Pyetja që sot kanë para vetes liderët e BE-së është po e njëjta me atë të Selanikut para njëzet vjetësh: Quo vadis Europa? Për njëzet vjet liderët evropianë nuk kanë pasur vëmendjen dhe kurajën e nevojshme për t’u përgjigjur në këtë pyetje. Sot Putini i ka obliguar që të përgjigjen. Pushtimi rus i Ukrainës është kthesë historike në të cilën Evropa ose do të marrë kthesën e duhur dhe do ta vulosë fatin e Evropës së bashkuar dhe në paqe, ose do të ngelet xhuxh politik, i cili asnjëherë nuk ka kuptuar se burokracia dhe procedura nuk mund të zëvendësojnë vizionin dhe strategjinë
Në vitin 2011 zëvendëskryeministri i Malit të Zi, z. Igor Lukshiq, ia kishte vendosur vetes një qëllim sublim: “Deri në vitin 2019 Mali i Zi do të anëtarësohet në BE”. Sot në vitin 2023 egoja e qëllimit të tij vazhdon të jetojë në Ballkanin Perëndimor. Pothuaj duke cituar fjalë për fjalë z. Lukshiq, presidenti i ri i Malit të Zi, z. Jakov Milatoviq, këtë vit ka deklaruar: “Deri në vitin 2028 Mali i Zi do të anëtarësohet në BE”. Në këtë sfond është tunduese që të imagjinojmë vitin 2028 dhe deklaratat e një lideri të ri të Malit të Zi, i cili do të spostojë piketën e anëtarësimit të Malit të Zi në BE drejt vitit 2033. Ironikisht kjo do të koincidojë me përvjetorin e 30-të të Deklaratës biblike të Selanikut.
***
Storia e procesit integrues të Malit të Zi është storia e gjithë Ballkanit Perëndimor. Deklaratat e ngjashme optimiste, por patjetër refraktare, do të gjeni tek secili lider i vendeve të rajonit në këta njëzet vjetët e fundit. Dhe ndonëse procesi i zgjerimit të BE-së meriton dozë të shëndetshme të kritikës dhe cinizmit, sot, kur shënojmë njëzet vjet nga Deklarata e Selanikut duhet të pranojmë se rajoni ynë ka bërë progres të konsiderueshëm në këta njëzet vjetët e fundit.
Duke filluar nga ne: një shtet i ri ka lindur. Një shtet i cili nga zeroja dëshmoi aftësinë mbresëlënëse për të nderuar vlerat më të avancuara demokratike dhe liberale. Të udhëhequr nga pjekuria qytetare, Kosova organizoj zgjedhjet shembullore, ngriti institucionet shtetërore, përqafoi standarde më të lartë të të drejtave të njeriut, krijoi mjedis vigjilent medial dhe ngriti themelet për një ekonomi funksionale dhe konkurruese të tregut. Ndërkombëtarisht Kosova u bë pjesë e një varg organizatave ndërkombëtare dhe dëshmoi veten si aleat i përgjegjshëm i komunitetit transatlantik. Ky fanfarë i suksesit shtetëror u shoqërua me suksese në art, kulturë dhe sport.
Ndryshimi po aq impresiv ndodhi në Shqipëri. E dalë nga trazirat dhe kaosi i fundit të të 90-ve, Shqipëria sot po galopon drejt udhëheqjes së gjithë rajonit falë ndryshimeve të thella politike, ekonomike dhe sociale. Përderisa në fund të viteve ‘90 hendeku në mes Shqipërisë dhe vendeve të rajonit ka qenë i pakapërcyeshëm, sot dallimi në mes tyre është çështje shijesh dhe nuancash personale. Shqipëria është transformuar nga katrahura e fundit e Evropës në top-destinacionet e reja turistike të Evropës.
