Është koha e fundit që secili nga ne t’i thërrasim mendjes sonë. Politikanët, deputetët, gazetarët, mediat, punëtorët, mjekët, policët, gjykatësit, profesorët, mësuesit, studentët, nxënësit, prindërit… A është kjo Kosova dhe shoqëria të cilat i dëshirojmë? A është kjo Kosova dhe shoqëria për të cilat u derdh gjak ndër shekuj e me gjenerata, në mënyrë që ta gëzojmë lirinë tonë për të cilën është paguar çmim aq i lartë? A mundet secili nga ne ta thotë me vete: “Unë mundem më mirë." A mundemi që fajtorin ta kërkojmë secili në veten tonë, duke mos bërë me gisht nga tjetri? Në një ishull i cili është duke u fundosur nuk mund të ndihesh i izoluar, i pafajshëm dhe indiferent
Pushimet verore po i afrohen fundit për ata të cilët vendosën që ato t’i kalonin pranë më të dashurve të tyre në vendlindje, në Kosovë, përkundër faktit se Kosova sillej sikur një vend i cili e kishte mposhtur pandeminë dhe çdo gjë i ishte kthyer normalitetit, sikur asgjë të mos kishte ndodhur. Numri i vogël i të vaksinuarve, njerëzit skeptikë ndaj vaksinave, pastaj ahengjet, dasmat, kafenetë dhe klubet e natës të stërmbushura me njerëz, koncertet e hapura nëpër sheshe... Shkurt, asnjë masë mbrojtëse – larja e duarve më nuk përmendej, maskat u shndërruan në një relikt nga një e kaluar e "largët" e errët... Të gjitha këto dukuri ishin fatale tashmë në kthimin e një vale të re të pandemisë tashmë në variantin e saj Delta.
Sot shohim numra marramendës të të infektuarve dhe çdo ditë e re është një rekord i zi në analet e pandemisë në Kosovë. Sa e dhimbshme është që tani njerëzit të cilët po e humbin betejën me COVID-in po trajtohen si statistika të kronikave të zeza pandemike. Aq qenka vlera e një jete të një njeriu – numër në statistikë.
I mendoj zgjedhjet lokale dhe situatën momentale nëpër të cilat është duke kaluar Kosova. Për kapacitetet e saja të shërbimeve shëndetësore është folur shumë dhe të gjithë e dimë gjendjen e mjerë e cila mbretëron në sistemin shëndetësor të Kosovës.
T’u kthehemi pak zgjedhjeve lokale të Kosovës, të cilat është paraparë të mbahen në muajin tetor. E kujt do t’i nevojiten ato në këto momente përveç egove të politikanëve për t’u ulur në kolltukët e tyre politikë. E kuptuam tashmë që politikanët nuk po dalluakan shumë nga njëri-tjetri përveç inicialeve dhe siglave të tyre partiake. Të tjerat në fund të ditës në raport me qytetarin e rëndomtë po i bie se janë njëlloj.
Sikur presidentja Vjosa Osmani të ma merrte parasysh një këshillë, ajo do të ishte që këto zgjedhje lokale të shtyheshin për një kohë më të përshtatshme. Kosova më nuk e ka luksin të eksperimentojë në kurriz të qytetarëve të saj për egot politike, qoftë të individëve, qoftë të partive politike.
Sikur kryeministri Kurti të ma merrte për bazë një këshillë, ajo do të ishte që kjo është koha e zgjatjes së dorës së pajtimit dhe formimit të një shtabi emergjent apo ndonjë trupi me ndonjë emërtim tjetër ku protagonistë do të duhej të ishin të gjitha partitë politike. Nuk dua të hyj aspak në trilerët se kush e ka menaxhuar pandeminë më mirë, këta apo ata, këtij populli edhe kësaj situate duhet t’i dilet para dhe e kemi kuptuar tashmë se ajo e tejkalon vetëm obligimin qeveritar dhe politik. Duhet ulur të gjithë së bashku dhe bashkërisht të caktohet strategjia se si të tejkalohet kjo situatë dhe çfarë masash duhen ndërmarrë. Me akuzat e ndërsjella situata vetëm sa po rëndohet dhe populli skeptik ndaj vaksinave tash vetëm pas panikut i ka vërshuar qendrat e vaksinimit.
Niveli i vetëdijes dhe disiplinës në popull fatkeqësisht është shumë i ulët. Kjo e tejkalon punën e një qeverie, cilado qoftë ajo. Në këtë gjë, o do të sharrojmë të gjithë së bashku, o do ta tejkalojmë të gjithë së bashku. Rrugë të mesme unë personalisht këtu nuk po shoh.
