OpEd

Rendi i ri ballkanik

Rama nuk është “argat i Serbisë”, “vasal i Vuçiqit” apo “agjent rus”. Ka një shpjegim shumë më elegant. Rama dhe Vuçiqi ndajnë shumë interesa të përbashkët: të dy janë në pushtet tani e një dekadë, të dy kanë degraduar demokracitë e tyre respektive, të dy kanë shkatërruar opozitën politike, të dy kanë vendosur nën kontroll pushtetet e ndara dhe institucionet e pavarura, dhe të dy kanë monopolizuar mediat kryesore të vendeve që i drejtojnë. Kësisoj, pushtetet e tyre sot nuk kërcënohen nga asnjë faktor i brendshëm. I vetmi kërcënim vjen nga jashtë

Samiti i fundit i Këshillit Evropian ishte i veçantë. Ishte disi si një dramë tipike ballkanase dhe rrjedhimisht solli lajme të mira dhe lajme të këqija. Lajme të mira erdhën nga BE-ja, ndërsa lajme të këqija erdhën nga Ballkani. Le të fillojmë me lajme të mira.

E para, kuptuam që gjasat e Kosovës për liberalizim të vizave asnjëherë nuk kanë qenë më të mëdha. Gjatë samitit, pjesa e madhe e vendeve anëtare të BE-së kanë mbështetur liberalizimin e vizave. Ndoshta edhe më me rëndësi për herë të parë asnjë vend nuk ka qenë kundër liberalizimit vizave. Ishte sinjal i rëndësishëm politik që kjo ndodhi gjatë presidencës franceze të Këshillit të BE-së. Në këtë frymë konstruktivitetit ndryshim u vërejt edhe tek Holanda. Një ditë para samitit Parlamenti Holandez ka ftuar qeverinë që të rishikojë qëndrimin për liberalizimin e vizave. Prandaj, gjatë samitit kryeministri holandez, z. Mark Rutte, deklaroi se ka progres për çështjen e liberalizimit vizave. Rrjedhimisht, tani jemi me një skenar ku ekzistojnë gjasat reale për përfundimin e procesit të vendimmarrjes deri në fund të këtij viti në mënyrë që qytetarët e Kosovës të udhëtojnë lirshëm në zonën Shengen nga fillimi i vitit të ardhshëm. Këtë skenar mund ta pengojë tani vetëm një regres i theksuar në sundimin e ligjit apo dialogun me Serbinë.

E dyta, samiti ishte moment historik për Ukrainën, Moldavinë dhe Gjeorgjinë. Ukraina dhe Moldavia fituan statusin e vendit kandidat, ndërsa Gjeorgjisë iu premtua statusi kandidat pas përmbushjes së kritereve shtesë që i janë vënë. Një gjë e paimagjinueshme para gjashtë muajsh u bë e mundur. Jemi dëshmitarë të vetë historisë. BE-ja si projekt politik projektoi fuqinë e vet në skajin më të largët lindor që nga Lufta e Dytë Botërore. Atë çfarë perandoritë nuk arritën me luftë, BE-ja arriti në paqe. Asnjëherë ndikimi perëndimor nuk është shtrirë më afër Moskës. Dhe krejt kjo falë Putinit.

E treta, u vërtetua një vullnet i gjerë i BE-së për nisjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, si dhe dhënien e statusit të vendit kandidat për Bosnjë dhe Hercegovinën. Tani është pothuaj e sigurt që këto vendime do të merren në samitin e ardhshëm të Këshillit Evropian.

***

Nga ana tjetër, samiti solli lajme të këqija: cirku i Ballkanit të Hapur zbarkoi në Bruksel. Fillimisht tre liderë të Ballkanit të Hapur vendosen në dyshim pjesëmarrjen e tyre në takim me 27 liderë të shteteve të BE-së. Kjo ishte asgjë më pak se skandal i katërfishtë. E para, kjo ishte hera e parë prej kohës së Millosheviqit që liderët e Ballkanit refuzojnë takimet me liderët evropianë. E dyta, ky refuzim ndaj liderëve të BE-së në sfondin e luftës në Ukrainë ishte dhuratë për propagandën ruse mbi dobësinë e strukturave euro-integruese. E treta, ky vendim i këtyre tri vendeve respektive përçau Ballkanin Perëndimor, pasi që vendimi ishte marrë pa asnjë konsultim me Malin e Zi, Kosovën dhe Bosnjën – përkundër implikimeve të drejtpërdrejta në rrugën e tyre integruese. Kësisoj edhe u dëshmua ajo çfarë kritikët e Ballkanit të Hapur paralajmëronin: Ballkani i Hapur dëmton bashkëpunimin rajonal dhe integrimet evropiane. Dhe e fundit, refuzimi ndodhi në një sfond të krizës energjetike dhe ushqimore kur Ballkani ka nevojë për ndihmë dhe koordinim sa më të madh me BE-në, jo konfrontim me BE-në.

