Ka shumë prova nga fusha të tjera që drejtimi i inovacionit u përgjigjet stimujve mbizotërues. Për shembull, puna e fundit nga Jacob Moscona i Universitetit të Harvardit dhe MIT-ja, së bashku me Karthik Sastry të MIT-së, tregon se si përmirësimet e bioteknologjisë në bujqësi janë fokusuar në adresimin e patogjenëve të veçantë lokalë, duke i bërë këto risi më pak të transferueshme nëpër zonat klimatike. Acemoglu vuri në dukje rritjen e ndjeshme të kërkimit të energjisë së rinovueshme në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pasi që programet e Qeverisë dhe presionet sociale u kombinuan për t’i ndryshuar stimujt e sektorit privat. Dhe inkurajimi i zhvillimit të teknologjive të reja ushtarake ka qenë gjithmonë pjesë e arsenalit të politikave të qeverive
Cambridge, 13 shkurt – Më 1973, ekonomisti britanik E.F. Schumacher e botoi një libër me titullin joshës “Small Is Beautiful” (E vogla është e bukur), duke avokuar për përdorimin në vende të varfra të teknologjive të shkallës njerëzore e më pak kapitale që janë më të përshtatshme për kushtet lokale. Libri ndezi debat të zjarrtë midis ekonomistëve në vitet ‘70 dhe ‘80 rreth “teknologjisë së përshtatshme”.
Për vendet në zhvillim, aftësia për të adoptuar teknologji të reja të krijuara në botën e pasur është padyshim një avantazh i rëndësishëm. Mirëpo, teknologjitë e zhvilluara në ekonomitë e përparuara, ku aftësitë dhe kapitali janë të bollshme, mund të përbëjnë në rastin më të mirë një bekim të përzier. Një panel diskutimi i kohëve të fundit, që përfshiu ekonomistë të shquar dhe qe thirrur nga Shoqata Ekonomike Ndërkombëtare (IEA), sugjeron se sot mund të ketë edhe më shumë terren për shqetësim në lidhje me përshtatshmërinë e teknologjive të importuara.
Siç theksoi gjatë panelit, Frances Stewart, ekonomisti i Universitetit të Oxfordit, i cili ishte në qendër të raundit të mëparshëm të debateve të “teknologjisë së përshtatshme”, suksesi i Azisë Lindore me industrializimin e orientuar nga eksporti dukej se e mohonte shqetësimin që prodhimi nuk do të hapte vende të mjaftueshme pune dhe të përmirësonte standardet e jetesës në vendet më të varfra. Koreja e Jugut, Tajvani dhe përfundimisht Kina hartuan të gjitha një hartë për dalje nga varfëria dhe u rritën me ritme të paprecedentë, pasi që fabrikat moderne industriale thithën punën rurale në punësim më produktiv.
Ama sot, industrializimi i orientuar nga eksporti nuk funksionon më në të njëjtën mënyrë. Teknologjitë e prodhimit janë bërë gjithnjë e më intensive për aftësi dhe automatizimi, dhe format e tjera të inovacionit kanë reduktuar pjesën e fuqisë punëtore në vlerën e shtuar të prodhimit. Siç vuri në dukje Daron Acemoglu i MIT-së gjatë panelit të IEA-së, konkurrenca globale, fuqia në rritje e korporatave në raport me punëtorët dhe subvencionet tatimore ndaj kapitalit, kanë inkurajuar të gjitha inovacionet që zhvendosin fuqinë punëtore.
Ky është një lajm i keq për vendet në zhvillim, sepse avantazhi i tyre krahasues qëndron në mallrat me intensitet të punës. Pasojat tashmë janë të dukshme në statistika. Shumë ekonomi me të ardhura të ulëta dhe të mesme janë goditur nga “de-industrializimi i parakohshëm” - rënia e përqindjes së punësimit të prodhimit në nivele me të ardhura të ulëta në krahasim me paraardhësit historikë. Edhe aty ku industrializimi vazhdon me shpejtësi, rritja e punësimit në kompanitë moderne dhe në shkallë të gjerë ka qenë anemike.
