OpEd

Rikthimi i Trumpit dhe Kosova: Shpresa, mundësitë dhe realitetet

Pavarësisht nga ajo se kush është në Shtëpinë e Bardhë, qoftë një republikan apo demokrat, kosovarët kurrë nuk guxojnë të harrojnë se Washingtoni mbetet qendra kryesore e vendosjes ndërkombëtare për integrimin e plotë të Kosovës në sistemin ndërkombëtar dhe për forcimin e pozicionit të saj në nivelin global. Nëse dikur rilindësit tanë thoshin se “për shqiptarët dielli lind nga Perëndimi”, sot do të mund të thuhej me të drejtë se “Për Kosovën, dielli lind nga Amerika!”

 

 Asnjë rajon tjetër në botë nuk është aq i prekur nga zgjedhja e Donald Trumpit për president të SHBA-së sa Evropa. Vëzhgues e politikanë evropianë paralajmëruan për pasoja të politikës së jashtme dhe të sigurisë nga fitorja e Donald Trumpit, para zgjedhjeve.

“As Gjermania dhe as Evropa nuk ishin ‘thjesht politikisht’ të përgatitura në mënyrë adekuate për këtë”, thotë Marie-Agnes Strack-Zimmermann (FDP) në televizionin ARD.

Ditët kur amerikanët e mbrojtën Evropën me çdo çmim, si duket kanë mbaruar. Por, nuk duhet harruar se edhe fitorja e parë zgjedhore e Trumpit në nëntor 2016 pati shkaktuar valë tronditëse në Bruksel dhe në shumicën e vendeve të BE-së. Në atë kohë, u fol për një “aksident” në historinë e SHBA-së, i cili e përforcoi përshtypjen se BE-ja është jofleksibile dhe jo mjaftueshëm e përgatitur për shqetësimin e marrëdhënieve transatlantike, të cilat deri më tani ishin konsideruar të mirëqena dhe të garantuara.

Fitorja e tij, pos që e rikonfirmon simpatinë për një ish-president, tregon shumë se bota, në të cilën po jetojmë, po ndryshon me shpejtësi, po bëhet më shumë një botë e përplasjeve dhe jo e bashkëpunimit. Disa flasin edhe për një “zgjedhje që e ndryshon rendin botëror”. Raportet transatlantike nuk do të zhbëhen, por ato do të ndryshojnë dhe do të zhvillohen në kondita të tjera.

Për kontinentin e vjetër, kjo do të thotë që presioni nga Uashingtoni po rritet për të marrë më shumë përgjegjësi dhe barrë financiare në mbrojtjen e vet. Nëse shtetet evropiane janë të afta politikisht dhe ushtarakisht për ta realizuar këtë, është ende e dyshimtë — aq më tepër kur Shtetet e Bashkuara po mendojnë të veprojnë gjithnjë e më shumë jashtë strukturave të përbashkëta të NATO-s.

Natyrisht, ky pozicion i Trumpit e ka shkundur BE-në, si dhe ka vënë, po ashtu, në sprovë partneritetin transatlantik. Në Evropë ka dilema se si duhet përballur me politikat ekonomike të Trumpit. Në këtë kuadër, evropianët janë mobilizuar për të vepruar së bashku në planin politik, ekonomik dhe ushtarak përballë administratës së re amerikane. Por nuk përjashtohet mundësia që një grup shtetesh të BE-së të rreshtoheshin në anën e Trumpit. Në këtë rrethanë, një përgjegjësi e madhe për unitetin e BE-së bie mbi supet e Gjermanisë. Por aksi Berlin-Paris ka probleme. Nuk janë vetëm paqëndrueshmëritë e brendshme politike në Francë, me një president të dobësuar Emmanuel Macron, por edhe në Gjermani, kur gjithnjë e më shumë po rritet ekstremi i djathtë, Qeveria e kancelarit Scholz është në largim e sipër. Kjo situatë në vendet kryesore evropiane është një barrë shtesë për unitetin e BE-së.

 

Trumpi dhe lufta në Ukrainë

 

Pos në vendet e BE-së, fitorja e Trumpit do të ketë impakt edhe në luftën e Ukrainës. Për momentin, gjithçka është në nivel të spekulimeve. Dikush thotë se ukrainasit po kërcënojnë ta humbin aleatin e tyre më të rëndësishëm. Sidoqoftë, mbetet të shihet. Por, një gjë tashmë është e qartë - Trumpi e dëshiron një fund të shpejtë të luftës në Ukrainë.

