Siç thotë ajo fjala e urtë: nuk është problem të gabosh, problem është të mos pranosh gabimin. Sot Komisioni Evropian refuzon të pranojë gabimin e krijimit të Republikës Koordinaciona Uprava. Në vend që të sigurohet se ky Frankeshtajn ndërkombëtar të pushojë së ekzistuari, ajo propozon zgjatjen e jetës së tij. Krijimi i këtij Frankeshtajni edhe mund të falet, insistimi në vazhdimin e jetës së tij jo
Giorgio Rosa ka qenë inxhinier italian i pasionuar pas shpikjes dhe ndërtimit. Një ditë prej ditëve Giorgio kuptoi se shteti italian shtrihet në det vetëm 10 kilometra nga bregu. Prandaj, ligjërisht çdo gjë nga i 10-i kilometër e tutje është deti i lirë ku shtete të reja teorikisht mund të krijohen. Kësisoj në kilometrin e 12-të nga bregu i qytetit Rimini, Giorgio filloi ndërtimin e një ishulli i cili do të ngrihej mbi teknikat inxhinierike të platformave detare të naftës. Më 1 maj 1968, Giorgio shpalli ishullin Republikë të pavarur të Ishullit të Trëndafilave, ndërsa veten president të Republikës. Ishulli krijoi edhe qeverinë e tij duke emëruar ministër të Financave, të Punëve të Brendshme dhe të Punëve të Jashtme. Po ashtu, ishulli kishte gjuhen e vet: Esperanto, monedhën e vet: Mil, flamurin, pullën dhe zyrën postare.
Dhe përderisa për Giorgion ishulli ishte një projekt zbavitës i krijimtarisë profesionale, për shtetin italian ishulli ishte kërcënim serioz sigurie. Shteti italian nuk mund të lejonte që pasioni i një individi të bëhet precedent për krijimin e shteteve të reja në kufijtë e Italisë. Kësisoj, në shkurt 1969 forcat ushtarake të Italisë minuan platformën e Giorgios duke fundosur në fund të Adriatikut Republikën e Ishullit të Trëndafilave. Ajo hyri në histori si “shteti” që jetoi vetëm 55 ditë.
Historinë e Giorgios dhe Ishullit të Trëndafilave së fundi NETFLIX e popullarizoi me filmin “Ishulli i Trëndafilave”, ndërsa mua e gjithë kjo histori m’u kujtua derisa isha duke lexuar lajmin për propozimin e Komisionit Evropian për njohjen e pasaportave serbe që lëshohen nga “Koordinaciona uprava” e MPB-së serbe për qytetarët e Kosovës.
Prej kohesh BE-ja nuk di se si të pozicionohet në Ballkanin Perëndimor. Në mungesë të pozicionimit të qartë karshi pavarësisë së Kosovës ajo është përpjekur të ndërlikojë e stërndërlikoj gjërat që në fakt janë fare të thjeshta. P.sh. në vend që të referohen të gjitha gjashtë shtetet me termin “shtete”, ashtu siç janë, ajo shpiku termet sikur “vendet”, “partneret” apo “ekonomitë”. Shtetet u bënë vendet, vendet u bënë partneret, e partneret u bënë ekonomi. Dhe vice vërsa – çfarëdo që ajo nënkupton?! Dhe në këtë frymë ndërlikimi e stërndërlikimi ajo shkoi aq larg saqë krijoi një shtet të ri: Republika Koordinaciona Uprava.
Republikës Koordinaciona Uprava iu dha e drejta e lëshimit të pasaportave, të cilat ndonëse do të lëshohen nga Serbia, nuk do të jenë plotësisht serbe, pasi që nuk do të gëzojnë të drejtat që gëzojnë pasaportat serbe, por njëkohësisht nuk do të jenë as të Kosovës pasi që, ndonëse janë për qytetarët e Kosovës, ato nuk do të lëshohen nga institucionet e Kosovës.
Republika Koordinaciona Uprava lindi si pasojë e paaftësisë së BE-së për të obliguar Serbinë që të njohë pavarësinë e Kosovës. Rrjedhimisht e gjetur në mes kërkesës së një vendi (Serbisë) për të lëshuar pasaportat për një vend tjetër sovran dhe kërkesës së një vendi tjetër (Kosovës) që të respektohet sovraniteti i saj, BE-ja zgjodhi opsionin e tretë: të shpikë një shtet të ri. Kështu BE-ja arriti të krijonte nga një zgjidhje e thjeshtë një problem të ndërlikuar.