Lexova dje një studim i cili thoshte se në qoftë se një individ është i vaksinuar me të dy dozat e vaksinës, prapë është i rrezikuar, pasi vaksinave u është ulur efikasiteti në 66% ndaj mutacionit Delta të COVID-it. Edhe në Britani të Madhe numri i të infektuarve është në rritje, e edhe ajo pjesa e statistikës së dhimbshme të humbjeve të jetëve njerëzore. Çdo javë në "sistemin e semaforit" me të cilin kategorizohen vendet me rrezikshmëri të lartë bëhen përditësimet e reja me shtetet të cilat e ndërrojnë shkallën e rrezikshmërisë për të udhëtuar drejt tyre dhe prej tyre. Tashmë Gjermania dhe Amerika e kanë cilësuar Kosovën si vend me rrezikshmëri të lartë dhe jam i bindur që edhe Britania e Madhe nuk do të vonojë dhe do ta vendosë Kosovën në vendet me rrezikshmëri të lartë të infektimit. Me t’u shpallur ajo, atëherë secili pasagjer i cili do të vijë nga Kosova në Britaninë e Madhe është i detyruar të karantinohet 10 ditë në hotelet e designuara nga ana e qeverisë britanike dhe çmimi sillet diku rreth £2,500. Si do ta përballonte këtë një familje mesatare kosovare 4-anëtarëshe, pasi do t’i duheshin £4,000+. Një shpenzim të tillë nuk e kam të qartë.
Këtu në Britani momentalisht nuk flitet për masa të reja, ndërsa në të njëjtën kohë thuaja çdo ditë ka edhe protesta nga skeptikët e vaksinave dhe njerëz të cilët mendojnë se po u cenohen të drejtat elementare. Mirëpo numri i gjithmbarshëm i qytetarëve të vaksinuar tashmë me nga dy vaksina është shumë më i lartë në përqindje sesa numri i të vaksinuarve në Kosovë. Përflitet se do të ketë edhe një dozë të tretë e vaksinës thjesht për t’i fuqizuar dy të parat dhe për të krijuar më shumë antitrupa.
* * *
Ngjarja tragjike e vrasjes së 18-vjeçares nga Ferizaj, Marigona Osmani, e ka trazuar secilin banor të Kosovës. Kjo fatkeqësi është kambana e fundit e cila rrah për shoqërinë tonë dhe alarmi që duhet ngritur për atë se çfarë sistemi të drejtësisë e kemi ndërtuar, kur dikush me 136 vepra penale lihet i lirë dhe proceset gjyqësore ndaj këtij individi hibernojnë ndër vite. Edhe sa maniakë të tillë i kemi të lirë rrugëve të Kosovës, të cilët sillen poshtë e lart sikur bomba të kurdisura.
Shoqëria kosovare e as shteti nuk kanë bërë asgjë me vetëm burgosjen e dy vrasësve të pashpirt të një jete aq të njomë. Duhen identifikuar të gjithë ata gjykatës dhe prokurorë të involvuar në lejimin e qëndrimit në liri të tipave sikur Dardan Krivaqa e Arbër Sejdiu. Atyre gjithashtu u duhet shqiptuar dënimi i merituar për abuzim me drejtësinë e Kosovës dhe pozitat e tyre. Jam më se i sigurt se rrugëve të Kosovës sillen me dhjetëra apo qindra të tillë si ta, apo të ngjashëm me ta, dhe është vetëm çështje kohe se kur do të ndodhë tragjedia e radhës.
Është koha e fundit që secili nga ne t’i thërrasim mendjes. Politikanët, deputetët, gazetarët, mediat, punëtorët, mjekët, policët, gjykatësit, profesorët, mësuesit, studentët, nxënësit, prindërit… A është kjo Kosova dhe shoqëria të cilat i dëshirojmë? A është kjo Kosova dhe shoqëria për të cilat u derdh gjak ndër shekuj e me gjenerata, në mënyrë që ta gëzojmë lirinë tonë për të cilën është paguar çmim aq i lartë? A mundet secili nga ne ta thotë me vete: "Unë mundem më mirë." A mundemi që fajtorin ta kërkojmë secili në veten tonë, duke mos bërë me gisht nga tjetri?
Në një ishull i cili është duke u fundosur nuk mund të ndihesh i izoluar, i pafajshëm dhe indiferent.
Fatkeqësisht, ashtu siç e shoh unë, ose do të fundosemi të gjithë së bashku të ndihmuar nga mallkimet e të gjithë të parëve tanë të cilët sakrifikuan dhe u munduan aq shumë për atë vend, ose do t’ia dalim të gjithë së bashku mbanë, duke mos e nëpërkëmbur mundin e as sakrificën e askujt.
Këto janë opsionet tona dhe ky është udhëkryqi ynë.
Zgjedhja është e jona!
Tik-tak, tik-tak, tik-tak…