OpEd

Repriza

Do të doja që kjo kolumne të kishte një notë pozitiviteti në të, porse me gjithë përpjekjet, muzika live e orientalizuar me sintisajzer dhe e kënduar shqip nga një zhurmaxhi, është duke ma shkundur edhe atë pak tru që më ka mbetur. E ky zhurmaxhiu është ekzemplari më i mirë i mungesës kolektive të përgjegjësisë të kësaj shoqërie

Zgafellen e vjetme të Vitit të Ri e kisha përmbyllur me një varg dëshirash, që nisnin me atë më urgjenten: që të çliroheshim nga COVID-i. Në vijim i kisha rreshtuar edhe disa dëshira të tjera, që pak a shumë tingëllonin kështu:

“Do të doja që ky shtet më në fund të ketë para në qarkullim në formë të rregullt dhe stabile. Pa rrjedhë të parasë, sërish do të sillemi këtu ku jemi qe një dekadë e sa, duke pretenduar se i kemi shumë mirë punët, ndërkohë që mbijetojmë duke ia kompensuar njëri-tjetrit mallin me mall. Si në lashtësi.

Do të doja që njerëzit që e kanë marrë përgjegjësinë për të qeverisur ta përfundojnë më periudhën e praktikës dhe t’i futen punës seriozisht. Një vit duhet t’u mjaftojë që të kuptojnë se ku kanë hyrë dhe se cilat probleme duhen zgjidhur për të funksionuar. Njëkohësisht, uroj që të zgjohen nga vetëdashuria dhe letargjia, dhe të nisin të bëhen transparentë për punën që kryejnë. Heshtja, fshehja dhe mosdhënia e përgjigjeve nuk i bëjnë aspak më të mirë, sesa pararendësit e tyre në pushtet.

Do të doja që reforma në arsim të nisë, e me të edhe vettingu në arsim, sepse analfabetizmi ynë është për vajtim. Gjithashtu, uroj që shëndetësia të nisë të përmirësohet bile pak, që të mos detyrohemi të vazhdojmë të kërkojmë ndihmë profesionale jashtë vendit.

Fare në fund, një dëshirë të veçantë: uroj që ta marr më në fund aktgjykimin për një rast, i cili është në procedurë qe tetë vjet e gjysmë, e që e pret vendimin e shkallës së dytë qe gati katër vjet. Nuk do të doja të pensionohesha pa e marrë mu këtë aktgjykim”.

* * *

Për ta rikapitulluar një vit brenda një kolumne duhet pasur shumë imagjinatë. Imja duket të jetë e kufizuar në dëshirat që i kisha pasë numëruar tash një vit.

Dëshira kryesore m’u plotësua thuajse e plotë, pavarësisht se COVID-i ende quhet pandemi, dhe se ende po merr jetë sidomos atje ku u shfaq, në Kinë. Në Kosovë e ngadalësoi hovin, edhe pse nuk është se nuk mori jetë, por shumë më pak se atëherë kur na çmendi krejt.

Ajo e numëruara në fund m’u plotësua megjithatë, para se të dilja në pension. Pas nëntë vjetësh e gjysmë, më në fund e fitova rastin për shpifje dhe mora kompensim monetar, sado simbolik që ishte për peshën e shpifjes. Drejtësia mori gati një dekadë për ta zgjidhur një kontest jo edhe aq të komplikuar dhe më në fund vuri një lloj precedence gjyqësore. Uroj t’i shërbejë dikujt si shembull, e që gjykimi të mos i zgjasë një dhjetëvjetësh.

* * *

Vjet kërkoja stabilizim të qarkullimit të parasë. Dëshirën tepër të madhe e paskam pasur, sepse doli të ishte e paarritshme për këtë Qeveri. Me logjikën e copëtimit të parave “të kursyera” për t’i dhënë pak këtij, pak atij dhe askujt mjaft për të ruajtur dinjitet, e vetmja porosi që vinte nga ministri i Financave për mbushësin kryesor të buxhetit, pra sektorin privat, ishte: rritini rrogat. Në një ekonomi tregu, ministri i Financave mund të flasë për rritje rrogash vetëm në sektorin publik, ndërkohë që nuk do të duhej të abuzonte duke i ndarë paratë e përbashkëta vetëm sektorit publik, përcjellë nga komenti: “privatët kanë shumë pare”.

