Një shtet zhvillimor është ai që promovon në mënyrë aktive zhvillimin ekonomik dhe industrializimin. Politika industriale i referohet strategjisë së shtetit/qeverisë për promovimin e zhvillimit dhe rritjes së industrive specifike brenda një vendi. Politika industriale mund të ketë shumë forma dhe mund të zbatohet nëpërmjet një sërë masash
Pas krizës së shkaktuar nga pandemia COVID-19 dhe lufta në Ukrainë, shumë shtete po zbatojnë koncepte të shtetit zhvillimor si politika industriale. Këto dy ngjarje kanë pasur ndikim të madh në pothuajse të gjitha shoqëritë e botës dhe që të dyja përbëjnë një pikë kritike në ekonominë politike globale. Shtetet perëndimore po u rikthehen politikave industriale si një nga mënyrat e ballafaqimit me pasojat e këtyre dy krizave.
Shteti zhvillimor dhe politika industriale
Një shtet zhvillimor është shteti që promovon në mënyrë aktive zhvillimin ekonomik dhe industrializimin. Termi “shtet zhvillimor” u krijua nga akademiku Peter B. Evans, i cili thoshte se disa qeveri në Azi (si Koreja e Jugut dhe Tajvani) ishin në gjendje të arrinin rritje të shpejtë ekonomike duke promovuar në mënyrë aktive industrializimin dhe zhvillimin teknologjik. Politika industriale i referohet strategjisë së shtetit/qeverisë për promovimin e zhvillimit dhe rritjes së industrive specifike brenda një vendi. Politika industriale mund të ketë shumë forma dhe mund të zbatohet nëpërmjet një sërë masash. Ato mund të jenë: investimi në kërkim dhe zhvillim; stimulimet tatimore për bizneset; grantet dhe subvencionet; tarifat e importit ose barriera të tjera tregtare; zhvillimi i infrastrukturës; programet e edukimit dhe trajnimit; dhe rregulloret dhe standardet. Disa shembuj të politikës industriale përfshijnë: Politika “chaebol” e Koresë së Jugut, e cila promovoi zhvillimin e konglomerateve të mëdha, të orientuara kah eksporti. Më vonë, politika e Kinës “Made in China 2025”, e cila synon të promovojë zhvillimin e industrive të avansuara të prodhimit; Programi i Bashkimit Evropian “Horizon 2020”, i cili ofron financime për kërkimin dhe inovacionin; dhe “Partneriteti i Avancuar i Prodhimit” i Shteteve të Bashkuara, i cili synon të promovojë inovacionin në prodhim. Nga këta shembuj shohim se ka raste të politikës industriale Perëndimore edhe para pandemisë.
Ndikimi i pandemisë dhe i luftës në Ukrainë
Qeveritë po zhvillojnë politika industriale si përgjigje ndaj pandemisë COVID-19 dhe ndikimeve të saj ekonomike. Disa shembuj të politikave industriale post-COVID përfshijnë: Rikthimi/zhvendosja e prodhimit dhe manifakturës në vendet e tyre, me qëllim që të reduktojnë ndërprerjet e zinxhirit të furnizimit dhe të rrisin punësimin e brendshëm; digjitalizimi, pra adoptimi i teknologjive digjitale për të lehtësuar punën në distancë; investimet në sektorin e shëndetësisë për të përmirësuar gatishmërinë ndaj pandemive, për të rritur prodhimin e pajisjeve dhe furnizimeve mjekësore dhe për të forcuar infrastrukturën e kujdesit shëndetësor; rimëkëmbja e gjelbër duke investuar në industri dhe teknologji të qëndrueshme për mjedisin; dhe investimet në infrastrukturë si transporti, energjia dhe telekomunikacioni për të stimuluar rritjen ekonomike dhe për të krijuar vende pune.
