Serbia nuk është e interesuar për asnjë marrëveshje. Ajo është e interesuar t’ia zgjidhë vetes pozitën brenda Evropës derisa mbetet i vetmi aleat i Rusisë dhe të vazhdojë të hajë me dy lugë. E ndërkohë edhe ta ketë përkrahjen e portparolit të rrëmujave, që në vend se t’i bëjë trysni Vuçiqit, u bën trysni kosovarëve. Dhe vetëm këtu do të pajtohesha me të, ku thotë: “Të mos harrojmë sa shumë kanë përfituar të tjerët në kurrizin tonë, mbi shpatullat tona, për shkak të telasheve që kemi hapur vetë”. Mos e vet, se të kallëzon vetë
“Fqinjët nuk i zgjedh. Gjyshja ime më tha ‘komshiu i lumtur, shtëpi e lumtur’. E kundërta është thjesht një makth. Ne jemi këtu për të qëndruar. Serbia nuk do të shkojë kurrkund, ashtu si dhe kroatët, malazezët. Të gjithë ne do të jemi këtu. Na duhet ta zgjidhim dhe të rritemi dhe të harrojmë të gjithë rrëmujën që kemi krijuar për njëri-tjetrin. Të mos harrojmë sa shumë kanë përfituar të tjerët në kurrizin tonë, mbi shpatullat tona, për shkak të telasheve që kemi hapur vetë. Sa e madhe është humbja për të investuar në urrejtje. Rruga është ende e gjatë për ne. Por sot jemi një vend më i mirë, krahasuar me ku ishim”. Këtë e tha dje kryeministri i Shqipërisë, në Konferencën e 18-të të nismës Adriatiko-Joniane, duke iu referuar, natyrisht, raporteve me Serbinë.
Nuk e di nëse e ka përmendur nismën “Ballkani i Hapur”, porse e di që z. Rama e ka një problem shumë serioz me gjeografinë. Kur e kisha dëgjuar herën e parë ta ketë përmendur Serbinë si fqinje, thosha është gabim i pavetëdijshëm që mbase i ka ikur. Porse përsëritja e përhershme e një gjëje të tillë, të bindë se ashtu në të vërtetë edhe e mendon. Dhe me atë rast gabon. Edhe shumë bile.
Për shkak se Kosova është shtet i pavarur, të cilin e ka njohur Shqipëria dhe gjeografikisht qëndron ndërmjet Shqipërisë e Serbisë. Të thuash se Serbia është fqinje e Shqipërisë ia bën qejfin Serbisë që ende na mban në Kushtetutën e vet si pjesë territoriale të saj. E nëse mendon se kështu po e bashkon Kosovën me Shqipërinë, edhe këtë e ka gabim, sepse nuk mundet.
* * *
Më irrituesja në gjithë këtë fjalim është përdorimi i shprehjes “rrëmujë” dhe relativizmi i “telasheve” të vuajtura prej të gjithëve. Prej historisë së shkuar kemi mundur të mësonim nga librat që janë shkruar, se kush kujt i ka shkaktuar telashe dhe çfarë telashesh paskan qenë ato. Porse në historinë e vonë, të cilën e kemi jetuar vetë, e kemi ditur saktësisht se çfarë na ka ndodhur neve në Kosovë, e që as në mend nuk na bie ta quajmë rrëmujë.
Ta quash rrëmujë vrasjen e mbi 10 mijë njerëzve, dhunimin e mijëra grave e burrave, dëbimin e dhunshëm të gjysmës së popullatës, shkatërrimin masiv të të gjithë ekonomisë dhe pasojat jashtëzakonisht të rënda që iu shkaktuan arsimit e shëndetësisë, është tejet ofenduese. Dhe mbase Rama mund t’i harrojë, ngase nuk e ka përjetuar asnjërën nga këto në lëkurë të veten, porse ne nuk mund t’i harrojmë as represionin, as aparteidin e as luftën.
Dhe nuk mund të harrojmë se të gjithë muhabetin e mirë politik që e ka, e ka me Vuçiqin pse do vetë, e jo përse duhet ulur e biseduar me të për njohjen e ndërsjellë. Sepse më parë tingëllon si avokat i Serbisë sesa si mbrojtës i interesave të shqiptarëve, ani që nuk jetojnë në një shtet të vetëm.
Ta quash gjendjen në Ukrainë luftë, e luftën në Kosovë rrëmujë, shkon përtej diplomacisë së balancuar. Shkon drejt rikujtimit të dhimbshëm të periudhës më të rëndë nëpër të cilën kemi kaluar nga fundi i shekullit XX. Nuk mund të flasin, për fat të keq, ata 1.617 persona të pagjetur. Ata do të tregonin për tmerrin që nuk mund të reduktohet në një fjalë të përzgjedhur pa asnjë fije konsiderate, pa asnjë fije respekti.
* * *
E meqë u përmend rrëmuja, e tillë do të mund të quhej ajo që ndodhi gjatë javës në Kuvendin e Kosovës.
Më në fund u gjet formula për ta votuar komisionin hetimor për energjinë. Në fakt, formula formoi dy komisione hetimore, të cilat kanë mundur të votoheshin para sa javësh, ndërkohë që puna në Kuvend do të stabilizohej dhe do të shkohej para me votimin e ligjeve të reja.
