Në fund të vitit 2016 ishin 6.603 vende të punës më pak sesa në vitin 2013
“Me ne në qeveri, çdo familje do të ketë një të punësuar”, shkruhej në një poster elektoral të partisë Nisma, i cili më ra në sy derisa po ecja në rrugën “Agim Ramadani”, në afërsi të Fakultetit Juridik në Prishtinë. Edhe pas një muaji nga përmbyllja e fushatës, posteri qëndron ende aty. Pasi që nuk munda të gjeja asnjë program zgjedhor të shkruar të partisë Nisma apo të koalicionit parazgjedhor PAN, për të kuptuar nëse ka ndonjë shtjellim më të thellë të këtij premtimi, shikova disa nga TV debatet për ekonominë, të mbajtura gjatë fushatës zgjedhore. Në çdo debat përfaqësuesit e Nismës e përsëritnin këtë premtim. Në një debat në “Jeta në Kosovë”, një anëtar i Nismës deklaronte se “sipas statistikave të fundit janë 25 mijë familje pa asnjë të punësuar”.
Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), në Kosovë janë mbi 297 mijë ekonomi familjare, 121 mijë prej të cilave nuk kanë asnjë të punësuar. Pra, 97 mijë familje më shumë sesa që Nisma deklaronte gjatë fushatës. Por ky nuk është absurdi më i madh me këtë premtim. Edhe sikur zyrtarët e Nismës të identifikonin me saktësi numrin e familjeve të cilat nuk kanë asnjë të punësuar, premtimi për punësimin e një anëtari nga çdo familje është premtim i cili bie ndesh me çdo standard të procesit të punësimit. Si do të obligosh bizneset private që të punësojnë dikë vetëm se partia e ka identifikuar se ka nevojë për punësim? Apo ndoshta të gjithë ata 122 mijë persona nga secila familje do të punësohen në sektorin publik, aty ku edhe ashtu shkelen kriteret për punësim?
Qeveria e kaluar e filloi mandatin më 2014 me premtimin se do të krijojë 120 mijë deri 200 mijë vende të reja të punës. E mbylli mandatin duke u mburrur se ka krijuar 40 mijë vende të reja të punës. Pak ditë pas zgjedhjeve, Banka Botërore (BB) publikoi një raport të detajuar për tregun e punës në Kosovë. Sipas BB-së, rritja ekonomike mesatarisht në 3.5% në vit nga 2008 e këndej nuk ka ndikuar fare në rritjen e punësimit. Madje, viteve të fundit krijimi i neto vendeve të punës ka shënuar rënie. Neto vendet e punës nënkupton dallimin në mes të vendeve të reja të punës dhe vendeve të shuara të punës.
Edhe pse Qeveria mund të mburret për krijimin e 40 mijë vendeve të reja të punës, ajo çfarë lë anash pa përmendur është se sa vende të “vjetra” të punës janë shuar? Sipas raporteve të ASK-së, më 2016 ishin 6.603 vende të punës më pak sesa në vitin 2013. Nga viti 2005 deri në vitin 2014, janë krijuar vetëm 63 mijë vende të reje ta punës. Apo mesatarisht 6.300 vende të reja të punës në vit. Gjatë kësaj kohe Kosova është qeverisur nga katër qeveri, me koalicione të ndryshme mes katër partive, secila nga to në çdo palë zgjedhje ka premtuar minimum 30 mijë vende të reja të punës çdo vit.
Shumica e vendeve të reja të punës krijohen nga bizneset e reja, të cilat janë mikrobiznese me nga 1 deri 9 të punësuar. Por vetëm gjysma e bizneseve të reja mbijetojnë më shumë sesa pesë vjet dhe pjesa më e madhe e tyre mbesin gjithmonë vetëm biznese të vogla, pa mundësi zgjerimi. Mbi gjysma e vendeve të punës janë në Prishtinë, fakt që dëshmon për lëvizjet e mëdha të popullsisë që kanë ndodhur pas luftës nga vendbanimet e tjera në drejtim të Prishtinës.
Edhe pse Kosova ka popullsinë më të re në Evropë, në të njëjtën kohë ka popullsinë më të pashkolluar dhe më të papërgatitur për tregun e punës. Në një raport të Institutit GAP të publikuar në muajin maj për industrinë e shërbimeve, mbi 82% të kompanive të anketuara kanë raportuar se kanë hasur në vështirësi të gjejnë punëtorë të kualifikuar, në 57% të rasteve pamundësia për të rekrutuar personat e kualifikuar ka penguar bizneset në kryerjen e shërbimeve, e në shumicën e rasteve kjo ka ndikuar në uljen e produktivitetit. Studimet kanë treguar se personat me shkathtësi të duhura të punës ndikojnë direkt në rritjen e produktivitetit edhe te personat më pak të përgatitur për punë. Andaj, mungesa e ekspertizës në pozita kyç në të gjitha llojet e industrisë në Kosovë ka ndikim direkt edhe në produktivitetin e bizneseve dhe në rritjen e tyre.
Ajo çfarë nuk thuhet në raportin e Bankës Botërore është se gjysma e atyre 63 mijë vendeve të punës të krijuara për dhjetë vjet janë pozita në sektorin publik. Rritja e punësimit në sektorin publik së bashku me rritjen e pagave dhe të subvencioneve sociale janë një ndër faktorët kryesorë që kanë ndikuar në ngadalësimin e rritjes ekonomike dhe në krijimin e vendeve të punës. Kosova shpenzon më shumë se çdo vend tjetër i Evropës Juglindore për paga dhe mëditje si përqindje të shpenzimeve totale të buxhetit. Kjo, së bashku edhe me problemet e tjera infrastrukturore, me mungesën e sundimit të ligjit dhe kualitetin e edukimit kanë ndikuar në një shkallë kaq të ulët të punësimit.
Vendit nuk i duhet një qeveri që manipulon me emocionet e të papunëve në fushata zgjedhore dhe që manipulon me shifra të punësimit gjatë qeverisjes. Problemi i papunësisë nuk zgjidhet me premtime boshe “për të punësuar nga një person për çdo familje”, por zgjidhja qëndron te një mori veprimesh afatmesme e afatshkurta, të cilat krijojnë një ambient të përshtatshëm për rritjen e bizneseve dhe të punësimit. E këto veprime janë identifikuar në dhjetëra raporte të ndryshme.