Sidoqoftë, shantazhi ballkanas doli të jetë më shumë ballkanas se shantazh. Në fund, tre liderët në fjalë udhëtuan drejt Brukselit dhe atje, pasi që kuptuan se nuk kanë asnjë fuqi shantazhi ndaj BE-së, vendosën të orkestronin një konferencë antievropiane në zemër të Evropës. Nën organizimin e Ambasadës së Serbisë dhe të moderuar nga këshilltarja për media e presidentit të Serbisë, tre liderë përcollën katër mesazhe thellësisht antievropiane.

E para, Rama barazoi regjimin gjenocidal të Putinit me Bashkimin Evropian. Prandaj ai tha: “Thonë se Vladimir Putini është shumë i sëmurë! Vladimir Putini mund të jetë me të vërtetë i sëmurë ose edhe mund të mos jetë fare i sëmurë, por më lini t’ju them se kjo situata këtu nuk duket posaçërisht e shëndetshme.” Pra, për Ramën mos-hapja e negociatave të anëtarësimit nga ana e BE-së është e barabartë me vrasjen në masë të civilëve ukrainas dhe shkatërrimin e një shteti të tërë nga ana e Rusisë.

E dyta, në vazhdimësi të këtij narracioni antiperëndimor, Rama sulmoi BE-në me fjalor ekstrem sikur “kidnapim”, “mashtrim” dhe “turp”. Kësisoj, ai huazoi nga narracioni rus për të sulmuar institucionet euro-atlantike. Ishte vetëm edhe një person tjetër në botë që ishte dakord me Ramën: zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, znj. Maria Zakharova. Në pothuaj të njëjtën kohë kur Rama cilësoi BE-në si “mashtruese”, znj. Zakharova cilësoi vendimin e BE-së për statusin e vendit kandidat për Ukrainën dhe Moldavinë si “mashtrim”. Kësisoj, në një akt të bukur ironie, Shërbimi Informativ i Shtetit (SHISH) doli po të njëjtën ditë me këtë konkluzion: “Lidhur me zgjerimin e BE-së, propaganda dashakeqe e portretizon BE-në si organizatë të dobët, joefikase dhe të paaftë për të sjellë zhvillim në rajon. Narrativa të tilla amplifikojnë nacionalizmat dhe mbështesin aktorë dhe faktorë destabilizues rajonalë, ndikojnë në perceptimin e publikut, por edhe te vendet skeptike, për ecurinë e vendeve të rajonit në proceset euro-integruese”. Pra, pa dashje, por me saktësi të plotë, SHISH-i identifikoi Ramën dhe Zakharoven si “amplifikues” të “propagandës dashakeqe” dhe “faktorëve destabilizues rajonalë”.

E treta, konferenca për shtyp ekspozoi një nga pasojat e Ballkanit të Hapur. Ballkani i Hapur ka krijuar një organizëm politik i cili ka thyer izolimin ndërkombëtar të Serbisë. Kësisoj, në vend që Serbia të shihet ashtu si është: antiperëndimore, e izoluar dhe problem kyç i rajonit, falë Ballkanit të Hapur ajo u portretizua si gardian perëndimor paqeje, faktor stabiliteti dhe promovues i bashkëpunimit rajonal. Kësisoj, Vuçiqi qëndroi i rrethuar nga liderë të dy vende të NATO-s dhe foli për rëndësinë e paqes, bashkëpunimit rajonal dhe Ballkanit të Hapur – ama jo për refuzimin e vendosjes së sanksioneve ndaj Rusisë. Ai doli në mbrojtje të nisjes së negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, por jo para se të marrë haraçin e tij dhe të shpjegojë se si Serbia nuk është e izoluar dhe ajo padrejtësisht po sulmohet nga mediat ndërkombëtare me plot 2,629 artikuj për destabilizim të rajonit. Me qëndrimin krah për krah me Serbinë dy vendet e NATO-së legjitimuan këtë shpifje të Vuçiqit. Në fakt, të gjitha këto Rama i mbrojti me zell. Ai tha se: “Sa herë i është kërkuar të votojë në Kombet e Bashkuara, Serbia është radhitur krah Perëndimit e vendeve të BE-së. Është lëvizja e parë e madhe e Serbisë në drejtim të kundërt me Rusinë, çka faktikisht i forcoi marrëdhëniet tona, sepse e kundërta do t'i kishte shkatërruar nga e para. Për një vend ku shkalla e miratimit të Vladimir Putinit është 80%, nuk mendoj se ka ndonjë këtu që mund të vërë në diskutim përpjekjen e lidershipit në Serbi ndaj projektit evropian, ndërkohë që të gjithë mund ta shohin nga shumë larg, se projekti evropian nuk është më tërheqësi për opinionin publik të Serbisë. Kësisoj, nuk është e mençur tërheqja nxitimthi e litarit të presionit me kërkesat për sanksione.” Pa hyrë te “përpjekjet evropiane të Vuçiqit” dhe argumenti qesharak i 80%-shit, le të fokusohemi te mbrojtja që i bën Rama Vuçiqit. Pra, tani Rama bën diçka që absolutisht askush në botë nuk e bën: akomodon Vuçiqin. Nga SHBA-ja e deri te Gjermania dhe Franca – të gjithë janë njëzëri për urgjencën e vendosjes së sanksioneve Ruse nga ana e Serbisë. Është vetëm një njeri i cili mendon të kundërtën. Pse e bën Rama këtë?

