Me kalimin e çdo dite qytetarët serbë janë duke kuptuar se shpëtimi i tyre nuk do të vijë me një shkop magjik nga jashtë. Koha ka ardhur që të përballen me përbindëshin të cilin e kanë krijuar. Dhe ndonëse historia nuk përsëritet, ajo rimon. Në vitin 1999 qytetarët e Kosovës u çliruan nga një përbindësh politik në Beograd. Sot në vitin 2023 qytetarët serbë duhet të çlirohen nga po i njëjti përbindësh politik. Nga e njëjta mendësi. Perëndimi edhe mund të ndihmojë, por siç thotë ajo fjala e urtë “fillimisht ndihmoji vetes, e tani Zoti të ndihmon pak”
Prej kohësh Serbia është në tension. Gjithë ky vit ka parë protestat masive kundër dhunës dhe kundër pushtetit të Vuçiqit. Polarizimi publik është reflektuar edhe në polarizimin politik. Institucionet ishin pothuaj të paralizuara. Dhe sikur ajo tenxhere nën presion Serbia kuptoi që ventili duhej çliruar për të çliruar presionin politik të vendit. Ideja ishte që zgjedhjet e reja do të ofronin një mundësi për kanalizimin e gjithë energjisë shoqërore drejt trasimit të një shtegu të ri dhe produktiv politik. Nëse ky ishte qëllimi, atëherë zgjedhjet e fundit në Serbi kanë dështuar. Dhjetë ditë pas zgjedhjeve Serbia është edhe më e përçarë se para tyre. Tensioni vetëm është rritur edhe më shumë. Tani flakës i është hedhur benzinë.
Shkaktari kryesor i këtij tensioni është vjedhja flagrante e zgjedhjeve nga Vuçiqi. Mënyra e hapur dhe masive e vjedhjes së votave ishte tregues i krizës në të cilën është nakatosur pushteti i tij. Me vjedhjen kaq të hapur të votave regjimi i tij shfaqi fragjilitetin e tij. Regjimi tregoi se tani më nuk ka komoditetin dhe luksin e simulimit të një procesi minimalisht të drejtë, fer dhe demokratik. Tani regjimi duhet të mbijetojë me çdo çmim dhe metodë. Madje edhe kriminale. Kësisoj Vuçiqi siç duket po kthehet në shtratin e tij politik, por edhe në habitatin e tij të natyrshëm. Ndonëse në fushatë zgjedhore ai ka huazuar sloganin frymëzues të Djindjiqit “Serbia nuk guxon të ndalet”, tani pas zgjedhjeve ai po huazon nga dhuna e Putinit. Siç thotë ajo thënia e vjetër, ai që vjedh, ai edhe vret. Fillimisht ka vjedhur sloganin e Djindjiqit, tani është gati të vrasë si Putini.
Në një sens qytetarët në Serbi janë tani viktima të një përbindëshi të cilin e kanë rritur vetë. Prej kohësh qytetarët e rajonit kanë paralajmëruar fqinjët e tyre serbë se një regjim i cili nuk e pranon pavarësinë e Kosovës, i cili mohon Srebrenicën dhe i cili minon shtetin e Malit të Zi nuk mund të jetë i shëndetshëm as për vetë qytetarët e Serbisë. Tani sikur në çdo histori diktatoriale pasi që ky regjim ka sulmuar gjithë armiqtë e jashtëm, ai është kthyer edhe kundër vetë popullit të tij.
Në dhjetë ditët e fundit opozitës i është mohuar çdo e drejtë legjitime për të ankimuar procesin zgjedhor. Policia e shtetit është shndërruar në policinë e partisë. Opozita është kërcënuar dhe maltretuar nga huliganët dhe forcat e rendit, dhe tani pasi që i është mohuar çdo e drejtë opozita ka hyrë edhe në grevë urie. Protestuesit, studentët dhe qytetaret të cilët kanë marrë guximin të protestojnë janë rrahur dhe arrestuar përmes përdorimit të forcës së tepruar. Dhe duke kopjuar nga regjimet e Rusisë dhe Iranit, Vuçiqi ka vendosur që protestuesit të ngarkohen me veprat më të rënda penale – rrënimi i rendit kushtetues - për t’u bërë shembull për gjithë protestuesit e tjerë.
Këto metodat putiniste të Vuçiqit kanë zënë gjithë Perëndimin në suspancë duke mos ditur si të reagojë. Deri më sot nuk ka asnjë reagim definitiv nga Washingtoni dhe kancelaritë evropiane. Të zënë në mes të ruajtjes së raporteve me Vuçiqin dhe revoltës së qytetarëve serbë, Perëndimi është shndërruar në spektator. Sidoqoftë, një akter tjetër nuk është duke humbur kohë. Rusia ka përgëzuar Vuçiqin për metodat e tij politike, ndërsa kryeministrja Bërnabiq ka falënderuar shërbimet sekrete Ruse për asistencë në ruajtën e paqes.
Zgjedhjet e fundit në Serbi përveçse janë tragjedi për popullin serb, ato po ashtu kanë ekspozuar naivitetin e BE-së karshi Vuçiqit. Hiç më larg se para një jave BE-ja ka kërkuar nga Vuçiqi që të sigurojë “dialog konstruktiv dhe gjithëpërfshirës me gjithë spektrin politik”. Kësaj Vuçiqi i është përgjigjur duke arrestuar opozitën dhe duke i akuzuar për grusht shtet. Hiç më larg se para dy javësh BE-ja ka kërkuar nga Vuçiqi që të “komunikojë më qartë mbështetjen e BE-së për Serbinë në diskursin publik, në mënyrë që qytetarët të kuptojnë përfitimet e BE-së”. Kësaj Vuçiqi iu përgjigj me falënderime Rusisë dhe zotimin se nuk do të ketë Majdan Evropian në Serbi.
Me kalimin e çdo dite qytetarët serbë janë duke kuptuar se shpëtimi i tyre nuk do të vijë me një shkop magjik nga jashtë. Koha ka ardhur që të përballen me përbindëshin të cilin e kanë krijuar. Dhe ndonëse historia nuk përsëritet, ajo rimon. Në vitin 1999 qytetarët e Kosovës u çliruan nga një përbindësh politik në Beograd. Sot në vitin 2023 qytetarët serbë duhet të çlirohen nga po i njëjti përbindësh politik. Nga e njëjta mendësi. Perëndimi edhe mund të ndihmojë, por siç thotë ajo fjala e urtë “fillimisht ndihmoji vetes, e tani Zoti të ndihmon pak”.