Një proces i mundshëm paqeje mund të nënkuptojë lëshime të dhimbshme për Ukrainën. Në lidhje me këtë, ekspertë ndërkombëtarë pohojnë se Putini dëshiron shumë më tepër se sa Donbasin. Sidoqoftë, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, mbështetet në qasjen “paqe përmes forcës”, me shpresën se Trumpi do ta mbështesë Ukrainën në përballjen e saj me Rusinë. Mediet gjermane flasin se një proces të mundshëm paqeje mund të nënkuptojë lëshime të dhimbshme për Ukrainën. Për më tepër, mbetet plotësisht e hapur nëse gjatë mandatit të Trumpit, Ukraina do të anëtarësohet në NATO. Në të njëjtën kohë, është ende e paqartë se si Trumpi dëshiron t’i sjellë rusët në tryezën e bisedimeve, veçanërisht pas një tërheqjeje të gjerë amerikane nga përgjegjësia. Një pakicë madje beson se paparashikueshmëria e Trumpit mund t’i ndihmojë ukrainasit. Marrëdhëniet me Uashingtonin janë tensionuar për shkak të ngurrimit të Bidenit për ta furnizuar me armë me rreze të gjatë veprimi dhe për t’u bashkuar me NATO-n. Disa shpresojnë se Trumpi mund të veprojë më pak i kujdesshëm se Bideni. Presidenti i ardhshëm amerikan mund të ushtrojë më shumë presion ekonomik mbi Rusinë dhe ta furnizojë Ukrainën me më shumë armë nëse Putini refuzon të zhvillojë bisedime. Në Kiev thonë se Trumpi ishte i pari që u dha armë vdekjeprurëse ukrainasve në vitin 2017.

“Gjëja më e mirë që Ukraina mund të bëjë për të zbutur rreziqet, është të forcojë forcat e veta”, beson ish-ministri i Jashtëm ukrainas, Dmitro Kuleba. Por, është e lexueshme se strategët e politikës së jashtme të administratës së re amerikane synojnë të gjejnë mënyra për normalizimin e marrëdhënieve me Rusinë, sapo të ketë përfunduar lufta në Ukrainë. Një hap i tillë i Uashingtonit synon ta mbajë Rusinë larg Kinës dhe njëkohësisht ta përdorë si kundërpeshë ndaj Kinës, ndaj së cilës pritet që Trumpi të ndjekë një politikë radikale në sferën ekonomike. Qysh gjatë fushatës zgjedhore, Trumpi ka paralajmëruar se do të vendosë tarifa ndëshkuese për mallrat nga Kina, prej të paktën 60 për qind, dhe do të forcojë kontrollet e eksportit në sektorin e teknologjisë. Në këto rrethana, ndërkohë që SHBA-ja do të bëjë përpjekje të mëdha për ta përmbyllur luftën në Ukrainë dhe për normalizimin e raporteve me Rusinë, për të përballuar krizën në Gazë dhe për të arritur konsensus me evropianët, Kosova duhet të nxitojë për të rihapur kanalet e komunikimit me administratën e re Trump, e cila, ngjashëm sikurse administrata Bush, në konton e saj ka një bilanc pozitiv për Kosovën dhe rajonin.

 

Politika amerikane në konsolidimin e Perëndimit në rajon

 

Hera e fundit kur SHBA-ja e pati një politikë më të qartë për Ballkanin përkon me administratën e presidentëve George Bush dhe Donald Trump. Derisa nën presidencën e Bushit krijohen dy shtete të reja, Mali i Zi (2006) dhe Kosova (2008), Shqipëria dhe Kroacia do të bëhen anëtare të NATO-s, ngjarje që e shënojnë konsolidimin më të suksesshëm të Perëndimit në rajon, që nga përfundimi i luftës në Kosovë. Ndërkaq, në periudhën e administratës Trump, derisa evropianët e bullizojnë politikisht Maqedoninë e Veriut (me kushtin e ndryshimit të emrit) dhe Kosovës (me liberalizimin e vizave), ndodh transformimi i FSK-së në ushtri dhe anëtarësimi i Maqedonisë së Veriut në NATO. Këto zhvillime gjatë dy administratave të presidentëve republikanë ishin goditjet vendimtare të platformës politike të “botës serbe” dhe të përpjekjeve për shtrirjen e influencës ruse në rajon. Në këtë mënyrë, Serbia, e cila e gëzon epitetin e shtetit turbullues në Ballkan që nga presidenti Wilson, u rrethua me vende të NATO-s dhe aleatë të SHBA-së dhe me këtë konsolidim të Perëndimit në rajon mban vulën amerikane. Natyrisht, një bilanc i tillë mund te jetë premtues për Kosovën dhe për rajonin edhe në periudhën e administratës Trump II.

