OpEd

Refuzimi i një fjale për të vdekur

Nisja e procedurave për shpalljen e zgjedhjeve në katër komunat e veriut, si dhe zvogëlimi i koordinuar i prezencës së policisë në veri janë të gjithë hapa në drejtimin e duhur. Tani na mbetet vetëm të ngelim me shpresë se kjo është pjesë e një ndryshimi strategjik të kursit të kryeministrit Kurti në kuadër të dialogut dhe jo një manovër e radhës politike. Këtë shpresë e ka edhe BE-ja, por për BE-në shpresa nuk është strategji

Bashkimi Evropian është simboli më kuintesencial i artit të diplomacisë. Çdo ditë mbrapa fasadave monotone të Brukselit zhvillohen qindra takime ku përfaqësuesit e 27 vendeve sovrane, të shoqëruar me termoset e pafund të kafesë së pashijshme, negociojnë çdo gjë nga kuotat e peshkimit në Mediteran, deri tek investimet strukturore në Baltik. Shpesh ky proces negociator bllokohet tek dakordimi apo mosdakordimi i përdorimit të një fjale të vetme. Për shembull, kur Rusia filloi pushtimin e Ukrainës janë zhvilluar negociatat e gjata nëse BE-ja duhet të ofrojë “mbështetje të fortë për Ukrainën” apo të “mbështesë Ukrainën deri në fund”. Ndonëse në sipërfaqe këta dy togfjalësh janë të ngjashëm, në thelb këta përfaqësojnë dy kategori krejtësisht të ndryshme të përkushtimit dhe përfshirjes së BE-së në kuadër të luftës në Ukrainë.

Njëjtë ishte edhe në Samitin e fundit të NATO-së në Vilnius. Deri në rrezet e para të mëngjesit janë zhvilluar negociatat për fjalorin që do të përdoret për Ukrainën: a do t’i ofrohet Ukrainës “anëtarësim” apo “anëtarësim kur lejojnë kushtet”? Këta dy togfjalësh kanë implikime krejtësisht të ndryshme për sigurinë e kontinentit evropian, por edhe rendit ndërkombëtar në përgjithësi. Kjo është edhe arsyeja përse çdo dokument i Brukselit vështrohet me mikroskop nga kancelaritë e botës. Kjo është edhe arsyeja përse së fundi kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, z. Rishi Sunak, reagoj ashpër kur BE-ja iu referua Ishujve Falkland me “Islas Malvinas/Falkland Islands”. Në një sens mund të thuhet se Mbretëria e Bashkuar përjetoi nga dora e parë atë çfarë Kosova përjeton në baza të rregullta nga përkufizimi standard “Peć/Pejë” brenda dokumenteve të BE-së.

Këtë ndjeshmëri të diplomatëve ndaj përdorimit të fjalëve të caktuara në situatat e caktuara së fundi e kuptuam në kuadër të dialogut Kosovë – Serbi. Pasi që Kosova refuzoi të dëgjonte këshillat e kancelarive perëndimore sa i përket veriut, SHBA dhe BE vendosën të zbatojnë atë që në diskursin publik u cilësuan “sanksionet” ndaj Kosovës. Kësisoj kryetituj në pothuaj të gjitha mediat u bë fjala “sanksionet”. Por, kur ambasadori Hovenier u pyet për “sanksionet”, ai bëri të qartë se SHBA-ja asnjëherë nuk ka përmendur fjalën “sanksionet”, por “pasojat”. Në të njëjtën frymë Petar Stano, zëdhënës i shërbimit të jashtëm të BE-së, tha: “Nuk ka sanksione ndaj Kosovës, por një seri të masave”. Prandaj, ata që kanë përcjellë me vëmendje deklaratat e përfaqësuesve ndërkombëtarë do të vërejnë se asnjë përfaqësues ndërkombëtar nuk e ka përdorur asnjëherë fjalën “sanksionet”. Në vend të saj janë përdorur me pedanteri diplomatike dy fjalë të tjera: “masat” dhe “pasojat”. Kësisoj, sekretari i Shtetit, z. Blinken, tha: “Këto veprime...do të kenë pasoja në marrëdhëniet tona bilaterale me Kosovën”. Ndërsa përfaqësuesi i Jashtëm i BE-së, z. Borell, tha: “BE-ja është e gatshme të zbatojë masat serioze. Dështimi për të depërshkallëzuar tensionet do të sjellë pasojat negative”. Pra, në çdo prononcim të aleatëve tanë perëndimorë janë dy fjalë kyç që përsëriten: “masat” dhe “pasojat”. Por, përkundër kësaj, fjala “sanksionet” refuzon të vdesë.