Pas pushtimit rus të Ukrainës disa vende perëndimore zbatuan politika industriale që synonin të reduktonin varësinë e tyre nga energjia ruse dhe të promovonin pavarësinë energjetike. Disa shembuj përfshijnë: Diversifikimi i energjisë, ku vendet e Bashkimit Evropian kanë ndërmarrë hapa për të diversifikuar furnizimet e tyre me energji duke rritur përdorimin e energjisë së ripërtëritshme, duke investuar në tubacione të reja gazi dhe duke zhvilluar terminale të reja të gazit të lëngshëm natyror (LNG); Investimi në prodhimin vendor të energjisë, ku p.sh. Shtetet e Bashkuara kanë rritur prodhimin vendas të naftës dhe gazit, gjë që ka reduktuar varësinë në energjinë e importuar dhe ka dhënë një shtysë për industrinë vendëse të energjisë; dhe investimet në infrastrukturë, p.sh. Bashkimi Evropian ka investuar në projekte të reja të infrastrukturës energjetike, si ndërlidhës dhe objekte magazinimi, për të përmirësuar sigurinë energjetike dhe për të reduktuar varësinë nga energjia ruse.
Perëndimi rigjen politikën industriale
Më poshtë do t’i shohim disa shembuj domethënës të politikave industriale në Perëndim. “Ligji i CHIPS dhe Shkencës” është miratuar në Shtetet e Bashkuara dhe synon të investojë në industrinë vendëse të gjysmëpërçuesve (semikonduktorëve) dhe të promovojë kërkimin dhe zhvillimin në teknologjitë në zhvillim, si inteligjenca artificiale, kompjuterimi kuantik dhe bioteknologjia. Ligji synon të sigurojë fonde për zhvillimin e objekteve të prodhimit të gjysmëpërçuesve dhe trajnimin e një fuqie punëtore të kualifikuar, duke mbështetur gjithashtu kërkimin shkencor dhe inovacionin në fushat kritike të teknologjisë. Qëllimi i tij është të rrisë konkurrencën e SHBA-së në këto industri kyç, të promovojë krijimin e vendeve të punës dhe të sigurojë sigurinë kombëtare përmes kontrollit më të madh të brendshëm të teknologjive kritike. Ky ligj është drejtpërdrejt i frymëzuar nga pasojat e pandemisë dhe luftës në Ukrainë.
Një politikë tjetër është Ligji për Reduktimin e Inflacionit, po ashtu i miratuar në Shtetet e Bashkuara, e që synon uljen e inflacionit, por që shkon shumë më larg se aq. Ky ligj përbën investimin më të madh në ballafaqimin me ndryshimet klimatike, duke investuar 369 miliardë dollarë në programet e Sigurisë Energjetike dhe Ndryshimeve Klimatike për dhjetë vite.
Ndërsa BE-ja është e fokusuar në një politikë industriale më të gjelbër, që përfshinë Aleancën Evropiane të Baterive, që synon subvencionimin e prodhimit të baterive. BE-ja, po ashtu, ka për qëllim prodhimin e semikonduktorëve. Ndërsa Marrëveshja e Gjelbër Evropiane është një plan gjithëpërfshirës i aprovuar nga Bashkimi Evropian që synon arritjen e neutralitetit klimatik deri në vitin 2050. Plani përfshin një sërë masash për të reduktuar emetimet e gazrave serrë, promovimin e energjisë së ripërtëritshme, përmirësimin e efiçiencës së energjisë dhe mbrojtjen e biodiversitetit. Plani propozon investime të rëndësishme në energjinë e ripërtëritshme, kursimin e energjisë dhe teknologjitë e pastra, si dhe masa për të promovuar bujqësinë e qëndrueshme dhe reduktimin e mbetjeve. Plani përfshin gjithashtu një mekanizëm të transicionit të drejtë, që synon të mbështesë rajonet dhe sektorët më të prekur nga kalimi në një ekonomi neutrale ndaj karbonit.
(Autori është bashkëpunëtor vizitor në Qendrën për Paqe dhe Pajtim në Universitetin e Winçesterit, Angli. Pikëpamjet e shprehura janë vetëm personale)