OpEd

Rrëmbimi i vetëkënaqësisë perëndimore

Duke pasur parasysh se Nexta e ka selinë në Poloni, ia vlen që të shtrohet pyetja nëse autoritetet polake kanë bërë krejt çfarë kanë mundur – nëse fare kanë bërë ndonjë gjë – për ta mbrojtur dhe paralajmëruar atë dhe kolegët e tij për rreziqet që u kanosen. Duhej të ishte e qartë se Protasevichi dhe Putilo ishin në rrezik. Është më se e ditur se Rusia dhe Bjellorusia do t’i vënë në shënjestër ata që i konsiderojnë tradhtarë, edhe kur ndodhen gjetkë. Tani është bërë më se qartë se edhe sa larg do të shkojnë për ta arritur këtë qëllim

Presidenti bjellorus, Aleksandr Lukashenko, ka demonstruar edhe një herë se sa larg mund të shkojë për t’i shtypur kundërshtarët e tij.

Më 23 maj ai e nisi një aeroplan luftarak të tipit MiG-29 për ta detyruar uljen e një avioni komercial, i cili po fluturonte nga Athina në Vilnius, pak kohë para se ai të hynte në hapësirën ajrore bjelloruse. Qëllimi ishte që të kapej Roman Protasevichi, ish-kryeredaktori i publikimeve opozitare bjelloruse dhe i kanalit të medias sociale Nexta, i cili u arrestua menjëherë pasi që aeroplani aterroi në Minsk.

Por arsyeja pse një regjim që veçse është nën sanksionet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të Bashkimit Evropian do të shkonte aq larg sa ta rrëmbente një aeroplan që fluturonte prej një shteti anëtar të BE-së në tjetrin nuk është aq vështirë të kuptohet.

Nexta është armiku publik numër një i Lukashenkos. Duke qenë më shumë sesa vetëm një portal lajmesh me miliona ndjekës përreth platformave të shumta të mediave sociale (veçmas në Telegram), Nexta ka qenë kanali i vetëm dhe më i rëndësishmi për informim në Bjellorusi pas zgjedhjeve të manipuluara presidenciale të vendit në gushtin e shkuar.

Përveç raportimit mbi shtypjen e dhunshme të demonstruesve paqësorë nga ana e forcave bjelloruse të sigurisë, Nexta ka ofruar instruksione të përditshme se kur, ku dhe si duhej të mobilizoheshin bjellorusët gjatë protestave masive mbarëvendore të vjeshtës së shkuar kundër fitores së rreme zgjedhore të Lukashenkos. Thirrjet e saj të së dielës për një Marsh Kombëtar të Lirisë kanë grumbulluar më shumë se 200.000 njerëz në rrugët e Minskut. Dhe krejt këta demonstrues dinin saktë çfarë të bënin, ngase e ndiqnin doracakun e publikuar nga Protasevichi dhe kolegu i tij, themeluesi i Nextas, Stepan Putilo.

Pas kësaj kryengritjeje të pashembullt, regjimi i Lukashenkos panikoi dhe për një arsye goxha të mirë. Nexta mblidhte dhe shpërndante informata dhe fotografi prej secilit cep të Bjellorusisë. Gjithsecili mesazh, akëcila fotografi dhe thirrje e publikuar për veprim u bënë virale, duke depërtuar te njerëzit në krejt vendin dhe përreth botës.

Çelësi i fuqisë së Nextas ishte se selinë e kishte jashtë Bjellorusisë, në Varshavë. Regjimi i Lukashenkos nuk mund as t’ia ndalte qasjen në internet dhe as ta burgoste apo t’i hapte zjarr, siç ende bën me mediat e tjera opozitare dhe protestuesit në Bjellorusi. Lukashenko pa dyshim se ishte xhindosur nga fakti se protestuesit po udhëzoheshin jo aq shumë nga Svetlana Tikhanovskaya, fituesja e mundshme e zgjedhjeve të gushtit, por nga një operues i pakapshëm i mediave-lajmeve përtej kufijve të Bjellorusisë.

Qysh nga publikimi gjatë marsit i një filmi dokumentar në Nexta që i ekspozonte pasuritë e Lukashenkos të fituara jashtëligjshëm (ngjashëm si në rastin e videos së kohë më parë rreth presidentit rus, Vladimir Putin, publikuar nga lideri tanimë i burgosur opozitar, Alexei Navalny), Lukashenko ishte përgatitur që t’i lëkundte tokë e qiell për t’i çmontuar këta gogolë njëzet e diçka- vjeçarë. Në mendjen e tij, Nexta është gur themeli që i mbështet të gjitha frontet e ndryshme të rezistencës.

