Nisma e fundit e BE-së për huamarrjen emergjente për ta zbutur ndikimin e pandemisë COVID-19 ofron njohuri të rëndësishme për gjendjen aktuale të integrimit evropian. Në vend që të drejtoheshin drejt nismave të përbashkëta, shumica e parave që u mblodhën përmes programit të urgjencës u transferuan në shtetet anëtare individuale
Ndryshimet tektonike në sistemin global po i detyrojnë të gjitha vendet të ripërcaktojnë pikëpamjet e tyre strategjike dhe modelet e rritjes. Por ndërkohë që ndryshimet po prekin çdo vend, Bashkimi Evropian përballet me një sfidë shumë më serioze që mund të rrezikojë vetë ekzistencën e tij.
Kjo nuk është hera e parë që BE-ja gjendet në një udhëkryq. Krizat globale priren ta hedhin bllokun në një spirale ekzistenciale që vë në pikëpyetje prioritetet, strukturën dhe qëllimin e tij. Nëse Evropa mbetet një lojtare e madhe globale varet nga reagimi i saj ndaj një grumbullimi të paprecedent të emergjencave. Më e spikatura është pa dyshim lufta në Ukrainë, e cila ka dhënë një kujtesë të fortë se BE-ja duhet të zhvillojë identitetin e saj të sigurisë për të mbrojtur kufijtë e saj.
Por çështje të tjera janë po aq urgjente. Rivaliteti në rritje midis Shteteve të Bashkuara dhe Kinës po rivizaton hartën e fuqisë globale. Ndërsa bota ndahet gjithnjë e më shumë në blloqe konkurruese, Evropa duhet të vendosë nëse do të bashkohet tërësisht me SHBA-në apo do të mbajë një pjesë të vogël të autonomisë politike.
Lidhur me ndryshimet klimatike, BE-ja u pozicionua si një përcaktues global i agjendës pasi SHBA-ja u tërhoq nga marrëveshja e Parisit për klimën në vitin 2020. Por me SHBA-në të rikthyer plotësisht në luftën klimatike dhe duke investuar shumë në subvencionet e energjisë së pastër, Evropa duhet të ripërcaktojë qëndrimin e saj . A do të zhvillojë blloku versionin e vet të Aktit të Reduktimit të Inflacionit të administratës Biden dhe do të nisë një garë subvencionesh me SHBA-në dhe Kinën? Apo do të ndërtohet mbi ADN-në e vet dhe do të përgjigjet me instrumente të tregtisë dhe konkurrencës? Deklaratat e fundit të liderëve evropianë sugjerojnë se ata janë të prirë drejt të parës. Sido që të jetë, ata duhet të vendosin në kohën e duhur.
Evropa e ka rikrijuar veten dy herë më parë, dhe kjo pikë kthese është mjaft e rëndësishme për të kërkuar një rishpikje të tretë. Në mesin e viteve 1980, ndërsa rritja e sheshuar dhe papunësia e lartë i shtynë ekonomistët dhe shkencëtarët politikë (veçanërisht në të djathtën amerikane) të shpikin termin “eurosklerozë”, Presidenti i atëhershëm i Komisionit Evropian, Zhak Delors, filloi të hartonte plane për një kontinent të integruar ekonomikisht. Këto plane u bënë programi i Tregut të Vetëm dhe hodhën bazat për krijimin e eurozonës.
Globalizimi doli të ishte një tjetër pikë kthese. Në fillim të viteve 2000 kancelari i Thesarit i Mbretërisë së Bashkuar, Gordon Brown, vuri në dyshim mençurinë e ndjekjes së integrimit evropian kur e gjithë bota tashmë po integrohej me shpejtësi. Teksa Rusia dhe Kina kishin hyrë në ekonominë globale dhe iu bashkuan Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Organizatës Botërore të Tregtisë, integrimi rajonal dukej “passé”.
Përgjigjja e BE-së ndaj sfidës së Brownit ishte të rishpikte veten si formësues i standardeve globale. Gjatë 20 vjetëve të fundit politikëbërësit evropianë kanë marrë një rol udhëheqës në hartimin e rendit ndërkombëtar të bazuar në rregulla, duke eksportuar standarde rregullatore për kontabilitetin, sigurinë, privatësinë dhe mbrojtjen e konsumatorëve. Siç e tha Wall Street Journal, BE-ja u bë “rregullatori i botës”, duke përdorur rregulloren e saj si një formë të fuqisë së butë.
