OpEd

Rikthehet Amerika!

Ardhja në Kosovë e senatorit republikan John McCain, i afërt me Presidencën Trump, dëshmon për një rikthim të fuqishëm të SHBA-së në Ballkanin Perëndimor, që dukej sikur e kishte lënë anash gjatë transicionit të pushtetit nga Presidenca e Barack Obamas tek ajo e Donald Trumpit. Këtë transicion pushtetesh e shfrytëzoi maksimalisht Rusia për frikësimin e kombeve të vogla në rajonin tonë, eventualisht për ta shtrirë e fuqizuar ndikimin e saj - qoftë edhe me atentate politike - mirëpo pas disfatës në Podgoricë dhe këndelljes së Prishtinës po ka sukses (përkohësisht?) vetëm në Shkup…

Këtë “mungesë përkushtimi” të Amerikës në Ballkan dhe veçmas në Kosovë (përmes rrugëve të tërthorta) e shfrytëzoi Rusia për fuqizim të fushatës frikësuese ndaj kombeve të vogla ballkanike për t’i nxjerrë ato nga kursi perëndimor dhe eventualisht për të krijuar kushte që në pushtet të mbesin forcat proruse, siç ka të ngjarë të ndodhë në Maqedoninë e përçarë…

Kjo fushatë informuese dhe propaganduese ruse – aspekte të luftërave të shekullit 21 - është koduar si “Doktrina Gerasimov” që spikat praktikat e Rusisë në luftën e informacionit dhe po zhvillohet me shpejtësi, e shoqëruar me përdorimin e suksesshëm të internetit.

Rusia vazhdon të paraqesë veten nën kërcënimin permanent të Perëndimit, dhe është mobilizuar për të adresuar këtë kërcënim.

Mirëpo vizita e senatorit McCain në Prishtinë përfundimisht i përzë shpirtrat e ligj nga rajoni ynë, hijet e të cilëve kanë errësuar qiellin ballkanik, duke u sjellë si fantazma që nga Podgorica (gjatë zgjedhjeve të vitit që shkoi) në Shkup aktualisht, por që errësimi i mendjes politike nga fantazma ruse hetohet edhe në Prishtinë e Tiranë...
Duke qenë që senatori McCain tha shkurt e anglisht në Prishtinë se:
1. Demarkacioni me Malin e Zi duhet të ratifikohet në Kuvend;
2. Dialogu me Serbinë duhet të vazhdohet në Bruksel deri në arritjen e paqes dhe pajtimit;
3. Ushtria kosovare duhet të krijohet me ndërrime kushtetuese;
4. Korrupsioni duhet të ndalet për ta shpëtuar shtetin e ri nga dështimi;

Pushtetit kosovar nuk i mbetet shumë hapësirë për manovrime politike.

Së këndejmi koalicioni PDK-LDK dhe Lista Sërpska ose duhet t’i adresojnë këto çështje për zgjidhje në Kuvend dhe vetë të marrin vendime të vështira, por të domosdoshme për shtetin, ose duhet t’i japin shoqërisë kosovare shansin për ta zgjedhur një konstelacion të ri forcash politike, ngase kjo klasë politike nuk arriti dot një kontratë të re sociale jo vetëm me shqiptarët, por edhe me të gjitha etnitë tjera kosovare për funksionalizimin dhe forcimin e shtetit.

Natyrisht se ky koalicion qeverisës dhe kjo Qeveri nuk mund ta mbajnë peng shoqërinë kosovare me dy-tri tema të mëdha që nga fillimi i mandatit të saj.

Koalicioni ose duhet t'i adresojë këto çështje në Kuvend dhe t'u japë zgjidhje, ose duhet ta dorëzojë pushtetin.

Realisht aleatët strategjikë të Kosovës janë që me urgjencë t'i thuhet po demarkimit të kufirit me Malin e Zi për shkak të disa dinamikave ndërkombëtare, përkatësisht bashkimit të Podgoricës me NATO-n.

