OpEd

Rënia e dobishme në komë

Nëse kishe rënë në komë në vitin 2012 dhe ishe zgjuar sot, në 2022-tën, do ta kishe kuptuar se shumë gjëra kanë ndryshuar. Madje edhe politikanët. Por një gjë mbetet: Rrahman Jasharaj është ende kryetar i SBASHK-ut, dhe sistemi ynë arsimor është ende i fundit në botë

Jeta është tejet intensive dhe kaotike. Në veçanti jeta publike. Nga e hëna deri të premten jemi të përmbytur nga valët e pandërprera të zhvillimeve politike, ekonomike, kulturore dhe sportive. Nga mëngjesi deri në mbrëmje bombardohemi nga statistikat, faktet dhe lajmet, të cilat në fund të ditës kanë efektin e rrafshimit të kapacitetit tonë mental për të menduar drejt dhe qartë. Kriza apo lajmi i kësaj jave zëvendëson krizën apo lajmin e javës së kaluar. Kriza e çmimeve të naftës zëvendësohet nga kriza e çmimeve të ushqimit, ndërsa këto të dyja zëvendësohen nga kriza në veri, vetëm edhe kjo për t’u zëvendësuar nga militarizimi i Serbisë nga Kina. Ngado që kthehesh: televizori, kompjuteri, telefoni – dhe facebooku, twitteri, portalet - çdo gjë duket sikur sprint olimpik për lajmin e radhës. Presioni afatshkurtër kohor për lajmin e radhës na privon nga të menduarit afatgjatë për zhvillimet e gjithmbarshme shoqërore.

Në këtë kontekst, unë kam një metodë për t’u larguar nga zhurma e përditshme dhe nga lëmshi afatshkurtër i lajmeve me qëllim të hapjes së rrugës për reflektim më sistematik të ndryshimeve afatgjata.

Kur dua të mendoj për ndryshimet thelbësore afatgjata, mundohem të imagjinoj se kam rënë në komë në dhjetë vjetët e fundit, dhe të deduktoj nga kjo se sa shumë, apo pak, gjërat kanë ndryshuar kur isha zgjuar nga koma dhjetë vjet më vonë. Një mënyrë e tillë e të menduarit të shtyn të injorosh detajet e përditshmërisë dhe të mbash fokusin tek piktura e madhe e zhvillimeve. Me qëllim të ilustrimit mendoni për ndryshimet, apo për mungesën e tyre, në fushat sikur shëndetësia, arsimi apo mjedisi, këta dhjetë vjetët e fundit. Nëse kishit rënë në komë në vitin 2012, atë vit ju kishit lënë pas vetes një shëndetësi ku në spitale mungojnë elementet bazike higjienike, spitale ku çdo mjekim eventual duhet të mbulohet nga kuleta personale. Do kishit lënë pas vetes sistemin më të degraduar arsimor në botë. Do të kishit lënë pas vetes Prishtinën me ajrin më të ndotur në Evropë. Tani, imagjino sikur zgjohesh nga koma në vitin 2022: çfarë ka ndryshuar në shëndetësi, arsim apo në cilësi të mjedisit? Ti ende i blen të gjitha barnat nga kuleta personale. Në rast çfarëdo komplikimi më serioz shëndetësor je i obliguar të kërkosh shpëtim në Shkup, Beograd apo Stamboll. Rrahman Jasharaj është ende kryetar i SBASHK-ut dhe sistemi ynë arsimor është i fundit në botë. Ende nuk ka asnjë park të ri në kryeqytet, ndërsa ato pak zona të gjelbra që ti i mban mend që kanë ekzistuar në 2012-n, në “Dragodan” apo “Mat”, tani janë të betonuara. Të bën të mendosh nëse zgjimi nga koma ishte fat, apo fatkeqësi.

***

Një qasje e këtillë e të menduarit vë në pah ndryshimet afatgjata mbi shoqërinë. Disa do të janë ndryshime negative, ndërsa disa të tjera do të jenë pozitive. Një ndryshim të tillë pozitiv mund ta gjejmë tek një kandidat i papritur: partitë politike.