Por po shihet se te ne, gjithmonë, gjithkush mundet, në emër të shtetit, edhe të thotë, e edhe të bëjë çka të dojë. E madje mundet edhe të emërohet ministër i Financav’.

* * *

Kisha uruar edhe për avancim në qeverisje, që të tejkalohej statusi i praktikantëve që përfshiu edhe një kirurg në pension. Prej statusit të praktikantëve u kalua në ushtrues detyre. Si për shembull u.d. e ministres së Shëndetësisë, e cila ushtroi detyrën në dikasterin më problematik thuajse tre muaj. E sikur të mos mjaftonte, edhe drejtoreshën e SHSKUK-së e kemi ushtruese të detyrës. Nuk do të çuditesha po qe se nesër na shpiket edhe pozicioni i ushtruesit të detyrës së mjekut a infermieres. Pse jo?

Pata uruar që të mbërrinim t’i kuptonim mendimet dhe vendimet e institucioneve për shumë sende prej të cilave na varet jeta dhe mirëqenia. Morëm kryesisht heshtje. Niveli i mostransparencës e mbërrin nivelin alarmant. Edhe përgjigjja “nuk e di” është më e pranueshme sesa injorimi i gazetarëve dhe barrikadimi pas heshtjes. Njeriu nuk flet zakonisht kur ka çka fsheh.

* * *

Në vijim, e kisha ndërlidhur një dëshirë me këtë parapraken që pushtetarët e rinj të zgjoheshin na vetëdashuria. S’më bëri punë dëshira. I gjithë viti kaloi me vetëlëvdata për shumë gjëra dhe posaçërisht dy: për rritje ekonomike dhe për ndaljen e skandaleve të korrupsionit.

Përderisa kjo e dyta njëmend është arritje për t’u përshëndetur dhe është gjë të cilën e kemi pritur shumë gjatë, megjithatë duket të jetë edhe pasojë e faktit se u bënë dy vjet që nuk shohim asnjë investim kapital me peshë. Pra logjika është: s’ka tender, s’ka vjedhje. Por pa tender s’ka punë, për pasojë as punësim e as rritje ekonomike.

E kur jemi te rritja ekonomike, vazhdoj ta përsëris të njëjtën: nuk e di ku është shënuar ajo rritje, sepse unë nuk po e shoh. Mbase edhe nuk po di ta gjej. Arkëtimi i rritur i tagrave në doganë tregon se vazhdojmë të jemi shtet importues mallrash. Pra paratë e gatshme po na ikin jashtë. Arkëtimi më i madh nga ATK-ja tregon se evazioni fiskal po zvogëlohet, porse ai ende lulëzon.

E fundit qe një dëshirë e kamotshme për reformimin e sistemit të arsimit dhe për vettingun në drejtësi e bile edhe gjithkund tjetër kur kjo do të ishte e mundur. Dëshpëruese se sa pak kanë lëvizur gjërat para. E qartë se ka shumë pengesa objektive që e ngadalësojnë ritmin. Porse edhe ka shumë pak vizion se si të realizohen ndryshimet rrënjësore në një sistem të kalbur prej kohësh. Apo mbase vizioni është, porse ne nuk duhet as ta dimë e as ta shohim.

* * *

Do të doja që kjo kolumne të kishte një notë pozitiviteti në të, porse me gjithë përpjekjet, muzika live e orientalizuar me sintisajzer dhe e kënduar shqip nga një zhurmaxhi, është duke ma shkundur edhe atë pak tru që më ka mbetur.

E ky zhurmaxhiu është ekzemplari më i mirë i mungesës kolektive të përgjegjësisë të kësaj shoqërie. Kjo sjellje shkel të drejtat elementare të qytetarëve, ashtu siç u shkelen përditë kudo, në secilin institucion – qoftë me mohimin e ofrimit të shërbimeve, qoftë me shantazh e ryshfet, qoftë me mohimin e së drejtës për t’u informuar për atë që ka të bëjë me jetën e përditshme të qytetarit, etj.

Shumë po uroj që vitin e ardhshëm të mos kem nevojë ta shkruaj vazhdimin e tretë të urimeve që nuk përmbushen.

Paçi shëndet, plot nerva e fuqi më 2023-n ? !

[email protected]