OpEd

Roli i opinionistëve dhe i medias në krijimin e opinionit publik

Komunikimi është thelbësor në politikë, ngase nëpërmjet tij krijohet opinioni publik. Në këtë mes transparenca qeveritare, agjiliteti i opozitës dhe liria e përgjithshme e shprehjes janë mjetet kritike që kontribuojnë në mjedisin demokratik, në të cilin askush nuk është imun ndaj kritikës dhe kundërkritikës dhe ku problemet shoqërore e politikat publike shqyrtohen nga këndvështrime të ndryshme. Dhe kjo kontribuon në krijimin e një opinioni të shëndoshë, jopolarizues që e siguron mirëqenien e shoqërisë, si dhe qëndrueshmërinë demokratike të një vendi

Viteve të fundit në Kosovë ka ndodhur një fenomen interesant, ku një kastë e re profesionistësh - rëndom e quajtur opinionistë - ka nisur të luajë rol qendror në debate publike. Këta individë, zakonisht të angazhuar në debate televizive, shprehin mendime të tyre mbi zhvillimet politike dhe socio-ekonomike. Shumë syresh flasin për të gjitha temat e mundshme, shpesh pa pasur ekspertizë specifike. Kjo krijoi një situatë në të cilën opinioni publik formësohet bazuar në pikëpamje të tyre, edhe kur ato nuk bazohen në analiza të thelluara apo fakte të verifikuara. Këta janë njerëz që krijojnë opinion në publikun e gjerë dhe ndikimi i tyre në masë nuk është i vogël, pasur parasysh se debatet televizive janë ndër emisionet më të shikuara.

Rëndësia e rolit të opinionistëve është shtuar edhe më tej shkaku i mungesës së debateve parlamentare cilësore. Në një mjedis ku Parlamenti nuk e përmbush detyrën e tij si hapësirë kryesore për diskutimin dhe për analizën e politikave publike, roli i opinionistëve në ndërmjetësimin e informacionit dhe në formësimin e opinionit bëhet edhe më i madh. Këtë ndikim e ka vënë në dukje edhe kryeministri Kurti, i cili shpesh i kritikon opinionistët, duke i quajtur “analistë” me një ton përçmues. Kjo kritikë e reflekton perceptimin se opinionistët kanë fuqi të madhe për të ndikuar në mendimin publik, shpesh më shumë se partitë opozitare.

Me gjithë ndikimin e tyre, duhet nënvizuar se autoriteti i një opinionisti buron nga kredibiliteti dhe besueshmëria që ai apo ajo e fiton në publik. Opinionistët që nuk i mbështesin mendimet e tyre me argumente të forta dhe të bazuara shpesh nuk merren seriozisht. Përkundrazi, ata që arrijnë të artikulojnë ide të menduara dhe që kontribuojnë në debatet publike me integritet fitojnë respekt dhe ndikim real.

Por cili është roli i opinionistëve në shoqëri?

Opinionistët mund të jenë të pavarur apo t’i përkasin haptas ndonjë kampi të caktuar politik a ideologjik. Konsiderohet madje se dhënia e opinioneve mbi çështje politike, ekonomike e sociale duhet të kenë një bazë të caktuar ideologjike, ngase opinioneve që nuk kanë bazë të caktuar ideologjike mund t’ju mungojnë argumentet e mirëfillta. Opinionistët janë ndërmjetës midis informacionit dhe publikut dhe në këtë mënyrë ndikojnë në formimin e qëndrimeve dhe mendimeve kolektive. Ata shpesh ofrojnë analiza, komente dhe interpretime mbi çështje të ndryshme nga sfera e politikës, ekonomisë dhe asaj shoqërore, duke ndikuar në mënyrën se si njerëzit i kuptojnë proceset dhe ngjarjet që kanë ndikim në jetët e tyre. Krahas kësaj, opinionistët kontribuojnë edhe në debatin publik dhe në dhënien e ideve. Në këtë rrafsh ata kanë përgjegjësi shoqërore, ngase opinionet dhe idetë që i japin nuk duhet të jenë manipuluese, përçarëse dhe duhet të promovojnë debat e dialog konstruktiv lidhur me çështjet e caktuara. Megjithëkëtë, pavarësisht se paanshmëria konsiderohet thelbësore për profesionin e opinionistëve, kritikat e drejtpërdrejta ndaj proceseve apo qeverisë nuk përjashtohen, kur ato janë të bazuara në fakte dhe në ide të mbështetura në logjikë të shëndoshë e pse jo edhe në ideologji të caktuara. Në një shoqëri demokratike, krijimi i opinionit ka rëndësi thelbësore pasi e përcakton orientimin e politikave publike, promovon debate të hapura dhe ndihmon në formimin e qëndrimeve qytetare. Megjithatë, është e rëndësishme të sigurohet që ky proces të bazohet në informacion të saktë dhe të balancuar për të shmangur manipulimet ose dezinformatat që mund të çojnë në polarizim apo keqkuptime të gjera.