Po ashtu statuti i Bashkësisë së Komunave me Shumicë Serbe duhet të dekretohet, kurse dialogu me Serbinë të rifillojë, që Kosova fillimisht t'i ruajë aleatët e saj strategjikë, si dhe të mbetet në procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë, hatri i ulëses në OKB, të hyjë në procesin e liberalizimit të vizave dhe të krijojë ushtrinë e saj kombëtare, përmes ndryshimeve kushtetuese, që të gjitha etnitë ta ndiejnë se është ushtri edhe e tyre dhe vërtet kosovare.

Në anën tjetër, për ushtrinë dhe Asociacionin palët mund të dakordohen që të shkojnë në pako, që të dyjave t'u gjendet vendi në kornizën kushtetuese të vendit, natyrisht duke i ruajtur të paprekura sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës.

Nuk është etike dhe normale që vendi dhe shoqëria të mbeten peng i një qeverie të koalicionit që për shkak të inateve me opozitën dhe për shkak të diskursit përjashtues që mund të thuhet se është “program qeverisës.”

Mbase nuk mund të paragjykohet nëse zgjedhjet e parakohshme janë zgjidhje për këto probleme. Por, megjithatë, zgjedhjet demokratike janë i vetmi mekanizëm në një demokraci, në të cilin mund të shpresohet se mund të krijohet ndonjë konstelacion i ri forcash politike, i favorshëm, që do të mund t’u jepte zgjidhje këtyre dy apo tri çështjeve madhore kombëtare.

Zhvillimet në skenën politike gjatë gjithë mandatit aktual të Qeverisë dhe të Kuvendit kanë dhënë leksione të mjaftueshme se qasja rigjide dhe agresive ndaj opozitës është kundërproduktive dhe si pasojë mund ta bllokojë sistemin.

Duke qenë se edhe opozita është pjesë e sovranitetit të popullit, për aq sa ka fuqi politike në Kuvend, asnjëherë nuk duhet përjashtuar dhe nënçmuar, por duhet të qeveriset së bashku me opozitën, sidomos në çështjet e interesit nacional, duke e përfshirë në komisionet shtetërore, në kontrollin e shërbimeve sekrete dhe të policisë e ushtrisë, në bordet e kompanive publike etj.

Shoqëria dhe shteti kosovar, pa dallime etnike, fetare e ideologjike, janë shumë me fat që kanë në krah Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nga e cila mund të mësohet se si demokratë e republikanë kur cenohen interesat amerikane kudo në botë janë të bashkuar.

Vërtet duke qenë një demokraci e brishtë dhe e re, Kosova do të shqyhej lehtësisht nga populistë narcizoidë shqiptarë dhe nga nacionalistë ekstremistë serbë, të cilët ushqehen nga taksat e qytetarëve kosovarë ndërsa flasin për narracione të mëdha (idetë shtetomëdha) dhe për ripërkufizimin e Ballkanit, pa e menduar tragjedinë që kishin përjetuar këto kombe të vogla gjatë viteve ‘90!

Madje hipokrizia më e madhe e liderëve megalomanë të rajonit është ideja që ata ia kanë ngjallur vetes se mund ta shantazhojnë Bashkimin Evropian nëse Brukseli zyrtar nuk i përfill kërkesat e tyre për integrim, pa u folur shumë për frenimin e korrupsionit që po i gërryen këto kombe deri në asht dhe sidomos për mënjanimin e kulturës së mosndëshkimit të liderëve shtihanë si Hashim Thaçi e Edi Rama, që sa herë përbrenda i kanë punët llugë bërtasin në adresë të BE-së se do të rebelohen dhe do ta bëjnë hatanë!?

I tillë ishte më herët kërcënimi i Thaçit pse BE-ja nuk ia bëri qejfin që ta shpërblente me liberalizim vizash kleptokracinë e vendosur nga ai, kurse ky i fundit, Rama, shantazhon Evropën më “përbindëshin” e quajtur “bashkim kombëtar”, thua se pa BE-në shqiptarët e bashkuar do të jenë aq të fuqishëm dhe të lumtur sa gjermanët e bashkuar!???

Por t’i kthehemi çështjes që do përgjigje të shpejtë, përse Kosova duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme?