 

Trumpi dhe impakti në Kosovë

 

Fitorja e kandidatit republikan Trump në zgjedhjet presidenciale në SHBA është një ngjarje që ka tërhequr vëmendje. Njëkohësisht, ka pasur edhe keqkuptime të cilat janë nxitur nga brenda dhe jashtë Kosovës, me qëllim të krijimit të një klime të antiamerikanizmit, duke e personifikuar me staturën politike të presidentit në ardhje, Trump. Që nga fillimi është krijuar një keqkuptim në Kosovë, i cili bazuar vetëm nga fakti se dikush ka festuar në Beograd apo gjetiu, sikur që nuk është e vërtetë se administrata e re Trump është kundër Kosovës. Duhet pranuar se ky është një diskurs, i nxituar pak, të cilin e kemi dëgjuar edhe më parë po ashtu edhe nga evropianët, se SHBA-ja dëshiron ta copëtojë Kosovën. Ky narracion ka qenë instrument i mirë edhe në instrumentalizimin e publikut vendor. Dhe pikërisht këtu duhet kërkuar këtë skepticizëm dhe mosbesim të një pjese të kosovarëve se fitorja e presidentit Trump përbën kërcënim për të ardhmen e Kosovës, duke e krijuar përshtypjen se SHBA-ja e ka Kosovën rivale e jo Kinën, Rusinë apo Iranin. Për më keq, qarqe të caktuara, me apo pa dije, shkojnë deri në absurditet, duke e vënë në pikëpyetje edhe lojalitetin e Trumpit ndaj SHBA-së, duke e portretizuar si pro-rus dhe, për më keq, në rastin tonë, edhe si pro-serb. Sipas kësaj narrative, vetëm sa nuk thuhet që votuesit amerikanë gabuan që u përcaktuan për Trumpin. Të krijohet përshtypja se po të ishim ne në vend të SHBA-së, po ta kishim potencën e saj politike, ekonomike dhe ushtarake, do t’i vinim sanksione për shkak të votës së tyre për presidentin Trump, ndoshta edhe nuk do t’i njihnin zgjedhjet amerikane. Si do të tingëllonte një gjë e tillë në Kosovë, sikur SHBA-ja të përcaktohej për një kandidat apo një parti politike në Kosovë?! Sigurisht do t’ia përcaktonin vendin. Do të ngrinin zërin në tribuna dhe studio televizive duke thënë: “Duhet ta dijë Amerika, ne jemi shtet sovran, ne vendosim vetë për të ardhmen tonë!”.

Natyrisht, ky diskurs burimin e ka në orientimin ideologjik dhe qarqe jashtë Kosovës, të cilat provojnë të krijojnë një klimë antiamerikane në Kosovë. Janë po të njëjtat qarqe që i fryjnë islamit politik në Kosovë, në mënyrë që ta deformojnë imazhin e Kosovës. Është një përpjekje e gjatë për ta rrënuar bazamentin e orientimit tradicional proamerikan të shqiptarëve në Kosovë, i cili për arsye historike është kultivuar edhe në periudhën e socializmit jugosllav, atëherë kur edhe plaku i pashkollë i një fshati të humbur në Kosovë thoshte me bindje: “Biri im, Kosova mund të çlirohet atëherë kur në Adriatik do të vijë flota amerikane”. Dhe disa dekada më vonë do të ndodhte ajo që e ndienin dhe e shpresonin shqiptarët – SHBA-ja mori rolin prijës në zgjidhjen e çështjes së Kosovës. Prandaj, një klimë e tillë antiamerikane në Kosovë, duke e personifikuar me figurën e Trumpit dhe fitoren e tij si një ngjarje të pafavorshme për Kosovën, krijon depresion politik dhe synon ta nxjerrë Kosovën nga shinat e orientimit strategjik euroatlantik. Ky është një kurth, të cilin Kosova duhet ta tejkalojë me mençuri dhe me pragmatizëm. Është miopi politike ta kërkosh armikun aty ku nuk ekziston. Ndoshta mësimi më i mirë për këtë është Shqipëria komuniste, e cila gjithmonë rrezikun e saj e projektoi andej nga nuk ishte, ndërkohë që armiku i saj real ishte brenda saj. Edhe në rastin tonë, vonesat nuk na i sollën të tjerët, i krijuam vetë, dhe për më keq, për çështje elektorale.

Gjithashtu, është e pritshme që administrata Trump do të ketë një qasje më të drejtpërdrejtë dhe më të vendosur. Trumpi është i njohur për diplomacinë e tij të forcës dhe ka shprehur interes për një qasje më të ashpër ndaj Rusisë, si dhe për një mbështetje më të madhe buxhetore të vendeve të NATO-s. Nëse Trumpi përqendrohet në të ardhmen, në përpjekjet për të zgjidhur konfliktet e mëdha ndërkombëtare, mund të shihet një mundësi për të rritur përfshirjen e SHBA-së në procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Kosova nuk mund të bëhet pjesë e narrativës evropiane anti-Trump

 