Nëse kishit rënë në komë në vitin 2012, skena politike është dominuar nga këta emra: Hashim Thaçi, Fatmir Sejdiu, Fatmir Limaj, Ramush Haradinaj, Isa Mustafa, Agim Veliu, Skënder Hyseni, Kadri Veseli, Adem Grabovci, Jakup Krasniqi, Sami Lushtaku. Nga ana tjetër, nëse ishit zgjuar sot nga koma, skena politike dominohet nga: Albin Kurti, Hekuran Murati, Lumir Abdixhiku, Përparim Rama, Shqipe Mjekiqi, Sibel Halimi, Memli Krasniqi, Bedri Hamza, Vlora Çitaku, Bernard Nikaj. Pra, qartazi flasim për një ndryshim radikal të partive politike. Krahasoni këtë me skenën politike në Serbi. Para dhjetë vjetësh ajo është dominuar nga Vuçiqi, Daçiqi, Xhilasi dhe Tadiqi. Dhjetë vjet më vonë janë po këta të njëjtët.

Dhe ndryshimi në Kosovë nuk ka të bëjë vetëm me emrat individualë. Klasa e re politike është thelbësisht më civile dhe më cilësore. Virtualisht e gjithë skena e re politike është ndarje kirurgjike nga gjenerata e vjetër politike. Liderët e opozitës së sotme janë të rinj, të arsimuar jashtë vendit dhe flasin gjuhë të huaja. Ata përbëjnë në fakt përjashtimin në gjithë habitatin politik të Ballkanit. Sot liderët e opozitës janë persona të cilët politikën nuk e kanë pasur karrierë. Fillimisht ata kanë qenë aktivistë të shoqërisë civile, shkrimtarë, artistë, ekspertë me angazhime ndërkombëtare apo arkitektë. Politika ka ardhur vetëm si pasojë e angazhimit tyre qytetar. Kjo është rrënjësisht ndryshe nga klasa e vjetër politike, që politikën e kanë parë si të vetmen karrierë dhe qëllim.

Ky ndryshim i klasës politike ka ndryshuar edhe mendësinë politike dhe diskursin publik. Asnjëherë me parë nuk kemi pasur debate më cilësore sa i përket qeverisjes së vendit. Politikanët çdo ditë e më shumë duken si ekspertë. Ajo çfarë po ndodh para syve tanë është ekspertizimi i politikës. Sot partitë politike janë duke zhvilluar debate teknike dhe thelbësore në pothuaj të gjitha fushat e qeverisjes: nga mënyra më e mirë teknike për administrimin e vaksinave COVID-19 e deri te variacionet e bllok-tarifave energjetike dhe ndryshimi i politikave fiskale për t’iu përgjigjur inflacionit.

***

Ky shkrim, përkundër nëntitullit sugjestiv, nuk ka të bëjë me Rrahman Jasharaj. Ai është vetëm pasojë e shkaqeve më të thella që janë duke e penguar zhvillimin e sistemit arsimor. Ajo çfarë po përpiqem të vendos në pah në këtë shkrim është se Kosova po kalon nëpër një transicion unikal dhe progresiv të skenës politike. Paria e partive politike në Kosovë është çdo ditë e më shumë një elitë e re progresive intelektuale. Ky ndryshim i klasës politike ka ndryshuar edhe debatin politik. Rrjedhimisht, debate mbi bashkimin me Shqipërinë apo meritat në luftë po zëvendësohen me debate për politikat fiskale dhe meritokracinë në institucionet publike. Debate për të djeshmen, po zëvendësohen me debate për të nesërmen. Dhe këtu duhet të njohim meritat e zonjave dhe zotërinjve të cilët kanë vendosur të hyjnë në politikë. Secili nga ne e kemi lehtë që nga komoditeti i kafeve të kritikojmë skenën politike. Ky është sport nacional jo vetëm tek ne. Por ajo çfarë është vështirë është të zhytësh veten në moçalin e partive politike, duke ofruar kontributin tënd për ndryshmin e një sistemi politik. Është ende herët të shpallet fitore e klasës së re politike mbi klasën e vjetër, por ajo çfarë pa dyshim nuk është herët është të njihet dhe të mbështetet ky transicion i filluar. Sa më parë të ndodhë, aq më mirë do të jemi të gjithë: qytetarët dhe vetë partitë politike.