Ndonëse ky koalicion e ka votuar Ligjin që sanksionon pjesëmarrjen e kosovarëve në luftërat e huaja, nuk ka arritur që me masa bita t’i bindë njerëzit e rinj për t’u dhënë lojalitet dhe dashuri atdheut të tyre, Kosovës, para secilës fe e ideologji.

E ka votuar me pishman Ligjin për Gjykatën Speciale, por politikisht ka bërë fushatë që populli të mos e pranojë idenë e drejtësisë ndërkombëtare!

Ndonëse ka votuar Ligjin për veteranët e luftës, nuk ka arritur që t’i bindë njerëzit që të heqin dorë nga prezantimi i rrejshëm, ngase gjithkush në Kosovë e di se listat e veteranëve të UÇK-së janë fryrë duke rënë në kthetrat e nepotizmit primitiv.

E kur jemi te ky ligj, vlen të theksohet rasti i shtetit kroat p.sh. që ka nisur hetim të madh për mashtruesit eventualë, që përmes listave të veteranëve të luftës atdhetare kanë keqpërdorur miliona euro të taksave të qytetarëve, duke ua lënë mundësinë që vetë të lajmërohen dhe të heqin dorë nga benefitet si këmbim të mosndjekjes penale; ky koalicion po ashtu, ndonëse ka bërë disa reforma fiskale dhe në të bërit biznes, nuk ka arritur t’i joshë investimet e huaja;

Ndonëse e ka frenuar korrupsionin, së paku duke mos “prodhuar” afera të modelit “Pronto”, nuk ka arritur ta vendosë sistemin e drejtësisë;

Ka votuar së fundi nën presionin e aleatëve strategjikë të Kosovës Ligjin e ri për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale, (për të cilin kishin lobuar fuqishëm ambasadori britanik, Ruairi O’Connell, dhe ai amerikan, Greg Delawie), që vlerësohet si veprim i domosdoshëm në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit, porse mijëra lëndë penale në të cilat kanë qenë të përfshirë zyrtarë të shtetit janë parashkruar ndërkohë…

Koalicioni PDK – LDK me partnerin “e vështirë” Lista Sërpska megjithatë nuk ka arritur ta shkëpusë drejtimin e shtetit nga institucionet e kapura (ekstarktive) ose përfituese…

Institucionet ekstraktive i ilustrojnë me shembullin klasik të presidentit Robert Mugabe të Zimbabvesë, i cili kishte sunduar këtë shtet me hir a me pahir dhe rëndom me një grusht të hekurt që nga viti 1980. Ai kishte fituar lotarinë kombëtare me vlerë 100 mijë dollarë zimbabvianë, rreth pesë herë sa të ardhurat vjetore për frymë të vendit.

Ai edhe nuk kishte aq nevojë për para, sepse sapo e kishte shpërblyer vetveten dhe kabinetin e tij me rritje të pagave prej 200% . (Acemoglu & Robinson; 2015: 420.)

Sa për biletën e lotarisë, Mugabe duhej të ishte njeri me shumë fat, por ajo ishte vetëm një nga treguesit se sa ka pushtet presidenti Mugabe, ngase ai qëllimshëm ka ndërtuar institucione ekstraktive.

Dhe ky term duhet të jetë kompatibil me ‘kapjen e shtetit’ në kontekstin ballkanik, përkatësisht në atë kosovar.

Nocioni ‘Institucionet ekstraktive’ mund të përkthehet në shqip si institucione përfituese” , që si përkufizim i bie se institucionet “janë kapur” nga një grup njerëzish dhe shfrytëzohen për të përfituar në kurriz të pjesës tjetër të njerëzve, pra në kurriz të qytetarëve.

Pse dështojnë kombet?

Përgjigjet në këtë pyetje sinjifikante nuk janë varfëria, thatësia ose lufta e okupimi i gjatë e as murtaja, porse politikanët që shtiren patriotë e luftëtarë lirie, e që janë liderë të regjur në korrupsion, që vjedhin shtetin e tyre pamëshirshëm dhe që përplasin shoqërinë e tyre egërsisht, që të përfitojnë nga krizat permanente, e kjo kastë politike në Kosovë mbahet në pushtet vetëm duke prodhuar kriza e jo jetesë më të mirë e besim për popullin….