Se kritikët janë të nxituar dhe nuk kanë të drejtë, tregon fakti se marrëdhëniet Kosovë-SHBA shkojnë përtej çdo ideologjie, partie apo administrate, pasi kanë kaluar përmes periudhave dhe sfidave të vështira, duke u finalizuar me sukses në procesin e shtetndërtimit. Edhe periudha e administratës së parë të Trumpit ka një bilanc pozitiv për Kosovën. Prandaj, në përpjekjen për të ndërtuar raportet me administratën e re amerikane, Kosova nuk guxon dhe nuk mund të bëhet pjesë e narrativës evropiane anti-Trump, pasi motivet dhe pozicionet e qarqeve evropiane dallojnë thelbësisht prej prioriteteve të Kosovës. Nëse qëndrimi evropian ka komponentin e sigurisë dhe të ekonomisë, ai i palës serbe është i drejtpërdrejtë dhe i hapur, i orientuar kryekëput kundër shqiptarëve, duke synuar që të kultivojë një atmosferë armiqësore ndaj SHBA-së dhe të krijojë një klimë të tillë që mund të dëmtojë marrëdhëniet Kosovë-SHBA. Edhe pse administrata Biden nuk ka arritur suksese të rëndësishme për Kosovën, nuk mund të harrojmë se SHBA-ja ka bërë dallimin për Kosovën, sidomos në çështjen e agresionit ushtarak serb në Banjskë, duke u angazhuar aktivisht për të ndaluar veprimet e dhunshme dhe për të mbështetur ruajtjen e rendit dhe sigurisë në territorin e Kosovës. Shikuar nga kjo perspektivë, rikthimi i Trumpit mund t’i këndellë politikisht dhe ushtarakisht shtetet e BE-së, të cilat tashmë kanë rritur buxhetet e tyre ushtarake, jo pse atë ua kërkonte Trumpi në mandatin e kaluar, por për shkak të luftës së Ukrainës. Duhet pranuar se Kosova ka pësuar dëme të mëdha nga politika e disa vendeve të BE-së, sidomos nga mosnjohja e pesë vendeve anëtare të BE-së, të cilat, përjashto Greqinë, në vazhdimësi kanë vepruar në mënyrë të padrejtë ndaj Kosovës, duke i bllokuar mundësitë e saj për anëtarësim në organizata ndërkombëtare dhe, së fundi, edhe në Këshillin e Evropës. Në ndërkohë, kjo qasje, jo vetëm se e ka frenuar suksesin e dialogut të Brukselit, por ka minuar edhe përpjekjet për konsolidimin e suksesit të Perëndimit në rajon dhe në Kosovë, duke vazhduar me politikën e vizave për qytetarët e Kosovës. Uniteti evropian më shumë është shpërfaqur në çështjen e penalizimit të Kosovës, siç ishte rasti me liberalizimin e vizave apo me masat ndëshkuese për veprimet e Qeverisë Kurti në veri. E agresionin ushtarak të Serbisë në Banjskë, vetëm gjashtë muaj pas Marrëveshjes së Ohrit, e ka anashkaluar me një retorikë dënuese të butë, sikur të ishte fjala për ndryshime vështrimi apo çështje ambientale. Në të njëjtën kohë, na kujtohen deklaratat e forta qortuese të zëdhënësit të BE-së, Peter Stano, në adresë të Kosovës - sidomos ajo pas njohjes së Kosovës nga Izraeli e vendimit për hapjen e ambasadës kosovare në Jerusalem, kur tha: “Këto vendime e largojnë Kosovën nga qëndrimet e BE-së”. Tjetër ilustrim për standardet e dyfishta të BE-së janë rastet e masave sanksionuese ndaj Kosovës dhe mbylljes së zyrave ilegale të Serbisë brenda territorit të Kosovës, përderisa për agresionin ushtarak të shtetit serb në Banjskë është mjaftuar me disa deklarime verbale, të cilat Beogradi, natyrisht, i ka marrë seriozisht. Kjo sjellje asimetrike dëshmohet edhe nga pozicioni i pesë vendeve mosnjohëse të BE-së ndaj Kosovës dhe për më tepër pozicioni i kujdesshëm ndaj Serbisë, e cila edhe pse është në procesin e anëtarësimit në BE, deri më sot ka refuzuar t’i bashkohet BE-së për sanksione ndaj Rusisë. Për më tepër, kjo kontradiktë evropiane duhet të jetë një shtytje tjetër për Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kosovës që të pyesë, përmes përfaqësuesve diplomatikë, nëse shtetet anëtare të BE-së i kanë ndryshuar qëndrimet e tyre ndaj Rusisë, pasi Serbia vazhdon t’i thellojë marrëdhëniet me Rusinë e, në të njëjtën kohë, Franca dhe Gjermania po nënshkruajnë kontrata të rëndësishme ekonomike me Beogradin. Një tjetër çështje që duhet të ngrihet te 22 vendet anëtare të BE-së, të cilat e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, ka të bëjë me vendimin e njëanshëm të Brukselit për njohjen e pasaportave ilegale serbe, në të cilat territori i shtetit të Kosovës prezantohet si pjesë integrale e Serbisë. Nëse ato e kanë njohur Kosovën dhe nuk kanë ndryshuar qëndrim, atëherë është e qartë se ky është cenim i sovranitetit dhe i subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës. Një shtet nuk mund të ketë dy pasaporta dhe dy sovranitete!