E gjithë kjo ndodhi në vitin 2009, kur Serbia fitoi liberalizimin e vizave. Tani problemi i groposur prej kohësh ka nxjerrë veten zvarrë në sipërfaqe. Nga viti 2009 BE-ja ka udhëhequr procesin e dialogut me synimin e normalizimit të marrëdhënieve në mes dy vendeve. Sot ky proces normalizimi evropian gjen veten përballë një akti jonormal evropian. Së fundi BE-ja ka fasilituar një marrëveshje historike në mes Kosovës dhe Serbisë e cila, në mes tjerash, thotë se respektimi i “integritetit territorial dhe sovranitetit” është parakusht për paqen. Kësisoj i bie që Republika Koordinaciona Uprava e krijuar nga BE-ja është penguese e paqes pasi që drejtpërdrejt minon sovranitetin e Kosovës.
Siç thotë ajo fjala e urtë: nuk është problem të gabosh, problem është të mos pranosh gabimin. Kësisoj, duke lexuar propozimin e KE-së, është e qartë që KE-ja refuzon të pranojë gabimin e krijimit të Republikës Koordinaciona Uprava. Në vend që të sigurohet se ky Frankeshtajn ndërkombëtar - në përputhje me vlerat, parimet dhe marrëveshjet e sponsorizuara nga vetë BE-ja - të pushojë së ekzistuari, ajo propozon zgjatjen e jetës se tij. Krijimi i këtij Frankeshtajni edhe mund të falet, insistimi në vazhdimin e jetës së tij jo.
Të them të drejtën, në momentin e parë kur doli në sipërfaqe ky lajm, nuk kam besuar se do të dalë i vërtetë. Kam besuar se është një keqkuptim. Fatkeqësisht nuk ishte. Duke lexuar propozimin e KE-së është e qartë se Komisioni Evropian është duke ndërmarrë një hap tejet të gabuar mbi një bazë jashtëzakonisht të dobët argumentimi. Të vetmin argument që KE-ja ka është se tani pas liberalizimit të vizave për Serbinë në vitin 2009, dhe pas liberalizimit të vizave për Kosovën më 1 janar 2024, poseduesit e pasaportave të Republikës Koordinaciona Uprava do të jenë të vetmit qytetarë pa të drejtë lëvizjeje në zonën Shengen. Pra, nga një “origjinal sin” i BE-së, Komisioni Evropian tani dëshiron të thellojë gabimin fillestar duke legjitimuar këto pasaportat ilegale dhe duke njohur Republikën Koordinaciona Uprava.
Dua të jem i qartë, kjo nuk ka të bëjë me qytetarët serbë që posedojnë pasaporta të Republikës Koordinaciona Uprava. Ata janë viktimat e një politike të gabuar të shtetit serb dhe Komisionit Evropian. Ata as nuk janë pyetur, as nuk janë konsultuar kur janë bërë këto aranzhime në mes shtetit serb dhe Komisionit Evropian. Dhe, po ashtu, kuptoj gjendjen e palakmueshme në të cilën ata gjejnë veten sot kur mund të jenë të privuar nga e drejta e lëvizjes së lirë nga 1 janari 2024. Askush këtë nuk e kupton më mirë se populli të cilit kjo e drejtë iu privua më së gjati në rajon. Por, për këtë gabim të Komisionit Evropian dhe shtetit serb nuk mund të paguajë shteti i Kosovës.
Tani, në fund, përderisa kjo situatë e krijuar është përgjegjësi absolute e Komisionit Evropian për ta zgjidhur, ne duhet të merremi me detyrat tona. Me sa kuptoj, ekzistojnë disa pengesa administrative të cilat pengojnë disa shtetas serbë të Kosovës të pajisen me dokumentet e shtetit të tyre. Nuk i di detajet dhe vetëm shkurtimisht dhe sipërfaqësisht jam informuar së fundi për to. Nuk e di a qëndrojnë apo jo këto pengesa. Nëse po – atëherë është përgjegjësi e institucioneve të Kosovës që të veprojnë me gijotinë në heqjen e këtyre pengesave për të lejuar pajisjen sa më të shpejtë të të gjithë shtetasve serbë të Kosovës me dokumentet zyrtare të Republikës së Kosovës. Këtë nuk e bëjmë, sepse kështu thonë Kushtetuta, ligji apo Bashkimi Evropian. Këtë e bëjmë sepse asnjëherë nuk dëshirojmë që t’ua bëjmë të tjerëve atë çfarë të tjerët na e bënë neve.