OpEd

Republika e Belivukut

Imagjinoni një ditë të zgjohemi në Prishtinë dhe të kuptojmë se Pallati i Rinisë është rrënuar natën nga personat me “fantomkat”. Imagjinoni që në Luginë liderët opozitarë ekzekutohen për shkak të kundërshtimit të politikës së pushtetit në Prishtinë. Dhe, imagjinoni se pushteti po e përdor AKI-në për të shantazhuar opozitën politike në vend. Këto janë gjëra të paimagjinueshme të ndodhin në Kosovë, por ato tanimë janë realitet në Serbi

Më 13 shkurt 1995, në banesën e tij, Nebojsha Belivuk ka aktivizuar granatën e dorës duke vrarë veten dhe bashkëshorten e tij. Djali i tij, Velko, ka shpëtuar falë mrekullisë. Ky zhvillim i hershëm në jetën e vogëlushit Velko sigurisht që ka lënë pasoja të thella psikologjike. Pas kësaj, Velko është rritur nga kushërinjtë e tij, por arsimimin kryesor ia ka ofruar rruga. Shoqëria e zënë në tranzicion, shteti në luftë me NATO-n, sistemi i dobët arsimor dhe ekonomia në rrënoja nuk kanë ofruar perspektivë për Velkon. Kësisoj, Velko si shumica e të rinjve serbë ka kërkuar perspektivë gjëkundi, jashtë rregullave shoqërore.

Ka diçka të veçantë tek fëmijët jetimë. Jeta e ashpër e të rriturit pa prindër ndikon në formësimin ndryshe të fëmijëve. Ajo teston dhe formëson karakteret e fëmijëve jetimë shumë më ndryshe se fëmijëve që rriten nën syrin e kujdesshëm të prindërve. Ky fakt imponon fëmijët jetimë të përpiqen më shumë dhe më fort për të arritur suksesin në jetë. Dhe shpesh ata edhe ia dalin. Në fakt, disa nga njerëzit më të suksesshëm në histori të njerëzimit kanë qenë jetimë: nga Konfuçi, Aristoteli dhe Genghis Khani, e deri tek Ataturku, Mandela dhe Steve Jobsi. Si storie e pafund inspirimi sfidat dhe sukseset e fëmijëve jetimë janë edhe zhanër i pasur i krijimtarisë artistike: nga Oliver Twisti, Tarzani dhe Supermeni, e deri tek Harry Poteri, Hirushja dhe James Bondi. Por, jeta e James Bondit nuk ishte jetë për Velko Belivukun. Kësisoj ai zgjodhi jetën e një tjetër jetimi – Salvatore Rinas, il Capo dei Capi (babai i të cilit për koincidencë po ashtu ka vdekur nga shpërthimi i një bombe). Kësisoj, krim është bërë jeta e Belivukut. Vit pas viti ai do të shndërrohet në kriminelin më të rrezikshëm të Serbisë.

***

Më 24 prill 2016, pak pas mesnate, rreth 30 burra me “fantomka” mbi kokë dhe ekskavatorë kanë zbarkuar në lagjen “Savamala” dhe kanë rrafshuar me tokë një lagje të tërë në qendër të Beogradit, disa metra larg Kalemegdanit ikonik. Deri në dritën e mëngjesit, me gjithë telefonat e shumta të qytetarëve, askush nuk kishte ardhur t’i pengonte. Vetëm pasi që kishin përfunduar për çfarë kishin ardhur “fantomkat” dhe ekskavatorët janë larguar në drejtimin e panjohur. Dëshmitari i vetëm i kësaj ngjarjeje ka vdekur një muaj më vonë. Mbi vendin ku kanë rrafshuar “fantomkat” tani ngrihet “Beogradi mbi ujë”, projekt i Alabbar-it, i cili tani do të përsërisë sukseset e tij edhe në Portin e Durrësit.

***

Më 16 janar 2018, pak pas orës 8 të mëngjesit, Oliver Ivanoviq është vrarë me pesë plumba në gjoks.

***

Më 18 gusht 2022, lideri i opozitës serbe, Zdravko Ponosh, është ndaluar në kufirin me Kroacinë nga policia kufitare e Serbisë, nën arsyetimin se nuk mund të hyjë në Serbi pa u intervistuar nga Agjencia Informative e Sigurisë. Pas një orë e gjysmë pritjeje ai u lejua të hynte në Serbi.

***

Më 15 dhjetor 2022, liderja opozitare serbe në Kosovë, Rada Trajkoviq, është ndaluar në kufirin me Kosovën nga policia kufitare e Serbisë pa asnjë arsyetim. Pas më shumë se 20 orë pritjeje dhe pas përkeqësimit të gjendjes së saj shëndetësore ajo u lejua të hynte në Serbi. Ngjarja kishte ndodhur vetëm pak ditë pasi që Vuçiqi e kishte quajtur Trajkoviqin “plehra serbe nga fundi i kazanit”.

***

Këtë vit Velko Belivuk u arrestua. Në publik rrodhën informatat dhe fotografitë e krimeve më mizore të klanit të tij. Në mes tjerash, trupat e prerë dhe të bluar. Belivuk u është ofruar organeve të rendit të jetë dëshmitar bashkëpunues në rastin e rrënimeve në “Savamala” dhe vrasjen e Oliver Ivanoviqit. Gjatë dëshmisë së tij ai ka nënvizuar se ka punuar për “nevojat e shtetit”.

***

Imagjinoni një ditë të zgjohemi në Prishtinë dhe të kuptojmë se Pallati i Rinisë është rrënuar natën nga personat me “fantomkat”. Imagjinoni që në Luginë liderët opozitarë ekzekutohen për shkak të kundërshtimit të politikës së pushtetit në Prishtinë. Dhe imagjinoni se pushteti po përdor AKI-në për të shantazhuar opozitën politike në vend. Këto janë gjëra të paimagjinueshme të ndodhin në Kosovë, por ato janë tanimë realitet në Serbi.

Regjimi i Vuçiqit është denominuesi i përbashkët i klanit të Belivukut, rrënimeve në Savamala, vrasjes së Oliver Ivanoviqit dhe ndalimit arbitrar të liderëve opozitarë serbë. Asnjë nga këto nuk kanë mundur të ndodhnin pa aprovim të nivelit më të lartë politik në Serbi. Dhe këto episode të jetës politike në Serbi pasqyrojnë bukur hendekun në mes Kosovës dhe Serbisë. Apo, më mirë të them, në mes Serbisë dhe botës. Apo, edhe më mirë në fakt, të huazojë nga intelektualja e njohur serbe, e ndjera znj. Latinka Peroviq: “Serbia po shkon në drejtim të kundërt prej botës. Është e papajtueshme me Evropën”.