Këto argumente dëshmojnë se nuk ka ndryshim të paradigmave të politikës amerikane ndaj Kosovës, por qarqe të caktuara, duke iu referuar edhe disa provokimeve të palës serbe, përpiqen të na thonë se na “mori pusi”. Për më tepër, argumentet e sipërpërmendura vetëm sa e përforcojnë argumentin se Kosova nuk guxon dhe as nuk e ka luksin t’i bashkohet narrativës evropiane anti-Trump, pasi ajo kaherë ka marrë tiparet e një narrative dhe një histerie antiamerikane. Parimi më i rëndësishëm bazë i politikës së jashtme të Kosovës duhet të jetë ky: Kosova nuk mundet t’i zgjidhë problemet e saj vetëm. Për çdo qeveri të Kosovës, SHBA-ja i përket themelit të politikës së jashtme kosovare, prandaj duhet ta kemi ndërmend të njëjtën gjë: Kosova kurrë nuk guxon të bëjë politikë kundër SHBA-së.

 

Roli i Administratës Trump për transformimin e FSK-së

 

Në kohën kur të gjitha vendet evropiane të NATO-s, duke përfshirë edhe Shqipërinë, kishin rezerva për transformimin e Forcave të Sigurisë së Kosovës (FSK) në ushtri, pasi përfaqësuesit e pakicës serbe, të instruktuar nga Beogradi, po e bllokonin një hap të tillë, ishte administrata Trump ajo që në vitin 2018 i dha mbështetje edhe përmes miratimit të tre projektligjeve në Kuvendin e Kosovës. Kjo mbështetje e vetme e SHBA-së kishte rëndësi jetik për Kosovën, pasi Kosovës i njihej e drejta e saj sovrane për krijimin e ushtrisë, sipas parametrave të NATO-s. Ishte historike, pasi ushtria, ngjashëm si diplomacia, kompletonte në tërësi infrastrukturën shtetërore të Kosovës. Asokohe, edhe përmes një Ambasadës Amerikane në Prishtinë, konfirmohej se SHBA-ja e ripohon mbështetjen e saj për “transicionin gradual të FSK-së në forcë me mandat mbrojtës territorial, siç është e drejta sovrane e Kosovës”. Ky pozicion solo i SHBA-së i bëri të munduar Qeverisë së Kosovës ta ndjekë planin e saj dhjetëvjeçar për transformimin e FSK-së në forcë me kapacitete ushtarake. Pra, kjo mbështetje e Washingtonit i hapi rrugë Kosovës për ngritjen e kapaciteteve të saj luftarake, që i krijuan mundësi Kosovës të fillonte me më shumë investime në sisteme modern të armatimit.

 

Letrat e Trumpit: Njohja, si pjesë e marrëveshjes përfundimtare

 

Pavarësisht se disa qarqe e quanin si të “zakonshme” përmbajtjen e letrave të presidentit Trump gjatë mandatit të tij të parë, kur i rikthehemi sot e shohim se ato bëjnë dallimin me qëndrimin me administratën e Bidenit, e le të mos flasim me atë të BE-së, e cila qe katër vjet e ka hequr nga zhargoni diplomatike maksimën për marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe njohje të ndërsjellë. Në letrën e 18 dhjetorit 2018, dërguar presidentit të atëhershëm Hashim Thaçi, Trumpi shprehte mbështetje për përpjekjet e lidershipit të Kosovës për pajtimin me Serbinë, duke tërhequr vërejtjen se “dështimi për të përfituar nga kjo mundësi unike, do të ishte një kthim tragjik prapa, sepse një mundësi tjetër për marrëveshje paqësore gjithëpërfshirëse vështirë se do të mund të përsëritet për një kohë të gjatë”. Me atë rast, Trumpi i bënte thirrje lidershipit të Kosovës që ta shfrytëzonte një moment të tillë unik për të folur me një zë të vetëm gjatë negociatave dhe të përmbahej nga veprimet që mund ta vështirësonin arritjen e marrëveshjes. Ai po ashtu siguronte asokohe se SHBA-ja ishte e gatshme të ndihmojë në arritjen e një marrëveshjeje që do t’i reflektonte interesat e Kosovës dhe të Serbisë në mënyrë të balancuar, duke e përmendur mundësinë e një takimi në Shtëpinë e Bardhë me Thaçin dhe Vuçiqin për të festuar një marrëveshje historike.