Mirëpo, ky lloj i fuqisë së butë funksionon vetëm në një botë të qeverisur nga rregulla. Joseph S. Nye, Jr. i Harvardit, i cili prezantoi konceptin në fund të viteve 1980, shpjegoi se ndryshimi midis fuqisë së fortë dhe të butë është se e para është e këmbyeshme - që do të thotë e transferueshme nga sfera në sferë - ndërsa e dyta jo. Me fjalë të tjera, fuqia ushtarake mund të ndihmojë vendet të fitojnë fuqi ekonomike dhe anasjelltas, por fuqia rregullatore nuk përkthehet në fuqi ushtarake apo edhe ekonomike.
Kjo është arsyeja pse BE-ja duhet të rikrijojë veten përsëri. Në një botë ku autokratët dhe mbështetësit e tyre gjithnjë e më shumë shpërfillin rregullat që qeverisin rendin liberal të dominuar nga Perëndimi, BE-ja nuk mund të mbështetet më në vendosjen e rregullave për të ndjekur qëllimet e saj strategjike. Ajo ka nevojë për një qëllim dhe identitet të ri. Për këtë qëllim, Marco Buti dhe Marcello Messori kanë dalë me një kornizë që përpiqet t’i pajtojë agjendat e politikës së brendshme dhe të jashtme të BE-së. BE-ja, argumentojnë ata, duhet të bazohet në avantazhet e saj krahasuese dhe të fokusohet në ofrimin e të mirave publike evropiane.
Ky koncept ka shumë kuptim. Është mjaft i gjerë për t'u zbatuar për mbrojtjen, sigurinë, energjinë dhe veprimin klimatik. Ai është gjithashtu në përputhje me parimin e subsidiaritetit të BE-së, i cili thotë se vendimet duhet të merren nga shtetet anëtare sa herë që janë të mjaftueshme për të arritur objektivat e përbashkëta. Ai do t'u mundësonte politikëbërësve të kalonin nga mjetet e centralizuara në iniciativat lokale kur është e nevojshme dhe mund të shërbente si një matës praktik për të vendosur se çfarë konsiderohet si centralizim i tepruar i pushtetit. Për më tepër, qytetarët mund të kuptojnë lehtësisht pse disa veprime bien në juridiksionin e BE-së, ndërsa të tjerat mbeten përgjegjësi e shteteve anëtare.
Por edhe nëse do të miratonte këtë kuadër, BE-ja do të kishte ende disa zgjedhje të vështira për të bërë. Arsyeja pse BE-së i mungon një politikë e përbashkët e mbrojtjes nuk është se shtetet anëtare nuk arrijnë të kuptojnë se do të ishte më mirë të vepronin së bashku; është se ata nuk i besojnë njëri-tjetrit dhe nuk u besojnë edhe më shumë institucioneve të BE-së. Në mënyrë të ngjashme, vendet evropiane pranojnë se një politikë e përbashkët energjetike është në interesin e tyre kolektiv; arsyeja pse ata nuk kanë arritur të bien dakord për një është se prioritetet e tyre kombëtare ndryshojnë shumë.
Nisma e fundit e BE-së për huamarrjen emergjente për ta zbutur ndikimin e pandemisë COVID-19 ofron njohuri të rëndësishme për gjendjen aktuale të integrimit evropian. Në vend që të drejtoheshin drejt nismave të përbashkëta, shumica e parave që u mblodhën përmes programit të urgjencës u transferuan në shtetet anëtare individuale.
Në ekuilibër, parimi i subsidiaritetit duket se favorizon miratimin e qasjes evropiane të të mirave publike. Por vendet evropiane duhet të kapërcejnë rezervat individuale dhe të mësojnë të punojnë së bashku. Rruga drejt një modeli të ri evropian mund të përshkruhet, por do të jetë e gjatë dhe e vështirë.
(Autori, bashkëpunëtor i lartë në institutin e mendimit Bruegel me bazë në Bruksel dhe një anëtar i lartë jorezident në Institutin Peterson për Ekonominë Ndërkombëtare, kryesor Tommaso Padoa-Schioppan në Institutin Universitar Evropian. Komenti është shkruar për rrjetin botëror të gazetarisë, “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”).