Nëse e marrim si shembull krijimin e opinionit në SHBA, ku ka pluralizëm më të madh ideologjik, mediatik e politik, dhe një demokraci më të hapur me një liri të theksuar të shprehjes dhe të mediave, mund të thuhet se në dekadën e fundit krijimi i opinionit është shndërruar në një proces kompleks dhe dinamik që ndikohet prej një sërë faktorësh, si mediat tradicionale, rrjetet sociale - siç është Twitteri, Truth Social etj. Mediat tradicionale - televizionet dhe gazetat e mëdha - kanë ndikuar historikisht në krijimin e opinionit për çështje të rëndësishme politike, shoqërore, ekonomike etj. Sidoqoftë, me zhvillimin e teknologjisë rrjetet sociale si Facebooku, Twitteri, YouTube apo TikToku kanë transformuar rrënjësisht mënyrën se si formohet opinioni, duke u dhënë individëve dhe grupeve më shumë hapësirë për të shprehur pikëpamje të tyre dhe për të ndikuar në mendimet e të tjerëve. Një shembull i qartë i këtij ndikimi është roli i rrjeteve sociale gjatë zgjedhjeve presidenciale, jo vetëm në SHBA, ku opinioni publik është ndërtuar dhe formësuar nga ndërveprimi i drejtpërdrejtë i kandidatëve me votuesit, por edhe nga përhapja e informacionit dhe, fatkeqësisht, shpesh edhe e dezinformatave. Përvoja amerikane tregon gjithashtu se krijimi i opinionit nuk është vetëm rezultat i përmbajtjes mediatike, por edhe i mobilizimit të grupeve të ndryshme të interesit, organizatave joqeveritare dhe liderëve lokalë që ndikojnë në komunitetet e tyre.

A luan rol dezinformata dhe lufta speciale në formësimin e opinionit publik?

Dezinformimi paraqet një nga rreziqet më serioze në krijimin e opinionit publik, pasi mund ta shtrembërojë realitetin dhe të ndikojë në vendimmarrje të gabuar të qytetarëve dhe institucioneve. Në një mjedis të mbushur me burime të shumta informacioni, përhapja e lajmeve të rreme nëpërmjet mediave tradicionale dhe rrjeteve sociale është bërë shumë e lehtë. Për shembull, gjatë zgjedhjeve apo krizave politike, dezinformimi mund të manipulojë opinionin publik për të mbështetur agjenda të caktuara. Kjo u pa në rastin e zgjedhjeve presidenciale në Rumani, ku kandidati prorus e fitoi raundin e parë të zgjedhjeve nëpërmjet fushatës dezinformuese në TikTok. Në disa raste, ai përdoret si një mjet strategjik nga aktorë të jashtëm ose të brendshëm për të destabilizuar shoqërinë dhe për të minuar proceset demokratike. Për këtë e pati fjalën ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, kur tha se ka vende të caktuara që, duke i eksploatuar ndarjet etnike në Kosovë, përpiqen t’ia minojnë demokracinë. Këtu ai sigurisht e pati fjalën për fushatat dezinformuese të Serbisë dhe të Rusisë, shtete këto që kanë për qëllim destabilizimin e Kosovës. Për t’i luftuar këto rreziqe, është thelbësore që qytetarët të zhvillojnë mendim kritik dhe aftësi për të dalluar informacionin e besueshëm, ndërsa mediat dhe platformat teknologjike duhet t’i përmirësojnë mekanizmat për identifikimin dhe neutralizimin e përmbajtjeve të rrejshme e subverzive. Dezinformata mund të ketë burime të ndryshme. Këto burime mund të jenë shtete armiqësore me agjenda të dëmshme, qeveria, opozita, por edhe opinionistët që mund t’u shërbejnë agjendave të caktuara politike.

Krijimi i opinionit është posaçërisht i rëndësishëm gjatë periudhave zgjedhore, sepse aty mund të përcaktohet drejtimi i vendit nëpërmjet forcave politike që e fitojnë pushtetin bazuar në opinionin kolektiv të krijuar mbi ndonjë forcë apo ideologji politike, qoftë ajo në pushtet apo në opozitë. Në këtë kontekst, lufta për të dominuar krijimin e opinionit publik bëhet për secilin individ apo grupim shoqëror. Përderisa anëtarësia e partisë, e militantëve dhe e grupeve që tradicionalisht votojnë për një forcë politike e kanë opinionin e brumosur, lufta për krijimin e opinionit ka për cak votuesit e pavendosur, grupet e caktuara sociale e gjinore, siç janë gratë, komunitetet pakicë, diaspora, të rinj të grupmoshave të caktuara, pensionistët, grupet e ndryshme profesionale, etj. Prandaj fushatat kanë për qëllim krijimin e opinionit të favorshëm për njërën apo për forcën tjetër politike. Në këtë mes opinionistët profesionistë luajnë një rol që mund të ndikojë thelbësisht në orientimet e shoqërisë. Studiot e ndryshme televizive dhe mediat e tjera që promovojnë debat publik nëpërmjet angazhimit të opinionistëve dhe ekspertëve të fushave të caktuara kanë ndikim të madh në krijimin e opinionit publik.

Prandaj komunikimi është thelbësor në politikë, ngase nëpërmjet tij krijohet opinioni publik. Në këtë mes transparenca qeveritare, agjiliteti i opozitës dhe liria e përgjithshme e shprehjes janë mjetet kritike që kontribuojnë në mjedisin demokratik, në të cilin askush nuk është imun ndaj kritikës dhe kundërkritikës, dhe ku problemet shoqërore e politikat publike shqyrtohen nga këndvështrime të ndryshme. Dhe kjo kontribuon në krijimin e një opinioni të shëndoshë, jopolarizues që e siguron mirëqenien e shoqërisë si dhe qëndrueshmërinë demokratike të një vendi.

[email protected]