Për më tepër, Acemoglu prezantoi të dhëna që tregojnë se teknologjitë e reja janë të njëanshme jo vetëm ndaj më të arsimuarve, por edhe ndaj atyre me diploma pasuniversitare, të cilët janë përfituesit kryesorë. Mungesa e punëtorëve të tillë në vendet me të ardhura të ulëta e kufizon aftësinë e këtyre ekonomive për të absorbuar teknologjitë kufitare. Dhe, siç theksoi ekonomisti i Yale Fabrizio Zilibotti në komentet e tij në panel, krijon gjithashtu një tension midis imperativëve të transferimit të teknologjisë dhe barazisë së tregut të punës.
Një nga pikat qendrore të mosmarrëveshjes në debatin e mëparshëm mbi teknologjinë e përshtatshme ishte shkalla në të cilën prodhuesit kanë fleksibilitet për të adoptuar teknika që mund të jenë më të përshtatshme për kushtet lokale. Globalizimi dhe përhapja e zinxhirëve të furnizimit ndërkufitar mund të kenë zvogëluar çfarëdo hapësire për përshtatje që ofron teknologjia fizike. Siç vuri në dukje Eric Verhoogeni i Universitetit të Kolumbisë gjatë panelit të IEA-s, produktet me cilësi më të lartë zakonisht lidhen me teknika më intensive për kapital dhe aftësi. Kompanitë në vendet në zhvillim nuk mund të kalojnë në metoda më intensive të punës dhe prapëseprapë t’i përmbushin kërkesat e kompanive ose konsumatorëve të mëdhenj ndërkombëtarë.
Verhoogeni paralajmëroi gjithashtu se edhe aty ku ka vend për fleksibilitet, largimi nga normat globale mund t'i dënojë kompanitë lokale në shtigje teknologjike inferiore. Një disertacion i fundit i doktoraturës nga Gustavo de Souza në Universitetin e Chicagos ofron disa prova në lidhje me anët negative. De Souza zbuloi se një program brazilian që tatonte dhënien me qira të teknologjisë ndërkombëtare uli përqindjen e punëtorëve të kualifikuar në kompanitë e prekura, por gjithashtu uli punësimin në përgjithësi.
Megjithëse Brazili është një vend me të ardhura të mesme e të larta dhe me aftësi të konsiderueshme teknologjike, është e arsyeshme që ka kufizime se sa teknologjia vendase mund ta zëvendësojë teknologjinë kufitare nga jashtë. Një detyrë më premtuese, qoftë edhe më sfiduese, do të ishte riorientimi i vetë inovacionit global në një drejtim më miqësor ndaj punës.
Në fund të fundit, ka shumë prova nga fusha të tjera që drejtimi i inovacionit u përgjigjet stimujve mbizotërues. Për shembull, puna e fundit nga Jacob Moscona i Universitetit të Harvardit dhe MIT-ja, së bashku me Karthik Sastry të MIT-së, tregon se si përmirësimet e bioteknologjisë në bujqësi janë fokusuar në adresimin e patogjenëve të veçantë lokalë, duke i bërë këto risi më pak të transferueshme nëpër zonat klimatike. Acemoglu vuri në dukje rritjen e ndjeshme të kërkimit të energjisë së rinovueshme në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pasi që programet e qeverisë dhe presionet sociale u kombinuan për të ndryshuar stimujt e sektorit privat. Dhe inkurajimi i zhvillimit të teknologjive të reja ushtarake ka qenë gjithmonë pjesë e arsenalit të politikave të qeverive.
(Dani Rodrik, profesor i Ekonomisë Politike Ndërkombëtare në Shkollën e Qeverisjes John F. Kennedy të Universitetit të Harvardit, është kryetar i Shoqatës Ekonomike Ndërkombëtare dhe autor i “Straight Talk on Trade: Ideas for a Sane World Economy” (Princeton University Press, 2017). Komenti është shkruar për rrjetin botëror të gazetarisë, “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”).