Shkaku se aeroplani i Rynairit ishte shumë më afër Vilniusit sesa Minskut, pretendimi i regjimit të Lukashenkos se një kërcënim me bombë e bënte të detyrueshëm uljen emergjente në kryeqytetin bjellorus është jokredibil. Në momentin që aeroplani ishte në tokën e Minskut, u bë një shou i rrufeshëm i kontrollimit të pasagjerëve dhe valixheve të tyre para se të kapeshin ngutshëm disidenti i ri dhe e dashura e tij.

Burgosja e të dashurës së Protasevichit përbën një metodë klasike të KGB-së (siç edhe quhet shërbimi bjellorus i sigurisë), veçmas kur synimi është që të nxirret pranimi i fajit.

Protasevichi është një pre jashtëzakonisht e çmueshme për Lukashenkon, ngase (supozon diktatori) ai i ka kontaktet e faktikisht të gjithë aktivistëve të Bjellorusisë. Një ditë pas kapjes së Protasevichit, regjimi e publikoi një video të tijën në të cilën e pranoi pjesëmarrjen e mëparshme në protesta.

E njëjta taktikë ishte përdorur edhe me Tikhanovskayan, bashkëshorti i së cilës veçse është në burg. Kur ajo ishte kapur pas protestave të para të gushtit në Minsk, ishte detyruar që ta xhironte një fjalim që thërriste për përfundimin e kryengritjes, sipas të gjitha gjasave pasi që e kishte parë se bashkëshorti i saj po kërcënohej me tortura. Që atëherë ajo është dëbuar nga vendi dhe ngase çdokush në Bjellorusi është i familjarizuar me këto metoda, askush nuk e fajësoi se ka qëndruar kryesisht anash.

Rrëmbimi kishte për synim që të dërgonte një mesazh. Opozitës Lukashenko donte që t’i thoshte: “Ditët tuaja janë të numëruara. Ju jeni tradhtarët dhe ne i vrasim tradhtarët”. E Bashkimit Evropian ai ia ka paraqitur një sfidë të drejtpërdrejtë: “Mund t’ju bëjmë budallenj sa herë që na përshtatet dhe ju nuk do të na lëndoni, ngase jeni të dobët”.

Konstatimet e tilla nuk janë të pajustifikuara. Para së gjithash, Kremlini, mbështetësit e brendshëm të së cilit iu gëzuan rrëmbimit dhe arrestimit të Protasevichit, e helmoi Navalnyn me një agjent nervor dhe pagoi pothuajse kurrfarë çmimi për këtë punë. Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe dhe BE-ja shprehën shqetësime dhe i vendosën sanksione simbolike, përderisa Rusia u kundërpërgjigj duke e mbyllur Navalnyn në një kamp pune.

Kur Republika Çeke bëri të ditur muajin e shkuar se Rusia qëndronte prapa shpërthimeve në depo të armëve që lanë të vdekur dy çekë më 2014, reagimi ishte pak a shumë i njëjtë.

Në fakt, administrata e presidentit amerikan, Joe Biden, vetëm sa ia ka hequr sanksionet një kompanie që po e ndërton gazsjellësin “Nord Stream 2” ndërmjet Rusisë dhe Gjermanisë.

Qartazi është paraja e jo parimet, që çon peshë.

Lukashenko është duke e ndjekur shembullin e Rusisë. Kremlini prej kohësh është lavdëruar me turpërimin e shërbimeve të jashtme të sigurisë që provojnë t’i mbrojnë figurat opozitare, rëndom duke i sulmuar të drejtat e disidentëve në ekzil para hundës së tyre, si në rastin e tentimvrasjes së Sergei Skripalit në Salisbury të Anglisë gjatë marsit të 2018-s.

Duke pasur parasysh se Nexta e ka selinë në Poloni, ia vlen që të shtrohet pyetja nëse autoritetet polake kanë bërë krejt çfarë kanë mundur – nëse fare kanë bërë ndonjë gjë – për ta mbrojtur dhe paralajmëruar atë dhe kolegët e tij për rreziqet që u kanosen. Duhej të ishte e qartë se Protasevichi dhe Putilo ishin në rrezik. Është më se e ditur se Rusia dhe Bjellorusia do t’i vënë në shënjestër ata që i konsiderojnë tradhtarë edhe kur ndodhen gjetkë. Tani është bërë më se e qartë se edhe sa larg do të shkojnë për ta arritur këtë qëllim.

(Sławomir Sierakowski, themelues i lëvizjes “Krytyka Polityczna”, është drejtor i Institutit për Studime të Avancuara në Varshavë dhe anëtar i lartë i Këshillit gjerman për Marrëdhënie me Jashtë. Ky vështrim është shkruar ekskluzivisht për rrjetin ndërkombëtar të gazetarisë “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”).