OpEd

Rrena e vërtetë

Pas dy dekadave, faktorëve që besonin në profesionalizmin tim iu kujtua për të propozuar një gjykatë dhe rezolutë për gjenocidin e forcave serbe në Kosovë. Unë e pata humbur besimin para njëzet vjetëve. Meqë kuptova se këta i harrojnë shumë shpejt krimet që duhet mbajtur në mend, ndërsa vazhdimisht e kanë në mend pushtetin. Shpresoj se qytetarët po e kuptojnë pse pas njëzet vjetëve të vërtetat për krimet serbe politikanët po mundohen për t’i mbrojtur me rrena

S’ka dilemë. Para rreth njëzet vjetëve bota demokratike e ka ditur të vërtetën për cenimet dhe shkeljet sistematike të të drejtave humane nga regjimi serb në Kosovë. Si reagim ndaj kësaj të vërtete aksiomatike aleanca demokratike e bombardoi shkaktarin e kësaj gjendjeje... Pas njëzet vjetëve dikush është kujdesur që në ndërtesën e sovranit ta shfaqë fotografinë, e cila dhunimet e vërteta ndaj grave dhe burrave të forcave serbe t’i paraqesë si të rrejshme. Spin-doktorët po kujdesën që rrena të jetë stereo e vërtetë…

Pse erdhëm në këtë derexhe? Si është e mundur që të vërtetat e pakontestuara po kontestohen pas njëzet vjetëve ? Si është e mundur që liderët politikë shfaqeshin para kamerave televizive në përvjetorë të shumtë dhe nuk bënë asgjë që shkaktarët e krimeve të merrnin epilog të merituar në institucione juridike? Por bënë të pamundurën që të na bindnin se liria dhe pushteti pa ta nuk ishin të mundshëm. Ndërsa komandantët e shumtë bashkëkombësit i bindnin se kishim ushtri çlirimtare, ndërsa kur gjykoheshin në Hagë mohonin se kishin hierarki përgjegjëse ushtarake. Pse gjatë njëzet vjetëve të lirisë ngjarjet e vërteta trishtuese po mohohen. Edhe më keq ,të mbrohen me rrena të vërteta siç ndodhi me fotografinë që po bën antihistori kombëtare. Sa ishte qëllimi i tyre i vërtetë për t’u çliruar nga dhuna serbe kur të njëjtit fabrikuan trefishimin e veteranëve të rrejshëm ? Pse çlirimtarët nga Serbia e robëruan të vërtetën e luftës? Pse u besuam atyre që në emër të luftës po na e rrezikojnë të ardhmen? Pse shumë qytetarë u krenuan me ata që nga viti në vit e turpëruan veten dhe më shumë Kosovën? Pse komandantët patën kohë dhe gjetën mënyrat për t’u pasuruar e nuk patën kohë dhe nuk gjetën mënyrën për të ngritur padi për krimet dhe gjenocidin e forcave serbe deri sot? Pse krimet dhe gjenocidin ndaj shqiptarëve nga forcat serbe lidershipi politik i Kosovës e përkujtonte në përvjetorë sa për të përmirësuar imazhin dhe pozitën politike? Aty-këtu u dhanë disa deklarata se do të ndiqet Serbia për krimet që i ka shkaktuar në Kosovë, të cilat nuk u realizuan kurrë. Rrjedhimisht, sa më shumë zbehej interesimi për t’i ndriçuar krimet dhe qindra masakrat, aq më shumë intensifikohej propaganda serbe për t’i mohuar ato. Jemi dëshmitarë se kulmi i mohimeve është arritur këtë viti me rastin e përkujtimit të krimit mizor në Reçak, i cili ishte shkas i kthesës historike… Pse?

Pas përfundimit të luftës me ndihmën e disa “idealistëve” që kishin besim në profesionalizmin tim më ndihmuan për të edituar gazetën “Dita”. Starti ishte i furishëm. Por koncepti i politikës redaktoriale hasi në kundërshtim me politikën e UNIMIK-ut, fatkeqësisht edhe të “idealistëve” që besonin në profesionalizmin tim, të cilët heshtazi u rreshtuan me UNMIK-un. Për UNMIK-un dhe “idealistët”, që besuan fillimisht në profesionalizmin tim, ka qenë me e rëndësishme që gazeta me publikimin e detajeve të personave për të cilët ka dëshmi se ishin të përfshirë në krime gjatë luftës të mos u rrezikohej liria e tyre. Ndërkaq unë kam menduar se derisa të jenë të lirë personat që dyshohet se kanë bërë krime gjatë luftës do të rrezikohen liria dhe siguria, si dhe e ardhmja e Kosovës. Në “Dita” insistoja me të drejtë se nëse nuk bëheshin transparentë emrat e të gjithë atyre që ishin përfshirë në krime kundër shqiptarëve në Kosovë, mund të pësonin pa arsye serbët të cilët e kanë vendin dhe perspektivën në Kosovë. Për ndërkombëtarët, heshtazi edhe për”idealistët”, falja dhe toleranca e qytetarëve të Kosovës duhej të fillonin pavarësisht se asnjë kriminel nuk ishte gjykuar… Për mua, derisa në Kosovë të mos funksionalizohet drejtësia do të ketë pretekste për hakmarrje , revanshizëm dhe hasmëri …. Gjatë gjykimit pata thënë se ata që me të vërtetë dëshirojnë sigurinë e edhe kthimin e serbëve që nuk i kanë përlyer duart kundër shqiptarëve gjatë luftës dhe inkriminimin e atyre që janë përfshirë kundër shqiptarëve, atëherë ndërkombëtarët duhet t’i largojnë disa persona që e kanë vendin në gjyq e jo të punësohen në UNMIK ?! Dallimet na sollën para dy kontesteve të fituara. Fillimisht në Gjykatën Komunale dhe Bordin e Apelit. ”Dita” doli fituese, por pasojat e një diskriminimi të tillë shkaktuan mbylljen. Para anëtarëve të ngushtë të stafit redaktorial morëm unanimisht vendimin që ta ndërprisnim editimin në mënyrë të ndershme sesa të vazhdonim në mënyrë të pandershme.

Pas dy dekadave, faktorëve që besonin në profesionalizmin tim iu kujtua për të propozuar një gjykatë dhe rezolutë për gjenocidin e forcave serbe në Kosovës. Unë e pata humbur besimin para njëzet vjetëve. Meqë kuptova se këta i harrojnë shumë shpejt krimet që duhet mbajtur në mend, ndërsa vazhdimisht e kanë në mend pushtetin. Shpresoj se qytetarët po e kuptojnë pse pas njëzet vjetëve të vërtetat për krimet serbe politikanët po mundohen për t’i mbrojtur me rrena.