OpEd

Rrëfime që neveritin e duhet të alarmojnë

Jo të pakta janë rrëfimet që neveritin e duhet të alarmojnë nga Klinika e Gjinekologjisë. Që tregojnë se një pjesë e personelit nuk e ka ndjeshmërinë dhe përkushtimin për punën që bën. Kjo shkon përtej të qenit apo jo profesionist

Rrëfimet nga klinika ku nis jeta nuk janë ngazëlluese, ashtu siç është fillimi i jetës së një mrekullie. Grave e nënave që u ka rënë të kalojnë nëpër Gjinekologjinë e Qendrës Klinike, Universitare të Kosovës, këto rrëfime mund t’u duken të njohura, edhe nëse s’i kanë përjetuar vetë.

Varësisht nga disponimi i një pjese të stafit të kësaj klinike, sepse jo të gjithë mund të futen në një thes, përjetimet e pacienteve që kanë nevojë për trajtim në këtë klinikë mund të jenë të ndryshme. Por jo të pakta janë rrëfimet si këto në vazhdim, e që tregojnë se një pjesë e personelit aty nuk e ka ndjeshmërinë dhe përkushtimin për punën që bën. Kjo shkon përtej të qenit apo jo profesionist. Ka të bëjë me Betimin e Hipokratit, e përtej kësaj të njerëzillëkut që edhe po të mos ishin mjekë do të duhej ta kishin.

“Sjellje jonjerëzore”

Ditët që kaloi në Klinikën e Gjinekologjisë, një të reje që dështoi të bëhej nënë, e bënë që ta urrejë emrin e vendit ku shpresonte se në jetë do të sille një fëmijë.

Jonjerëzore i quan ajo sjelljet e stafit në këtë klinikë. Thotë të mos ketë parë e përjetuar trajtim të atillë nga askush e askund më parë.

Thotë se rrëfimet që ka dëgjuar për këtë, nga të njohurit, nuk janë gjë pa i përjetuar vetë.

Aty pa e përjetoi trajtim johuman të grave, kryesisht nga vetë gratë. “Mund të pres edhe jashtë sallës”, tregon t’i ketë thënë mjekes, që kryente një intervenim gjinekologjik te një grua tjetër. “Nuk i bënte përshtypje fare që unë e shihja për së afërmi intervenimin te një paciente tjetër, e të cilit pas pak do t’i nënshtrohesha vetë”. “’Jo, jo rri këtu’, më thoshte pa e ditur që në ato momente do të mund të më lëshonin këmbët nga trishtimi. Vetëm ktheva kokën në anën tjetër dhe provova të qetësohesha”.

Thotë se nuk e di se si e përballoi. “Por nuk më hiqej nga mendja se pas interventimit do të më hidhnin në shtrat si ‘thes’, sikurse shoqen e dhomës një ditë më parë”.

Kujton edhe se si gjatë pritjeve të gjata në radhë e në këmbë, për kontrolle, dëgjoheshin thirrjet më zë të lartë nga stafit: “hajde tjera, mirë je ti”, “hajde tjetra”, pa dhënë edhe as një sqarim, në momentet që, sipas saj, ke nevojë t’i dëgjosh dy fjalë më shumë nga mjeku që ishte marrë me ty. Edhe po t’i pyesje për ndonjë gjë, thotë se do të injoroheshe pa fije konsiderate. “Hajde tjetra”.

“Lajkatime e servilizëm në këmbim ryshfeti”

Hiç më mirë nuk është as në sallën e lindjes. Stafi aty s’e ka dertin që me zërin me të lartë qorton nënat e ardhshme. Rrëfimi i një gruaje tjetër tregon se aty nuk t’i durojnë as ankesat e as ofshamët e dhimbjeve, që konsiderohen si më të mëdhatë.

“Mos u ul aty”. “Mos bërtit”. “S’po lind për mu”. “Krejt kena lind”. “Ruaje brimën për më vonë”. Këto janë disa nga bërtimat që ka dëgjuar në kohën e pritjes së ëmbël. “Bërtasin edhe më shumë sesa gruaja që është duke lindur e ka dhimbje, ankohen për lodhje e ngarkesë”.

Por kur lindja përfundon, tregon se toni i zërit të infermieres që ndihmon në kryerjen e lindjes zbutet.

Nuk harrojnë të ta tregojnë emrin. “Unë jam filan motra”. Tregon që me delikatesën që do të duhej ta kishte në sallë, e trajton kur në karrocë bashkë me foshnjën i nxjerr jashtë sallës, ku zakonisht presin familjarët. “I uron ata për lindjen, tani me zë të ulët e plot gjentilesë, jo me atë që bërtiste në sallë, e ku familjarët s’kishin qasje”. “Presin ryshfet, se janë mësuar me ju dhanë”, thotë ajo.

Thotë se po ua ngrite zërin pak e iu kundërpërgjigje britmave të tyre, të pyesin ku punon, nëse deri atëherë se kanë marrë vesh nga të dhënat që t’i kërkojnë.

Jo të rralla janë rastet kur baballarët që presin jashtë sallës së lindjes, pa asnjë informatë për gjendjen e grave që kanë brenda, vijnë me qese të mbushura për stafin, që s’ka bërë gjë tjetër përveçqë ka kryer punën e tij, dhe atë jo siç do të duhej.

Në këtë rast përgjegjësia është edhe tek ata. Por, kur e dinë që “pa qese” trajtimi do të jetë ndryshe, pranojnë edhe t’i mbushin ato.

“E ka dikë të njofshëm” e “E dinë tutën”

Rrëfime si këto ndoshta mund t’i dëgjosh, por jo të jesh viktimë e tyre nëse vetëm e ke dikë të njohur.

Madje mund të ta sigurojnë edhe dhomën VIP nëse lidhjet i ke “të forta”. “Kur jam pranuar, burri im u ka thënë që është shoferi i një politikani të njohur”, është rrëfimi i një tjetër gruaje.

Kjo gënjeshtër i mundësoi asaj trajtim më të mirë sesa shoqet e dhomës. Edhe informatat e sqarimet për gjendjen e saj i ka më të shumta.

“Ndihesha keq për trajtimin që u bëhej shoqeve të dhomës, por çfarë të bëja, këtu e dinë tutën”. Tregon se shoqet e dhomës e kanë shikuar me lakmi e i ka dëgjuar pëshpërimat e tyre tek kanë thënë se “kjo e ka dikë”.

Këto rrëfime, e të tilla e të ngjashme besoj se janë shumë, duhet ta alarmojnë, mbi të gjitha, menaxhmentin e Klinikës.

Kur zgjedh ta bësh një punë, ose duhet ta bësh, ose ta lësh. Nëse stafi i kësaj klinike s’mund t’i dëgjojë ankesat e atyre që presin të bëhen nëna, dhe jo vetëm, atëherë është më mirë që detyrën e marrë ta dorëzojnë.

Derisa të mos dëgjohen britmat e stafit, t’i jepen sqarime secilës paciente për gjendjen, të mos ketë nevojë për të njohurit, e të ndalen lajkatimet, ryshfeti e dhuratat, pacientet në këtë klinikë s’do të marrin trajtim të barabartë, të dinjitetshëm, e mbi të gjitha, trajtim njerëzor.