Histori të ngjashme suksesi kemi parë në të gjitha vendet e rajonit këta njëzet vjet. Ashtu siç kemi parë edhe histori të mossuksesit. Në këta njëzet vjet në gjithë rajonin tonë kemi parë mungesë të vullnetit politik për progres më të shpejtë në sundim të ligjit dhe krijimin e një ekonomie që funksionon për të gjithë. Tranzicioni i pabalancuar ekonomik dhe mungesa e vendeve të reja pune kanë stimuluar ikjen e qytetarëve nga rajoni. Gjithë këtij sfondi duhet shtuar edhe zogoritë e vazhdueshme politike në mes vendeve të rajonit dhe këtu patjetër përgjegjësia bie mbi vendin më të madh të rajonit. Refuzimi i Serbisë për të pranuar krimet e historisë, si dhe inspirimi i saj politik, kulturor dhe religjioz nga Rusia vazhdojnë të pengojnë hapërimin e rajonit drejt strukturave euroatlantike.
Dhe në gjithë këtë mes nuk duhet amnistuar as Bashkimin Evropian. Në këta njëzet vjet BE-ja nuk ka treguar lidershipin e nevojshëm për të realizuar vizionin e Evropës së “bashkuar dhe në paqe”. BE-ja ka besuar se mund të zëvendësojë mungesën e vizionit dhe strategjisë me procedura dhe burokraci. Shtuar kësaj se edhe vetë BE-ja u nakatos nga krizat e saja të brendshme këta njëzet vjet. Asnjëherë në histori të saj BE-ja nuk u godit me kaq shumë kriza brenda një periudhe kaq të shkurtër: nga kriza financiare dhe e migrimit e deri te BREXIT-i, pandemia dhe lufta në Ukrainë. Të gjitha këto sëkëlldisje të brendshme të BE-së nuk i kanë lejuar të eksportojë vizion të jashtëm karshi Ballkanit Perëndimor.
***
Ditët dhe javët e fundit në kryeqytetet evropiane po flitet për “zgjimin” e BE-së dhe ngritjen e vetëdijesimit për rëndësinë e zgjerimit të BE-së karshi Ballkanit dhe lindjes së Evropës. E gjithë kjo si pasojë e pushtimit rus të Ukrainës. Dhe përderisa skeptiku tradicional i zgjerimit, presidenti Macron, tani flet si avokati kyç i zgjerimit të BE-së, kancelari Sholc po avokon për fillimin e ndryshimeve të brendshme ligjore dhe institucionale të BE-së që do të shtrojnë rrugën për pranimin e anëtarëve të rinj të BE-së. Dhe patjetër duhet pranuar se ky angazhim i ri i BE-së nuk është vetëm çështje fjalimesh abstrakte, por edhe veprimesh konkrete politike. Gjërat që nuk janë arritur me vite në procesin e zgjerimit u realizuan në çështje muajsh kohëve të fundit. Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut filluan negociatat e anëtarësimit, Bosnja mori statusin e vendit kandidat, Kosova fitoi liberalizimin e vizave, ndërsa Ukraina dhe Gjeorgjia fituan statusin e vendit kandidat. Nëse çdo gjë shkon siç duhet, deri nga fundi i këtij viti këto dy të fundit do të hapin negociatat e anëtarësimit me BE-në. Pra, qartazi duhet pranuar se ekziston një momentum i ri politik sa i përket zgjerimit të BE-së. Pyetja që ngelet është se a është ky vetëm momentum i izoluar politik apo vetërealizim thelbësor i lidershipit të BE-së për fatin e kontinentit evropian?
Kësisoj pyetja që sot kanë para vetes liderët e BE-së është po e njëjta me atë të Selanikut para njëzet vjetësh: Quo vadis Europa? Për njëzet vjet liderët evropianë nuk kanë pasur vëmendjen dhe kurajon e nevojshme për t’u përgjigjur në këtë pyetje. Sot, Putini i ka obliguar që të përgjigjen. Pushtimi rus i Ukrainës është kthesë historike në të cilën Evropa ose do të marrë kthesën e duhur dhe do ta vulosë fatin e Evropës së bashkuar dhe në paqe, ose do të ngelet xhuxh politik, i cili asnjëherë nuk ka kuptuar se burokracia dhe procedura nuk mund zëvendësojnë vizionin dhe strategjinë.