Pak javë më vonë, një qëndrim të ngjashëm Trumpi do ta shpërfaqte edhe në adresë të Beogradit. Edhe në letrën dërguar presidentit të Serbisë, Vuçiq, në shkurt 2019, presidenti Trump do të potenconte qartë se procesi i dialogut me Kosovën duhej të përfshinte një njohje të ndërsjellë. Ky ishte një tjetër hap për të nxitur Serbinë që ta pranojë realitetin e Kosovës si një shtet i pavarur dhe ta pranonte njohjen si pjesë të një marrëveshjeje përfundimtare. Mirëpo, me kalimin e kohës është befasuese lehtësia me të cilën administrata Biden dhe BE-ja hoqën dorë nga kërkesa për marrëveshje gjithëpërfshirëse, ligjërisht obliguese. Në vend të kësaj, i gjithë fokusi u përqendrua në marrëveshje të veçanta, përkatësisht nga shtatorit 2021 ndërmjetësi i BE-së, duke i marrë “parasysh shqetësimet e ngritura nga pala e Beogradit lidhur me mosimplementimin e Asociacionit/Komunitetit të komunave me shumicë serbe”, i njoftoi Bislimin dhe Petkoviqin se do të trajtohen “çështjet e pazgjidhura që kanë dalë nga Marrëveshja e Parë e principeve që rregullon normalizimin e marrëdhënieve”, që nënkuptonte se tani e tutje do të mbetej me prioritet çështja e implementimit të Asociacionit/Komunitetit të komunave me shumicë serbe.

Në këtë mënyrë, në periudhën post-Trump, opsioni i njohjes reciproke u la në harresë dhe tani, as SHBA-ja dhe as BE-ja nuk flasin më për një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht të obligueshme. Ky zhvillim ka sjellë pasiguri dhe ka bërë që shumë çështje të mbeten të hapura dhe pa zgjidhje. Në këtë klimë ndodhi edhe Marrëveshja Bazë e Brukselit dhe Aneksi i Ohrit, e cila, edhe sipas Lajçakut, do të jetë vetëm një hap drejt marrëveshjes gjithëpërfshirëse.

 

Marrëveshja e Washingtonit dhe njohja nga Izraeli

 

Afërisht, dy vjet më vonë, në Shtëpinë e Bardhë ndodhi Marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike mes Kosovës e Serbisë, organizuar nga i dërguari i Trumpit për Ballkanin, Richard Grenell. Në setin e kësaj marrëveshje bënte pjesë edhe njohja nga Izraeli. Ishte personalisht Trumpi ai që e organizoi, në mënyrë krejt të pazakonshme, telefonatën mes kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti dhe kryeministrit izraelit, Benjamin Netanjahu, përmes së cilës u konfirmua njohja diplomatike e Kosovës nga shteti i Izraelit. Kjo njohje strategjike, jo vetëm që e rriti vetëbesimin e Kosovës, por ishte gjithashtu një mesazh i fortë edhe për vetë BE-në dhe sidomos për vendet që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës. Përveç kësaj, kjo njohje e dizajnuar nga Washingtoni dëshmoi se mungesa e njohjeve nga pesë shtetet anëtare të BE-së ishte politike dhe ndërkombëtarisht e paarsyeshme.

“Shteti i Izraelit do të njohë Republikën e Kosovës, shtetin më të ri në Evropë. Kjo do të thotë shumë për mua, pasi ndiej miqësinë mes Austrisë, Izraelit dhe Kosovës. Është një sinjal i qartë për të gjitha shtetet që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës”, do të deklaronte deputeti i Parlamentit Evropian, Lukas Mandl.

Por, nëse Marrëveshja e Washingtonit e solli njohjen nga Izraeli, ndër më e rëndësishmet që ka marrë Kosova, BE-ja edhe pas 13 vjetësh negociata nuk arriti të siguronte asnjë njohje, madje as nga pesë vendet mosnjohëse në BE, as edhe prej Spanjës e Sllovakisë, prej nga janë shefi i politikës së jashtme të BE-së, Borrel dhe ndërmjetësi i dialogut Kosovë-Serbi, Lajçak. Për më tepër, njohjen e Kosovës nga Izraeli zyrtarët e BE-së e përjetuan me nervozizëm dhe xhelozi të pakuptueshme. Në veçanti u pengonte  zotimi i Kosovës për vendosjen e ambasadës kosovare në Jerusalem, që sipas tyre binte ndesh me qëndrimin e BE-së. Ndërkohë, Borelli e Laçaku harronin që shtetet prej nga vinin, me qëndrimin e tyre kundër shtetësisë së Kosovës, i dëmtonin përpjekjet e Perëndimit për konsolidimin e paqes dhe stabilitetit në Evropën Juglindore, dhe kështu i ndihmonin shtrirjes së influencës ruse në rajon. Por, Brukseli për vete e kishte justifikimin e gatshëm, edhe pse ato janë anëtare të BE-së, nuk i obligonte asgjë të kenë qëndrim të njëjtë me 22 vendet e BE-së. Veç kësaj, nëse e bëjmë një krahasim tjetër, çfarë solli Marrëveshja e demonizuar e Washingtonit dhe Marrëveshjen e glorifikuar e Ohrit?