Kësaj radhe, atë të cilët në të kaluarën e kishin gëlltitur gazin lotsjellës dhe ishin shurdhuar filikaçkat (mungoi kategoria e hedhjes së vezëve) u bënë të zhurmshëm dhe filluan ta pengonin punën e plenares. Nisën me rrahje tavolinash me dorë, prej nga kaluan në përplasje gotash e shishesh, duke e dëmtuar jo pak inventarin e sallës plenare. Po të kishte rend e ligj në këtë, këta deputetë do të duhej të detyroheshin ta paguajnë dëmin e shkaktuar nga rrogat e tyre. Për shkak se e kanë shkatërruar një të mirë që është pronë publike.
Dhe po të kishte sinqeritet në mesin e “përfaqësuesve të popullit”, do të duhej themeluar një komision hetimor i veçantë për të zbuluar se sa dëme fizike e materiale kanë shkaktuar të gjithë deputetët e kaluar dhe të tashëm me sjelljet e tyre joparlamentare dhe të detyroheshin që të paguanin, edhe retroaktivisht. Porse po e di se kjo punë nuk do të ndodhë.
Në plenare u dëgjua zhurma, u panë “vjedhje” kutish votimi e madje edhe hedhje të tyre dhe një hallakamë me të cilën tashmë janë duke na mësuar, që më në fund u zgjidh me një mbledhje të shefave të grupeve parlamentare ftuar nga kryetari i Kuvendit, i cili më pas me mocion e zgjidhi nyjën, pasi u arrit konsensusi për dy komisione. U shkua në votimin e kandidatëve për Gjykatën Kushtetuese, dhe për të dytën herë procesi ra në ujë dhe u kthye në pikën zero. Nejse, tash bile nuk kanë asnjë alibi e as arsye që të mos i votojnë marrëveshjet ndërkombëtare që kanë mbetur peng, e prej të cilave do të mund të përfitonte masa.
* * *
Dhe derisa ende po insistohet që të lejohet tërheqja e mjeteve nga Trusti pensional, që sikurse u pa herën e shkuar u shkoi për shtati atyre që i kanë rrogat e mëdha, doli një statistikë shumë interesante përgatitur nga instituti GAP. Sipas këtij instituti, nga fundi i vitit të shkuar madje 21% e punëtorëve e kishin rrogën bruto ndërmjet 170 e 264 euro – pra njerëz që brenda dhjetë vjetësh pune, do të mund t’i mblidhnin ndërmjet 2000 dhe 3000 euro kursime pensionale. Të supozojmë se vendoset tërheqja e 30% të Trustit, ata do t’i merrnin 600, përkatësisht 900 euro, të cilat, sipas ministrit të Financave nuk kanë se si të mbulohen nga arka e shtetit.
Pra, po të lejohej tërheqja e kursimeve, mjetet e kursyera do të zvogëloheshin dhe do të nevojiteshin edhe së paku tre deri në katër vjet, me këto paga, që të kthehen te gjendja aktuale.
Edhe pse ky vend ka nevojë urgjente për para në qarkullim, po qe se nuk sigurohet që bile punëtorëve me kursime më të vogla t’u subvencionohet tërheqja nga Trusti, nuk e besoj se është ide e mirë kjo tërheqje parash, sidomos kur dihet se Kosova nuk ka as Fond për Sigurime Shëndetësore e as Fondin Pensional-Invalidor. Shtetet e ish-Jugosllavisë i kanë ruajtur këto fonde nga koha e ish-shtetit, e neve “rrëmuja” e quajtur Serbi, lëre që na i mbylli e shkatërroi, por na i vodhi krejt paratë që i kishim mbledhur vetë ne me kontribute mujore.
* * *
Pardje në Gjermani u mbajtën takimet e ndara mes kryeministrit gjerman Scholz dhe Kurtit e Vuçiqit. Nuk pati ndonjë konferencë shtypi, pati statuse nëpër rrjete sociale, pati një foto në darkë me Lajçakun dhe pati një zilion komentesh në FB që kryesisht merreshin me kritikat që i bëheshin Kurtit që kishte thënë se nuk do të takohej me Vuçiqin dhe se dialogun do ta zhvillonte me serbët lokalë. Pati një mori komentesh në lidhje me gjuhën e trupit të personazheve të takimeve... doli një lëmsh i paparë interpretimesh nga “ekspertët” e një lëmit të paeksploruar te ne deri tash... një rrëmujë, po jo asi e Edi Ramës.
Nejse, e gjitha mbeti të vazhdohej në Bruksel brenda dy javësh, ndërkohë që Kurti do të shkojë në SHBA, jo me ndonjë agjendë të qartë se kë do ta takojë pos përfaqësuesit e Fondacionit të Mijëvjeçarit.
Se çfarë do të ndodhë në Bruksel, pak a shumë po e dimë: pa një trysni më të fuqishme ndaj Serbisë, sidomos për shkak të moszbatimit të sanksioneve ndaj Rusisë, nuk do të ketë ecje para. Serbia nuk është e interesuar për asnjë marrëveshje. Ajo është e interesuar t’ia zgjidhë vetes pozitën brenda Evropës derisa mbetet i vetmi aleat i Rusisë dhe të vazhdojë të hajë me dy lugë. E ndërkohë edhe ta ketë përkrahjen e portparolit të rrëmujave, që në vend se t’i bëjë trysni Vuçiqit, u bën trysni kosovarëve. Dhe vetëm këtu do të pajtohesha me të, ku thotë: Të mos harrojmë sa shumë kanë përfituar të tjerët në kurrizin tonë, mbi shpatullat tona, për shkak të telasheve që kemi hapur vetë”.
Mos e vet, se të kallëzon vetë.
flaka@koha.net