Kjo na sjell te pika e fundit. Rama nuk është “argat i Serbisë”, “vasal i Vuçiqit” apo “agjent Rus”. Ka një shpjegim shumë më elegant. Rama ka ngritur një aleancë me Vuçiqin puro mbi interesat e tyre të ruajtjes së pushtetit. Rama dhe Vuçiq ndajnë shumë interesa të përbashkëta: dytë janë në pushtet tani e një dekadë, dytë kanë degraduar demokracitë e tyre respektive, dytë kanë shkatërruar opozitën politike, dytë kanë vendosur nën kontroll pushtetet e ndara dhe institucionet e pavarura, dhe dytë kanë monopolizuar mediat kryesore në vendet që i drejtojnë. Kësisoji pushteti i tyre sot nuk kërcënohet nga asnjë faktor i brendshëm. I vetmi kërcënim vije nga jashtë. Vije nga faktori më demokratizues i Ballkanit: Bashkimi Evropian. Kjo është edhe arsyeja përse çdo ditë që kalon ata duken më shumë si Putini, Lukashenko apo Erdogani dhe më pak si Bideni, Scholzi apo Macroni. Por Ballkani nuk është Rusi. Ata kuptojnë se dalëngadalë ata po i afrohen pikës së ezaurimit të mundësive demokratike për të mbetur në pushtet. Sidoqoftë, dorëzimi i pushtetit nuk është opsion i autokratëve dhe në veçanti jo në një sfond lulëzues për autokracitë. Prandaj, ata kanë marrë mësime nga bashkëpunimi global i autokracive që kanë ngritur Putini, Xi Jinping, Lukashenko, Erdogani dhe MBS-i, në mes tjerash; dhe tani ata dëshirojnë të aplikojnë këto mësime në Ballkan. Dëshirojnë të krijojnë një rend të ri politik në Ballkan. Dhe në këtë ndërmarrje autokratët globalë janë treguar të gatshëm t’i mbështesin. Prandaj Vuçiqi dhe Rama ruajnë me xhelozi dhe “vëllazëri” marrëdhëniet e tyre me Putinin dhe Erdoganin. Prandaj dytë kanë marrë dhe propaganduar vaksina ruse, turke dhe kineze, dhe jo ato evropiane dhe amerikane. Prandaj të dy kanë zgjedhur për investimet kyçe të huaja investitorët nga lindja e mesme (Beogradi Mbi Ujë dhe Porti i Durrësit), dhe jo investitorët evropianë apo amerikanë. Dhe prandaj Vuçiqi ndihmon Ramën në sulmet e tij ndaj BE-së, ndërsa Rama ndihmon Vuçiqin në kërkesat perëndimore për vendosjen e sanksioneve ruse. Rama dhe Vuçiqi kanë kuptuar atë që kanë kuptuar Putini dhe Xi Jinping: të bashkuar janë më të fuqishëm. Prandaj, Rama dhe Vuçiqi kanë vendosur të gjithë energjinë e tyre në ngritjen e një bashkëpunimi të afërt nën ombrellën e Ballkanit të Hapur. Kësisoj, Ballkani i Hapur është organizëm i tyre kryesor politik për t’iu kundërvënë ndikimit nga jashtë. Ballkani i hapur krijon një hapësirë të re politike ku forcat autokratike të rajonit mund të mbyllin rajonin ndaj ndikimeve demokratizuese të jashtme dhe të krijojnë rregulla të reja të lojës që në asnjë formë nuk do ta kërcënonin pushtetin e tyre në Ballkan. Po ashtu, kësisoj të bashkuar ata do të ishin më të fuqishëm në përballje me BE-në si forcë kryesore demokratizuese të rajonit dhe rrjedhimisht, kërcënuese për interesat e tyre. Dhe javën e kaluar ata sqaruan se në realizimin e këtij qëllimi janë të gatshëm të përdorin edhe dhunën. Prandaj, Rama hapur kërcënoi liderët e BE-së kur tha: “Sot, u bëj thirrje të gjithëve për ta mbështetur pa asnjë mëdyshje Ballkanin e Hapur, nëse nuk doni që rajoni ynë të shkatërrohet sërish përpara syve tuaj”. Dhuna është letra e fundit e çdo autokrati në rënie.

