë diskursi publik shumicë i Kosovës, veçanërisht në rrjete sociale, dhe kjo e drejtë rrjedhë nga fakti i njohur se Kosova ka qenë e viktimizuar në luftën e fundshekullit të kaluar, që u japka të drejtë kosovarëve të jenë hartues të kodeksit moral të të gjithë shqiptarëve karshi pjesëtarëve të popujve të ish-Jugosllavisë.
Dhe i dyti synim dëshiron të njëjtën, të përcaktojë gjithashtu se çka është dhe jo e moralshme ndër shqiptarë, jo vetëm të Shqipërisë, por edhe të gjithë shqiptarëve gjithandej. Pra, të kundërshtosh paraqitjen e Bregoviqit në Korçë është pjesë e histerisë fashiste, një herezi ndaj “shqiptarisë evropiane”.
Në këto synime G.Bregoviqi është shkas efemer; nuk hyn fare në punë a ka kënduar këngë nacionaliste (jo, nuk ka kënduar, as në ish-Jugosllavi e as në Korçë). Këtu bëhet fjalë për fërkimin e vlerësimit se çka është mirë për shqiptarët në çdo gjë, prej koncerteve, autorrugëve, projekteve të integrimit të vendeve të Ballkanit...
Fërkimi më vete bart korrentet nënujore të së drejtës së dominimit: nëse një akt është heretik , atëherë fuqia që e shpall herezinë (kishtare, juridike, politike) është forca drejtuese. Nën sipërfaqen e ujit, pra, kemi të bëjmë për luftë primati.
3.
Përshkallëzimi është i lehtë dhe është lehtë i identifikueshëm.
Pra, përtej Bregoviqit u kalua në luftën se a është “kombëtare” të ftohet të këndojë në Korçë, gjegjësisht pse është “fashiste” të kundërshtohet ftesa. Shkalla imediate e mëpastajme është se “Ballkani i Hapur” për të cilin angazhohet kryeministri i Shqipërisë është një “kurth kombëtar” për të folmen shumicë në Kosovë ndërsa për vet kryeministrin rezistenca ndaj këtij projekti është një primitivizëm ballkanik. (Kryeministri i Shqipërisë dhe presidenti i Serbisë, sipas këtij të fundit, kalojnë mbi gjysmë ore duke qeshur në telefon rreth reagimeve publike ndaj “Open Balkan” në shqip dhe gjuhën serbo-kroato-boshnjako-malazeze). Më shumë se me materien (Bregoviq apo Ballkani i Hapur) çështjet arrijnë tek konfliktit për përcaktuesin e Kryelibrit moral të shqiptarizmës dhe Priftit sipëror të tij. Qartazi, nuk ka të bëjë as me tekstin e as me kontekstin e këngëve të një këngëtari, as me të drejtën e lëvizjes së lirë në Ballkan, por ka të bëjë me atë se a e kalon teksti, konteksti e cilido plan shkallën e mjaftueshme të “shqiptarizmës”. Problemi, për këtë argumentim, është se nuk ekziston një “kodeks i shqiptarizmës”.
Në fakt, as që ka ekzistuar ndonjëherë, dhe, për më tepër, jo vetëm për shqiptarët. Nuk ekziston as për ndonjë popull tjetër: nuk ka libër që do të definojë përcaktimin moral të gjermanit, italianit apo japonezit. E as librat e shenjtë të monoteizmit nuk janë të tillë: çka ishte e detyrueshme për një katolik gjatë inkuizicionit nuk është moralisht e pranueshme për katolikun e sotëm; obligimet kuranore të mesjetës interpretohen ndryshe në moralitetin e besimtarëve islamë në shekullin XXI. Moraliteti, si edhe çdo rrëfim tjetër, vazhdon të ndërtohet me kohë.
4.
Përse atëherë gjithë kjo ngarendje për primatin e “moralitetit të shqiptarizmës”?
Arsyeja mund të jetë e thjeshtë në tërë ndërlikimin e saj. Prej lëvizjes së Kosovës për pavarësi janë zvetënuar në Kosovë ideja dhe besimi për Shqipërinë si shtet amë. Kur, e unë isha pjesë e udhëheqjes së asaj lëvizjeje, u ballafaquam me kundërthënien e brendshme, si mund të angazhohemi për shtet të pavarur të Kosovës e njëkohësisht ta konsiderojmë Shqipërinë si “shtet amë”, e braktisëm në formë të vetëdijshme nocionin e Shqipërisë si shtet amë. Me shpalljen e Kosovës shtet të pavarur, ideja e Shqipërisë si shtet amë mori fundin e vet logjik.
Vdekja e nocionit të shtetit amë shkon bashkë me nocionin se tashmë ekzistojnë së paku dy shtete që mund të përcaktojnë “shqiptarizmën” (çfarëdo që të nënkuptohet me këtë). Por, ky realitet po ka vështirësi të akomodohet. Diskursi kosovar, i ngritur prej kohësh në autoidentifikimin si ai i “pastërtisë kombëtare”, nuk arrin të lirohet prej inercsë të “drejtës së lindur” që të mbajë ligjërim se si duhet të sillet Shqipëria, sundimtarët e mendimtarët e saj, bashkitë e fabrikantët e birrës. Diskursi i kryeministrit të Shqipërisë nuk po arrin të lirohet prej inercisë së “drejtës së lindur” që t’u tregojë kosovarëve dhe Kosovës provinciale se çka është interes i tyre në botën e të mëdhenjve. Asnjëri prej këtyre diskurseve nuk po arrin të njohë se realiteti i sotëm tashmë nuk është përkatës për komunikim kushërinjsh që jetojnë në një hapësirë të papërcaktuar. Realiteti i sotëm është se ekzistojnë dy shtete të pavarura.
Realiteti i sotëm është se ka vdekur nocioni i shtetit amë. Vetëm se ende nuk është varrosur.
Këtë e vërtetoi “Orkestra për dasma e varrime”.