1.
Nata e përgjakshme e 6 janarit në Kongresin amerikan rrëfeu për transicionin jo aq të lehtë presidencial. Kundërshtarët e këtij transicioni demokratik, që vjet na këshillonin të harronim historinë, mbrëmë prodhuan histori tragjike. Fatmirësisht, demokracia amerikane është aq stabile dhe Republika amerikane aq e fortë, sa e tejkaloi shpejt edhe këtë episod historik duke e konfirmuar presidentin e ri Bajden.
2.
Në vitin 21, të shekullit 21, pos post-trampizmit, pritet që Gjermania të kalojë në periudhën post- Merkel, kurse Britania e Madhe në atë post-BREXIT. Më 21 janar, presidenti Bajden do ta fillojë mandatin e parë, e kancelarja Merkel, në fund të vitit, do ta përfundojë mandatin e fundit. Presidenti Macron do të përgatitet për të riun, e Premieri Xhonson do ta fillojë vitin si i pari kryeministër britanik - jashtë BE-së. Putini do ta kalojë vitin e parafundit presidencial, i rehatuar me ligjin që imunizon veten dhe presidentët e tjerë nga ndjekja penale, ndërkaq Xiping do të mbetet i pakontestueshëm në Kinë edhe pas këtij viti.
3.
Në Ballkan, këtë vit Kosova e Shqipëria do të kenë zgjedhje të reja dhe qeveri të reja. Së paku në Kosovë, asgjë nuk do të jetë njësoj - si pas 14 shkurtit. Mali i Zi do të vazhdojë kohabitacionin e vështirë midis presidentit Gjukanoviq dhe Qeverisë Krivokapiq, e cila mezi mbahet - me vetëm një votë mbi shumicën (41 nga 80), po sikur Maqedonia e Veriut (me 61 nga 120). Në Serbi, Vuqiqi i fuqizuar pas zgjedhjeve të fundit, do të përgatitet për mandatin e dytë. Bosnjë- Hercegovina do ta fillojë vitin e parë pas çerekshekullit Dejtonian, pas disfatës zgjedhore lokale të lidershipit - deri dje - të pakontestueshëm në Bosnjën qendrore dhe në Republikën serbe.
4.
Fillimi i këtij shekulli, çuditërisht, riktheu eksperimentin e dështuar jugosllav të shekullit të kaluar; tash përmes “Mini- shengenit ballkanik”. Beogradi e di se vetë nuk mund t'i bëjë ballë unifikimit shqiptar në Ballkan, sidomos pas fuqizimit të tyre në katër shtete ballanike, që kufizohen me vetveten dhe me dy dete. Shihet se Serbisë i duhet një Jugosllavi e re. Pas asaj monarkike dhe komuniste, po mundohet ta krijojë tash atë të tretën - “evropianen”. E themeluar si krijesë e përkohshme, Jugosllavia përfundoi në fund të shekullit të kaluar me shpërbërjen e shtetit të fundit me këtë emër. Sapo menduam që ky transit historik i takonte së kaluarës, Beogradi riktheu idenë e integrimit jugosllav, tash nën ambalazhin “integrues rajonal”. Jo nga emërtimi, por nga përmbajtja, kjo ide e Beogradit nxjerr qartazi rikthimin e hegjemonisë serbe në Ballkan. Ndonëse deri në shekullin e 18-të e pranonin se nuk ishin “komb i vërtet”, por vetëm “komb në ide”, (siç shkruante në peticionin e “Kuvendit të Temishvarës” së vitit 1790 dërguar Vjenës)! Mirëpo një shekull më vonë Kongresi i Berlinit do ta njihte principatën serbe në kufijtë e Pashallëkut të Beogradit, që më vonë do të zgjerohej artificialisht: pas Luftës së Parë Botërore si Monarki Jugosllave; e pas Luftës së Dytë si Republikë Komuniste. Megjithatë, as me mbretin serb e as me monarkun e kuq kroat, ajo nuk e mbijetoi shekullin; e nuk do të mund të jetësohet as nga ish-ministri i propagandës së regjimit të Milosheviqit. Sidomos jo pas zgjedhjeve të 14 shkurtit.
5.
Ballkani, pra kishte një hiper-prodhim historik. Por, historia na mëson se Rusia nuk pranonte asgjë në Ballkan, nëse nuk e krijonte vetë. Para një shekulli, ajo shtyu përpara idenë e bashkimit të sllavëve të jugut në një shtet të shtrirë në hapësirat e dy ish-perandorive (Austro-Hungareze dhe Otomane). Projektin carist e kishte vazhduar kominterna sovjetike, e sot po e mbështet edhe Rusia neo-cariste. Ky bashkim i sllavëve të jugut në një shtet qe lejuar madje edhe nga Evropa. Por jo edhe shtetëzimi i bashkimit të shqiptarëve. Në Londër fuqitë e mëdha ndanë shqiptarët, ndërkaq në Versajë bashkuan sllavët. Londra ndau vëllezërit në më shumë shtete, ndërkaq Versaja bashkoi “kushërinjtë” në një shtet. Mbi një shekull, Evropa kundërshtoi bashkimin e të njëjtit komb në një shtet, ndërkaq lejoi bashkimin e më shumë kombeve të ndryshme në një shtet. Shqiptarëve u qe ndaluar sovranizimi shtetëror, ndërkaq serbëve, kroatëve dhe sllovenëve u qe lejuar shteti i përbashkët. Pse ky kundërshtim evropian ndaj bashkimit natyror dhe pse kjo mbështetje për bashkimin artificial? Po të parafrazonim Fihten se: “kombi është gjuha”, pse Evropa dje lejoi bashkimin e kombeve që nuk flisnin një gjuhë e ia mohon këtë të drejtë shtet-unifikuese një kombi që flet një gjuhë?
Po kjo Evropë që sot pranon kontestimin e zgjerimit të saj në Ballkan, nga kundërshtimet historike të shteteve të saj anëtare, ndaj shteteve joanëtare. Pak duhej që në samitin e Këshillit Evropian referenca historike të bëhej pjesë e konkluzioneve finale. Tri dekada nga parashikimi i Fukujamës për “fundin e historisë”, zhvillimet po dëshmojnë rikthimin e saj.