Nëse e para solli njohjen nga Izraeli dhe stopimin e fushatës serbe kundër njohjeve të shtetësisë së Kosovës, e dyta, pra ajo e Ohrit, solli bojkotin e zgjedhjeve lokale në katër komunat veriore të vendit, agresionin ushtarak serb në Banjskë të Kosovës dhe dështimin e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës (KiE). Dhe krejt në fund, “rrezikun bërthamor” nga hapja eventuale e Urës mbi Ujëbardh.

Pavarësisht vërejtjeve që mund t’i gjinden edhe kësaj marrëveshjeje, të metave dhe kufizimeve që i kishte, ajo nuk shkonte kundër interesave afatgjate të Kosovës. Përkundrazi, i dëshmonte dobësinë, ngadalësinë dhe mungesën e ambicieve evropiane për të arritur një normalizimin midis Kosovës e Serbisë. Pra, ishte një shembull i përpjekjeve serioze amerikane për të arritur paqe dhe stabilitet në rajon, duke i dhënë fokus bashkëpunimit ekonomik dhe uljes së ndikimit rus dhe kinez në rajon.

 

Mundësia për një shans të ri

 

Mirëpo, nëse tani do të ketë mundësi për rikthimin e kësaj vëmendjeje të shtuar në Washington dhe nëse do të arrijmë të krijojmë influencë për rikthimin e një mundësie tjetër për marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe me njohjen përbrenda saj, mbetet të shihet ngase në këtë mjedis dinamik ndërkombëtar dhe të problemeve të shumta ndërkombëtare, secila palë lufton dhe lobon për pozicionin e saj. Aq më tepër që sistemi amerikan i politikëbërjes dhe i vendimmarrjes ka një metodologji krejt ndryshe me atë të kontinentit evropian. Në këtë kontekst, edhe lidershipi politik në Kosovë, pushtet e opozitë, por veçanërisht Qeveria, politikën duhet ta zhvendosë komplet në përpjekjet për ndërtimin e një komunikimi intensiv me administratën e re amerikane. Një aksion i tillë politik pragmatik është i domosdoshëm me qëllim që Qeveria e re e Kosovës, e dalë pas zgjedhjeve të 9 shkurtit të vitit të ardhshëm, t’i ketë të konsoliduar linjat e komunikimit diplomatik me administratën e re në Washington dhe kështu të mos humbet hapi për fuqizimin e pozicionit të saj në SHBA. Është po ashtu lajm i mirë nominimi i Marco Rubios për sekretar amerikan të Shtetit, pasi ai ka njohje të mirë për Kosovën dhe ka lidhje me diplomatë dhe politikanë të caktuar të vendit. Rubio mbahet mend sidomos për fjalimin e tij, kur tha se “forcat e armatosura amerikane kanë qenë më të mëdha për të mirën në botë gjatë shekullit të kaluar”, duke shtuar se ato e ndalën spastrimin etnik të Serbisë në Kosovë. Sido që të jetë, as për mirë dhe as për keq, politikën amerikane nuk duhet personalizuar në skajshmëri, edhe pse është avantazh, pasi ajo i ka shinat e saj të qëndrueshme institucionale. Por, nëse nisemi nga disa vlerësime të ekspertëve ndërkombëtarë, pas fitores së Trumpit edhe Moska nuk është në humor të mirë dhe rrjedhimisht, kjo do të duhej të vlente edhe për Serbinë, e cila, për dallim nga Kosova, ka arritur ta materializojë politikisht dhe financiarisht çështjen e luftës së Ukrainës.

Në këtë kuadër, është emergjente dhe e domosdoshme që misioni ynë diplomatik në Washington dhe ai konsullor në New York të përçojnë një pozicion të formësuar dhe sa më të qartë të Kosovës për mënyrën e normalizimit të raporteve Kosovë-Serbi dhe veçanërisht lidhur me atë se a mund të shkohet më tutje me Marrëveshjen (e pasuksesshme) e Ohrit, e cila, dorën në zemër, nuk i përmbush pritjet e Kosovës. Dhe mbi bazën e këtij komunikimi të brendshëm diplomatik, politika e jashtme e Kosovës duhet të ndërtojë një pozicion ofensiv dhe koheziv me Washingtonin, në mënyrë që ndryshimi i dinamikave në Procesin e Brukselit, përkatësisht të rikthimit në tavolinë i opsionit për marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht obliguese e cila do të nënkuptonte edhe njohjen e ndërsjellë dhe të cilën Trumpi e kishte potencuar qysh në dhjetor të vitit 2018, të jetë një proces sinkronizuar deri në detaje. Pra, duhet të shmangen aksionet politike ad hoc, pasi ato vetëm sa kanë sjellë përplasje dhe kokëdhimbje të panevojshme të aleatëve tanë, por pa pasur ndonjë përfitim konkret në finale.