Tani, ndonëse në sipërfaqe fjalët sikur “sanksionet” dhe “masat” janë të ngjashme, në thelb ato përfaqësojnë dy kategori krejtësisht të ndryshme diplomatike. “Sanksionet” janë instrument represiv i rregullimit të marrëdhënieve në mes palëve në skenën ndërkombëtare. Si të tilla ato përdoren si mjetet e instancës së fundit në kuadër të marrëdhënieve diplomatike. Thënë ndryshe, siç kanë kuptuar Sadami i Irakut dhe talibanët e Afganistanit, sanksionet janë mjeti i fundit të diplomacisë dhe uverturë e ushtrisë. Nga ana tjetër, masat janë instrument shumë më i butë diplomatik i cili ka për synim rirregullimin e marrëdhënieve në mes palëve, duke parandaluar kështu nevojën për ndërmarrjen e sanksioneve.

Kjo nuk do të thotë se masat janë krejtësisht beninje. Patjetër se edhe ato kanë kosto të tyre. Nën këto rrethana është naivitet të presësh se aleatet tanë perëndimorë do të mbështesin anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës apo pranimin e aplikacionit të Kosovës për statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE. Anulimi i “DEFENDER EUROPE 23” do të privojë ushtrinë e Kosovës nga ushtrimi më i avancuar ushtarak në kontinentin evropian. Anulimi i takimeve të strukturave të Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit në mes Kosovës dhe BE-së do t’ua mohojë institucioneve të Kosovës ekspertizën më të fundit të BE-së në fushat sikur drejtësia dhe bujqësia, ndërsa pezullimi i fondeve të BE-së do të shtyjë zbatimin e të gjitha projekteve të parapara me muaj të tërë. Por, njëkohësisht duhet nënvizuar se të gjitha këto masa nuk prodhojnë efekte të pariparueshme. Në momentin kur këto masa hiqen, proceset anëtarësuese të Kosovës do të rifillojnë, FSK-ja do të nisë përgatitjet për “DEFENDER EUROPE 24”, ndërsa takimet dhe fondet evropiane do t’i kthehen normalitetit.

Masat e vendosura nga SHBA-ja dhe BE-ja nuk kanë për synim të dëmtojnë Kosovën. Ky është edhe tipari kyç dallues nga sanksionet. Sanksionet kanë qëllim të qartë dhe specifik të dëmtimit të palës tjetër. Masat nga ana tjetër janë mjete diplomatike që kanë për synim krijimin e hapësirës së nevojshme politike për dialog. Prandaj, ato duhet parë si ftesë politike për korrigjim kursi në kuadër të dialogut. Qëllimi i masave është të tërheqin vëmendjen e kryeministrit të Kosovës ndaj seriozitetit me të cilin ata trajtojnë dialogun me Serbinë. Dhe në këtë drejtim është inkurajuese që institucionet e Kosovës i janë përgjigjur pozitivisht kësaj ftese. Nisja e procedurave për shpalljen e zgjedhjeve në katër komunat e veriut, si dhe zvogëlimi i koordinuar i prezencës së policisë në veri janë të gjithë hapa në drejtimin e duhur. Tani na mbetet vetëm të ngelim me shpresë se kjo është pjesë e një ndryshimi strategjik të kursit të kryeministrit Kurti në kuadër të dialogut dhe jo një manovër e radhës politike. Këtë shpresë e ka edhe BE-ja, por për BE-në shpresa nuk është strategji. Prandaj, masat e vendosura nga BE-ja do të ngelin në fuqi deri kur sigurohet përfundimisht se z. Kurti ka vendosur kurs të pakthyeshëm në drejtimin e ri të dialogut.