***

Janë pesë mesazhe të rëndësishme nga zhvillimet e javës së kaluar në Bruksel.

E para, politika rajonale e Shqipërisë ka lëvizur thellësisht nga shtrati i saj tradicional. Epiqendra e saj ka lëvizur nga Prishtina në Beograd. Kjo nuk do të thotë se kjo lëvizje është e gabueshme për shtetin shqiptar. Ndoshta mund të jetë edhe e drejtë; nuk e di, jemi duke vepruar me shumë pak informata publike për të bërë një gjykim më holistik, por sidoqoftë asnjë lëvizje kaq drastike e politikes rajonale të Shqipërisë nuk mund të bëhet pa një debat të hapur publik.

E dyta, akuzat që Rama ka bërë ndaj BE-së nuk janë vetëm “stil komunikimi”. Jo, ato ishin sulm i mirëmenduar që ka pasur për qëllim të qartë diskreditimin e BE-së. Dhe ai nuk e ka bërë këtë sepse është i paarsyeshëm, por sepse e kupton kokëftohtë se BE-ja është kërcënim më serioz ndaj pushtetit të tij në Tiranë. Kërkesat e BE-së për zgjedhje të lira dhe fer, sundim të ligjit dhe liri të mediave dhe institucioneve të pavarura shkojnë në kundërshtim të plotë me synimet e Rames. Nëse i janë dashur tetë vjet Ramës për ta bindur BE-në që e meriton hapjen e negociatave, imagjinoni sa do t’i duhen për të mbyllur ato. Rrjedhimisht, Rama e di që koha po vjen kur BE-ja do të jetë faktor kyç që do të kontribuoj në rënien e tij demokratike, prandaj ai ka zgjedhur që t’i shpallë i pari luftë BE-së.

E treta, në këtë luftë kundër BE-së Rama e di se nuk mund të fitojë i vetëm. Prandaj, ai ka ngritur aleancë me të ngjashmit e tij në rajon dhe botë. Aleanca e tij me Vuçiqin është kurorëzuar brenda Ballkanit të Hapur. Aty ata ndajnë interesat e përbashkët. Tani Ballkani i Hapur është mjet kryesor politik i forcave autokratike të Ballkanit në betejën e tyre kundër BE-së dhe progresit të gjithmbarshëm të rajonit.

E katërta, i gjithë spektri politik i Kosovës ka treguar urtësi dhe pjekuri kur ka lexuar saktë qëllimet e Ballkanit të Hapur. Me kalimin e çdo dite po kuptojmë se sa i saktë ishte vendimi për t’u distancuar sa më larg nga kjo iniciativë. Por përtej Ballkanit të Hapur dhe duke iu kthyer interesave tona, pas samitit të javës së kaluar gjasat e Kosovës për liberalizimin e vizave asnjëherë nuk kanë qenë më të mëdha. Tani e gjithë vëmendja e Kosovës duhet të jetë në intensifikimin e reformave dhe dialogut me vendet anëtare dhe institucionet e BE-së në mënyrë që të kemi një vendimmarrje pozitive për liberalizimin e vizave deri në fund të këtij viti.

E pesta, ankorimi përfundimtar i Ukrainës, Moldavisë dhe Gjeorgjisë pranë BE-së ka ndryshuar përgjithmonë procesin e zgjerimit të BE-së. Tani ai është njëri nga mjetet kryesore në arsenalin politik të aleatëve për t’iu përgjigjur realitetit të ri gjeopolitik në kontinentin evropian. Aleatët perëndimorë tanimë kanë çimentuar mbështetjen politike, ushtarake dhe ekonomike përkitazi me të ardhmen evropiane të trios lindore. Ky zhvillim i ri politik do të dinamizojë procesin e zgjerimit të BE-së edhe në Ballkanin Perëndimor.