Në të njëjtën kohë, Kosova dhe lidershipi i saj politik duhet ta shfrytëzojnë këtë moment për të qenë unik në veprime dhe që çështja e normalizimit të raporteve me Serbinë të përmbyllet brenda administratës Trump. Çdo prolongim do ta vështirësonte arritjen e marrëveshjes dhe do ta vononte konsolidimin e pozicionit ndërkombëtar të Kosovës, ndërkohë që Beogradi është komod dhe nuk ka çfarë të humbas. Prandaj, ndërsa bota tjetër e ndjek me vëmendje rikthimin e Donald Trumpit në Presidencën e SHBA-së dhe BE-ja po planifikon ta rishikojë strategjinë e saj të politikës së jashtme dhe të sigurisë, për Kosovën, shtetin e vogël në periferi të Evropës që përpiqet të bëhet pjesë e sistemit ndërkombëtar, mandati i ri i Trumpit paraqet sfidë dhe njëkohësisht mundësi të madhe për tejkalimin e status quosë politike dhe për rikthimin në tavolinën e negociatave për arritjen e një normalizimi të plotë të marrëdhënieve Kosovë-Serbi përmes një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht obligative. Në këtë kontekst, lidershipi kosovar duhet t’i forcojë lidhjet me Partinë Republikane, pa braktisur lidhjet e mira ekzistuese edhe me demokratët, me synimin për të korrigjuar me patjetër vazhdimin e dialogut për tema të veçanta, meqë përmes një taktike të tillë krijohet hapësirë për prolongimin e procesit. Përveç kësaj, me një qasje të tillë, të ndjekur si nga Brukseli e Serbia dhe të pranuar çuditërisht edhe nga Qeveria e Kosovës, jo që nuk shkohet drejt finales së dialogut (siç ndodhi edhe me marrëveshjen e Ohrit), por do të përdoren vetëm si mjet për arritjen e koncesioneve të njëpasnjëshme në dëm të Kosovës dhe si instrument për erozionin e sovranitetit të Kosovës. Mësimi më i mirë, natyrisht është procesi i dialogut 13-vjeçar të Brukselit, i lehtësuar nga BE-ja, i cili është drejtuar keq nga Bashkimi Evropian dhe si rrjedhojë, ka përjetuar “vdekje klinike” që prej disa vjetësh. Dhe në një moment, kur ende nuk janë të qarta planet e përfaqësueses së Lartë të re të BE-së për Politikë të Jashtme, Kaya Kallas, i gjithë angazhimi diplomatik duhet të përqendrohet në Washington, që mbetet adresa më e rëndësishme diplomatike për Kosovën dhe qendra kryesore ndërkombëtare për drejtimin dhe menaxhimin e dialogut të Brukselit për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi. Tekefundit, gjithmonë duhet të kihet parasysh dhe madje të kultivohet si parim shtetëror i domosdoshëm nga brezi në brez: Arritja e Kosovës deri në këtë pikë ku është sot, nuk do të ishte e mundur pa rolin udhëheqës dhe angazhimin e fuqishëm politik, ushtarak dhe ekonomik të SHBA-së, ndërkohë që BE-ja, gjatë viteve 1990, ndiqte një politikë klienteliste në Ballkan. Në këtë kuptim, Kosova duhet t’i shmanget me vendosmëri çdo histerie antiamerikane, e cila gjenezën e saj e ka tek formacionet majtiste radikale dhe “antiimperialiste” në Evropë e gjetiu, të njohura po ashtu edhe si kundërshtare të bombardimeve të NATO-s kundër caqeve ushtarake e strategjike të Serbisë, me qëllim të parandalimit gjenocidit dhe spastrimit etnik në Kosovë.

Pavarësisht nga ajo se kush është në Shtëpinë e Bardhë, qoftë një republikan apo demokrat, kosovarët kurrë nuk guxojnë të harrojnë se Washingtoni mbetet qendra kryesore e vendosjes ndërkombëtare për integrimin e plotë të Kosovës në sistemin ndërkombëtar dhe për forcimin e pozicionit të saj në nivelin global. Nëse dikur rilindësit tanë thoshin se “për shqiptarët dielli lind nga Perëndimi”, sot do të mund të thuhej me të drejtë se “për Kosovën, dielli lind nga Amerika!”