Opinioni i formuluar nga Auditori tregon se vjedhja e milionave, punësimet dhe kurdisja e tenderëve janë mënyra të funksionimit të Qeverisë, Kuvendit, prokurorive, gjykatave dhe institucioneve të tjera publike. Është filozofi jete e shumicës së të punësuarve në të. Se ata janë të bashkuar rreth “hajnisë”, se nuk e kanë frikën e dënimit me burgim, të përjashtimit nga puna, e të ndëshkimit publik nga qytetarët-votues
Zyra Kombëtare e Auditorit ka gjetur qindra shkelje procedurale në institucionet publike. Ka gjetur edhe keqpërdorime financiare në vlera milionëshe.
Por historia e punës së saj mbyllet me publikimin e raporteve. Ka thënë se nuk i intereson nëse Prokuroria e Shtetit angazhohet për të gjetur fajtorët e keqpërdorimeve, apo nëse Kuvendi i Kosovës, si institucioni që monitoron punën e Qeverisë dhe të institucioneve të tjera, i merr në përgjegjësi autorët.
Megjithatë, ZKA-ja është tradhtuar nga parimi i punës së saj. Nëpërmjet një opinioni standard, që ua përshkruan të gjitha institucioneve të audituara, pa dashje zbulon turpin e pushteteve kryesore. Në raportet e saj, veç tjerash, thuhet se institucionet përsërisin shkeljet dhe nuk zbatojnë rekomandimet e dhëna vit pas viti. Në shikim të parë duket një fjali pa peshë. Por në të vërtetë, ky opinion tregon më së miri se vjedhja e milionave, punësimet familjare e partiake, si dhe kurdisja e tenderëve, janë mënyra të funksionimit të Qeverisë, Kuvendit, prokurorive, gjykatave dhe institucioneve të tjera publike. Është filozofi jete e shumicës së të punësuarve në të. Se ata janë të bashkuar rreth “hajnisë”, se nuk e kanë frikën e dënimit me burgim, të përjashtimit nga puna, e të ndëshkimit publik nga qytetarët-votues.
Nga shumë raporte të Auditorit, këtë vit ka rënë në sy keqpërdorimi i afro dy milionë eurove në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale. Auditori e ka quajtur skandalin me shprehje të butë “gabim”, ani që aty bëhet fjalë për vjedhje të pastër. Të përfshirë në krimin me pensionet janë dy palë - klientët përfitues dhe administratorët, që kanë miratuar vendimet për ta. Afro një milion euro pensione i kanë marrë të punësuarit, qindra mijëra euro të tjera personat që kanë pasur një pension tjetër, si dhe familjarët e personave të vdekur. Bëhet fjalë për një armatë abuzuesish. Në mesin e tyre është thënë se ka edhe punëtorë të institucioneve të sigurisë, madje edhe eprorë e zyrtarë të lartë qeveritarë. Inspektorati i Policisë ka kërkuar suspendimin e 94 pjesëtarëve të këtij shërbimi, të cilët me vite kanë punuar duke marrë njëkohësisht pensione invalidore ose shëndetësore.
Keqpërdorime financiare ka edhe nga stafi akademik i “tempullit të dijes”, përkatësisht Universitetit e Prishtinës, por edhe nga fermerët që kanë mashtruar shtetin duke ua marrë subvencione qindra mijëra euro për projekte fiktive.
Mijëra të tjerë mashtrues nga radhët e “popullit” janë edhe në institucionet e tjera, duke i bërë statistikat të frikshme, deri aty sa mesatarisht mund të dalë që secila familje kosovare e ka të paktën një kriminel.
Në një shtet normal, pas këtij raporti, jo Ministria e Punës, por kreu i Qeverisë do të duhej po atë ditë të mbante mbledhje të jashtëzakonshme. Të zotohej se i gjithë zinxhiri i zyrtarëve që ka administruar me kategoritë ku janë evidentuar shkeljet do të merret në përgjegjësi - hapi i parë do të ishte shkarkimi i tyre nga puna, ndërsa hapi i dytë ftesa publike organeve të drejtësisë për nisjen e hetimeve (ani që këto pushtete janë të ndara dhe kjo nuk është e domosdoshme).
Reagimi duhej të vinte edhe nga Kuvendi, sidomos nga partitë opozitare. Ndërsa, vala e arrestimeve dhe e përjashtimit nga puna do të duhej të shtrihej në të gjitha ministritë, ndërmarrjet publike dhe agjencitë e varura e të pavarura, kudo që Zyra Kombëtare e Auditimit ka konstatuar “gabime”. Pra edhe në Prokurori dhe në gjykata, deri te ajo Kushtetuese.
E mira e një aksioni gjithëpërfshirës nuk është vetëm ekonomike. Më shumë se kjo do të kthehej besimi i humbur i qytetarëve në shtetin, dhe do të rritej besimi në institucionet qeverisëse se mund të garantojnë mirëqenien qytetare.
Por meqë nuk jemi shtet normal, nuk kemi udhëheqje normale, edhe nuk mund të priten veprime normal.
Dy milionë eurot e vjedhura nga “pensionistët” dhe gjetjet e tjera të Auditorit janë qesharake për shumicën e pushtetarëve, ashtu siç janë 53 milionët e taksapaguesve, që iu ndanë ndërtuesit të autostradës, dhe për to nuk u mor askush në përgjegjësi. Edhe Kuvendi është i populluar me njerëz që kanë histori kriminale. Ndërsa, shumica e tyre kanë përdorur fuqinë politike për të punësuar të afërmit në institucione, ku tash konstatohen shkelje. Ka edhe që kanë ushtruar kohë të gjatë funksione qeveritare, andaj heshtin, ashtu si heshtin, po për arsye të tjera prokurorët dhe gjyqtarët.
Kjo strukturë kriminale e shtrirë gjerë e gjatë në shoqërinë tonë ua ka humbur kuptimin thirrjeve për drejtësi. Ia ka humbur kuptimin punës së Zyrës së Auditorit, Agjencisë Kundër Korrupsionit, por më së shumti infrastrukturës së ligjeve, me të cilat mburremi se i kemi të harmonizuara me ato të BE-së, dhe se e garantojnë demokracinë.
Kjo gjendje krize, ku vendet e punës dhe paratë abuzohen në mënyrën më çnjerëzore, e bën të cenueshme sigurinë e qytetarëve. Shpresat se njerëzit me të kaluar të errët do të largohen nga skena sa vijnë e zbehen. Për më tepër që ata vazhdojnë të mbeten të adhuruarit e “popullit”. Se publikimi i fakteve për përfshirjen e tyre në skema krimi financiar, për kapjen me forcë të institucioneve të drejtësisë, të shëndetësisë, arsimit,... për monopolin në sektorin privat, që atyre ua ka mundësuar vjedhja e përvitshme e milionave nga buxheti, nuk e ul vlerën e tyre në tregun zgjedhor. Përkundrazi.
Dhe prandaj, nuk duhet çuditemi se pse militantët e një partie, tash, për ta kthyer pushtetin në një komunë, në të cilën kanë humbur në dy palë zgjedhje rresht, kanë vendosur ta rikandidojnë një person të konsumuar në politikë, dhe për më keq të akuzuar për korrupsion. Mbase kanë të drejtë – e kanë kuptuar se plotësimi i këtij kriteri është “çelësi i suksesit”. Se hajnia është e përbashkëta e udhëheqësve të shtetit, e partive politike dhe elektoratit të tyre.